Dukagjin Lipa takohet me Veliajn te Piramida: Lali ecën vetëm përpara (FOTO)

Dukagjin Lipa, babai këngëtares së njohur Dua Lipa, ka mbërritur këto ditë në Tiranë ku është takuar dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Sëbashku ata kanë vizituar në orët e mbrëmjes dhe Piramidën e cila është transformuar tërësisht në qendrën më të madhe të teknologjisë në rajon. Nuk dihet se për çfarë kanë biseduar Veliaj dhe Dukagjin Lipa, por me siguri një tjetër projekt i madh pritet të vijë në jetë.

Vitin që kaloi Tirana mikpriti në verë Sunny Hill Festival, ndërsa në vjeshtë u zhvillua në sheshin “Skënderbej” një koncert gjigand nga ylli i muzikës botërore Dua Lipa./atsh/KultPlus.com

Kurti në Gllogjan: 23 vite më parë në Dukagjin u dha kushtrimi i lirisë

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar.

Shkurtimisht, Kurti ka folur para mediave, duke thënë se 23 vite më parë, në Gllogjan është dhënë kushtrimi i lirisë.

“23 vjet më parë në Gllogjan u dha kushtrimi i lirisë në Dukagjin, lufta çlirimtare u përhap gjithandej dhe një vit më vonë, pushkëve të lirisë iu bashkëngjiten avionët e NATO-s dhe nuk vonoi e u çlirua Kosova. 24 marsi i epopesë së Dukagjinit dhe ai i ndërhyrjes së NATO-s thuajse na tregojnë rendin e logjikshëm të gjërave, së pari pushka jonë pastaj avioni i NATO-s, ngjashëm edhe sot së pari puna jonë, e pastaj edhe ndihma prej jashtë për zhvillim e drejtësi”, ka thënë i njëjti.

“Në ditë të shënuara si kjo ne bëjmë nderim për dëshmorët e kombit, ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë. Ne që jemi të gjallë duhet të kujtojmë ata që nuk janë sepse vetëm duke ia përkujtuar vetës sonë çmimin e madh për liri e pavarësi ne ua dijmë e ua ruajmë vlerën lirisë dhe pavarësisë”, tha Kurti./GazetaExpress/ KultPlus.com

Ndrek Luca, malësori nga Dukagjini që e shndërroi në kult artin skenik

Vitet ikin, por emri dhe vepra e të madhit Ndrek Luca mbetet emblematike e traditës së artit skenik shqiptar. Tipat dhe karakteret që ai solli me një mjeshtëri të admirueshme, e kanë shndërruar Ndrek Lucën në një prej korifejve të artit skenik.

Rolet e tij, pavarësisht se shumican prej tyre e përbëjnë personazhet negativ, mbeten të papërsëritshëm dhe konkurues përnga niveli interpretativ, plastika dhe origjinaliteti i jetësimit.

Ndrek Luca lindi më 3 shtator 1927 në Dukagjin dhe u shua më 16 janar 1993.

Aktivitetin e tij skenik e filloi në vitin 1950 me Teatrin e Ushtrisë, ku bënin pjesë dhe aktorë të tjerë me emër. Nën drejtimin e regjisores Zina Andri, ai interpreton në dy pjesë teatrale dhe pas një viti kalon në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist. Roli i tij i parë është ai i Shpen Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria”. Ishte ky rol, ku spikati talenti i tij dhe i hapi rrugë roleve të tjera për më se 30 vjet në skenë.

Nga viti 1951 e deri në vitin 1987, vit kur doli në pension, Ndrekë Luca realizoi mbi 100 role në skenë.

Filma: “Detyrë e posaçme”, “Komisari i Dritës”, “Oshëtimë në bregdet”, “Dueli i heshtur”, “Prita”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, “Gjurma”, “Operacion zjarri”, “Shtigje lufte”, “Shpërthimi”, “Në fillim të verës”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Thirrja”, “Nga mesi i errësirës”, “Udha e shkronjave”, “Mysafiri”, “Nusja”, “Një natë pa dritë”, “Qortimet e vjeshtës”, “Balada e Kurbinit”, etj.

Teatër: “Halili dhe Hajria”, “Shtatë Shalianët” (aktor dhe autor), “Dragoi i Dragobisë”, “Familja e peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Toka jonë”, “Arturo Ui”, “Në anën tjetër”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Përmbysja”, “Baca i Gjetajve”, “Epoka para gjyqit”.

Çmime: 1976, Medaljon dhe çmim në Festivalin e I të filmit (“Rrugicat që kërkonin diell”, Gani Herri)

1983, Medaljonin e Festivalit të V të Filmit (“Flaka e maleve”, zejtari) 1990, Medaljon në Festivalin e IX të filmit (“Balada e Kurbinit”, pashai)

Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën

Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.

Miqtë e paktë të Ndrekës

Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, kujton bashkëshortja e aktorit të madh, Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.

Kur Luca interpretonte Makbethin

Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.

Vlerësimi i vonuar i shtetit

Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës.

“Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij. /albertvataj/ KultPlus.com

Si qajnë burrat, ja riti shekullor (VIDEO)

Gjatë një ditë festimesh, organizuar në fshatin Pult të Dukagjinit, rreth 45 kilometër nga qyteti i Shkodrës, banorët organizuan edhe “gjamën e burrave”, një rrit ky tradicional, me të cilin nderoheshin të vdekurit në fshatrat e besimit katolik si në Dukagjin, Nikaj-Mërtur, Pult, Shalë, Shosh, Nën-Mavriq, etj. “Gjama e burrave ” shprehte keqardhjen dhe nderimin e vëllazërisë, shoqërisë, e miqësisë për të vdekurin.

Në një ceremoni vdekje numri i gjamave varionte sipas statusit të personit apo rrethanave tragjike të vdekjes, por nuk mund të kishte më pak se 2 gjama për çdo mashkull të vdekur.

“Gjama e burrave” në fjalorin e shqipes shpjegohet nën termin “gjëmë”, term i cili sot ka marrë kuptim disi më të gjerë, por në themel do të thotë pikërisht “vajtim burrash”.

“Gjama e burrave” është një ritual i trashëguar nga besimet pagane. Gjatë periudhës së komunizmit, gjama e burrave ishte e ndaluar, ndërsa vitet e fundit ajo është shfaqur në disa vdekje të veçanta si dhe ne raste ceremoniale, si pasqyrim i traditës së banorëve të fshatrave të Dukagjinit./ VOA