Rama: Agroturizmi ‘Max Mavrud’ në Leskovik, destinacion i shumëkërkuar

Agroturizmi “Max Mavrud” në Leskovik është një tjetër investim i ngritur me ndihmën e qeverisë përmes programeve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo pikë agroturistike, ku shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur.

“Bukuritë magjepsëse mes maleve të Leskovikut, ku agroturizmi Max Mavrud është kthyer në një destinacion i shumëkërkuar”, shkruan Rama.

Agroturizëm “Max Mavrud” në Leskovik është një destinacion ku mund të shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur e malësisë së jugut të Shqipërisë.

Një sipërmarrje private e nisur në vitin 2010 dhe e ndihmuar nga qeveria përmes programeve të AZHBR, kjo kantinë prodhon një ndër verërat e mira shqiptare, me 16 hektarë vreshta mbjellë në një terren malor, të harmonizuar nga një kombinim varietetesh të rrushit Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.

Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një model të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan nënshkruajnë disa marrëveshje

Marrëveshjet e firmosura mes republikës së Turqisë dhe Shqipërisë:

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.

Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar./topchanel/KultPlus.com

Rama publikon video nga festimet e fundvitit në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.

Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.

Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com

Rama: 9 milionë turistë, mundësi e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “deri disa vite përpara do na duhej një kurajo e jashtëzakonshme për të imagjinuar që në 2023 do të arrinim që pa ardhur akoma nëntori dhe dhjetori të kishim 9 milionë turistë dhe me gjasë nëse ritmi do të vazhdojë kështu do t’i afrohemi 10 milionë turistëve”.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se “10 milionë turistë janë një mundësi e re e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik për të gjitha familjet”.

“Ju keni qenë vetë dëshmitarë të këtij viti jo vetëm Korça e Pogradeci, por edhe të gjitha bashkitë e tjera të qarkut kanë pritur shumë më tepër se çdo herë tjetër turistë të huaj”, u shpreh Rama.

“Fakti që turistët ikin me përshtypjet më të mira duhet të na bëjë të mendojmë që të tjerë do të kthehen edhe më të shumtë në numër. Ne jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës, do të kemi mundësinë të presim çdo vit e gjithmonë më shumë turistë që do të thotë më shumë konsumatorë, më shumë njerëz që kanë nevojë të ushqehen, të flenë, të blejnë për të marrë kujtime me vete”, nënvizoi Rama.

E gjitha kjo, vijoi Rama, është një zinxhir i tërë prodhimi e shërbimesh ku të gjithë po të duan mund të përfshihen se nuk ka asnjë cep të Shqipërisë nga bregu i detit deri në majë të maleve që nuk ka fuqi që të tërheqë vizitorë e turistë.

“Kjo do të thotë që për ekonominë familjare në Shqipëri ka lindur një mundësi e re e madhe, për prodhuesit shqiptarë ata që janë në ara, në tokat bujqësore apo ata që përpunojnë prodhimet bujqësore e blegtorale, apo në artizanat apo në të gjithë zinxhirin e shërbimeve ata që bëjnë transport apo që presin në bujtina, hotele apo shtëpi është mundësi për të fituar më shumë e më shumë”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri Rama theksoi se “po mbyllet një vit dhe bëhemi gati për një tjetër vit me sfida të rëndësishme, por edhe me një numër mundësish të reja që i kemi krijuar në funksion të njerëzve, komuniteteve, vendit”.

“Vazhdojmë me një numër mbresëlënës turistësh edhe në këtë periudhë të vitit që na tregoi që Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe që është një destinacion turistik jo vetëm sepse ne mendojmë kështu apo pse disa të tjerë mendojnë kështu, por sepse e gjithë bota na shikon kështu”, tha ai.

Fakti, shtoi Rama, që edhe pas sezonit veror vazhdojmë të kemi numra inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri është diçka që duhet të na japë shumë kurajo për vitin e ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Rama: Perlat e Shqipërisë turistike jehojnë edhe në Australi

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e medias së njohur australiane “The Sydney Morning Herald” për turizmin e Shqipërisë.

“Perlat e Shqipërisë turistike jehojnë edhe në Australi me “The Sydney Morning Herald””, shkruan kryeministri Rama.

Rama thekson se, “The Sydney Morning Herald”, na vendos në listën e vendeve të cilat duhen zbuluar sa më shpejt për qytetet unike si Gjirokastra, për alpet, rivierën, dhe vendet me vlera arkeologjike”, teksa publikon linkun e këtij reportazhi: https://www.smh.com.au/…/amazing-and-crowd-free-12-of…

Reportazhi dedikur turzimit shqiptar, i publikuar në gazetën e përditshme “The Sydney Morning Herald”, që botohet në Sidnej, përmes një përshkrimi pikant, të destimacioneve historike, turistike dhe jetës mesdhetare në vendin tonë, i jep përgjegje pyetjes, pse do të shkoja në Shqipëri?.

Kjo pikë e re e nxehtë e pushimeve ka një vijë bregdetare të Adriatikut, kështjella mesjetare, rrënojat e lashta greke dhe romake dhe një brendësi tepër të thyer. Lonely Planet e renditi atë në listën e saj “Më të mirat në udhëtime” në 2023″, shkruan ndër të tjera “The Sydney Morning Herald”./atsh/KultPlus.com

Rama: Bujtina “Shehu” në Kukës, ndalesa e preferuar për shumë vizitorë

Bujtina “Shehu” e ndodhur mes malit të Gjalicës dhe Shtegut të Ngjyrave në Kukës  është një tjetër sipërmarrje frymëzuese në sektorin e agroturizmit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me pamje nga kjo bujtinë e cila është kthyer në një oaz relaksi për vizitorët që pëlqejnë klimën malore.

Rama theksoi se “”Bujtina Shehu” është  një investim familjar që është kthyer në ndalesën e preferuar për shumë vizitorë që shëtisin këtyre viseve”.

“Ushqim i freskët, natyrë përrallore, ajër i pastër e mikpritje fantastike”, tha Rama.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

Rama: Hapje magjike e edicionit të dytë të ‘Himara International Music Festival’

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga hapja e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike.

Rama shprehet se, çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot, teksa thekson se, eventet verore kudo nëpër Shqipëri mund të gjendet në kohën e duhur tek aplikacioni TEA.

“Hapje magjike e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike. Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot  Eventet verore kudo nëpër Shqipëri i gjeni në kohën e duhur te TEA”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë, (Himara International Music Festival) është hapur me “Vajtimi i Tokës” (Lament of earth), një thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit si dhe “Himarës ç’i panë sytë”.

Kalaja e Himarës, e ndërtuar që në mesin shek IV para lindjes së Krishtit është shndërruar këtë fillim gushti në një skenë arti nën interpretimin e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja.

Vajtimi i Tokës”, performanca audiovizuale e Donika Rudit dhe ReMusica Vocal Ensemble, me tekst të Doruntina Bashës, interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari, në drejtimin e mjeshtrit Rafet Rudi si dhe nën shoqërimin e vallëzimit të Agnesa Nokshiqit, u mirëprit nga të pranishmit ku interpretimi i magjishëm jehoi fuqishëm në këtë skenë natyrore.

Me pamjen e mrekullueshme nga kanioni i Vishës, plazhi i Livadhit dhe vargmali i Vetëtimës, në kalanë e Himarës që prej datës 3 gusht po mbahet ky aktivitet me performancë të muzikës klasike nga artistët vendas e të huaj.

Himara International Music Festival lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar.

Ky aktivitet po i jep zë muzikës përfaqësuese të kulturës shqiptare, këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore.

Të tjera performanca shoqëruan mbrëmjet magjike pranë detit në jug të vendit me vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole.

Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himarjot.

Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak.

Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene.

Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The World and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës.

Festivali i Himarës, “Himara International Music Festival”, do të mbyllet me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë./atsh/KultPlus.com