‘Ne me shqiptarët e kemi pas mirë, si para lufte si tash’, egjiptianët tregojnë përvojën e tyre si ushtarë të UÇK-së

Natyra Rushiti

Ishte njëzet vjeçar kur mori vendimin për ta marr armën në dorë,  për t’i dalë në mbrojtje atdheut.

Muharrem Sadrija, tani dyzet e tre (43) vjeçar nga komuniteti egjiptian, tregon që lufta për çlirimin e Kosovës, është nderi i jetës së tij. Sadrija  tani me profesion bujk, njëzet e një vjet pas luftës tregon përvojën që pati në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me misionin fisnik që kishte marrë atë botë.

Ish-ushtari i UÇK-së shërbeu në Zonën Operative të Dukagjinit, Brigada ‘131 Jusuf Gërvalla’. Sadriajn e tradhtojnë lotët kur kujton momentin që u bë pjesë e UÇK-së.

“U patëm organizuar si fshat, me vullnet, plot dëshirë e me plot zemër u organizuam që t’i dalim armikut përballë, e kjo nuk kishte të bënte vetëm me komunitetin tonë, por edhe me shqiptarët që kishin frikë prej tyre”, ka thënë Sadrijaj.

Ai tutje thekson që nuk janë ndjerë të diskriminuar asnjëherë nga shqiptarët, përkundrazi tregon që kanë pasur raporte shumë të mira mes vete.

“Ne me shqiptarët e kemi pasur mirë si para lufte si tash pas lufte, shqiptarët neve si komunitet egjiptian na kanë mbrojtur shumë. Por edhe na kemi shku krahë me ta”, ka thënë Sadrija. Emocionet nuk i mungojnë as në momentin kur e përmend uniformën e UÇK-së, sipas tij kjo është trashëgimia më me vlerë që do t’ia lë fëmijëve të tij.

Në foto: Muharrem Sadrija, ish-ushtar i UÇK-së  

“Atë uniformë që e kam te shtëpia ata e kam shenjë të luftës. Kur e sheh im bir, thotë ‘babë çfarë është kjo’, e unë i them ‘po bir, ajo është ardhmëria jote, është liria jote, është pavarësia jote”, deklaron në mes emocionesh Sadrijaj.

Gjatë luftës së tyre për liri bashkë me luftëtarët e tjerë, Sadrija pati edhe momente të rënda. Ai rrëfen njërin ndër momentet më të ndjeshme që kaloi gjatë kohës sa mbante veshur uniformën e ushtrisë; “Kur Shkelzeni i ndjerë tashmë ra për lirinë e atdheut, atëherë morali ka qenë shumë i humbur, por falë Zotit, komandanti Ramush Haradinaj na dha një moral, na kthej moralin dhe e morëm veten e vazhduam luftën”, shton ndër tjera ish-ushtari i Brigadës ‘131- Jusuf Gërvalla’.

Por Sadrija nuk është i vetmi nga familja e tij që mori armën në dorë e doli të mbrojë kufijtë e Kosovës, pasi edhe vëllai i tij i vogël, Din Sadrija shërbeu si ushtar në UÇK. Ai tregon që e kishte pritur me padurim momentin kur do e vishte uniformën e UÇK-së.

Në foto: Din Sadrija, ish-ushtar i UÇK-së.

“Babi ishte i kyçur në UÇK, axhallarët, vëllau Muharremi. Këta janë inkuadruar pak para meje, por isha shumë i ri atëherë, si fëmijë pothuajse, moshë e re, kur i shikoja këta me uniformë të UÇK –së që kishin marrë armët e kishin sjellë nga Shqipëria në Kosovë me gjithë bashkëluftëtaret tjerë të ushtrisë, besoni që isha shumë i lumtur edhe mendoja që kur do ta kem minutin e fundit, sahatin e fundit që të marrë armën në dorë dhe ti dalë në mbrojtje Kosovës, popullit, vendit tim”, rrëfeu ish-ushtari i UÇK-së.

Din Sadrija, nga komuniteti egjiptian ka treguar që edhe pas luftës ishte pjesë e Forcave Mbrojtëse të TMK-së. Ai tutje deklaron që të rënët për lirinë e vendit meritojnë respekt të përjetshëm.

“Mua më së shumti më bëjnë me lot e më dhimbsen këta burra, Agim Selmanaj, Luan Nimanaj, Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj e Hasim Halilaj,  këta burra që ranë për atdhe domethënë janë shumë njerëz, shumë njerëz të mirë. Këta duhet me i nderu, na si popull, na si Kosovë, gjaku i tyre është liria e vendit”, ka deklaruar tutje Sadrija.

Por këta nuk kishin të vetmit nga komuniteti egjiptian që morën armët në duar e dolën të mbrojnë civilët dhe kufijtë e Kosovës. Arben Tetaj nga fshati Pozhar i Deçanit, i cili shërbeu poashtu në Zonën e Dukagjinit thotë që në luftë u nis vetëm me një qëllim bashkë me 4 vëllezërit.

Në foto: Ish-ushtari i UÇK-së, Arben Tetaj (i dyti në rresht)

Tetaj tregon që mesazhin për të mbrojtur atdheun e mori nga prindërit e tij qysh në fëmijëri.

“Në atë kohë nuk kemi pasur dilemë, vetëm kemi menduar si ta mbrojmë pragun e shtëpisë, për me mbrojt vatanin dhe për këtë ditë të sotit që të gëzojmë lirinë. Edhe familja ime, nëna më thoshte, nanë për këtë ditë të sotme duhet me kanë, edhe babai gjithashtu, babai më thoshte që duhet ta mbrojmë vatanin, duhet ta mbrojmë pragun e shtëpisë për këtë ditë të sotit”, deklaroi Tetaj.

Ai e ngrit në piedestal luftën e UÇK-së e idealin për liri që kishin ushtarët. Tetaj thotë që me të gjithë ushtarët kishin bashkëpunim të madh dhe raporte vëllazërore “Edhe me më dhënë Zoti njëqind vite tjera nuk e ndjejë veten më mirë se sa në kohën kur kam vesh uniformën e UÇK-së”, ka thënë me emocione Tetaj.

Që të tre, Muharremi, Dini e Arbeni ruajnë raporte të mira edhe sot mes vete. Madje këta realizojnë  edhe vizita të shpeshta në fshatin Maznik të Deçanit ku i kujtojnë e nderojnë të rënët për liri, Agim Selmanaj, Luan Nimanaj, Shkelzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj e Hasim Halilaj.

Foto: Muharrem Sadrija, Din Sadrija e Arben Tetaj gjatë homazhve në lapidarian e të rënëve

Si këta tre, ka edhe të tjerë nga komunitetet joshumicë që shërbyen si ushtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të mbrojtur civilët dhe kufijtë e Kosovës gjatë viteve 1998-1999. / (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)KultPlus.com