Të enjten në GKK hapet ekspozita “Komploti i Tiranës” nga Ardian Isufi


Kuruar nga Gaetano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha dhe Elton Koritari, të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita e radhës me titull “Komploti i TIranës” nga artisti Ardian Isufi, përcjell KultPlus.

Ekspozita hapet duke filluar nga ora 19:30 dhe do të qëndrojë e hapur nga data 12 maj deri më 12 qershor 2022.

Ardian Isufi ekspozon për herë të parë në një ekspozitë personale pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe do të sjellë për publikun e Kosovës një perzgjedhje nga karriera e tij e gjatë artistike si edhe vepra të reja e të krijuara ‘site specific’ për këtë ekspozitë, ku veçojmë pavijonet e Veprave të
Pamundura, atë të Komplotit të Tiranës apo Interpelancën e Artistit me Raino Isto dhe Genti
Gikola.

Rreth artistit:

Ardian Isufi është ndër artistët më të rëndësishëm të skenës bashkëkohore shqiptare, me një
karierrë të gjatë në të nëpërmjet artit, kritikës, organizimit të aktiviteteve artistike dhe kurimit të
ekspozitave dhe me pjesëmarrje në shumë veprimtari artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Si
artist por edhe si kurator dhe kritik arti, veprimtaria e tij është shumë e gjërë, artisti përfaqëson më
së miri brezin e artistëve dhe intelektualëve shqiptarë të impenjuar dhe aktivë në të gjithë spektrin
e veprimit publik. Në punën e tij Ardian Isufi ka krijuar një marrëdhënie konstante me publikun
shqiptar, si artist apo kurator, duke tentuar përherë ta ballafaqojë atë me problematika akute socialshoqërore por përherë të hetuara nga një këndvështrim dhe një qasje bashkëkohore dhe globale.
Rreth punëve prezantuar në këtë ekspozitë:

Ardian Isufi sjell në këtë ekspozitë një pjesë të mirë të “galaktikave fluturuese të universit të tij” –
cit. nga Vladimir Myrtezaj. Nëpërmjet të veprash të realizuara ndër vite, realizohet kështu një
retrospektivë e punës së tij për publikun e Kosovës por kjo gjë vjen e ndërthurur konceptualisht si
një proçes artistik me propozime të reja të pashfaqura më parë. Ekspozita vazhdon pra rrugëtimin
e artistit me çdo kusht për të qenë në garë me kohën dhe me çdo mënyrë për të qenë në një shtrat
të ndryshueshëm në një lëvizje perpetum që të sillet në kokë ngjashmërisht me galaktikat fluturuese
si një energji e pandërprerë pa u kujdesur për pikë-presje apo sjellje etike si formalitet. Ardian Isufi
është një lloj energjie e motorrizuar për ndryshimin e përhershëm në kërkim të kohës së humbur.
Një subjekt në një parehati pamjaftueshmërisht të zgjatur që në të shumtë i ngjan një makinerie të
automatizuar nga tërheqjet e shpeshta e shpesh përmbysëse saqë të le të mendosh që ky rrugëtim
në fundin e tij do ti përngjajë një urie e eksitimi anormal për të na blatuar një model të ri e të
pazakontë si një ngjashmëri e shumë “koverave” që sa vijnë e shfaqen në referenca të ndërmjetme
me artistët më të spikatur e në zë të kohës.

Koncepti:

Kjo ekspozitë heton dhe shfaq proçese krijimi, tundime, përballje publike por edhe pamundësi
dhe drama kolektive dhe personale të botës së brishtë të artit bashkëkohor – lokal apo global. Kjo
sepse veprat e Ardian Isufit kanë karakter të veprave të angazhuara të cilat ndikojnë drejtpërdrejt
mbi opinionin publik si një dialog me mjetet e artit duke na vorbulluar me paqëndrueshmëritë
dhe qëndrimet eklektike të artistit si një kostum që me kast e ka veshur për të na destabilizuar
përcaktueshmërinë e përkohëshme e të përsëritur që ai propozon. Përballë veprave të këtij lloji,
në kufirin mes mediumeve të ndryshëm,shikuesi përfshihet drejtpërdrejt nga artisti, i cili e përdor
produktin e tij vizual si gjenerues të paqartësive dhe pyetjeve mbi të cilat është legjitime të
reflektohet. Më tej, Ardian Isufi çan murin e asaj çfarë është perceptim mbi punën e artistit sot jo
vetem në trevat tona por kudo, ai pra e vendos vizitorin në një rol aktiv gjatë eksperiencës së
ekspozitës e akoma më shumë, gjatë jetës së përditshme. / KultPlus.com