“Gjama e burrave”, në qendër të ekspozitës së Anjesa Dellovës, në Bazel

Anjesa Dellova është emër i njohur në fushën e arteve pamore në Zvicër. Ajo, vitin e kaluar ka qenë njëra ndër fitueset e çmimit për arte,  “Swiss Art Awards 2022″ që ndan Zyra Federale për Kulturë, e Zvicrës, praktikisht çmimi më i lartë zviceran në këtë fushë.

E lindur në vitin 1994 në Kosovë, Anjesa jeton prej vitesh në Zvicër, gjegjësisht në Lozanë, ku ushtron profesionin e piktores dhe profesoreshës së artit.

Të shtunën, më 18 mars ajo hap ekspozitën e saj personale, shumë të rëndësishme në galerinë elitare “mayday” në Bazel. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Në vazhdim, njoftimi të cilin galeria e “Mayday” e ka publikuar në lidhje me ekspozitën. “Pikturat monokromatike  të Anjesa Dellova janë frymëzuar nga fotografitë e fëmijëve dhe familjeve, traditat e njohura ekzotike apo ritualet si “Gjama” (e burrave), zija e praktikuar në veri të Shqipërisë. Për ekspozitën personale në Mayday, Anjesa Dellova është duke zhvilluar një seri të re pikturash në të cilat ajo i përkushtohet një sekuence të këtij rituali. Artistja fokusohet në emocionet dhe vulnerabilitetin e figurave mashkullore dhe reflekton mbi imazhet tradicionale të roleve dhe gjinive”.

E veçanta tjetër e kësaj ekspozite është se, në mbyllje të saj,  të shtunën, më 29 prill 2023 në orën 17:00 mbahet një ligjëratë mbi “Gjamën e burrave” në malet veriore shqiptare, shkruan albinfo.ch. Ligjërata do të mbahet nga Dr. Bledar Kondi, Universiteti Martin Luther, Halle-Wittenberg (në anglisht)

Mayday është një hapësirë prestigjioze ​​ekspozimi për artin bashkëkohor, e vendosur në një ndërtesë të ish-kompanisë së transportit në distriktin e portit industrial  të Bazelit, shrkuan albinfo.ch. Mayday u ofron artistëve mundësinë për prodhime specifike të vendit dhe do të shfaqë pesë ekspozita personale ose dyshe gjatë vitit  2023.

Mayday mbështetet bujarisht nga: Projektet e John Schmid; Pro Helvetia; Fondacioni Christoph Merian; Fondacioni Ernst dhe Olga Gubler-Hablützel.

Fotografia e pikturës: Bundesamt für Kultur, Schweiz (Zyra Federale për Kulturë, Zvicër)

Hapja e ekspozitës bëhet të shtunën, 18 mars, ora 17:00. / albinfo.ch / KultPlus.com

Gjâma e burrave t’Dukagjinit

Erenestina Gjergji Halili

Houuu, ho!

Krahnuerhâpun,
duert nân ijë, tanë k’ta burra, njâ u prì.
Tan’ nji hap, 
frymën ndalin, kâmbët përtokë, njiherësh rrahin,
kryet çuemun, me dvetë qíll…

Hou-uu, ho!

N’emën thrresin, vikâmë qesin…
Rrqethet lisi n’rrâje t’veta,
gjeth’e lvore zí po kânë,
qyqja e malit, ndâli kângën,
kanë dâlë burrat me qít’ gjâmë!

Hooou-ho!

Brrám nji hap, nji hap brrám…!
Duert prej íj’s rr’zojnë kadâlë,
duert gjak, nélt i çojnë,
gjith’ prej dhimtet, krahnùert zblojnë…

Hou-ho, ho-oou-ho…t’mjer’t ná për ty!

Brrám nji kâmbë… nji zanë kján…
Brrám nji hap… dragoi ndalet…
Brrám! E bjeshka duert ka n’gjí…
Brrám! E kroni s’bzân, gjys’ngrí…
Burrat l’shohen me bâll’ râmun,

Oooo, t’mjer’t ná për ty!

Brrám nji hap, hooou-ho!
Brrám! Brrám! Hou-hoooo!
Gjâmë po bâjnë, duert nán ijë,
tân’ k’ta burra, njâ u prì!/ KultPlus.com

‘Gjama e burrave’, si lindi tradita e malësorëve të Shqipërisë (VIDEO)

Sipas kronikanëve të kohës, kur vdiq Skënderbeu në vitin 1468, Lekë Dukagjini rrihte gjoksin e shkulte flokët, siç bëri Akili kur u vra Patrokli në luftën e Trojës, tremijë e kusur vjet më parë.

Udhëtarë e misionarë të huaj të shekujve XV-XVII, që kanë studiuar dhe vërejtur këtë dukuri të malësorëve të Shqipërisë së veriut, sidomos ritet e vajtimit ndër burra, i vlerësojnë ato si të natyrës pagane e të çuditshme.

Etnologu Mark Tirta shkruan se në vitin 1637 misionari Rodini, në kujtimet e tij dëshmon se “burrat shqiptarë qajnë e bërtasin me të madhe më shumë se një gjysmë ore, bërtasin bashkarisht më fort nga ç’kanë bërtitur izraelitët në vendin e Hananit ku kanë varrosur Patriakun Jakov”.


Nisi me Skënderbeun e mbaroi me një  burrë nga Peraj

Në Shqipërinë e veriut, kryesisht në regjionet e Nikaj Merturit, Dukagjinit, disa krahinave të Pukës, Malësisë së Mbishkodrës, Kosovës, etj riti i gjëmës së burrave ka filluar pas vdekjes së Skënderbeut, pra rreth vitit 1468 janë kronikat e para që raportojnë këtë zakon. Tradita ka vazhduar deri në vitin 1960. Për herë të fundit në Nikaj Mërtur, gjëma e burrave është bërë në vdekjen e Malush Zeqirit nga fshati Peraj. Thuhet se oshëtima dhe britmat e gjëmatarëve kanë ushtuar deri në qafë të Kolçit. Ishte një ndër ngjarjet që shtyu sistemin komunist ta ndalojë këtë rit të veçantë duke e konsideruar “zakon prapanik”.

Sjellja e çuditshme e Lekës në varrimin e Skënderbeut

Pjetër Ndue Marticanaj, ish-mësues historie dhe njohës i mirë i traditave të zonës së Nikaj-Merturit konfirmon se zanafilla e këtij riti është pikërisht sjellja e Lekë Dukagjinit në vdekjen e Skënderbeut: “Princi Lekë Dukagjini nga mërzia e thellë për vdekjen e Skënderbeut, vajtoi me zë të lartë, rrahu gjoksin, shkuli flokët dhe filloi të gërvishet me thonj. Duket e habitshme, por e bërë prej Lekës, u kthye në zakon. Që andej e tutje, për çdo burrë të nderuar, duhej të kryhej i njëjti rit”, – thotë ai dhe shton: “Është një rit i organizuar. Prijësi ka detyrën që të merret me çdo detaj dhe përgjegjësinë që çdo gjë të shkojë në mënyrën e duhur”.

Dëshmitari 90-vjeçar: U ndërpre rreth viteve ‘60

Zef Prend Pepkolaj, jetuar mbi 90 vjet, tashmë i vdekur, ndjesë pastë,  ka marrë pjesë shpesh në këto rite fetare. Ai vetë e ka mësuar nga gjyshi i tij që në moshë të re. “Por nga vitet 50-60 riti u ndërpre nga regjimi komunist si zakon prapanik. “Ka rifilluar pas viteve ’90”, – tregon Zefi.“Mblidheshin burrat e fshatit dhe të fisit dhe nga larg e nisnin gjëmën duke rrahur gjoksin me grushta”,- thotë 90 vjeçari. Prijësi më pas i afron burrat tek personi që i bëhet gjëma dhe u thotë burrave që ta rrethojnë. Nëse gjëmën ia bënin nipit, thuhej :“o i mjeri nipi im”; nëse gjëma i bëhej mikut, thuhej: “o i mjeri mik”, – thotë ai. Teksti i kushtohej të vdekurit, virtyteve dhe cilësive të tij. Pra, një histori e shkurtër e atij burri që ikën.

Emrat e disa gjëmatarëve të fundit profesionistë

Në Nikaj Mertur dhe Dukagjin ka patur gjamatarë të njohur si Ndoc Gjoni, Zeqir Prela, Gjelosh Kola, Kukel Ndoci,Pjetër Bala, Sokol Delia, Nikollë Zefi, Pjetër Ndou (Peraj), Nosh Luci, (Brisë), Qerim Delia,Prelë Qerimi,Dodë Prela, (Salcë), Dosh Delia ( Curraj ),Kukel Ndou,Rrustem Alia (Curraj i Epër),e shumë e shumë të tjerë,nga 5-10 gjamatarë të njohur në çdo katund.  Ata e trashëguan prej të parëve këtë rit special të vajtimit. Studiuesi 80-vjecar Ibrahim Kadria, thotë se Nikollë Zefi ishte nga prijësit e fundit të gjëmës së burrave prej 50 vjetësh. Thotë Ibrahimi: “Gjama vijoi deri vonë si rit në malësinë e Nikaj Merturit, Dukagjinit, Gjakovës dhe në Iballë së Pukës. Vajtimi mund të fillojë vetëm nëse në të marrin pjesë të paktën mbi 10 burra. Sa më shumë meshkuj t’i bashkohen ritit, aq më i respektuar është personi për të cilin bëhet gjëma…”

Përshkrimi i detajeve: Gjama e burrave organizohet në grup në disa faza.

Në fazën e parë gjamatarët heqin rrobat e rënda (në kohë dimri e të ftohti ), vendosin duart mbi ijet e bërrylat dhe i mbajnë hapur anash. Prijësi i gjamës, (ai zgjidhet unanimisht nga pjesëmarrësit duke qënë më i vjetri,e më i përgatituri), jep shenjë dhe fillon lëvizja duke u përdredhur i gjithë grupi herë majtas e herë djathtas, duke u përkulur mbi shalë e duke u ngritur, duke rrahur për tokë herë njëren këmbë e herë tjetrën, duke shpërthyer në britma të gjithë përnjëherë. Pastaj të gjithë ngrejnë kokën lart, e një dorë e vënë te goja e tjetrën te veshi duke lëshuar ofshama dhe thërrasin emrin e të vdekurit me fuqi e duke e zgjatur zërin. Pastaj shpërthejnë me thirrje.

Në fazën e dytë ata lëshohen me hap të rëndë dhe epik drejt kufomës (përshkojnë distancë rreth 50-100 m) dhe ndalojnë të gjithë përnjëherësh. Pamja është interesante: kryet lart, kraharorzbuluar, duar në ije, me këmbë gjysmë të hapura. Pastaj gjëmatarët “ngrijnë” dhe presin shenjën e prijësit. Sapo ai bën shenjë ata lëshojnë pasthirrmën “hou! “ ose “ho!”, he-qin duart nga mesi, i bëjnë grusht dhe me forcë i ngrejnë lart. E kështu i mbajnë derisa përfundojnë thirrjen “i mjeri unë për ty!”. Pastaj menjëherë ulin grushtat dhe i përplasin mbi kraharorin e zbuluar. Kjo zgjat derisa gjëmatarët mbarojnë ofshamën “Ho! Ho! Ho!”.

Në fazën e tretë, nëse mund ta quajmë kështu, me shenjë të prijësit, sulmojnë me vrap edhe 50-100 hapa drejt të vdekurit. Kur lëshojnë thirrjen e përseritur “Ho! Ho! Ho!” heqin duart nga mesi dhe i çojnë anash te fytyra, ngulin thonjtë në tëmtha e në faqe e nisin e gërvishin fytyrën derisa të rrjedhë gjaku.

Së fundi, ulen në gjunjë me radhë duke vazhduar thirrjen e fundit, ulen krejt për tokë, mbështesin ballin përdhe e me duar përkëdhelin dheun. Qëndrojnë kështu deri sa një mashkull i shtëpisë apo vëllaznisë së të vdekurit, i ngarkuar për këtë punë, u shkon afër dhe i ngre, duke u thënë: “boll o burra!” dhe “Ua shpërblefshin në të mira!” ose “Paçi faqen e bardhë!”.

Disa veçori që duhet të ketë “burri gjamatar”

Gjamatarët ose vajatorët  burra (sikurse edhe vajatoret femra), janë gjysmëprofesionistë dhe profesionistë. Vajatori bën gjamë për mashkullin e vdekur e jo për gruan. Ai duhet të ketë zë të lartë e të fortë. Në anën tjetër teksti duhet të jetë i atillë që t’ua lehtësojë dhe zvogëlojë dhimbjen dhe pikëllimin familjes dhe farefisit. Gjama e burrave në malësi nuk ka një formësim të vargut konstant, por i ngjanë një naracioni të lirë. Janë pjesërisht të improvizuara. Veçoritë fonetike dhe shprehjet frazeologjike janë interesante: Thuhet për shembull “Mjer-o sot për ty Dak Kola”, por edhe: I mje-e-ri, o Mark Ukshini!”, O-ooo, i mjeri Gjelosh Deda!”, “I mjeee-ri, o Nikë Caku!”. Ka edhe gjamë individuale (një burrë i vetëm), por kjo del si fenomen më i vonshëm, krahasim me gjamën kolektive. Gjamatari individual para se të thërras vaj, vë dy duart në brez duke nxjerrë njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, duke theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar për së gjalli të ndjerin, por edhe familjen e tij apo fisin. Gjamatari mund të thërrasë vajin te shtëpia vetëm në mëngjes. Natën nuk ka vajtore as gjamatarë te shtëpia e të vdekurit./bota/ KultPlus.com

Si qajnë burrat, ja riti shekullor (VIDEO)

Gjatë një ditë festimesh, organizuar në fshatin Pult të Dukagjinit, rreth 45 kilometër nga qyteti i Shkodrës, banorët organizuan edhe “gjamën e burrave”, një rrit ky tradicional, me të cilin nderoheshin të vdekurit në fshatrat e besimit katolik si në Dukagjin, Nikaj-Mërtur, Pult, Shalë, Shosh, Nën-Mavriq, etj. “Gjama e burrave ” shprehte keqardhjen dhe nderimin e vëllazërisë, shoqërisë, e miqësisë për të vdekurin.

Në një ceremoni vdekje numri i gjamave varionte sipas statusit të personit apo rrethanave tragjike të vdekjes, por nuk mund të kishte më pak se 2 gjama për çdo mashkull të vdekur.

“Gjama e burrave” në fjalorin e shqipes shpjegohet nën termin “gjëmë”, term i cili sot ka marrë kuptim disi më të gjerë, por në themel do të thotë pikërisht “vajtim burrash”.

“Gjama e burrave” është një ritual i trashëguar nga besimet pagane. Gjatë periudhës së komunizmit, gjama e burrave ishte e ndaluar, ndërsa vitet e fundit ajo është shfaqur në disa vdekje të veçanta si dhe ne raste ceremoniale, si pasqyrim i traditës së banorëve të fshatrave të Dukagjinit./ VOA