Në 140 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, hapet ekspozita ‘Noli në optikën e historisë’

Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, një prej figurave më poliedrike të shtetit shqiptar dhe letrave shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, organizoi aktivitetin në nderim të tij, ku morën pjesë personalitete të letrave dhe artit si: Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe studiues; Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare; Vaso Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave; Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Kombëtar; Ilia Lëngu, përkthyes, të cilët folën për figurën shumëplanëshe të Fan Nolit dhe kontributit të tij të çmuar në letërsi, politikë etj.

Aktiviteti u vijimësua nga ekspozita me tituj librash origjinalë e të përkthyer nga Fan Noli, si dhe monografi dhe numra periodikësh ndër vite – ekspozitë kjo e mundësuar dhe kuruar nga Mehmet Gëzhilli.

“I nisëm aktivitetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me përkujtimin e figurës komplekse e kontraversale, Fan Nolit, këtij personaliteti të letrave, politikës, klerit, për të cilin ka gjithmonë shumë për të thënë e për të zbuluar”, u shpreh ministrja Margariti.

“Mes miqsh e studiuesish të jetës e veprës së Nolit, me ftesën drejtuar brezit të ri, për t’iu qasur e njohur poetin, përkthyesin e oratorin”, theksoi tutje Margariti. / KultPlus.com

Fan Noli me shqiptarët e korit të katedrales “Shën Gjergji” në Boston më 1935

113 vite më parë Fan Noli themeloi katedralen historike të Shën Gjergjit në Boston, katedrale e cila sot është shndërruar në një pikë takimi për komunitetin e ortodoksëve shqiptaro-amerikanë të zonës së Bostonit, por edhe si një urë lidhëse mes themeluesve të saj dhe emigrantëve të rinj.

Në arkivën e pasur të Katedrales ndër shumë materiale interesante gjendet edhe kjo foto e viti 1935 e Fan Nolit së bashku me këngëtaret shqiptarë të korit.

Sipas përshkrimit që shoqëron fton në rreshtine  parë ndodhen  1.Annette Kondi (Fortinallis) 2.Tefta Tromara  3.Gloia Tromara  4.Fan Noli 5.Florence Kondi (Mazza) 6. Anna Andon (Gibbs) dhe 7.Louise Pambuku(McCann)

Në rreshtin e mesit: 7.Peter Chani 8.Esther Peterson 9. Margaret Peterson 10. Ellen Chani-Kondel  dhe 11. Charles Stavro

Dhe në rreshtin e fundit  13. John Paul Pano, 14. Spiro Metro 15. D. Theodore 16. Leo Joseph dhe 17. Teddy Joseph. / KultPlus.com

Përkujtohet në 140 vjetorin e lindjes një nga figurat më të ndritura të kombit, Fan Noli

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot lindjen e Fan Stilian Nolit (6 janar 1882 – 13 mars 1965).

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, përkthyes, politikan, diplomat, historian e muzikolog, Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme.

Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju-Jorkut e shuguroi prift ortodoks.

Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Fan Noli si përfaqësuesi i parë në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921, shpresonte shumë te Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e shteteve të vogla.

Sot, shumë vite më vonë, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB. / KultPlus.com

140 vjet nga lindja e Fan Stilian Nolit

Sot bëhen 140 vjet nga lindja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com