“Revizori” shfaqja fituese e festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”

Në edicionin e 20-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili në mënyrë tradicionale mbahet në Dibër, triumfoi teatri “Aleksandër Moisiu”, shfaqja e të cilit “Revizori” në regji të Driada Dervishit u shpall si më e mira.

Aktori Gentian Zenelaj u shpall si aktori më i mirë.

Çmimin “Sulejman Pitarka” për regjinë më të mirë e mori Zana Hoxha nga Teatri Kombëtar i Prishtinës për dramën “Zgjimi pranveror”.

Çmimin për aktoren më të mirë, për herë të dytë, e mori Vjollca Bekteshi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.

Shfaqjet e teatrove nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova u mbajtën në sallën e koncerteve në Qendrën e Kulturës, duke ruajtur protokollet për mbrojtje nga Covid-19. / atsh / KultPlus.com

‘Dasmë’ në Kalanë e Beratit

Një familje në rrokullimën e fatit. E premtja mbrëma, sjell për publikun e qytetit të njëmijë e një dritareve, komedinë “Martesa”. Komedia e Çehovit, me regjinë e Driada Dervishit, pas suksesit ë amfiteatrin e Durrësit, zbret në Berat.

Komedia është përmbledhja e 5 pjesëve: “Martesa”, “Tragjik pa dashje”, “Ariu”, “Propozimi”, për t’u mbyllur, me “Këngën e mjellmës”, e konceptuar si një këngë nostalgjie për kohën që ikën. Një nostalgji lirike, që përshkruan gjithë krijimtarinë e dramaturgut të mirënjohur rus Anton Çehov, që sjell regjisorja Dervishi, duke pasur parasysh interesimin e vazhdueshëm të publikut.

“Martesa” vijon celebrimet, në kalanë magjike të Beratit”, – shkruhet në faqen zyrtare të teatri. Komedia ka marrë disa vlerësime deri tani. Ajo është shpërblyer me çmimet “Regjia më e mirë në “KoKo Fest 2016”, aktorja më e mirë jo protagoniste në “KoKo Fest 2016” dhe çmimi i publikut në “Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit Moisiu On”.

Me regjinë dhe tekstin përshtatur nga Driada Dervishi, koreograf Elton Cefën, drejtor fotografie Daniel Dervishin, kostumografinë nga Driada Dervishi dhe Adelina Muça, “Martesa” ka ngjallur interes për publikun artdashës. Si udhëheqëse vokale, vjen mezzo-soprano Olta Juba, ndërsa në role, aktorët e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në role vijnë aktorët Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma. Komedia “Martesa” erdhi premierë për publikun në vitin 2015, nga regjisorja Driada Dervishi.

Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë nga të kurdisurat për interes nga e ëma e vajzës. Aty gjen nusen, që do të argëtohet, e një dhëndër koprac. Gjen një bashkëshort, që është lodhur nga përgjegjësitë e ngarkesa që i jep çdo ditë e shoqja dhe që do të pengojë dhëndrin të martohet, duke i treguar sesi do të jetë pas një viti martese, jeta e tij. Po aty gjen një vejushë, që është betuar të mbajë zi për gjithë jetën, por për ironinë e fatit bie në dashuri me borxhliun e bashkëshortit. Fqinji i familjes, pikërisht në këtë dasmë, gjen rastin të kërkojë dorën e mbesës, mirëpo situata shkon në një debat mbi pronat, ku përfshihet gjithë familja. / Konica.al / KultPlus.com