Fatos Lubonja për rastin e Librazhdit: Po të isha babai vajzës do ta kisha marrë në mbrojtje

Analisti Fatos Lubonja, duke folur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Librazhd, ka zbuluar se cili do të ishte reagimi i tij në rast se do të ishte babai i djalit, duke u shprehur se nuk do të guxonte kurrë të hynte në dhomën e nuses pavarësisht gjithçkaje, dhe nëse do të ishte baba i vajzës ka shtuar se do ta merrte menjëherë në mbrojtje.

Lubonja sqaroi se nëse do të ishte ai në vend të babait të vajzës as nuk do të kishte një situatë re tillë pasi as nuk e mendon dot që një vajzë të martohet në një moshë aq të re. Ai ka ndarë me dëgjuesit edhe një detaj nga marrëdhënia e tij me të bijën, të cilës para shumë vitesh i ka thënë se duhet të mendojë të martohet pasi të mbushë 30 vjeç.

“Babai duke respektuar kodin e duke u shtirur, duke pasur parasysh një shoqëri të dukjes, duhet të bëjë këto veprime.

Një gjë është kodi, dhe më tej është raporti natyror, dashuria që duhet të ketë për vajzën. Marrim rastin e Antigonës së Sofokliut, është pikërisht ky rast që varrosi vëllain pavarësisht ligjit, për shkak të ndjenjës që kishte për të. Babai është i tjetërsuar, duhet ta mbronte me çdo kusht vajzën e tij.

Në këtë shoqëri shihet si mall dhe kur e jep me shkuesi pa e pyetur vajzën, nis drama e vajzës dhe shoqërisë tonë. Më shqetëson se nuk dimë cili kod dominon në shoqërinë tonë. Normalisht, nëse do të isha babai i djalit që u tradhtua, nuk mund të hyja kurrë në dhomë, do i thoja djalit është puna jote duhet ta zgjidhësh ti, mund ta kesh ti ose ajo fajin, mund edhe të faleshin.

Po të isha babai vajzës do ta kisha marrë në mbrojtje, nuk do e lejoja kurrë të arrinte puna këtu sepse nuk do kisha menduar kurrë në atë moshë të martohej. Vajzës time i kam thënë shumë vite më parë që 30 vjeç mendo të martohesh, jo më tani. Tani ke kohën të bësh dashuri, të provosh, të takosh burra të ndryshëm të cilët mund të të pëlqejnë që më pas të martohesh.

Ky është kodi im por dua ta kuptoj edhe atë tjetrin, ndoshta ai e jeton si dramë atë, vërtetë e ndjen, sepse jemi produkt i kulturës sonë. Nderi është më i rëndësishëm sepse në atë kod, nëse ai do të merrte në mbrojtje vajzën do të quhej i degjeneruar”, është shprehur Lubonja, transmeton emisioni “Open” në Facebook./ KultPlus.com

Fatos Lubonja më 15 prill ekspozon fotografi të refugjatëve kosovarë në Kukës

Shkrimtari dhe analisti shqiptar Fatos Lubonja më 15 prill sjell ekspozitën “Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja”, fotografi të refugjatëve kosovarë në Kukës gjatë vitit 1999.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se hapja e ekspozitës do të bëhet në ora 17:00 në galerinë Artcafe në Kukës.

Ekspozita do të shoqërohet me bisedë mes Fatos Lubonjës dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilët do të flasin rreth marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri, me moderator Sulejman Dida. / KultPlus.com

“Xhamia ha kishën dhe kisha ha xhaminë”

“Ja pra se si xhamia ha kishën dhe kisha ha xhaminë, jo për shkak të të vërtetave të së kaluarës, por për shkak të orekseve të kanibalëve kulturorë [i referohet konceptit të Strauss-it i cili homogjenizimin kulturor e përcakton si “kanibalizëm kulturor”] të së tashmes që shpesh e ndërrojnë shijen, gjellën dhe oreksin sipas asaj se kush u jep të hanë. E për sa kohë do të zhvillojmë këtë kulturë kanibalësh, që manifestohet edhe në marrëdhëniet me të tjerët e ndryshëm kudo që ndodhemi nëpër botë, e do të bëjmë debate mbi identitetin/tet me një frymë që na tregon se kemi mbetur në shekullin XIX e në kohën e totalitarizmave…”

Fatos Lubonja, “‘Esenca’ jonë identitare dhe kanibalizmi kulturor” (Përpjekja, 2006. Tiranë)

Fatos Lubonja sjellë fotografitë e refugjatëve kosovarë në Kukës, thotë se nuk kishte kurajë t’u drejtoj kamerën

Mbrëmë në Modelariumin e Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, erdhi ekspozita “Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja”, me fotografi të refugjatëve nga Kosova në Kukës gjatë luftës së vitit 1999, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Fotografitë e Fatos Lubonjës, kishin zënë po thuajse gjithë hapësirën e gjerë të mureve të këtij ambienti. Trishtimi i personazheve fshihej në një format të ngjyrave: bardhë dhe zi, por jo dhe një format të madhësisë. Përmes tyre reflektohet një mot i ftohtë, ku shihen radhët e traktorëve, në dheun plot pellgje e baltë. Fotografitë e tij sjellin një realitet të gjerë të shtrirë brenda një fushe në Kukës, ku shihen traktorët me karroceri të mbuluara me plastmase, ku traktori shërben si strehë për refugjatët. Ky trishtim është vështirë i tejkalueshëm edhe sot në sytë e shikuesit, një gjendje dëshpërimi depërtonte në sytë e secili vizitor, i cili sikur kishte një rrëfim të ngjashëm me ato fotografi.

“Këtë përjetim të kësaj drame njerëzore dëshiroj me e lanë në qetësinë e rrugëtimit të vet. Autori duket sikur është secili prej njerëzve të pagojë, të shtangun, pa asnjë shprehje ngushëllimi , e që i kapet veç shpresës së dokumentimit pa fjalë”, kështu janë fjalët e kuratorit të ekspozitës Xhevahir Kolgjini, i cili thotë se me renditjen e fotografive ka vendosur që ta lë autorin me komunikim me audiencën si para 19 vitesh rranzë Gjallicës.

Vet Lubonja në prill të vitit 1999 në Kukës, ku edhe kishte marr këto fotografi shkruan se edhe pse ka parë dhjetëra reportazhe mbi Kukësin nëpër stacione televizive, asgjë nuk mund të ia zëvendësoj kontaktin e drejtpërdrejtë se sa shkelja mes përmes e këtij realiteti.

“Syri i kamerës i strukur pas qelqit të trashë të objektivit, nuk e ndjen dit ftohtësinë e shiut me suferinë që të hyn në palcë, e erën e tmerrshme të shkurres e të përçit. Ai nuk e jep dot atë që ndjen dora teksa i prek kokën një fëmije që dridhet nga të ftohtit, e mbi të gjitha nuk i rrok të gjitha këto përnjëherësh”, shkruan Lubonja.

Fatos Lubonja mbrëmë solli para syve të publikut prishtinas Kukësin e viteve 99’të, i cili një qytet prej 25 mijë banorësh, brenda një periudhe të shkurtër i shtohen edhe 32 mijë refugjatë, ndërsa kontakti i parë me këtë mjerim është në Pallatin e Kulturës së Kukësit, aty ku natën disa prej tyre futeshin për të fjetur.

“Shkallët e tij janë të mbushura cyt me njerëz të rrazbitur, të cilët nuk ke kurajë t’i shohësh në sy e le me t’u drejtosh kamerën”, kështu Fatos Lubonja nxjerrë në pah edhe shpirtin e tij human derisa mundohet të përmbush misionin e tij përmes fotografisë, kjo është arsyeja që ai pozicionohet nga larg për të shkrepur fotografitë.

Edhe pse në këtë situatë artisti Lubonja thotë se me lindjen e diellit jeta po gjallëronte edhe në këtë ferr, derisa përmes fotografive ai sjellë fytyrat e qeshura të fëmijëve, të cilët shfaqen para një rrote në një park të Kukësit, i cili është i mbushur po ashtu me refugjatë.

“Diku uji në kazanin e zi e ka filluar të ziejë, diku janë mbledhur rreth e po hanë. Diku kanë hapur radion me bateri dhe dëgjojnë lajmet e Tiranës. Ndonjë grua ka filluar të lajë. Fëmijët kanë zgjeruar shoqërinë dhe vende-vende i sheh të luajnë”, shkruan shkrimtari Lubonja në katalogun “Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja”, përcjell KultPlus.

Lubonja, thotë se pjesa më e dhimbshme e kësaj tragjedie janë fëmijët sepse janë më të pambrojturit por kur i sheh të luajnë dhe të qeshin para kamerave , e kupton se nuk janë ata që e ndjejnë më së shumti këtë tragjedi por janë pleqtë që kanë parë shtëpitë dhe krejt punën e tyre t’u shkatërrohet.

Kësaj ekspozite i parapriu një bisedë mes Fatos Lubonjës dhe Veton Surroit, e cila u moderua nga Shkëlzen Gashi, dhe diskutimi shtrihej në temat si lufta në Kosovë, pavarësia e Kosovës, pajtimi mes Kosovës e Serbisë dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Kjo ngjarje erdhi e organizuar nga ADMOVERE dhe KFOS. / KultPlus.com