QKK hap konkursin për bursën në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë – FAMU

Për vitin e tetë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës ofron mundësinë e aplikimit në shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU.

FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të çertifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.

Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizuel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen.

Për t’i parë kriteret dhe afatet ju lutem shkoni në webfaqe të FAMU-së duke klikuar KËTU. / KultPlus.com

Vazhdohet marrëveshja që ua mundëson studentëve nga Kosova studimin në FAMU në Çeki

Është nënshkruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për shtetasit e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.

Ky vazhdim i marrëveshjes u nënshkrua nga drejtori i QKK-së z. Arben Zharku, dhe nga prodekani i FAMU-së z. Ondrėj Zach.

Në rrjetin social Facebook të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Drejtori i QKK-së z. Zharku rreth vazhdimit të këtij Memorandumi u shpreh: “Jemi të gëzuar që po e vazhdojmë këtë mundësi të madhe për brezat e rinj që ëndërrojnë të studiojnë filmin në një prej shkollave më të çmueshme në botë. E falënderojmë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e vazhdimit të marrëveshjes me FAMU-në në Pragë dhe për këtë mundësi.

Bursa e plotë që ndahet nga Ministria e Kulturës jep mundësi për studime në programin bachelor (në rast se e flisni gjuhën çeke) dhe në programin master në këto drejtime: regji, skenar dhe kamerë (drejtor fotografie) etj.

Akademia e Arteve të Bukura FAMU në Pragë është themeluar në vitin 1947 dhe është një ndër shkollat më të vjetra në botë, dhe sipas gazetës Hollywood Reporter është shkolla numër një në Evropë, ndërsa e njëmbëdhjeta në botë. Të diplomuar nga kjo shkollë janë shumë regjisorë dhe skenaristë të njohur ndërkombëtarisht si fitues të çmimeve Oskar ose laureat të festivaleve ndërkombëtare të filmit.

Deri më tani 4 studentë kosovarë: Norika Sefa, Dritëro Mehmetaj, Noar Sahiti, dhe Enis Saraçi kanë gëzuar këtë bursë./KultPlus.com