ReMusica me një përmbyllje të pakrahasueshme nga Petrit Çeku & Viva String Quartett

Era Berisha

Ajka e veprave të mahnitshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë mbrëmë lindën nëpërmjet talentit të pakrahasueshëm të kitaristit Petrit Çeku dhe Kuartetit harkor “Viva String Quartett”, të cilët së bashku frymuan në një frymë që vazhdimisht buronte melodi dhe tinguj që u ndezën mahnitshëm në atmosferën e ngrohtë dhe lëshuan një harmoni e cila vështirë se do të rikrijohet përsëri, duke përmbyllur kështu edicionin e 21-të të festivalit ReMusica që shtëpinë e gjeti në Sallën e Kuqe, shkruan KultPlus.

Ky vend i cili priti këtë dyshe të mrekullueshme në natën e fundit kishte ndërruar disa detaje të dallueshme nga netët tjera. Salla e Kuqe mbrëmë kishte shtuar dukshëm një numër të madh të karrigeve duke mbushur sallën në tri anë të saj. Me dymbëdhjetë reflektorët në ngjyrë të kaltër, drita precize në formë rrethore që vjen nga lart dhe dritat e ngrohta që ndriçonin vendin në hapësira të caktuara, Salla e Kuqe mori formën të përmbushjes në numër. Ndërkaq, pozicionimin e tyre e kishin ndërruar edhe shkronjat e mëdha në prapaskenë që portretizojnë emrin e festivalit ReMusica të cilat po qëndronin të gjalla në natyrën e tyre gjelbëruese.



Hapjen e kësaj nate e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi dhe producenti i festivalit, Viktor Berishaj, të cilët janë shprehur se janë tejet të kënaqur që më fund publiku është pjesë e këtyre koncerteve dhe po ashtu se festivali i është bashkuar nismës së solidarizimit me festivalet e tjera evropiane, ‘Festivals for Compassion’.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit ReMusica. Në program sonte do ta kemi premierë veprën e kompozitorit Valton Beqiri, e titulluar “XX”, jo rastësisht. Vitin e kaluar ReMusica ka festuar edicionin e njëzetë të festivalit, fatkeqësisht duke qenë larg jush por jemi shumë të lumtur që sonte po ju shohim dhe që sot do ta dëgjojmë këtë vepër premierë që do të jetë nga “Viva String Quartet” dhe Petrit Çekun në kitarë dhe Valton Beqiri në piano”, thotë Rudi.

Ndërsa, producenti i ReMusica-s, Viktor Berishaj tha se festivali, si çdo vit tjetër, ka trajtuar një temë e cila duhet të adresohet në shoqëri dhe jo vetëm.

“Me shumë mëdyshje e kemi nisur edicionin. Kjo është hera e parë me publik qysh duhet sepse pe shihni dhe vetë numrin e limituar të ulëseve por ka qenë një sfidë për t’u kthyer në normalitet që na është dashur shumë dhe sivjet kemi arritur që ta bëjmë këtë gjë. Si çdo vit tjetër, jemi munduar që një temë të caktuar që duhet të adresohet si shoqëri, pjesëtarë të komunitetit apo si gjallesa që jetojmë në këtë kohë, janë ato të ndryshimit klimatik dhe urgjencës së veprimit klimatik dhe mjeshtërisht Donika ka qenë ajo e cila ka arritur të futë nëpërmjet veprave këtë temë prej secilës natë të koncerteve nëpërmjet katër elementeve si uji, ajri, toka dhe zjarri”, thotë Berishaj.



Sipas tij, ka pasur një mori aktivitetesh përcjellëse, masterklasë, punëtori të ndryshme në Universitetin e Prishtinës si dhe një numër të madh të dashamirëve të muzikës. Ka pasur ansamble të mrekullueshme dhe talente të mrekullueshëm në Kosovë që kanë performuar në këtë edicion.

“Sonte po bëjmë një përmbyllje ashtu tamam si na përket neve. Sa i përket artistit që ka me performu sonte me kuartetin, nuk ka nevojë për ta prezantuar sepse të gjithë e dimë se kush është Petrit Çeku saqë edhe stadiumin e Prishtinës me pas hap, nuk do të na zinte të gjithëve për me përcjell. Megjithatë koncertin sonte do e nisim përsëri me një mesazh që kemi nevojë për ta adresuar. Pra, ne marrim frymë njësoj me qytetarët ukrainas të cilët janë duke e përjetuar një tmerr të cilin ne fort mirë e dimë. Për këtë arsye si viteve tjera ReMusica i është bashkuar nismave të ndryshme ndërkombëtare me një kauzë të caktuar. Nata do të fillojë me interpretimin e veprës së një kompozitori ukrainas të cilën e ka kompozuar në momentet kur ka nis lufta”, shpalos Berishaj.



Pas kësaj hapjeje, skena e cila mu në mes kishte të vendosura gjithsej pesë karrige të cilat me pozicionin e tyre i ngjasonin një gjysmë hëne dhe pianoja që qëndronte në qosh për t’u gjallëruar kur radha e saj do të vinte, po krijonin një hijeshi dhe atëherë kur me duartrokitje të zjarrta, publiku mirëpriti kuartetin harkor “Viva String Quartett”. Të veshur në të zeza nga koka e deri të këmbët, kuarteti harkor u fut direkt në interpretimin e veprës së parë të titulluar “Drop after drop” nga kompozitori ukrainas Maxim Shalygin, me ç’rast meloditë e veçanta që tërë kohës i ngjasonin një fëshfëritjeje, sollën një bukuri tingujsh të cilat me butësinë, qetësinë dhe ngadalësinë e tyre, vërtetë pikonin si pika të ujit, pikë pas pike deri në pikën e fundit që shënoi fundin e veprës.

Ndërsa, për veprën e dytë të radhës me titull “Guitar Quintet in D major, No.4, G, 448 – Fandango” nga kompozitori Luigi Boccherini, të pranishmit me brohoritje dhe duartrokitje që s’njihnin fund, mirëpritën kitaristin Petrit Çeku në skenë. Njashtu sikurse kuarteti harkor edhe kitaristi i veshur në ngjyra të zeza me një buzëqeshje në fytyrën e tij e nisi veprën e dytë për këtë mbrëmje.

Dy violina, një violë, një violonçel dhe një kitarë jetësuan interpretimin e melodive dhe tingujve të cilat po njëlloj sikurse pronarët e tyre, dilnin jashtë kontrollit për të shpalosur një vijë tejet ritmike. Në një hap me rimtin, kitaristi Petrit Çeku në çdo sekondë po dhuronte shpirtin e tij artistik nëpërmjet lëvizjeve të tij trupore saqë edhe flokët e tij po luhatnin në drejtime të ndryshme. Talenti i tij doli nga brendësia e tij qysh në momentin e parë të mbrëmjes dhe nuk u fut brenda në strofullin e vetë për asnjë çast.



Efikasiteti i shpejtësisë performuese, vështrimet melankolike, ndjeshmëria e tij ndaj instrumentit që qëndronte para tij si vetë hija e tij, bëri që kitaristi të emociononte secilin të pranishëm që po vështronte me kujdes elegancën e tij interpretuese. Ndërsa, kuarteti harkor me lëvizjet e duarve të tyre sollën një precizitet të pashoq. Harmonia e tyre ndërronte sa herë që ndërronte ritmi i veprave, me ç’rast ata ngulitën vështrimin e publikut drejt tyre, për të mos ia lëshuar atë asnjërit deri në notën e fundit.

Pas një pauze pesë minuta, drejt skenës ecte kitaristi Petrit Çeku i cili u shoqërua në piano nga Valton Beqiri për të sjell veprën premierë “XX” nga kompozitori Valton Beqiri, vepër kjo që pati ardhur dedikim ndaj 20 vjetorit të festivalit ReMusica por që u luajt mbrëmë për herë të parë në 21 vjetorin e festivalit. “XX”, hyri në secilin shpirt të pranishëm. Qysh nga minuta e parë e deri tek e fundit, vepra përçoi një emocion që s’kishte kush që do t’ia vinte pikën. Ndërlidhja e tingujve të pianos dhe melodive të kitarës krijoi një atmosferë tejet të ngrohtë me ç’rast publiku u fut në hipnozën e bukur që vepra posedonte. Ndonëse më e shkurtra nga tjerat vepra që u interpretuan mbrëmë, “XX” solli kulminacionin që në strehë të saj kishte dhuntinë e shkathtë të pabarazueshme.

Ndërsa, vepra e fundit për këtë natë, “Guitar Quintet op.143” nga kompozitori Mario Castelnuovo-Tedesco, e riktheu në skenë sërish kuartetin harkor “Viva String Quartett” ku së bashku me kitaristin Petrit Çeku, përmbyllën edicionin e 21-të të festivalit ReMusica në një mënyrë brilante. Pas pothuajse dy orëve interpretimi, ishte radha që publiku të mbizotëronte atmosferën me duartrokitje të pandalshme dhe brohoritje që preknin edhe qiellin. Me një ritëm të duartrokitjeve dhe brohoritjeve për këtë koncert si dhe tërë këtë edicion të mahnitshëm të ReMusica-s, u përmbyll programi i pasur dhe i larmishëm i veprave që do mbahen mend gjatë në kujtesën e secilit që ka ndjekur nga afër të gjitha koncertet e parapara për edicionin e 21-të të festivalit që shënoi një sukses përtej krahasimit.



Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për këtë mbrëmje dhe tërë edicionit në përgjithësi, për KultPlus foli Donika Rudi.

“Koncerti ishte jashtëzakonisht i bukur, pra një koncert të cilin e kemi pritur tash një kohë. Petriti është njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të festivalit ReMusica dhe pothuajse në çdo vit, në çdo edicion, atë e kemi prezent. Këtë vit ai erdhi me Kuartetin harkor nga Maqedonia Veriore “Viva String Quartet”. Një program tepër i bukur me dy elemente të cilat e karakterizuan koncertin, vepra “Drop after drop”, e kompozitorit ukrainas dhe me këtë rast u solidarizuam me festivalet e tjera evropiane në iniciativën ‘Festivals for Compassionn’ dhe kjo vepër është shkruar në këto muajt e fundit në Ukrainë dhe kush ma shumë se ne, si popull, e përjetojmë gjendjen dhe atë se çka po ndodh në Ukrainë. Me këtë vepër deshëm që të solidarizohemi me gjithë botën dhe festivalet e rëndësishme të muzikës klasike botërore”, thotë Rudi.

Sipas saj, vepra e Valton Beqirit ishte një vepër e cila është dedikim ndaj festivalit ReMusica për edicionin e kaluar. Situata e cila ka ndodhur dy vitet e fundit konsiderohet të kishte qenë mundësia jo e mirë për të dhënë premierën prandaj ajo u dha sonte.

“Mendoj që i gjithë edicioni i 21-të ka qenë një laramani me programe të ndryshme duke filluar nga koncertet në moshë të re e deri tek ajo e vjetra. ReMusica gjithmonë tenton që të ketë një program ku secili mundet me gjet vetën në stile mjaft të ndryshme. Këto njëzet vite, festivali ka pasur në fokus krijimtarinë kosovare duke stimuluar kompozitorë të rinj për vepra të reja por këtë vit kemi tentuar dhe do të tentojmë që bashkëpunimet në mes të artistëve tanë dhe atyre ndërkombëtarë ti jetësojmë duke u bërë kështu një urë lidhëse në mes krijuesve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë. Ajo se çka më së shumti kemi pritur ne si ekip ka qenë kontakti me publikun. Kjo energji në mes të artistit, publikut dhe organizatorëve, është një trekëndësh shumë me rëndësi i cili ka munguar shumë. Andaj, ky rikthim në 21 vjetorin tonë është një prej momenteve më të bukura të cilën kemi mundur ta përjetojmë”, përfundon Rudi.



Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajtoi temën e ndryshimeve klimatike dhe bëri thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, ishte reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Era Berisha