Kosova e përsërit dështimin në testin PISA, renditet në fund

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë.

 Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë. KALLXO.com ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare).

Sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Pikturat e fundit mbi Shqipërinë që u zbuluan nga Robert Elsie (FOTO)

Robert Elsie nuk është vetëm albanologu dhe studiuesi i letërsisë por dhe hulumtuesi, kërkuesi.

Një meritë të veçantë kanë edhe zbulimet e tij në lidhje me Shqipërinë. Në faqen e tij në Facebook ai publikonte shpesh tablo me temë shqiptare. Ja disa prej tyre që ai i ka publikuar kohët e fundit të jetës. Një pikturë me temë shqiptare nga Sër Dejvid Uillki.

Në vitin 1840, Uillki udhëtoi në Egjipt ku kishte rast të takonte dhe të pikturonte sunduesin e vendit, Mehmet Ali Pasha, khedivin (nënmbretin) e Egjiptit dhe të Sudanit. Mehmet Ali (1769-1849), djali i një tregtari çam të duhanit në Kavalla të Greqisë, u bashkua me një kontingjent mercenarësh shqiptarë të cilët u dërguan në Egjipt në vitin 1801, dhe mori pushtet aty. Piktura ruhet në galerinë Tate Britain në Londër. Një tjetër pikturë është e piktorit skocez, Sër Dejvid Uillki (Sir David Wilkie, 1785-1841), me titullin “Zoti Kartrajt, Konsull në Kostandinopojë, me Shqiptarin e tij” dhe u realizua në tetor të vitit 1840.

Në qarqet diplomatike të Perandorisë Osmane, fjala ‘shqiptar’ kishte shpesh kuptimin ‘dragoman, përkthyes, shërbëtor, roje.’ Më pas ai publikon një tjetër pikturë me temë shqiptare nga piktori skocez Sër Dejvid Uillki. Quhet: “Sotiri, kryeshqiptari i Zotit Kolkhun, konsulli i përgjithshëm britanik në Bukuresht” nga tetori i vitit 1840. Ruhet në Ashmolean Museum të Oksfordit. Më pas ai publikon një pikturë që e quan fantastike.“Zonjat e Gjirokastrës”, fotografuar nga Gerhard Kiesling në vitin 1959, shkruan Gazeta Shqip./ KultPlus.com