100 vjet, që nga koha kur gratë morën të drejtën e votës në Amerikë

Më 18 gusht 1920, legjislatura e shtetit Tenesi miratoi amendamentin e 19 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara me të cilin grave amerikane iu sigurua e drejta e votës.

Vota e legjislaturës së shtetit Tenesi i dha fund një debati mbarëkombëtar që kishte vazhduar për më shumë se një shekull.

Në vitin 1787, Kushtetuta amerikane u garantoi burrave të bardhë pronarë të drejtën e votës. Më 1869, amendamenti i 15 u dha të drejtën e votimit edhe burrave zezakë dhe ish skllevërve meshkuj, transmeton KP.

Fushata për t’u dhënë grave të drejtën e votës përfundoi me sukses kur kushtetutës amerikane iu shtuan këto fjalë: “Qytetarëve amerikanë nuk do t’u mohohet apo t’u kufizohet e drejta për të votuar nga qeveria federale apo qeveritë shtetërore për shkak të gjinisë”.

Megjithëse disa shtete u kishin dhënë grave të drejtën e votës, shumica e grave amerikane nuk mund të votonin.

Madje, në disa shtete, pjesëmarrja e grave në votim ishte kundër ligjit. Por amendamenti i 19-të e ndryshoi këtë praktikë dhe si rrjedhim edhe politikën amerikane në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1920. / KultPlus.com

101 vjet nga dita kur gratë amerikane fituan të drejtën e votës

Më 4 qershor të vitit 1919, Kongresi amerikan aprovoi Amendamentin e 19-të të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili garantoi të drejtën e votës për gratë, dhe u dërgua në të gjitha shtetet federale amerikane për ratifikim, shkruan KultPlus.

Arkivat kombëtare në Uashington ruajnë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë amerikane, e në mesin e tyre edhe amendamentin e 19-të që u miratua në Kongres para afër një shekulli.

Amendamenti i 19-të u ndaloi shteteve dhe qeverisë federale t’iu mohojnë qytetarëve amerikanë të drejtën e votës në baza gjinore.

Një ndër figurat kryesore që ndihmuan këtë çështje, është edhe aktivistja Ida Wells Barnet. Gratë gjithmonë i kanë shërbyer demokracisë, si në rastin e Jeanette Rankin nga Montana që fitoi një vend në Kongres në vitin 1916, para se të miratohej amendamenti. Ajo nuk ishte e vetme.

Shumë gra shërbyen në Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.

E drejta për të votuar, është themeli i demokracisë dhe është fituar me punën e palodhshme të aktivisteve për gjenerata të tëra.

Nga e kaluara e deri tash, kontributi i gruas në demokraci vazhdon të jetë vlerë në traditën amerikane. / KultPlus.com