‘Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale’

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

KultPlus ju sjellë një pjesë të shkëptur nga Albania 2. 1907:

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).KultPlus.com

Faik Konica: Veset e pandreqshme të shqiptarëve

Rrëfimet e mbetura në letër mbi karakterin e shqiptarëve. Shënimet e grekëve, italianëve, turqve apo francezëve mbi shqiptarët.

Faik Konica

(Nga Uashingtoni, ai vazhdonte të hidhte në letër historinë e shqiptarëve, frymëzuar nga gjithë librat që kishte lexuar, por dhe nga përvoja personale. Fati nuk deshi që Konica t’i përfundonte këto shënime, por ato janë sot si dëshmi jo vetëm e një kohe dhe një mendjeje që ka kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare, por dhe një mënyrë për të parë një tablo të jetës sonë në ato vite. Këto shënime do të botoheshin shumë më vonë në një libër “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, një libër që ia vlen t’i rikthehesh shpesh për të takuar idetë përparimtare të tij.)

Për të nisur hulumtimin në karakterin e shqiptarëve, Konica ndalet te një nga gjestet që mund të quhet i rëndë për një shqiptar dhe ai është ta quash “i pabesë”. “Më së pari duhet ditur se fyerja më e rëndë në Shqipëri, është ta quash tjetrin ‘i pabesë’. Shumë gjaqe kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Kjo s’do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz të pabesë, por tregon nivelin e sjelljes dhe idealin që parapëlqehet më shumë. Është interesante të vihet në dukje se në Greqinë moderne fyerja më e rëndë është ta quash tjetrin “analfabet” ose “të trashë” a “të plogët”: ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë nuk është karakteri, por zgjuarsia, shkathtësia. Një fjalë e urtë e përhapur në të gjithë Shqipërinë thotë: “Shqiptari për një plesht djeg jorganin”. Kjo tregon padurimin dhe rrëmbimin, vrullin e shqiptarit. Ndoshta proverbi e ka zanafillën tek këshilla e ndonjë udhëheqësi për të mos nisur luftime të kushtueshme për punë të kota. Një sjellje edhe më fisnike shpreh fjala e urtë “Kokë e falur nuk pritet”, që do të thotë se armiku i nënshtruar ose i zënë rob nuk vritet”, shkruan ai.

Historiani bizantin, Nikiforos Gregoras, i cili nuk mund të dyshohet për simpati ndaj shqiptarëve, e përforcon faktin se shqiptarët nuk i vrasin, as nuk i shndërrojnë në skllevër, armiqtë e mundur. Është e vërtetë se Gregorasi përmend edhe emrat e disa kombësive të tjera të Perandorisë Bizantine që ndjekin po atë etikë luftarake, por edhe shembuj të ndryshëm, që dëshmojnë të kundërtën, mund të gjenden në kronikat e Bizantit. “Sidoqoftë në kohët e reja, në mes të kombeve të Europës Juglindore, vetëm shqiptarët i kanë qëndruar besnikë traditës kalorësiake që ta falin armikun e mundur”, Duke folur për femrën, ai shkruan se “është diçka e ditur dhe e vërtetuar që në Shqipëri ‘gruaja gëzon paprekshmërinë’”. “Edhe në luftimet e gjaqet më të egra, gruan s’e trazon njeri. Kur dikush ka një armik, i cili ruan rastin t’i marrë hak, kur i duhet të udhëtojë, e ndien veten më të sigurt po të jetë i shoqëruar nga ndonjë grua; megjithëse kjo mënyrë veprimi quhet si jo burrërore. Edhe hajdutët e rrugëve i përmbahen këtij qëndrimi ndaj grave”, shkruan Konica.

Ai sjell në kujtesë një ngjarje që duhet të ketë ndodhur në vitet 1900 ku në shtypin botëror shkruhej për një ngjarje: treni ndërkombëtar “Orient Ekspres”, që udhëtonte nga Parisi në Stamboll, u sulmua nga kusarët e Thrakisë. Udhëtarët meshkuj u detyruan të linin trenin me gjithë plaçkat e veta. Ndërkaq kryetari i bandës u tha grave të zinin vendet ku ishin më parë në tren dhe disa herë me radhë u kërkoi të falur për shqetësimin. Nga urdhrat që u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u mor vesh kombësia e hajdutëve. “Shqiptarët, kur flasin për veten e tyre, krenohen duke thënë se kanë shumë cilësi të mira e virtyte. Kjo është një pikë e dobët që e ka çdo komb dhe opinione të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi thëniet dhe shprehjet popullore janë gjykime spontane; ndër to, si të thuash, një komb zihet në befasi. Ne do ta vazhdojmë gjurmimin tonë po në atë vijë dhe do të përpiqemi të japim mendimin e popujve të tjerë për shqiptarët”, shkruan Konica.

Ai veçon mendimin e turqve, për shkak të afërsisë së tyre pesëqindvjeçare me shqiptarët. “Të gjithë historianët turq bëjnë fjalë për kokëfortësinë shqiptare: ‘Arnaud iunud’ do të thotë ‘shqiptari kokëfortë (i papërkulshëm)’” dhe është një shprehje e zakonshme në kronikat e vjetra turke. Turqit mendojnë gjithashtu se shqiptarët janë gjaknxehtë. “E ka një dell shqiptari”, është një shprehje turke mjaft e përhapur. Sir James Sedhouse, që e ka përfshirë këtë shprehje në fjalorin e vet monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku, flet a vepron, siç bën zakonisht një shqiptar, me vrull. Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turq, është me të vërtetë trim dhe shumë i zoti për të sulmuar, për të pushtuar ndonjë vend me mësymje, por qëndron indiferent kur kushtet kërkojnë taktikë mbrojtëse. Shqiptari vlerësohet nga turqit si tip i zgjuar, por një historian turk i shekullit XVII, Ibrahim Peçevi, thotë se “Ajaz Pasha i përkiste racës shqiptare, e megjithatë ishte shumë i zgjuar”, shkruan ai.

Sipas mendimit të turqve, interesi për para është një karakteristikë tjetër e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në ferr?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?”.

Ndërsa grekët kanë një tjetër mendim për shqiptarët. Në gjuhën popullore greke, takojmë dy shprehje për shqiptarët. “Një kokë shqiptari” thuhet për një njeri të papërkulshëm e kryeneç. Kur dikush vuan nga hallet që i kanë rënë përsipër, miqtë e ngushëllojnë duke i thënë “hajt se Zoti nuk është shqiptar”, që do të thotë se Zoti është i mëshirshëm.

“Kjo akuzë për mizori kuptohet fare mirë po të shikohet në dritën e historisë: grekët për qindra vjet me radhë i kanë njohur shqiptarët vetëm si pushtues, si kusarë që u plaçkitnin qytetet bregdetare, si ushtarë të dërguar ndër ekspedita ndëshkimore, si xhandarë ose si mbledhës taksash. Grekët nuk patën rast të njohin anën njerëzore të shqiptarëve”, shkruan Konica.

Ajo çfarë e çudit atë janë italianët. “Italianët – dhe kjo të çudit shumë – megjithëse kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta dhe të afërme me shqiptarët, kanë vetëm një shprehje në lidhje me këtë popull. Edhe kjo nuk është diçka në favor të shqiptarëve. Shprehja “far l’albanese” mund të gjendet në të gjithë fjalorët e mirë të italishtes, si për shembull, në atë të Nikola Zingarelit (Nicola Zingarelli). Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes është “të hiqesh si shqiptar”, kurse kuptimi është tjetër “bëj sikur s’kuptoj; hiqem sikur nuk di gjë”, shkruan ai.

Ndërsa francezët gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, princat e familjes së Kapetëve kanë mbretëruar në Shqipëri për afro njëqind vjet. Një shprehje që mund të takohet në kronikat e vjetra është kjo: “fier comme un albanais” – krenar si shqiptar. Edhe banorët e Ishujve Britanikë do ta kenë vizituar shpesh Shqipërinë në kohën e kryqëzatave, gjatë rrugës së tyre për në Tokat e Shenjta. Këtë itinerar ndiqnin edhe popujt e tjerë, mbasi rruga që kalonte nëpër Shqipëri ishte më e sigurta në atë kohë, kur udhëtimi për det, me anije të vogla, paraqiste rrezik.

Por këto vizita, në kalim e sipër, nuk kanë lënë gjurmë në histori. Për një grup anglezësh në Shqipëri bëhet fjalë vetëm në vitin 1457. Në këtë vit, një fisnik anglez me një kompani detarësh, erdhi në Shqipëri për të ndihmuar Skënderbeun në luftën kundër turqve. Nga këta ushtarë të guximshëm anglezë një pjesë e mirë u kthyen të gjallë në atdhe, i cili në atë kohë ishte i trazuar nga Lufta e dy Trëndafilave dhe nuk dihet çfarë përshtypjesh u la Shqipëria. Por, tre a katërqind vjet më vonë, anglezët, pasi pushtuan ishujt e Detit Jon, hynë në marrëdhënie të mira për një kohë të gjatë me Shqipërinë.

“Ata na kanë lënë disa vëzhgime të mprehta dhe të shkëlqyeshme mbi karakterin e shqiptarëve. Këto përshtypje, herë janë, herë nuk janë në favor të shqiptarëve, por vlejnë për sinqeritetin e tyre, mbasi shqiptarët për të cilët bëhej fjalë në ato studime ishin analfabetë e prandaj të paaftë të falënderonin ose të protestonin për sa thuhej rreth tyre”, shkruan Konica.

Villiam Martin Lik , i cili e filloi karrierën e vet si inxhinier ushtarak dhe e mbylli si arkeolog klasik, studimet e të cilit edhe pas një shekulli studiohen me nderim nga dijetarët, flet më se një herë në librat e vet për karakteristikat e shqiptarëve. “Plutarku na vë në dijeni. – thotë Lik, – se Pirroja ishte një oborrtar i shkathët dhe që në rini përpiqej të fitonte miqësinë e njerëzve të fuqishëm. Ky është në përgjithësi karakteri i shqiptarëve. Ata përpiqen me çdo mënyrë të sigurojnë mbrojtjen e eprorëve të tyre dhe u qëndrojnë besnikë, kur paguhen rregullisht. Kryengritjet e tyre të shpeshta zakonisht shkaktohen nga sjellja e pabesë e zyrtarëve, të cilët ndërmarrin disa punë pa siguruar më parë mjetet e duhura financiare. Shqiptarët, duke qenë zakonisht më të varfër se turqit, janë të kufizuar në kërkesat e veta, janë më të qëndrueshëm e të durueshëm, janë më të regjur me vështirësitë që në moshë të njomë”.

Në një vend tjetër, koloneli Lik shpreh këtë mendim: “Ndërsa turku krenar dhe përtac dhe fshatari i varfër grek paraqiten shpeshherë pa pikë energjie, si pasojë e shtypjes dhe e varfërisë së vazhdueshme, këta shqiptarët dallohen për veprimtarinë e tyre të palodhur. Ata i zinin të parët pikat më të larta anës udhës, sikur ishin në garë cili do të ngjitej i pari. Të gjitha pyetjeve në lidhje me topografinë u përgjigjeshin me zgjuarsi, lejen për të shikuar me teleskopin tim e quajnë si një shpërblim të madh. Nuk ka dy gjëra në këtë botë që ndryshojnë më tepër në mes tyre se sa zakonet, (sjelljet) e shqiptarëve me ato të osmanllnëve. Këta të fundit janë qeniet më flegmatike dhe të plogëta të njerëzimit, përveç rasteve kur i nxit diçka e jashtëzakonshme.

Por, për Konicën, një ndër karakteristikat kryesore të shqiptarëve, që asnjë studiues i huaj nuk e ka vënë re, është individualizmi.

Një dijetar gjerman, dr. Herbert Louis, i cili, siç e kemi thënë edhe më parë, ishte ngarkuar nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, deklaron se në Shqipëri nuk ekziston kuptimi i fjalës turmë. “Një nga përshtypjet më të forta, – deklaron dr. Louisi – që më ka mbetur nga shqiptarët, është ajo që te secili prej tyre, vihet re një njeri me besim të madh në vetvete. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të dukshme për të vendosur vetë dhe është mësuar të trajtojë pasurinë dhe jetën e vet në mënyrë praktike. Në një situatë të paqartë, secili jep një gjykim dhe është i gatshëm për nisma të guximshme. Me fjalë të tjera, në Shqipëri nuk ekzistojnë masa indiferente”.

“Kjo mungesë e frymës së turmës ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë, pasi secili përpiqej të merrte pjesë drejtpërsëdrejti personalisht, pa ndërmjetës ose të deleguar, në diskutimin e punëve publike. Ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të qytetit ose përtej maleve ku banonte. Ashtu si për grekët e vjetër dhe për italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ishte ai i një qyteti shtet. Në rastet kur çështja kombëtare kërkonte unitet veprimi, vetëm mbas diskutimesh pa fund arrihej të merreshin masa të përbashkëta, por edhe këto shumë herë tepër me vonesë. Nëse Shqipëria u nënshtrua nga të huajt në të kaluarën, gjithmonë ndodhte për fajin e një qëndrese të pakombinuar”, shkruan Konica.

Ajo çfarë është interesante sipas tij, është dhe fakti se shqiptari, megjithëse shumë i pavarur dhe individualist, për të mos iu nënshtruar ndikimit të huaj kundër vullnetit të vet, prapëseprapë ka besim të madh në përparësinë që i takon atij që ka lindur në një familje të fisme. Ai sjell si shembull një ngjarje nga historia e kryengritjeve shqiptare, kur trazirat shkaktoheshin vetëm për shkak se caktohej si sundimtar ndonjë njeri nga familje e panjohur (pa emër). “Jo shumë kohë më parë (për të qenë të saktë, në vitin 1896) Sulltani kishte emëruar një sundimtar të përgjithshëm në Shqipërinë e Veriut, por popullsia ngriti krye, rroku armët dhe shprehu pakënaqësinë që do të sundohej nga një njeri me prejardhje familjare të rëndomtë. Një gazetar frëng i kohës vuri në dukje se “këta shqiptarët kanë një mënyrë të menduari si Montomorensia” (Duka i Montmorency, të cilit ia prenë kokën më 1632).Por qëndrimi shqiptar e ka burimin gjetiu: mbështetet në përvojën që “njeriu i ri”, njeriu i pafis (homo novus), shpesh nuk di ta përmbajë veten. Në Shqipëri dëgjohet ky proverb popullor “Kur bëhet jevgu pasha, më parë vret të atin”. Kjo shprehje popullore e shqipes është varianti i proverbit të anglishtes “Po i hipi kalit një lypës, do t’i grahë sa t’i nxjerrë shpirtin”.

Urrejtja është një tjetër. Prandaj përzierja e një autoriteti qendror në liritë lokale dhe individuale shikohet si një dhunë, ligjet që nxjerr ai autoritet qendror quhen në esencë si të padrejta dhe shkelja e tyre, sado e rëndë që të jetë, konsiderohet vetëm si një sjellje e pahijshme. Për më tepër, prej njëfarë qëndrimi patriarkal ndaj jetës, ngurron të marrë masa të rënda ndëshkimore. Dënimi me vdekje shikohet kudo si diçka e urryer, dhe është për t’u vënë në dukje se edhe në ditët tona, ashtu si në të kaluarën, nuk gjen dot njeri në Shqipëri që të bëjë punën e xhelatit. Për të zbatuar dënimet me vdekje të gjykatave, policia detyrohet të pajtojë ndonjë jevg, i cili, pas shumë protestash, e kryen detyrën, natyrisht jo si profesionist, por si diletant, gjë kjo që ia zgjat vuajtjet viktimës”, shkruan Konica.

Ndërsa një nga karakteristikat fatkeqe të shqiptarëve dhe që zë vend të dukshëm, është mungesa e plotë e idealizmit tek ata. Në një vend ku njeriu vdes aq me lehtësi në grindje të ndryshme, nuk është dëgjuar të vdesë kush për një ideal a për një çështje (kauzë). Kjo ndihmon të shpjegohet fakti përse Shqipëria nuk e fitoi lirinë më parë dhe ka një numër kaq të paktë dëshmorësh të rënë për pavarësinë kombëtare. Aktet e devotshmërisë dhe të guximit, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund të përdoren si argument për të përgënjeshtruar thënien time. Por, devotshmëria e egër ndaj traditave të vendosura dhe ndaj kanunit shekullor të nderit, janë më tepër veprime mekanike dhe për t’i kryer nuk nevojitet të vihet në rrezik jeta në mënyrë të vullnetshme për një ideal të zgjedhur lirisht. Ndërsa mikpritja është një virtyt tashmë i pranuar nga të gjithë.

Konica thotë, se “shqiptarët nuk kanë prirje të flasin shumë”. Këtë gjë e vë re dhe shkrimtari frëng Hiasent Hekar (Hyacynthe Hecquard), i cili, si konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet me radhë, arriti ta njihte mirë Shqipërinë e Veriut, e vë në dukje shkurtësinë plot dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore.

Jeta seksuale e shqiptarëve

Për jetën seksuale të shqiptarëve mund të thuhet fare pak në një libër të destinuar për publikun e gjerë. Disa vese nuk janë të panjohura ndër qytete, megjithëse janë fryti i ndikimeve të huaja; porse vështirë të gjendet në botë një popullsi me zakone më të pastra se ajo e fshatarëve dhe malësive të Shqipërisë. Pafajësia e popullit të thjeshtë dëshmohet edhe nga një zakon i çuditshëm që ka mbetur deri vonë e nuk është zhdukur ende plotësisht. Përpara martesës (dhe nusja është zakonisht pesëmbëdhjetë deri më shtatëmbëdhjetë vjeçe, kurse dhëndri nëntëmbëdhjetë deri njëzetenjë) një burrë i moshuar, pjesëtar i familjes, do t’i shpjegonte bashkëshortit të ardhshëm anën fizike të martesës, ku do të shënonte me shkumës, me qymyr ose me ndonjë lëndë tjetër ngjyruese një rreth të vogël përqark “depilata virginis pudenda, ut iuvenis inexpers introitum facilius inveniat”.

Në disa krahina të Shqipërisë ekziston një besëtytni në lidhje me seksin e ujërave. Disa ujëra quhen “mashkullore” dhe besohet se kanë veti afrodiziake për burrat; disa ujëra të tjera janë “femërore” dhe mendohet se ushtrojnë të njëjtin efekt te femrat; kurse një lloj uji tjetër është “asnjanës”. Një burrë, me arsim, më tregoi se një herë kishte shkuar për punë nga qyteti i lindjes Gjirokastër në një fshat gjashtë orë larg. Sapo arriti aty piu një gotë ujë nga një burim dhe menjëherë pas kësaj diçka e shtyu të kthehej në shtëpi dhe të takohej me të shoqen. Ai ua tregoi shokëve këtë ndjenjë të çuditshme dhe ata e pyetën, duke qeshur, nëse kishte pirë ujë nga një farë burimi. Unë e ndërpreva bashkëbiseduesin, duke e pyetur a e dinte më parë çfarë mendohej për ato ujëra. “E mora vesh çfarë doni të nxirrni me këtë pyetje, ma ktheu ai – doni të dini se mos isha ndikuar nga sa kisha dëgjuar për ato ujëra; jo, deri atë ditë nuk kisha dëgjuar asgjë për efektin e tyre”. Ai shtoi se, meqë e kishte kthyer kalin në Gjirokastër dhe i kishte urdhëruar shërbyesit të vinin e ta merrnin pas tri ditësh, u kthye më këmbë në qytet sa më shpejt që mundi. /Konica.al/ KultPlus.com

‘Në mos u shove fare, ndizu, zemra shqipëtare’

Poezi e shkruar nga Faik Konica

Vajtim për robëri të shqiptarëve

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

‘Në mos u shove fare, ndizu, zemra shqipëtare’

Poezi e shkruar nga Faik Konica

Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!/ KultPlus.com

‘As bukë, as brekë s’ju lanë, ju punoni e ata hanë’

Poezi nga Faik Konica

O të humbur shqiptarë
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhe ju hodhnë,
dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë,
prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorët t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu zemra shqiptare!

O shqipëtare barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
mrephni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

T’i frikësoni zuzarët
ç’i shuan shqipëtarët,

E ne vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

Faik Konica: Esperantoja një fantazi qesharake

Me këtë konkluzion, Faik Konica mbyll librin e tij në frëngjisht “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar në Bruksel më 1904. Me këto fjalë, po nisim prezantimin tonë për këtë vepër shkencore, e rrallë dhe e çmuar në llojin e vet, ku gjenia koniciane shkëlqen në fushën e filozofisë gjuhësore dhe asaj përkthimore në rrafsh europian e më tej.
Vepër referenciale gjer edhe kohët e fundit për përkrahësit dhe kundërshtarët e gjuhëve artificiale, dhe veçanërisht të esperantos, kjo Ese, “goxha e pasur, goxha e shkruar mirë,” siç shprehet Apollinaire, shfaq përmasën enciklopedike dhe erudite të rilindësit shqiptar, poliglotizmin e tij, me njohuri të thella për gjuhët semitike e indo-europiane, nga më të lashtat e të rrallat – si persishtja e Zend Avestës apo gjuha pahlavi, sanskritishtja, gjuha e teksteve veda, greqishtja e vjetër, latinishtja, hebraishtja, arabishtja, turqishtja, etj. -, gjer në pothuaj krejt gjuhët e gjalla europiane. “Qoftë për parapëlqim, qoftë për zanat, kalova jetën time duke studiuar ligjet se si një gjuhë i zë vendin një tjetre, pa u kapur nga pamja e jashtme”, shprehet Konica në këtë Ese, ku lëvron me origjinalitet, me qartësi mendimi e pastërti të shprehuri vetë fushën e filozofisë dhe të krahasueshmërisë gjuhësore.

Mbështetur në studimet e gjuhëtarëve klasikë botërorë, por edhe tek autorë modernë të kohës së tij, Faik Konica depërton në këtë vepër në thelbin e vetë gjuhës, për të zbuluar mekanizmin e saj funksionues dhe vlerën e fjalës si motor i mendimit nga individi në shoqëri, brenda një gjuhe të caktuar, dhe nga një gjuhë në tjetrën në shoqëri të ndryshme gjatë procesit komunikues e përkthimor. Tek përdor një logjikë analitike dhe një dialektikë sintetike, tek njeh “Republikën e Letrave”, siç e quan ai letërsinë e filologjinë, dhe tek e shkruan me bukuri të veçantë gjuhën frënge – këtë “tokë të shkrifët e pjellore” -, Konica shfaq këtu shpirtin e gjuhës si institucion, si dukuri shoqërore dhe pikë kontakti midis qytetërimeve, si pasqyrim kulture e ndjenje artistike. Merr shembuj nga më të çuditshmit në kërkim të mekanizmit fiziologjik në trurin e njeriut për ruajtjen dhe mbishtresëzimin e një gjuhe në kujtesë dhe i trajton faktet psikiko-gjuhësore me hollësi, për të treguar përplasjen e mistershme në trurin e njeriut midis dy gjuhëve të ndryshme. Po ashtu, rendit e shpjegon me themel tiparet kryesore të gjuhëve natyrale për të nxjerrë më mirë në pah artificialitetin e gjuhëve të fabrikuara me rregullat statike, ngurtësinë, ngushtësinë, varfërinë dhe shterpësinë që i karakterizon, duke arritur kësisoj në konkluzionin logjik, vërtetuar tashmë nga koha, se një gjuhë artificiale është e pamundur të përdoret si mjet komunikimi botëror, se është materialisht e pamundur që të bëhet e përbotshme.

Racional e polemist “par exellence”, me gjykim të hollë e të thellë, gjithë argumente asgjësuese, që e shter arsyetimin gjer në kufijtë e skajshëm të vetë arsyes e të absurdit (“reductio ab absurdum”), mjeshtër i përdorimit të fjalëve në nuancat më të holla, ironik e me ton të prerë, me njëfarë krenarie doktorale që e karakterizonte, Faik Konica arrin në këtë libër në përfundime të qarta e të arta që shprehin vetë thelbin e filozofisë gjuhësore: “Një gjuhë natyrale, thekson ai, e trajtuar në veprimin që ushtron mbi intelektin, është shkolla më e lartë për përpunimin e mendimit njerëzor… përfaqëson kulmin e përpjekjeve të njerëzimit përgjatë shekujve, drejt bukurisë, mprehtësisë, brishtësisë në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave”. Dhe, aty-për-aty tregohet kategorik, kundër gjuhëve artificiale:”Një gjuhë artificiale e përbotshme ul nivelin e intelektit… është gjuhë kufomë… që zhduk letërsinë, artin e të shkruarit, këtë botë të pafund e subjektive!” […]
Origjinal e shkencor, plot shembuj dhe fakte interesante e të rralla për ta mbajtur në tension lexuesin, Konica depërton, po ashtu, në thelbin e “zanatit” të shkrimtarit, të kësaj “bote të pafund e subjektive”, tek shfaq ligjin themelor të stilit, që është “arti për të prekur ndjeshmërinë e lexuesit nëpërmjet mënyrës origjinale të autorit”; është njëkohësisht arti “për të kursyer vëmendjen e lexuesit apo dëgjuesit duke shpenzuar sa më pak sforcim e lodhje”, sikurse vë në dukje filozofi anglez Herbert Spencer, të cilit Konica nuk kursehet t’i referohet. Por, përtej këtij mendimi të Spencer-it për një stil konciz nga ana e shkrimtarit, Konica mban parasysh edhe kategorinë e vetë lexuesit (si individ e si komb), shkallën e intelektit dhe të nivelit të tij kulturor, natyrën e shijeve, ndjesitë që shkakton vetë fjala me nuancat e veta nga një gjuhë në tjetrën, etj. Ai ndërton kësisoj një trinitet të bukur të stilit, dhe konkretisht: shkrimtari, si produkt i një race (kombi) të caktuar, vetë perceptimi dhe ndjesitë individuale e kombëtare, dhe më në fund kategoritë e ndryshme të lexuesit. Jep kësisoj këtë përkufizim të bukur për stilin, dhe konkretisht: “Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesit, është stili”.
Gjithnjë në kërkim të mekanizmit linguistik të gjuhëve të gjalla, po aq sa stili në të shprehur e në të shkruar, ai sheh si karakteristikë themelore të këtyre gjuhëve ritmin e tyre, që i jep vetë stilit shfaqjen e lëvizjes dhe të jetës. Ndërsa në gjuhët e vdekura, sipas Konicës, ka humbur ndjenja e rimtit dhe e metrikës, ka humbur, me një fjalë, elasticiteti i gjuhës, tek gjuhët e gjalla, përkundrazi, është shi ritmi që i bën këto gjuhë të zhdërvjelltësohen e të kenë frymëmarrje. “Çdo gjuhë, vëren ai, ka ritmin e vet, si në muzikë… ka sistemin e vet të shenjave të pikësimit… Ritmi përbën një bukuri letrare, një karakteristikë vendimtare për shkrimtarin e vërtetë… Ritmi kërkon ta njohësh një gjuhë në thellësi, si një tërësi, … kërkon një njohje të thellë të gramatikës e leksikut”.

Në kundërvënien gjuhë natyrale dhe gjuhë artificiale, apo gjuhë të gjalla dhe gjuhë të vdekura, gjuhë në lulëzim, në larmi e larushi mendimi nga njëra anë, dhe gjuhë kufomë, nga ana tjetër, Konica shfaq me qartësi objektive dhe argumente të themelta pse çdo gjuhë e fabrikuar është e destinuar të mbetet “lettre morte”, me konture të paracaktuara dhe të dhëna njëherë e përgjithmonë, gjuhë pa shpirt, pa hapësirë e kohë, “gjuhë për gjuhë”, që mbetet shumë-shumë në nivelin e sajesës ekzotike, si një tek a trill, me lojni fjalësh të huazuara, si një bukuri artificiale, gjuhë që nuk shërben për kurrëfarëgjë, në kuadrin e vet thjesht autotelik e të “përkryerjes në vetvete”. Për Konicën gjuhët artificiale nuk kanë veçse një ngjyrë, një shije: atë të ujit. Sepse në vetvete ato janë të mbyllura, skllavëruese, të zhveshura nga shija e vërtetë e jetës që përcjell gjuha natyrale, të zhveshura nga arkaizmat, neologjizmat, pa dritë-hije të fjalëve, pa liri. Ato thjesht priren drejt pohimit të thatë e drejt mohimit të sheshtë e të ngurtë dhe vetë ironia, “kjo bimë me aromë të këndshme, siç e cilëson Konica, priret të zhduket njëherë e përgjithmonë nga larmi e letërsisë”. […]
Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga botimi i këtij libri, dhe kur “International English” mbisundon si gjuhë komunikuese botërore (më 2017, anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe dhe 2 miliard vetë), ky parashikim i Konicës del më se i vërtetuar. Ndërkohë, gjuhët artificiale dhe vetë esperantoja kanë mbetur gjuhë pa popull, pa territor kombëtar, në “shërbim” individësh, gjuhë në kuadër gjithnjë premtues e ekzotik. Vetë esperantistët duan të përllogarisin disa qindra mijë vetë që “arrijnë” të përdorin gjuhën e hebreut polak Zamnehof.

* * *

Është e vërtetë se nuk kanë munguar autorët shqiptarë që kanë shkruar drejtpërdrejt në gjuhë të huaj në rrjedhë të historisë, duke rrokur kryesisht tematika historike, letrare apo enciklopedike, pa përmendur këtu veprat teologjike. Dhe Konica renditet ndër ata autorë shqiptarë që i kanë bërë të njohur që herët publikut dhe lexuesit të huaj botën shqiptare, gjuhën, doket dhe zakonet e vendit të tij, sidomos me revistën dygjuhëshe “Albania”. Por Konica mbetet pionier e i pari autor shqiptar që i është përgjigjur lexuesit të huaj duke trajtuar drejtpërdrejt problematikën e kohës me vepra extra-shqiptare, të fushës socio-pedagogjike si “Essai sur l’Education” (“Ese mbi Edukimin*, Bruksel, 1898), apo kjo “Ese mbi gjuhët…” e karakterit shkencor në fushën filologjike.

Nuk është rastësi që Konica i ri i ndërmori këto dy studime pikërisht për t’iu përgjigjur nevojave të lexuesit francez e perëndimor. Ai jetonte mes intelektualitetit europian, ndiqte nga afër zhvillimet socio-kulturore dhe politike, shtypin e kohës, problemet në rend të ditës dhe jo rrallë i pasqyronte ato edhe tek “Albania” e tij. […]
Më pas, në studimin tonë hyrës ndalemi, më në hollësi, në kushtet dhe rrethanat historike kur Faik Konica hartoi “Esenë e tij për gjuhët natyrale e artificiale”, duke i dhënë, në fakt, shenjat paraprake me një artikull tepër të veçantë të tij, “Gabimi i esperantistëve”, botuar më 1903 te revista franceze L’”Européen”, artikull që botohet për herë të parë në shqip në këtë libër referencial. Artikulli nis me këto fjalë: “Esperantoja është një fantazi qesharake, dhe mjaft të vëreni për këtë disa personalitete me nivel të lartë inteligjence të barkojnë në atë anije prej kartoni. Ideja për të kërkuar që tërë kombet të flasin të njëjtën gjuhë është aq e pakuptimtë sa dhe të kërkosh të përziesh kuaj, gomarë, qe e deve, duke i detyruar kësisoj të hingëllijnë, bulurojnë, pëllasin e blegërijnë pa dallim lloji. I vetmi ndryshim është që apostujt e esperantos zëvendësojnë kamxhikun me bindjen.” Ja pra, me ç’figuracion të rrallë, të fuqishëm, à la Rabelais, plot humor, ironi, sarkazëm, shprehet Konicë shqiptari, Konicë eruditi, duke vënë bukur fort në lojë, në kërthizë të Europës “Herra”, “Profesora” e “Doktora” të kohës së tij, që e kishin mendjen tek sensacionet e mbrapshtitë, tek sajesat e marrëzitë.

Të parët që i bënë jehonë veprës koniciane me komentet e tyre pozitive dhe me superlativa janë Apollinaire e Remy de Gourmont, dhe binte dukshëm në sy në atë kohë se ishin të rinjtë Konica-Apollinaire ata që mbronin me pasion pastërtinë dhe bukurinë e gjuhëve natyrale dhe konkretisht të gjuhës frënge, ndërkohë që gjuhët artificiale nuk reshtnin së sajuari në numër të madh, për t’u pagëzuar në mënyrë pompoze e “sorboniste” si premtueset e gjuhës së ardhshme universale!
Pa u ndalur në këtë shkrim prezantues në debatet që shkaktoi dje, dhe vazhdon të shkaktojë ende sot në arenën ndërkombëtare vepra e Faik Konicës ” Ese për gjuhët e gjalla… “, debate që pasqyrohen gjerësisht në pjesën hyrëse të studimit tonë, një vend i veçantë i kemi kushtuar parimeve bazë të përkthimologjisë (traduktologjisë), ku Konica, ndër të parët filologë europianë, shkëlqen dhe parashtron që herët – me origjinalitet – konturet e një shkence të re të ardhme, e quajtur sot me të drejtë “shkenca e dukurisë përkthimore”, kur dihet se veprat shkencore në këtë fushë do të dilnin jo më parë se në vitet 1970!… Ashtu si tek “Ese për edukimin”, ku Konica shfaqet pioner i “Edukimit të Lirë”, i “Shkollës së Summerhill-it” (1921), edhe te vepra “Ese për gjuhët…”, Konica shfaqet pioner i Shkencës së Traduktologjisë, një fakt ky tërësisht i anashkaluar gjer më sot, thjesht për mosnjohje e mosthellim në veprën shkencore e erudite koniciane!… Por një fakt i tillë nuk i ka shpëtuar aspak filozofit të madh modern zvicerian Denis de Rougemont që mbron Konicën tonë në “betejën” kundër gjuhëve artificiale të esperantistëve!
Dihet se në thelbin e vet, përkthimi nuk është gjë tjetër veçse transpozimi nga një gjuhë në tjetrën i një akti të menduari (i shprehur a i shkruar), gjë që nënkupton të menduarit dhe komunikimin në dy a më shumë gjuhë. Për Konicën, një përkthim i mirë kërkon shije, qartësi, bukuri dhe interpretim të nuancave më të holla të origjinalit, familjarizim me gjuhën dhe me tekstin bazë, si dhe njohje të thellë të dy gjuhëve të punës përkthimore. Dhe prapë, “traduttore traditore”, kufizimet në përkthim janë gjithnjë të pranishme sepse, nënvizon Konica, “është gati e pamundur të bashkëjetojnë te përkthyesi dy gjendje të plota gjuhësore”, duke qenë se “nuk ka barasvlefshmëri të plotë leksiku nga një gjuhë në tjetrën”, ashtu sikurse nuk ka sinonimi absolute brenda leksikut të një gjuhe. Gjë që nuk rreshte së na thëni i Madhi Jusuf Vrioni, kur përkthyesi përpiqet të jetë besnik ndaj origjinalit deri në një pikë të caktuar, duke ruajtur ngjyrimet e tekstit bazë, neologjizmat, arkaizmat, madje edhe gabimet trashanike të vetë origjinalit!
Dhe këtu Konica nuk ngurron të prekë një çështje thelbësore të traduktologjisë: përse përkthimi është krijimtari? Sepse, nënvizon ai, është interpretim, sepse fjalët e dy gjuhëve të dhëna, nëse janë të barasvlershme në fjalorë, nuk janë aspak të tilla në mënyrën e të menduarit të dy popujve që i përdorin. Sepse, më në fund, për Konicën, një përkthim i arrirë është teorikisht i mundshëm vetëm kur dy gjuhë zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nga përkthyes me ndjeshmëri të lartë mjeshtërore, me njohuri të plota gramatikore, leksikore, letrare, kritike, estetike, etimologjike, etj. Andaj, shpesh, shkrimtarët e mëdhenj janë edhe përkthyes të mëdhenj. I tillë është edhe Konica!

Jo rastësisht, nga fundi i kreut XIII i kryeveprës së tij, gjuhëtari dhe eruditi shqiptar ndalet te poeti i madh francez Stéphane Mallarmé, që ka përkthyer nga anglishtja poetin amerikan Edgar Allen Poe, ose të themi, ka përkthyer “të papërkthyeshmen”. Konica, që thotë te “Albania” e tij se ka ndërmarrë një studim për Mallarmé-në (mjerishti i humbur!), bën tek “Ese për gjuhët…” një koment të gjatë lidhur me ritmin, metrikën, “përngjashmëritë” relative simetrike dygjuhëshe (anglisht-frëngjisht), kur teksti origjinal përmban ngarkesa dhe shkarkesa të fuqishme poetike, dhe ku shfaqet bukurisht, do thoshim ne nga ana jonë, vetë BALETI I FJALËVE, me të tillë forcë poetike që të bën “të mendosh të pamendueshmen”, siç thoshte Paul Valéry, dhe ta shprehësh atë me krejt fuqinë e fjalës artistike. Vetë Mallarmé njihet për ëmbëlsinë, bukurinë dhe fuqinë e fjalës mrekullore (me verb plot fosfor, plot shije, nektar e vezullim diamanti tingëllues), si dhe për sintaksë të pashembullt apo “insolite”, tek konsiderohet me të drejtë, edhe sot e kësaj dite, si “i papërkthyeshmi” ndër poetët botërorë. “I papërkthyeshëm”, ngaqë thjesht i bën fjalët “të ëndërrojnë” e “të vallëzojnë” me muzikalitet mahnitës vargu e ritmi. Të “përkthesh” e të “transpozosh”deri edhe muzikën e fjalës poetike, – ja një sfidë e hapur dhe e fuqishme për gjuhët natyrale, palé për gjuhët artificiale “pa shpirt”, siç i cilëson Konica. E megjithatë, konkluzioni konician ka edhe këtu qartësinë e rrezes diellore: “Një përkthim pothuaj i përkryer, thotë Përlindësi modern shqiptar, mbetet teorikisht përherë i mundshëm, kur dy gjuhët zotërojnë burime të barabarta dhe elasticitet të barabartë”, sintaksik e artistik njëherësh… E më tej, ne do shtonim: kur ka edhe zanatllinj e mjeshtër të mëdhenj zbatues të shkencës së traduktologjisë, që edhe gjuhës shqipe nuk i kanë munguar historikisht, duke e renditur këtë ndër gjuhët me potencial të lartë shprehës ideor e artistik!…
“Lexuesit shqiptarë, vë në dukje Ismail Kadare, kanë të drejtë të krenohen që një shekull më parë, një nga shkrimtarët e tyre, Faik Konica, ka krijuar disa nga trajtesat më të bukura për letërsinë dhe gjuhën, trajtesa që ende sot tingëllojnë aq të thella e moderne. E aq më tepër mund të krenohen që prirja e kulturës shqiptare për Europën ka qenë qyshkur, qysh në kohën kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet.”

* Është botuar në librin F. Andrea, Faik Konica, përlindësi modern, Zenit Editions, 2017. /KultPlus.com