OKB: Refugjatët në Etiopi do të mbesin pa ushqim nga e hëna, të lejohet hyrja jonë

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha të premten se rreth 100.000 refugjatë në rajonin Tigray të Etiopisë do të mbeten pa ushqim javën e ardhshme, nëse palët në konflikt nuk e lejojnë qasjen e organizatave humanitare.

Të dërguarit afrikanë për paqe u takuan të premten me kryeministrin etiopian, Abiy Ahmed, një ditë pasi ai tha se ushtria do ta fillojë fazën përfundimtare të një ofensive. Grupet për të drejtat e njeriut kanë frikë se nga ky operacion mund të ketë edhe viktima civile.

Agjencia UNHCR thotë se 96.000 refugjatë eritreas janë duke jetuar në katër kampe në Tigray. Raportohet se disa prej tyre kanë qenë në afërsi të përleshjeve të fundit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ata do të mbesin pa ushqim nga e hëna. Ne jemi të gatshëm me furnizimet tona duke u përpjekur të arrijmë te kjo popullsi”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Babar Baloch, duke shtuar se ky vlerësim është bërë duke u mbështetur në llogaritjet sipas shpërndarjes së fundit disa javë më parë.

“Ajo që nevojitet është qasja e papenguar për të shkuar te ta sa më shpejt që është e mundshme”, tha më tej Baboch.

Ai refuzoi të tregonte se kush po e bllokon qasjen te zonat e refugjatëve, por tha se thirrja për qasje vlen edhe për ushtrinë e Etiopisë, edhe për Frontin Popullor të Tigrayt për Çlirim.

Kombet e Bashkuara, që kanë staf në Tigray, kanë zhvilluar negociata me të gjitha palët e konfliktit për qasje, por deri më tani nuk ka pasur shenja për marrëveshje. / KultPlus.com

Zbulohen gjurmë njeriu mijëravjeçare përgjatë një lumi në Etiopi

Gjenden gjurmët më të lashta fëmijërore mbi planetin tonë. Janë rreth 1.2 milion vjet të lashta, të zbuluara përgjatë një lumi prehistorik në Etiopi. Siç transmeton Dita, gjurmët e gjetura janë si një foto e momenteve të fëmijërisë dhe lojërave në ujë të specieve njerëzore parahistorike si Homos Erectus/Ergaster ose ndoshta Homo Heidelbergensis.

Sipas autorëve të grupit kërkimor, kjo është një provë direkte shkencore që konfirmojnë një moment teksa fëmijë të njerëzve të lashtë laheshin në ujërat e lumit, gjë që vërteton se kjo lloj loje, që ende sot aplikohet, tregon se i ka rrënjët në sjellje njerëzore arkaike.

Sipas studiuesve vendi ku kanë mbetur të shënuara këto gjurmë ka qenë zonë me ujë, apo moçalishte, që shpesh herë gjatë historisë është mbuluar nga hiri vullkanik.

Pranë gjurmëve njerëzore, janë gjetur edhe gjurmë kafshësh dhe guacash, çka tregon se njeriu prehistorik hynte në ujëra të ulëta ashtu sikurse bënin edhe kafshët. / KultPlus.com