Vajzat rome me ekspozitën ‘’E ardhmja jonë’’, synojnë një të ardhme të mbushur me diversitet

Era Berisha

Pikturat shumëngjyrëshe të cilat krijuan iluzionin se po vallëzonin në një horizont ylberi e po shpalosnin ëndrrat dhe shpresat e shumta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë prezantuar sot në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës përmes një ekspozite të titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e realizuar nga vajzat rome, shkruan KultPlus.

Ky projekt për qëllim pati thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipave të shoqërisë në përgjithësi, ku vajzat rome patën rastin të prezantojnë rreth 50 piktura, nëpërmjet së cilave shpaloset se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë kosovare.

Pikërisht për të arritur këtë qëllim, fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejta të barabarta pa dallim të religjionit, ngjyrës, gjinisë apo moshës dhe njëkohësisht edhe për qasjen në aktivitete dhe programe socio-kulturore e edukativo-sportive.

Kjo ekspozitë që ngërthen në vetë një mesazh shumë të fortë dhe mjaft domethënës ka pritur sot vizitorë të shumtë të cilët patën rastin që nga afër ti ndjenjë emocionet dhe ndjenjat e veçanta me të cilat vajzat rome frymojnë dhe shpresojnë çdo ditë për ekzistencën totale të diversitetit.

‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e zhvilluar nga mentorja dhe kreatorja e cila ka punuar me vajzat nga Mitrovica, duke i realizuar pikturat së bashku dhe duke dhënë kështu mesazhin se piktura më e mirë është ajo e cila ka më shumë ngjyra dhe që po e njëjta vlen për shoqërinë. Pra, shoqëria më e mirë është ajo e cila ka më së shumti diversitet.

Pas hapjes së parë të kësaj ekspozite në Parlament me 8 mars, ku i është dhuruar veçanti temës për gruan dhe fuqinë e saj, tani në hapjen e dytë është fokusuar po e njëjta temë, me ç’rast përmes pikturave të cilat burojnë ngjyrë për diversitet në mbarë botën, mendohet të arrihet një e ardhme më e mirë për këto komunitete.

Në mesin e llojllojshmërisë së ngjyrave të vendosura në muret e korridorit, të pranishëm ishin edhe organizatorët e këtij projekti si: UN Women dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.

Ai që nisi këtë hapje ishte vetë Berisha, i cili ka shprehur se për të është një kënaqësi që ai ndodhet në mesin e të pranishmëve duke shpresuar kështu për më shumë bashkëpunime të tilla.

“Është kënaqësi shumë e madhe që për fatin tonë të dashur na keni mbushur muret ngjyrë. Por është ende më e veçantë që për këto punime janë përkujdesur vajzat rome. Në të ardhmen do kisha dëshirë që të ndodhin pikërisht këto bashkëpunime për realizimin e këtyre projekteve e në veçanti projektet të cilat ndërlidhen me të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë Berisha.

Ndërsa, Jacob Webber nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë mundësi.

“Është një kënaqësi e madhe që sot jam këtu dhe që kemi mbështetur këtë projekt sepse është një pjesë e një projekti të madh në Kosovë, për arsye se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe mundësitë për këtë projekt janë shumë të rëndësishme për shpresën e këtyre komuniteteve’’, tha ai.    

Po ashtu, Vlora Tushi Nuzi nga UN Women është shprehur se ky projekt për të ishte njëri ndër projektet më të bukura përmes së cilës janë bashkuar të gjitha forcat për të dhënë kontributin në mirëqenien e qytetarëve.

“Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e tyre sepse ky projekt kontribuon në mirëqenien e këtyre komuniteteve dhe në të gjitha kombinimet e kushteve me të cilat ne jemi detyruar të jetojmë në këtë izolim”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka falënderuar vajzat rome për kreativitetin dhe guximin e tyre dhe ka shpresuar që ende të ekspozohet puna e tyre edhe në ndërtesa të tjera, pasi që tashmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur dëshirën e saj që të ketë pikturat e vajzave rome në zyrën e saj.

Gjithashtu, vetë mentorja e këtyre pikturave Mirjeta Qehaja, ka shprehur kënaqësinë e saj për një mundësi të tillë duke e pasur parasysh se këto vajza janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian por të cilat shumë nga to nuk merren me art.

“Fatkeqësisht për momentin unë jam e para dhe e vetmja e diplomuar në këtë drejtim dhe ende nuk kemi asnjë të regjistruar në fakultet. Prandaj, për mua është një përgjegjësi e dyfishtë jo vetëm për karrierën time por edhe për të gjitha vajzat dhe të rinjtë e komuniteteve që të arrijnë sa më shumë në art dhe që arti të zhvillohet sa më shumë në Kosovë”, thotë Qehaja.

Ajo tutje ka thënë se procesi i pikturimit ka qenë tepër i mirë sepse puna me këto vajza ishte një veçanti e bukur.

“Unë shpresoj shumë që në të ardhmen do të kemi më shumë artistë që i përkasin këtyre komuniteteve. Vajzat janë gëzuar shumë që kanë pasur një mundësi të tillë sepse jo çdo herë jepet kjo mundësi duke e pasur parasysh që arti është shumë i kushtueshëm, prandaj për vajzat e reja duhet të ekzistojnë fonde të posaçme ku jepet mundësia për ti shfrytëzuar ato materiale për të paraqitur talentin e tyre”, shpreh Qehaja për KultPlus.

Sipas saj, përderisa ngjyra e lëkurës vlerësohet më shumë sesa ngjyra e syve do të thotë se gjithmonë do të ketë një luftë në botë. Ndërsa, gëzimi i saj më i madh ishte gëzimi i vajzave rome kur ato panë materialet dhe kur filluan të pikturojnë.

Krejt në fund, teksa të pranishmit po bisedonin rreth pikturave dhe domethënies unike të tyre, drejtori i Kulturës për KultPlus është shprehur se piktura që atij i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte piktura me një prapavijë të verdhë ku shihen katër vajza duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe të gjitha ato kanë një ngjyrë ndryshe nga njëra-tjetra dhe në vallëzim ato janë duke e krijuar një siluetë të një vajze që po buzëqesh.

“Unë e kuptova që vajzat rome e shohin shoqërinë duke vallëzuar me njëra-tjetrën pa dallime të ngjyrës së lëkurës dhe buzëqeshja do të ishte ajo e cila do të simbolizonte atë valle të cilën po e hedhin ato”, përfundon Berisha për KultPlus.

Ky projekt është realizuar nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa nikoqire e këtij projekti është Komuna e Prishtinës.

Arti i Agim Ramadanit

Ilir Muharremi, kritik i artit

I trishtë dhe i thellë është peneli i Agim Ramadanit i cili është ngjyer në magmën dhe vërshimin e trishtë të klithmës së lirisë dhe vuajtjet shekullore të këtij populli. Pikturat në frymën abstrakte sjellin përmbytje ngulmime plot ethe dhe pasione sidomos me ngjyrën e kuqe e cila të dehë me tërbimin dhe gostinë e zjarrit, me lumenjtë e gjakut. Një e kuqe e lehtë me tone dhe gjysmë tone, e përshkallëzuar e spërkatur nga dhimbja, aty këtu e vërshruar me njolla gjaku në tërë kompozicionin ku  pena e tij është ngjyer me gjak dhe lëshon vërshimin e vet si dëshmi të kufijëve. Ndoshta kjo ngjyrë prek simbolin e kthjelluar antik-historik gjithmonë të dyshuar nga armiqtë që turreshin me hov zjarmues.

Ngjyra e kuqe jetëson të gjitha të dëshirueshmet reale që dikur ishin vetëm përfytyrime. Zemra e Agimit e ndodhur mes territ, e prekur nga një shkëndi që ja mbulonte sythin e ofshamës, e ky zemërgur në pikturë nxori kompozcione klithmë-drite dhe vullnet pranvere, dhe ti gjithmonë soditë dhe lundron nëpër atë bukuri e cila edhe sot shumohet si çdo petale luleje.

Në vepra tjera vërejmë një blu të çelur të qiellit teksa lehtshëm duket sikur puth blunë e detit ose magjishëm ngjitet në shkallët e parajsës. Si në pkturat e Klod Monet, relaksohesh i tëri duke u ngopur me energji të dritës. Te Agimi bluja e hap kompozcionin, krijon thellësinë nxitë paqen, shpresën çliron ndjesinë e largësisë, distancës dhe perpsektivës. Pastërtia, ftohtësia e kësaj bluje qëndron rrëbeshëm përballë të verdhës, të kuqes, grisë, të bardhës dhe duket si një sakrificë. Ngjyrat nuk janë të ngopura me bojë, janë me një shtresë të hollë dhe duken si ilustrative.

Psikologjia e Agimit reflekton përmes këtij vërshimi ngjyror duke kthjellë një botë të trazuar, të trimëruar, të pastër, lojë kaosi, kontrast i qetësisë, mirëpo të gjitha janë të radhitura bukur dhe këtu shihet strategjia e kthjelltë e tij.

Biografia

Agim Ramadani (3 Maj 1963 – 11 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën Katana, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares. Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas vdekjes, iu dha dekorata Hero i Kosovës. “Mu shterrshin syt nëse pushoj lirin tënde me ëndërrue, mallkue qoft gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ Katana. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com

Ilir Muharremi

Van Gogh: Në fillim i ëndërroj pikturat e mia, pastaj pikturoj ëndrrat e mia

Një jetë në mes të pikturave ngjyrë kaltër, verdhë dhe gjelbër e kishte kaluar gjeniu holandez i arteve pamore, Van Gogh i cili la pasë vetes vepra të shumëta, shkruan KultPlus.

Ky artist i madh i njohur botërisht filloi të pikturonte vetëm në në një moshë relativisht të vonë, 27 vjeçare dhe ishte kryesisht autodidakt.

Van Gogh filloi të pikturonte duke paraqitur disa nga realitetet e ashpra të jetës. Varfëria dhe vështirësitë financiare ishin një temë e zakonshme në shumë nga veprat e tij të hershme Gogh kishte hyrë thellësisht në botën e tij të artit.

\Këtë e dëshmon edhe fakti që ai pikturoi më shumë se 900 piktura në vetëm 10 vjet dhe gati 2 në cdo javë. Ndërkaq, përvec pikturave të tij, ai kujtohet edhe për disa thënie të tij, të cilat shprehin brendinë artistike dhe jetësore të tij: Në fillim i ëndërroj pikturat e mia mandej pikturoj ëndrrat e mia. / KultPlus.com

Dy Xhulietat e idealizuara të piktorit britanik, Thomas Francis Dicksee

“Xhulieta në ballkon” 1875 dhe “Xhuliea” 1877 nuk janë identike dhe rrjedhimisht secila prej tyre orvatet t’i qaset një mënyre të veçantë shprehëse, të ndryshtë njëra nga tjetra, thua se piktori ka dashur të na ngërthejë në një kuiz për njëren prej heroinave të dashurisë emblematike të Shekspirit, asaj të tragjedisë “Romeo dhe Xhulieta”. Këto dy tablo janë të të njëjtit autor, me dy vite diferencë njëra nga tjetra, të kohës së kurorëzimit si tablo të galerisë së tij. Nuk përjashtohet mundësia që Thomas Francis Dicksee ta ketë patur të porositur të njëjten personazh të tragjedisë shekspiriane nga dy klientë të ndryshëm. Dhe ai është kujdesur të mos krijojë të njëjtën gjë. Ndoshta njëra nga tjetra nuk dallojnë vetëm në atë vështrim kureshtar që kaplon dritimin e hënës veroneze. Enigma që rreket të dallojë Xhulietat është toni i ngjyrave që plazmon me një shkëlqim më të fortë dhe driton me një hënë më të vezullimtë. Shprehia e

(c) Dundee Art Galleries and Museums Collection (Dundee City Council); Supplied by The Public Catalogue Foundation

portreteve është e ndryshtë, sepse e tillë është edhe ajo e fytyrës. Ndoshta edhe teknikat e realizimit, duke ardhur të perfeksionohen e bëjnë veprën pasardhëse të Xhulietës më të pranishme në atë çfarë tragjedia e “Romeo dhe Xhulieta” skalit hir dhe shpirtje. Që të dyja Xhulietat qëndrojnë në pritjen solemne në ballkonin e famshëm të vilës veroneze, ashtu në heshtjen e natës e trazimin e shpirtit që skalit në portretet dhe vështrimet e tyre një mister, njëjtësisht nga ai që dramaturgu i madh mbrujti në krijimin e shpirtit dhe shtatit, zjarrit dhe pasionit, dashurisë dhe vdekjes. E tillë tragjike vjen edhe në tablotë kjo dashuri e shëlbyer e një shpirti të paepur dëshirimi. Veç dritës së perëndishme që peneli i piktorit, ngjuhet në meitin e hënës dhe zjarrin e dashurisë, nuk ka asnjë dritë tjetër të bardhëdhuar në pritjen që do të mbetet përjetësisht e stampuar në memorien e fjalës dhe artit që e lartësuan në idil penën e tragjedianit të madh dhe e hyjnizuan këtë shprehi në magjepsjen e gjithëkohëshme. Secili do ta ketë të vështirë të bëjë dallimin e asaj rreth preferencave që e shtyjnë të pranojë njëren. Të dyja kanë pothuaj gjithçka që jetësimi artistik e ka skalitur. Solemniteti i kësaj pritje është i tillë sublim, sepse është nata që i bëhet prehje dhe hëna që lan me një ceremonial dehës të hirshmen e dashurisë. Piktori e shenjtëron tablonë dhe hyjnizon në një ikon vajzën dhe gruan, pasionin dhe besimin, vetë pritjen që trondit njëjt edhe sot pas kaq vitesh, që kur Xhulieta zbriti nga tragjedia per t’u ngjitur në tablo.

(c) Sunderland Museum & Winter Gardens; Supplied by The Public Catalogue Foundation

Cili është Thomas Francis Dicksee?

Thomas Francis Dicksee ishte një portretist dhe piktor i temave historike, zhanrit, shpesh i frymëzuar nga veprat e Shekspirit. Thomas Francis Dicksee u lindi në Londër më 13 dhjetor 1819 dhe ishte nxënësi i HP Briggs. Ai ekspozoi në Akademinë Mbretërore nga 1841 deri në vitin e vdekjes së tij. Vëllai, John Robert Dicksee, ishte gjithashtu piktor, dhe fëmijët e tij, Sir Francis Dicksee dhe Margaret u bënë mjeshtra të penelit.

Thomas Dicksee prodhoi një seri portretesh të anëtarëve të familjes, dhe gjithashtu pikturoi portrete të idealizuara, duke përfshirë personazhet shekspiriane si Ophelia, Beatrice, Miranda dhe Ariel. Një Xhulieta është në Galerinë e Arteve në Sunderland, dhe në Opera është në koleksionin e Galerisë së Arteve të Leicester. Një portret i Lady Teasdale është në Galerinë e Arteve Adelaide, Australi dhe një Ophelia (1875) gjendet në Muzeun e Arteve Mead, Amherst, Massachusetts. Dicksee do të bëhej veçanërisht i njohur për përshkrimet e tij të heroinave shekspiriane dhe ekspozoi gjithsej shtatë në Akademinë Mbretërore. Piktura të tjera të bojërave të vajit janë parë në disa ankande, duke përfshirë Christ of the Cornfield, Distant Thoughts, dhe piktura të Beatrice, Miranda dhe Amy Robsart. Vdiq në Londër më 6 nëntor 1895.

Albert Vataj /KultPlus.com

Pse janë buzëqeshjet kaq të rralla në pikturat klasike?

Muzeume të tëra janë të mbushura me piktura nga kohëra të ndryshme, por shumë rrallë mund të shohësh ndonjë portret të buzëqeshur, shkruan KultPlus.

Për shumë njerëz, muzeu paraqet një përvojë të parëndësishme, një tempull të shenjtë që nuk u bën thirrje atyre që nuk duan të përqafojnë solemnitetin që kërkon “arti i madh”.

Për shumicën e historisë njerëzore, buzëqeshja e hapur është “thellësisht jo e modës”, vëren shkrimtari Nicholas Jeeves në esenë e tij “The Serious and Smirk: The Smile in Portraiture”.

Sot, ne e perceptojmë të qeshurën si një tregues i mirëdashësisë, lumturisë, ose dashuri, por ky është vetëm një parakusht për fotografitë.

Disa mendojnë që mungesa e buzëqeshjes ishte shkak i dhëmbëve të prishur, por në shumicën e rasteve, mungesa e buzëqeshjes lidhet sidomos me besimin e krishterë, sipas të cilit, e qeshura konsiderohej mëkat.

Ndërkohë ekspertët e artit Barok tregojnë që këtyre ditëve e qeshura në foto merr vetëm disa sekonda kohë, kurse pikturimi i një portreti merr orë të tëra, nganjëherë edhe javë, prandaj e qeshura ishte më lodhëse.

Ja disa piktura ku nuk u mungon buzëqesh…/KultPlus.com           

http://www.metmuseum.org/art/collection/search/436703

Arti i Diktatorit

Duke e kaluar kohën e tij, si i ri, në ecajaket në qytetin e Linzit, Austri, në vizitat e tij të bëra në muze, duke marrë pjesë në opera dhe duke u ulur pranë lumit të Danubit, duke ëndërruar të bëhej një artist i madh, si i ri kohën e tij do ja kushtonte leximit dhe pikturës, ëndërr që do i shembej me refuzim nga Akademia prestigjioze e arteve të Vjenës në Austri me 1907.

Instituti konsideronte se ai kishte më shumë talentë në arkitekturë sesa në pikturë.

Piktura do i bëhej hobi, Hitleri do të pikturoj pothuajse deri në fund të jetës së tij, që përfundoj me vetëvrasje. Përpjekjet e Hitlerit për t’u bërë një artist ishin pjesë e identitetit të tij./KultPlus/

Rrëfimi i Liliana Hoxhës: Enveri në pikturat e mia

Sapo hyn në galerinë “Zeta”, të rrëzohen të gjitha pikëpyetjet që mund të kesh rreth dikujt që nuk ishte marrë kurrë me pikturë dhe befas ka bërë aq shumë të tilla sa mund të hapë edhe një ekspozitë.

Ka kaq shumë luhatje gjendjesh shpirtërore, rënie, ringritje, frikë, përpjekje dhe janë të gjitha të shprehura në portrete që nuk i largohen asnjëherë tërësisht autores. Piktorja është Liliana Hoxha dhe kjo është ekspozita e saj e parë.

Siç ndodh me çdo rishtar të vendosur, që ka ‘ngecur diku’, ekspresionizmi gjendet në të gjitha telajot që duket se janë bërë me një frymë, vetëm për të çliruar krijuesen. Përfituam që ora e ardhjes së të ftuarve (në çelje të ekspozitës kishte vetëm familjarë të afërt e miq të ngushtë) nuk kishte shkuar ende, për të bërë një shëtitje nëpër të gjitha ndjesitë që Liliana Hoxha, nusja e Enver Hoxhës, ka hedhur me duar, pa spatula e pa penela, në telajo. Hijet e shëmbëllimet, ende pa e pyetur, të tregojnë që nuk mund të të largojnë shumë nga historia…

-Nëse do kalonim pak në të gjitha pikturat, nga doni t’ia nisim.

Kjo nuk është shumë e rëndësishme në rastin tim. Për çdo pikturë puna është krejt personale, por mendoj që imja është edhe më tepër sepse është shumë shpirtërore dhe unë jam udhëhequr vetëm nga ndjesitë e mia, për të dhënë mesazhe.

-Çfarë mesazhesh?

L. Hoxha: Mesazhet janë sociale, por secili bën interpretimin e tij.

-Ndihet prania juaj në çdo pikturë. Duket se portreti juaj është pak gjithandej…

L. Hoxha: Mendoj që puna e portretit është një gjë që më favorizon sepse nuk është e lehtë të shprehësh një fenomen me portret dhe kjo është pikërisht ajo që unë kam nisur të bëj.

-Çfarë ndodhi që nisët të pikturonit?

L. Hoxha: Historikisht, unë nuk jam marrë ndonjëherë me pikturë dhe as e kam menduar se do të pikturoja ndonjëherë. As e kam kërkuar, kam qenë veç artdashëse, siç ndjek gjithë artet e tjera. Mendoj që ka ardhur befas, por jo se nuk do ketë ndonjë arsye. Edhe unë jam befasuar.

-Cila mendoni se mund të ketë qenë arsyeja?

L. Hoxha: Ashtu si e kuptoj unë, arsyeja është trysnia e fortë që ka qenë brenda meje, për një aktivitet ekstrem që më është dashur për dhjetë vite të kaloj, pengesa të pafundme e të përballoj gjithçka. Ka qenë një sforcim ekstrem. Më në fund, kur unë e mbarova atë përballje, kam ndjerë, me sa duket, nevojën të çlirohem. Mirëpo, mbaroi vetëm përballja ime jo problemi, problemi vazhdon sepse ai i takon shoqërisë dhe këtë të fundit unë e kam parë në pikturë.

-Po u referoheni problemeve brenda familjes suaj?

L. Hoxha: Jam përpjekur ta trajtoj si probleme në tërësi, më gjerë se kaq sepse po të flasim për problemet brenda familjes sonë ka shumë shpërdorime. Ajo është familja jonë me emër, por nuk është familja jonë më, mendoj që nuk ka qenë asnjëherë. Përveç Enver Hoxhës, vetëm ai ka qenë familja ime…

-A gjendet ai diku mes figurave të pikturës suaj?

L. Hoxha: Nuk është nevoja që ta identifikojmë veçanërisht, secili e lexon vetë. Megjithatë, atje ku është ajo e mirë që mund të ketë qenë, ai patjetër është. Mendoj që pas një pune kaq të madhe, kur truri ngelet kaq i trysnuar dhe përpiqet të gjejë se si mund të çlirojë veten, aty në atë çast ndizet një llambë që nuk ka ekzistuar më parë dhe rezulton diçka, për të cilën ti nuk kishe menduar ndonjëherë.

-Cila ka qenë piktura juaj e parë?

L. Hoxha: Kjo është një ekspozitë me punë vetëm të vitit të fundit sepse unë kam tri vite që pikturoj, prandaj edhe këto janë të gjitha thuajse të reja. Unë punoj ashtu siç më vjen, me duar, vetëm në vaj. Nëse çasti vjen, ashtu mistershëm siç është, vazhdoj ta ndjek. Kjo është ekspozita e parë dhe bashkë me këto janë pikturat që janë të publikuar edhe në dy katalogë.

-Ngjyrat që shquhen kollaj ishin kështu që në fillim apo rrugës, apo duke mësuar e duke ndryshuar?

L. Hoxha: Ato erdhën që në fillim, madje, ndonjëherë përpiqem t’i zbus për mos të qenë shumë e ashpër. Mendoj që kjo gjë ishte për të dalë. Unë përpiqem të jap një shpjegim shkencor, por ekziston edhe shpjegimi mistik. Mendoj që kjo është një dhuratë.

-A ka në rrethin tuaj të afërm, njerëz që merren me pikturë, prej të cilëve mund të jeni nxitur të nisni të pikturoni?

L. Hoxha: Më vjen mirë që po flasim për këtë sepse ne as në familje nuk e kishim menduar, por më vonë rezultoi që mbesa ime e madhe, e cila studion për pikturë, të bënte një lidhje me mua… Djali i Shpatit gjithashtu vizaton, kuptohet, si çdo fëmijë 5 vjeç, por ai vizaton me mendim dhe jo figura të mamit apo babait. Kjo më çudit prej tij dhe mendoj që ai do të pikturojë një ditë sepse e dalloj që tani analizën e tij. Megjithatë, nëse nuk do të ishte profesor Ali Oseku, nuk do të kisha pasur guximin kurrë të bëja asgjë.

-Kujt ia keni treguar punët e para?

L. Hoxha: Ali Osekut, ai më ka përlotur që në fjalët e para dhe e dallova gëzimin në portretin e tij dhe ky mund të jetë vetëm reagimi njerëzor i një artisti të vërtetë. Ky është artisti, duhet të entuziazmohet, të gëzohet, përndryshe është një njeri i shkolluar që di të bëjë diçka. Ju zë shumë kohë puna me një pikturë.

-Kur vizatoni?

L. Hoxha: Piktura, për mua, është si fryma edhe ajo ecën shumë shpejt. Për dy orë thuajse e kam mbaruar. Me regjimin tim gjej kohën më të mirë, që është pasditeve, preferoj të mos dal dhe t’i kushtohem pikturës. Nëse e kam nisur diçka, nuk mund të dal kurrsesi deri sa kam mbaruar (Panorama)./ KultPlus.com

Pikturat e fundit mbi Shqipërinë që u zbuluan nga Robert Elsie (FOTO)

Robert Elsie nuk është vetëm albanologu dhe studiuesi i letërsisë por dhe hulumtuesi, kërkuesi.

Një meritë të veçantë kanë edhe zbulimet e tij në lidhje me Shqipërinë. Në faqen e tij në Facebook ai publikonte shpesh tablo me temë shqiptare. Ja disa prej tyre që ai i ka publikuar kohët e fundit të jetës. Një pikturë me temë shqiptare nga Sër Dejvid Uillki.

Në vitin 1840, Uillki udhëtoi në Egjipt ku kishte rast të takonte dhe të pikturonte sunduesin e vendit, Mehmet Ali Pasha, khedivin (nënmbretin) e Egjiptit dhe të Sudanit. Mehmet Ali (1769-1849), djali i një tregtari çam të duhanit në Kavalla të Greqisë, u bashkua me një kontingjent mercenarësh shqiptarë të cilët u dërguan në Egjipt në vitin 1801, dhe mori pushtet aty. Piktura ruhet në galerinë Tate Britain në Londër. Një tjetër pikturë është e piktorit skocez, Sër Dejvid Uillki (Sir David Wilkie, 1785-1841), me titullin “Zoti Kartrajt, Konsull në Kostandinopojë, me Shqiptarin e tij” dhe u realizua në tetor të vitit 1840.

Në qarqet diplomatike të Perandorisë Osmane, fjala ‘shqiptar’ kishte shpesh kuptimin ‘dragoman, përkthyes, shërbëtor, roje.’ Më pas ai publikon një tjetër pikturë me temë shqiptare nga piktori skocez Sër Dejvid Uillki. Quhet: “Sotiri, kryeshqiptari i Zotit Kolkhun, konsulli i përgjithshëm britanik në Bukuresht” nga tetori i vitit 1840. Ruhet në Ashmolean Museum të Oksfordit. Më pas ai publikon një pikturë që e quan fantastike.“Zonjat e Gjirokastrës”, fotografuar nga Gerhard Kiesling në vitin 1959, shkruan Gazeta Shqip./ KultPlus.com