Në 140 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, hapet ekspozita ‘Noli në optikën e historisë’

Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, një prej figurave më poliedrike të shtetit shqiptar dhe letrave shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, organizoi aktivitetin në nderim të tij, ku morën pjesë personalitete të letrave dhe artit si: Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe studiues; Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare; Vaso Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave; Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Kombëtar; Ilia Lëngu, përkthyes, të cilët folën për figurën shumëplanëshe të Fan Nolit dhe kontributit të tij të çmuar në letërsi, politikë etj.

Aktiviteti u vijimësua nga ekspozita me tituj librash origjinalë e të përkthyer nga Fan Noli, si dhe monografi dhe numra periodikësh ndër vite – ekspozitë kjo e mundësuar dhe kuruar nga Mehmet Gëzhilli.

“I nisëm aktivitetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me përkujtimin e figurës komplekse e kontraversale, Fan Nolit, këtij personaliteti të letrave, politikës, klerit, për të cilin ka gjithmonë shumë për të thënë e për të zbuluar”, u shpreh ministrja Margariti.

“Mes miqsh e studiuesish të jetës e veprës së Nolit, me ftesën drejtuar brezit të ri, për t’iu qasur e njohur poetin, përkthyesin e oratorin”, theksoi tutje Margariti. / KultPlus.com

Jepni për nënën

Poezi nga Fan S. Noli

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot -se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Anës lumenjve

Poezi nga Fan S. Noli

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,

Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.