Nga mirëmbajtës tashmë në Oscars, Edon Molla: Takimi me Roberta Flack më ndryshoi jetën

Suada Qorraj

Ndonëse është larguar nga atdheu qysh fëmijë, madje dhe ëndrrat e majat e sukseseve po i realizon dita ditës në tokën e ëndrrave, Edon Molla nuk harron të përmend faktin se krenaria më e madhe është prejardhja e tij, shkruan KultPlus.

“Jam jashtëzakonisht krenar që jam shqiptar, mendoj se është aq e bukur sa kemi kapërcyer kaq shumë dhe njerëzit tanë vazhdojnë të frymëzojnë, duan dhe mbështesin njëri-tjetrin”, fillon kështu tregimin për jetën dhe sukseset e tij Molla.

Kompozitor, këngëtar e producent, të gjitha këto të mbërthyera në karakterin e tij, i hapën rrugë duke mundësuar që zëri e kompozimi i tij të jenë muzika e filmit ‘Mmmmm (Sound of Pain)’, që tashmë është nominuar për çmimet Oscar.

Edon Molla nga New Yorku, ka dhënë një intervistë për KultPlus ku ka rrëfyer emocionin e pas marrjes së këtij lajmi, duke potencuar se ende i duket e pabesueshme.

“Unë ende nuk e besoj që kemi arritur të jemi pjesë e nominimeve Oscar. Të jesh pjesë e një filmi të fuqishëm dhe të tregosh një histori të vërtetë rreth problemeve klimatike e bënë atë që të ndikoj më shumë. Regjisori dhe pjesa tjetër e ekipës së filmit kishin qëllim që të tregojnë një histori që duhej të tregohej dhe unë jam shumë i lumtur që kënga ime e interpretuar dhe kënduar nga unë ka gjetur një përdorim pozitiv”, pohoi Molla.

Tutje ai tregon se Jubair Muhammed, producenti i muzikës së filmit, ishte ai i cili kishte dëgjuar albumin e tij ‘For Merita’, ku dhe ishte lidhur aq fort me tekstin dhe mesazhin e këngës dhe më pas i kishin kërkuar Edonit që të krijonte kolonën zanore për filmin e tyre.

Për Mollën, pjesa më e vështirë e kompozimit të kësaj kënge që tashmë është përdorur si kolonë zanore në filmin ‘Mmmmm (Sound of Pain)’, ishte fakti që duhej të përdorte imagjinatën për të vizualizuar atë që supozohej të ndodhte në film.

“Kam kaluar rreth një javë duke shkruar këngën dhe mendoj se pjesa më e vështirë ishte fakti që nuk e kisha filmin përpara meje në mënyrë që ta shkruaja tekstin. Unë duhej të përdorja imagjinatën time, skenarin dhe imazhet nga filmi për të shkruar një këngë që tregonte historinë që regjisori dëshironte të rrëfente”, tha Edon Molla për KultPlus.

Por, rrugëtimi drejt muzikës i Edonit, nuk fillon këtu dhe nuk është nga historitë e zakonshme sepse në vitet e hershme, ishte basketbolli ai që kishte zënë primatin në jetën e tij. Siç e përshkruan dhe vetë për KultPlus, takimi me Roberta Flack, fituesen e çmimeve Grammy i ndryshoi atij jetën.

“Kam punuar si mirëmbajtës në ‘The Dakota’ në verën e vitit 2015 ndërsa isha në kolegj dhe akoma luaja basketboll në atë kohë, pata mundësinë të këndoja një këngë origjinale për Roberta Flack. Kur më dëgjoi teksa këndoja, asaj i pëlqeu zëri im dhe kërkoi që unë të interpretoja e të shkruaja këngë me të. E dija që muzika ishte profesioni im kur një legjendë si zonja Flack shfrytëzoj kohën e saj të çmuar dhe tërë atë verë e kalova duke krijuar muzikë që do ta kujtoj përgjithmonë”, rrëfeu ai.

Disa vite pas këtij takimi, në Janarin e vitit 2019, Edon Molla publikoi këngën e tij të parë solo, të titulluar ‘Tears’. Molla lansoi albumin e tij të parë ‘Alone’ në vitin 2019, kurse albumi i tij i dytë ‘For Merita’, u lansua në tetor të vitit 2020, emri i të cilit përkon me historinë e një gruaje që lufton me kancerin.

“Albumi im ‘For Merita’ ka arritur mbi tre milion dëgjime nëpër platformat digjitale, dhe unë jam përgjithmonë mirënjohës për njerëzit që lidhen me muzikën time”, vazhdon rrëfimin tutje Molla.

Krejt në fund, Edon Molla ka pohuar se ka dëshirë të bashkëpunoj me artistë dhe producent shqiptarë. Madje ai ka bërë të ditur se tashmë ka një bashkëpunim me një artist shqiptar i cili pritet të publikohet së shpejti, por këngëtari nuk ka shpalosur më shumë detaje.

“Nëse ka ndonjë artist që po e lexon këtë, mos u trembni dhe më drejtohuni drejtpërdrejt në Instagram nëse dëshironi të punoni së bashku”, përfundon kështu intervistën Molla. / KultPlus.com