Të gjithë nxënësit e qytetit të Mitrovicës do të kenë mundësi që të jenë pjesë e demonstrimit të xhudos me kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila ngjarje është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, shkruan KultPlus.
Ky program përmes komponentës “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës.
“Bashkë me trajnerët dhe xhudistët e klubit të xhudos “Trepça”, Majlinda Kelmendi do të prezantojë disiplinën e xhudos dhe do të takohet me të gjithë të rinjtë për të festuar kulturën dhe arritjet e xhudos në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MKRS.
Ngjarja do të zhvillohet më 7 qershor në ora 14 në sallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë./KultPlus.com
“Activate talks”, një ngjarje frymëzuese e Unicef Kosovo Programme sot bashkoi folës të njohur, aktivistë dhe liderë të rinj për t’u përfshirë në diskutime domethënëse dhe për të adresuar çështje që prekin rininë në Kosovë.
Pjesë e bisedave ishin ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Austrisë në Kosovë Christoph Weidinger, shefja e zyrës së UNICEF Nona Zicherman dhe të tjerë.
Në këtë edicion katër të rinj ndanë tregimet e tyre përgjatë realizimit të projekteve të bazuara në komunitetet e tyre, ndërsa u mbajt edhe një panel diskutimi e panairi i projekteve të të rinjëve.
Nëpërmjet këtyre platformave diskutimi, të pranishmit inkurajohen të ndërmarrin veprime, të nxisin ndryshime pozitive dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit rinor të Kosovës./KultPlus.com
Pas angazhimit të Komisionit të ekspertëve për hartim të detyrës projektuese, dhe pas miratimit të kushteve, kritereve dhe procedurave nga Qeveria e Kosovës, MKRS ka shpallur konkursin për hartimin e Master Planit.
“Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar në Facebook ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Konkursi është hapur sot dhe afati i fundit për dorëzim është 07.07.2023,
Klikoni KËTU për informata më të hollësishme rreth kritereve të aplikimit./KultPlus.com
Programi më i ri qeveritar “Arti në shkolla”siç duket po sjell plot energji, mundësi e kreativitet artistik tek nxënësit e shkollave në të cilat po pilotohet.
““Artisti në klasë” është një nga pikat e tij më të veçanta, ku fëmijët po zgjerojnë njohuritë për operën, instrumentet muzikore, shfaqjet teatrale e aktrimin, pikërisht nga personat që ushtrojnë këto profesione. Aktivitetet po udhëhiqen nga artistë dhe ekipi profesional i institucioneve qendrore të kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ndër tjera në këtë njoftim të ministrisë kulturës thuhet se u mbajt edhe një koncerti u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina.
“Rrugëtimi i programit ka vazhduar me një koncert në Shkollën e Muzikës, që u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina. Koncerti u dha për rreth 200 nxënës të katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalca dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica. Koret performuan pika të ndryshme artistike, pjesë operistike nga autorë shqiptarë e kryevepra botërore”, thuhet në njoftim.
Përmes praktikave të tilla krijuese në kuadër të këtij pilot programi, po sigurohemi që brezi i ardhshëm të marrë një arsimim të plotë që përfshin artet, të identifikojmë talentët e rinj, të kultivojmë ndjenja kreativiteti si dhe të zhvillojmë kapacitetin për reflektime kritike tek fëmijët.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera partnere në nivelin qendror dhe lokal, kanë lansuar programi ndër-ministror “Arti në Shkolla”.
Zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me ministren Arbërie Nagavci dhe ministrin Elbert Krasniqi prezantuan para kryetarëve të komunave, zyrtarëve publikë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik, programin i cili parasheh që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurikular kulturor në javë, duke përfshirë: Orë të veçanta të artit të cilat do të sjellin artistin në klasën shkollore; Vizitat direkte në institucionet kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore; Organizmin e nxënësve për pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme artisike; Themelimin e art klubeve në shkolla, që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve që shprehin interesim dhe talent në cilëndo gjini të caktuar artistike: lexim, teatër, muzikë, trashëgimi kulturore apo të tjera.
Përgjatë muajve maj dhe qershor, fillon faza e parë e zbatimit të programit që do të zhvillohet në shkollat e Gjilanit, për të vazhduar më pas në komunat tjera. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen për brendimin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, përcjell KultPlus.
“Është hapur thirrja për brendimin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Nëse keni ide kreative si mund të duket vizuelisht prezantimi i vendit tonë si kandidat për organizim të LM 2030 aplikoni”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Klikoni KËTU për të lexuar më shumë detaje./ KultPlus.com
44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore do të mbrohen përmes programit për ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
MKRS ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë është pranuar kërkesa e tyre për rialokim të mjeteve financiare.
‘Përmirësimi i gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe rifunksionalizimi i tyre, mbetet ndër prioritetet tona kryesore’, thuhet në një njoftim të MKRS./KultPlus.com
Ministri Çeku ka takuar drejtoren për zhvillim të arteve në Këshillin e Arteve të Irlandës Veriore, Gilly Campbell e cila është në Kosovë për të dhënë ekspertizën e saj në fushën e artit.
Campbell ka qenë pjesë e punëtorisë me ekipin punues për hartimin e Ligjit për Art dhe Kulturë, me ç’rast janë fokusuar tek formimi i Këshillit Kombëtar të Arteve në Kosovë, modeli i Irlandës dhe krahasimi i tyre.
Bashkë me ministrin kanë vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa kanë diskutuar për punën e këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, blerjen e veprave të artit dhe përvojat e shteteve të tjera.
Në takim ishin të pranishëm edhe Peter Brown, drejtor i përgjithshëm i British Council për Ballkanin Perendimor, Majlinda Mazelliu, zëvendësdrejtore e British Council për Ballkanin Perëndimor dhe drejtore për Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu Alisa Gojani, u.d drejtore në GKK dhe Renea Behluli, kryesuese e këshillit drejtues, GKK./ KultPlus.com
Kosova është shpallur zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojrave Mesdhetare 2030, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur optimiste pasi kanë prezantuar konceptin, nga i cili presin dritën jeshile në shtator, për mundësi mikpritëse të mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu.
Sipas MKRS një organizim i tillë do të kishte rëndësi shumë të madhe pasi do të promovonte imazhin e shtetit të Koosvës dhe përmes tij do të pasqyrohej vizioni i Qeverisë për të ardhmen e të rinjëve të vendit.
Postimi i plotë i MKRS në facebook:
Kosova, zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kosova mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu, sepse tani zyrtarisht jemi shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.
Me shpresën që në muajin shtator të marrim lajmin pozitiv, kemi prezantuar konceptin tonë që parasheh shtrirje në tërë territorin e Kosovës për t’i bërë bashkë sportistët e 23 sporteve.
Një organizim i tillë do të fuqizonte politikat sociale dhe rezultatet sportive si dhe do të promovonte në vazhdimësi vlerat e imazhin tonë shtetëror, ndërsa pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë./KultPlus.com
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se është restauruar Kulla e Sahit Avdylit, në fshatin Dujakë të Gjakovës, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku, përmes një postimi në facebook ka thënë se ruajtja e origjinalitetit dhe rifunksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, është synim i MKRS, pasi mbrojtja e monumenteve kultivon krenarinë për të kaluarën dhe pasurinë kulturore të Kosovës.
Gjakova do të jetë stacioni i radhës në të cilin do të performojë institucioni më i lartë i muzikës në vend, përcjellë KultPlus.
Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, i cili kësaj here do të ndalet në qytetin e Gjakovës do të interpretohen vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorak.
Koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani, ndërsa në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi.
‘Koncerti me vepra nga Brahms, Weber dhe Dvorak organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, të premten më 31 mars 2023 prej orës 20:00’, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në facebook.
Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës. Koncerti është i hapur për publikun./KultPlus.com
Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, ka pritur në takim basketbollisten Edona Thaqi, e cila po zhvillon karrierë të suksesshme në ligën elitare të basketbollit NBA në ShBA, përcjell KultPlus.
Bashkë diskutuan për sportin në vend, për arritjet dhe sfidat. Zëvendësministrja Osmani tha se është e lumtur që sportistet kosovare me rezultatet e tyre po na bëjnë krenarë në gjithë botën, duke theksuar se MKRS-ja po punon me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për të gjithë sportistët.
Basketbollistja Thaqi foli për planin e saj lidhur me kampin e trajnimit për basketboll për fëmijët, i cili pritet të realizohet gjatë kësaj vere dhe për modalitetet e bashkëpunimit. / KultPlus.com
Sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligji Anti-Doping, përcjell KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se me këtë ligj janë krijuar kushtet e nevojshme nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë.
Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:
U përmbush edhe një standard i rëndësishëm ndërkombëtar në sport.
Në Kuvendin e Kosovës, u miratua ligji Anti-doping. Me këtë ligj, kemi krijuar kushtet e nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Shtetërore Anti-Doping, institucion ky që do të ketë përgjegjësinë e menaxhimit të politikës së anti-dopingut në Kosovë, duke përfshirë:
Testimin gjatë dhe jashtë garave;
Procesin e menaxhimit të rezultateve të mostrave;
Mirëmbajtjen e listës së substancave të ndaluara në sport;
Edukimin e sportistëve dhe të gjithë komunitetit sportiv për dopingun.
Objektivat kryesore të projektligjit janë: fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv, kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve dhe sigurimi i drejtësisë dhe mundësive të barabarta në gara sportive./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me 31 drejtorë të bibliotekave komunale.
Drejtorët e bibliotekave kërkuan më shumë bashkëpunim me ministrinë, pasi sipas tyre ndërtimi i një shteti fillon prej bibliotekave.
“Është nevoja për një bashkëbisedim dhe të dëgjojmë nga ju, sepse jeni ata që dini më së miri situatën në raport me bibliotekat dhe me sfidat të cilat i keni. Natyrisht, çështja e decentralizimit dhe e bartjes së bibliotekave komunale në përgjithësi të komunave, ka krijuar një lloj shkëputje mes nivelit qendror dhe lokal, mirëpo ne besojmë që këto nuk janë sfida të patejkalueshme dhe ne mund të gjejmë forma të tjera të angazhimit të qeverisë, respektivisht ministrisë së Kulturës, për të mbështetur punën e bibliotekave komunale, në mënyrë që edhe komunave t’ ju dalim në ndihmë, sepse komunat shpesh kanë edhe kufizime buxhetore”, u shpreh Çeku.
Ndërkaq, drejtoresha e bibliotekës së Pejës, Shengyl Kelmendi-Gashi potencoi se biblioteka është vendi ku krijohet dija e një shteti. Mirëpo, ajo ndjehet e shqetësuar, njëkohësisht edhe e lënë anash. Sepse, në bibliotekën ku punon, mungon sistemi i programeve, që sipas saj shtetet e tjera e posedojnë atë.
“Ne e dimë që ndërtimi i një shteti fillon prej dijës. Ne bibliotekat jemi kapilarët që i japim fuqi dijes dhe ndërgjegjësimit së qytetarëve. Neve na kanë lënë shumë anash. Një ndër to, bibliotekat jashtë shtetit janë sistemuar me program, kështu që automobilizimi dhe digjitalizimi që po bëhet ne po brengosemi që të bëhemi secili së bashku dhe të formohet automatizmi i bibliotekave. Kur do të bëhet? Kur do të bëhemi bashkë? Kur do të bëhen trajnimet për kolegë. Thonë bashkimi e bën fuqinë dhe ne kemi dëshirë që të bashkohemi”, tha ajo.
Ndërkaq, është komuna e Lipjanit i ka dhuruar 5 mijë euro për bibliotekën për vitin 2023. Kjo ngase është parë që kësaj biblioteke i mungonte ndihma e fondeve, për shkak se i mungonte edhe kabina e leximit.
“Komuna e Lipjanit ka paraparë 5 mijë euro për vitin 2023, për pasurimin e bibliotekës së qytetit. E kemi vlerësuar që i mungon fondi, kështu që me memorandumin sot që do të nënshkruhet, është më se i mirëseardhur për qytetin e Lipjanit, sepse vërtetë Lipjani kishte lexues. Ne ndoshta e kemi menduar që është një investim që është kot më herët, kështu që tash që jemi vet në pozitë po e shohim që është objekti i mirë. I mungojnë disa kabina të leximit, edhe në çështjen infrastrukturore e kemi futur si projekt që do të plotësohet edhe kjo pjesë, kështu që me memorandumin e sotëm që do të nënshkruhet veç se do ta shtojë vlerën dhe pasurimin e bibliotekës, kështu unë ju falënderoj përzemërsisht”, u shpreh Kelmendi-Gashi.
Biblioteka e Gjilanit, shihet të jetë më e “kompletuara”, për dallim nga bibliotekat e komunave të tjera. Qazim Azizi, drejtor i kësaj biblioteke, shprehet falenderues ndaj ministrisë, derisa thotë se është rasti i parë gjatë kësaj kohe që të gjitha bibliotekat janë ftuar për të marrë pjesë në një ngjarje siç është kjo e sotit.
“Biblioteka e Gjilanit ka pasur fat, mirëpo edhe Gjilani ka pasur fat, tani më shumë se 6 vjet ka një bibliotekë në vend të mirë dhe me të gjithë punëtoret aty. Përveç që e kemi marrë objektin, kemi bërë edhe një punë rreth renditjes të gjithë inventarit të librit brenda bibliotekës. Përveç kësaj, biblioteka përmes donacionit dhe projekteve ka fituar të gjitha stabilimentet dhe pajisjet tjera që ju kane dashur në bibliotekë. Nuk kam çfarë të ankohem, por kur vie puna tek libri, ne gjithçka e konsiderojmë librin. E kemi jetë, besoj edhe ju të gjithë. Atëherë bibliotekat kanë qaluar që nga viti 2010 kur bibliotekat publike kanë dalë nga ministria e Kulturës dhe janë renditur komunat aty ka filluar problemi jonë me biblioteka. Eshtë rasti i parë gjatë kësaj kohe që të gjitha bibliotekat janë ftuar për të marrur pjesë në një ngjarje siç është kjo e sotit”, tha Azizi.
Drejtoresha e bibliotekës së Prizrenit, Sadete Sadiku, tha se bibliotekat përveç furnizimit me libra, kanë nevojë edhe për programin e unifikimit, shkruan KP, përcjell Klankosova.tv.
“Bibliotekat kanë nevojë shumë më tepër se vetëm furnizimi. Le të jetë furnizimi vetëm një segment i ndihmës që ju mund të jepni për bibliotekën. Po flas në emër të bibliotekës sonë, mirëpo edhe kolegët e mi të bibliotekave të tjera kanë të njëjtin mendim, na duhet gjithsesi edhe programi i unifikimit në të gjitha bibliotekat. Le të jenë edhe projekte profesionale të cilat përmes bibliotekës kombëtare do të kemi qasje të gjitha bibliotekat e Kosovës. Është e vërtetë që me rastin e decentralizimit ne si biblioteka kemi kaluar në nivel komunal, megjithatë kordinimi i punës mund të jetë prapë i përbashkët nga ju”, potencoi Sadiku.
MKRS për këtë memorandum bashkëpunimi ka ndarë fond prej 200 mijë eurosh, kurse një milion tjera për mbështetje për librat, të cilat më pas do t’ u dhurohen bibliotekave të komunave./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar sot skemën e mbështetjes financiare për vitin 2023.
Në njoftimin e tyre, MKRS ka bërë të ditur se do të mbështesë komunitetin e kulturës, rinisë dhe sportit përmes 15 thirrjeve, 4 nga të cilat veçse janë të hapura për aplikim.
Gjithashtu bëhet me dije se përveç thirrjeve të rregullta do të hapen edhe disa thirrje të veçanta gjatë vitit. / KultPlus.com
Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte ka hapë thirrjen për bursa studimi jashtë vendit, shkruan KultPlus.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se këto bursa ndahen për tru fusha, për kulturë, trashëgimi dhe fushëne sportit dhe se shuma maskimale e mbështetjes është 15 mijë euro.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e MKRS-së dhe linkun me detajet e mëtutjeshme.
Bursa studimi jashtë vendit
Thirrja për mbështetje financiare studimore në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit është e hapur.
Shuma maksimale për një përfitues është 15.000 EURO.
Bashkangjitur gjeni linkun e thirrjes me detajet tjera të aplikimit:/ KultPlus.com https://bit.ly/3YXL47g./
Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte është në vlug të organizimit të edicionit të dytë të programit shtetëror “Drejt Malit”, ku këtë vit do të marrin pjesë 800, nxënës. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e MKRS për këtë aktivitet.
A të pëlqen vullnetarizmi dhe përvojat e reja?
Atëherë bëhu pjesë e edicionit të dytë të programit shtetëror “Drejt Malit”.
Federata e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës është në kërkim të 40 vullnetarëve entuziastë të cilët do të asistojnë mbarëvajtjen e procesit në aktivitetet e skijimit ku do të marrin pjesë rreth 800 nxënës.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 24 shkurt. Aplikuesit duhet të dërgojnë CV-në e tyre në emailin: [email protected]/ KultPlus.com
RTK-ja gjatë këtij viti do të themelojë orkestrën e saj dhe poashtu do të organizojë edicionin e parë të Festivalit të Këngës. Këto aktivitete janë pjesë e një memorandumi më të gjerë bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës që u nënshkrua nga të dyja institucionet.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë pas disa muajsh bisedimesh, i filluar nga qershori i vitit 2022, ndërmjet MKRS-së dhe drejtuesve të RTK-së, duke marr për bazë edhe modelet e transmetuesve të tjerë publik. Ky bashkëpunim i mundëson RTK-së që të zgjerojë mbulimin e aktiviteteve kulturore anekënd Kosovës dhe për realizimin në praktikë të synimeve të Bordit dhe Menaxhmentit për shndërrimin e RTK4, në RTK Art. Me këtë memorandum, RTK do të rris kapacitetet e saj të produksionit dhe do të jetë edhe më afër artdashësve.
Memorandumi i Bashkëpunimit është nënshkruar për një periudhë 5 vjeçare.
Ministri i kulturës Hajrullah Çeku, në një postim në rrjetin social Facebook , shkroi:
“Ministria e Kulturës dhe Radio Televizioni i Kosovës nga sot nisin një bashkëpunim afatgjatë për të mirën e kulturës në vendin tonë. Ndër zotimet kryesore të marrëveshjes pesë vjeçare që nënshkruam sot është themelimi i kanalit të RTK-së kushtuar eksklusivisht kulturës, organizimi i festivalit të këngës, fuqizimi i kapacitetit orkestral të RTK-së, mbulimi i programit të institucioneve të kulturës dhe përcjellja e ngjarjeve të kalendarit vjetor kulturor”. /KultPlus.com
Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, priti sot në takim udhëheqësit e 6 federatave sportive.
Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, i janë dorëzuar zyrtarisht licencat për ushtrimin e veprimtarisë Federatës Skitare, Federatës së Tenisit, Federatës së Boksit, Federatës së Shenjëtarisë, Federatës së Autosportit dhe Federatës Muaythai./ KultPlus.com
Rritja e pagave për punonjësit e shtetit pasqyron vlerësim për punën dhe kontributin e tyre ndaj komuniteteve të cilave u shërbejnë, përcjellë KultPlus.
Një skemë e tillë vlerëson edhe vështirësitë e përfshira në përmbushjen e detyrave të krijuesve dhe performuesve të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, të cilët do të marrin pagat e tyre me rritje.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka publikuar dy skema ku paraqet me qartësi të plotë rritjen e pagave për institucionet e artit dhe kulturës duke u shprehur se përmes këtij ndryshimi po rindërtojnë sistemin duke vlerësuar kontributin e gjithsecilit.
Në këtë skemë vërehet rritje në 126% për drejtorët e institucioneve të kulturës, çka nënkupton barazim më drejtorët e institucioneve të tjera, ashtu siç edhe ishte premtuar. / KultPlus.com
Së fundmi filmi “Prishtina 2002” është prezantuar në festivalin prestigjioz Clermont-Ferrand në Francë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, MKRS bën të ditur se ky është një tjetër suskes i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin e shkurtër të Kosovës.
Postimi i plotë:
“Filmi “Prishtinë 2002” prezantohet në Clermont-Ferrand në Francë
Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.
Një sukses i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtë. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë.
“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr”, thuhet në postimin e MKRS-së. /KultPlus.com
Fotografitë ndihmojnë në formimin e të kuptuarit tonë për kulturën, historinë dhe identitetin. Si një mjet dokumentimi i saktë dhe objektiv, fotografia është përdorur edhe nga Alban Bujari, në arkivin e të cilit ndodhen imazhe të panumërta që i përkasin periudhës së luftës në Kosovë (1997-1999).
Për të “fotografitë e luftës” nënkuptojnë më shumë sesa thjesht imazhe. Përmes tyre tregohet dhimbja e madhe e luftës.
Të renditura në ekspozitën “Erë gjaku”, 28 fotografitë rikujtojnë janarin e vitit 1999 dhe përkujtojnë 21 persona të vrarë nga forcat serbe, përfshirë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë të fshatit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
MKRS do të vazhdojë përkrahjen e projekteve të tilla në mënyrë që e vërteta e Kosovës të tregohet me zë edhe më të fuqishëm. / KultPlus.com
Mbështetjen për nxitjen e krijimtarisë artistike MKRS po e kalon në një nivel tjetër.
Për zhvillimin e një politike të re të orientuar në promovimin e leximit, janë ndarë 1 milion euro. Botimi dhe blerja e librave e revistave letrare këtë vit është mbështetur me gjysmë milion euro, teksa gjysma tjetër do të shkojë për bibliotekat e Kosovës dhe autorin e pavarur për zhvillim dhe botim të librit.
Krahasuar me vitin 2022 kur buxheti total i këtyre thirrjeve ishte 160 mijë euro, buxheti i këtij viti është gjashtë herë më i lartë.
Konkursi i parë për përkrahje financiare për librat dhe revistat tashmë është i hapur për aplikim: https://bit.ly/3HGWAy8
Përmes tij synohet kultivimi i vlerave artistike e kulturore. E për të krijuar përvoja të reja leximi, gjatë vitit do të hapen edhe thirrjet për fondin e bibliotekës, mbështetjen e autorit dhe aktivitetet tjera letrare. / KultPlus.com