“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” vë në pah ata që shfrytëzuan luftën për përfitime personale

Xhemile Hysenaj

Këngë, qeshje, britma e sharje, u dëgjuan mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, që erdhi nën regjinë e András Urbán, shkruan KultPlus.

Drama ishte e bazuar në romanin e shkrimtarit Veton Surroi, që mban titullin ”Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”. Drama trajton një gërshetim të tragjikes dhe komikes, përmes së cilave tentohet të kuptohet djallëzia njerëzore, dashuria e sakrifica.

Ngjarja e dramës vinte në disa etapa, ku për bazë kishte një familje informatorësh të Kosovës, të cilët brez pas brezi i shërbenin çdo regjimi, atij serb, fashist, italian e nazist. E çuditshmja e kësaj ishte se shërbimi bëhej as pa më të voglin rezistim. Mirëpo, në çdo regjim, ishte edhe një historik i vogël, e sidomos nën regjimin komunist serb, ku trajtuan dhunimet e vrasjet në Kosovë. Vëmendje pak më e madhe i ishte dhënë luftës së fundit në Kosovë dhe poashtu një pjese pas luftës. Ku dilnin në pah ata që kanë përfituar nga lufta, ata që sakrifikuan e ata që humbën më të dashurit e tyre, shkruan KultPlus.

Shfaqja ka një sens provokues në vete, duke përçuar kështu një mesazh thumbues tek masa. Duket sikur, qëllimi i saj ishte të përplaste një të vërtetë lakuriqe, sipas së cilës në kohën e regjimeve të ndryshme, nuk jemi të gjithë engjuj apo viktima. Ka prej atyre që shfrytëzojnë luftën, për përfitime personale, gjatë dhe pas mbarimit të saj.

Ajo që vihej më shumë në pah, ishte ”seksi”, si dukuri. Përmes së cilit, figura e gruas përbuzet e diskriminohet deri në atë masë, saqë seksi fillon të shihet si zgjidhje për shumë probleme.

Marie Gjoni, një personazh emrin e të cilës e mbante edhe shfaqja, ishte një aktore e bukur, atipike për shoqërin, e cila duke qenë e bukur, nuk kishte si të mos e shfrytëzonte bukurinë e saj, mirëpo e mbronte me krenari feminitetin e saj.

Edona Reshitaj, e cila luante në rolin e Marie Gjonit, rol ky që kërkonte eksplicitet në disa skena, për KultPlus tregoi se roli i saj ka qenë mjaft sfidues.

”Jam e lumtur që kam pasur rastin të marrë këtë rol, pasiqë kohët e fundit kam qenë shumë aktive në shfaqje dhe ky rol ka qenë shumë më ndryshe prej roleve tjera, kjo më përmbush si aktore, pasiqë në çdo rol të ri, unë zbuloj edhe dicka të re për vetveten”, ka thënë ajo për KultPlus.

Drama trajtonte fatin e kosovarëve ndër vite, trajtonte nevojën e tyre për të pasur Republikë e Kushtetutë, mirëpo kjo trajtesë i bëhej me një gjuhë vulgare e me një ironi të theksuar.

Veton Surroi, i cili mund të themi se është edhe nismëtar i kësaj shfaqjeje, për KultPlus u shpreh shumë i kënaqur me aktorët dhe mënyrën se si ata përvetësuan rolet e tyre.

”Mendoj se regjisori është përpjekur të bëjë një dinamizim të një shfaqje që përfshin një periudhë të gjatë kohore. Do të jetë një shfaqje e cila padyshim do të jetë ngacmuese”, është shprehur ai më tutje për KultPlus.

Drama që rrjedhte si një gërshetim i komikes me tragjiken, ku humori dilte kryesisht nga dhimbja, e vinte për publikun si një ironi e kulluar, tek publiku ngjallte emocione, herë të qeshura pa fund e herë herë edhe tronditje, nga disa skena që zakonisht janë të rralla në skenën e Teatrit Kombëtar.

Aktori Shpëtim Kastrati, për KultPlus tregoi se kjo nuk është hera e tij e parë që bashkëpunon me regjisorin András Urbán dhe tashmë edhe pse me një teknikë jo të zakonshme të punës, ai është mësuar se çfarë kërkon regjisori dhe si duhet realizuar ajo.

”Si cdo rol tjetër edhe ky rol ka kërkuar punë, mund e djersë, mirëpo për dallim prej shfaqjeve tjera, kemi pasur kohë më pak për pëgatitje. Për mua është shfaqja e dytë me këtë regjisor, ai ka një stil pak më ndryshe në realizimin e përgatitjen e shfaqjes, mirëpo është mënyra e tij dhe tashmë jemi mësuar me të”, potencoi ai për KultPlus.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje, ishin: Adrian Morina, Edona Reshitaj, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Shkelzen Veseli dhe Armend Baloku.

E në fund të shfaqjes, aktorët vlerësohen për punën e tyre me duartrokitje të publikut. E duartrokitjet për këtë shfaqje vazhduan me minuta të tërë, që vinin si një shenjë falënderimi për të gjitha emocionet që ata përçuan tek publiku. / KultPlus.com

Incident në TKK, rrëmbehet shqiponja nga pllakati i shfaqjes

“Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” që është dhënë premierë në mbrëmjen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës është përcjellë me një incident, pikërisht para fillimit të shfaqjes, shkruan KultPlus.

Sokol Plakolli ka prerë pjesën e panos së kësaj shfaqje, ku ka marë shqiponjën, por i njëjti në këtë pano ka lënë yllin, sipas tij, yllin komunist.  Ai në një reagim në facebook ka shkruar se nuk e ka vjedhur shqiponjën, por sipas tij, ai e ka çliruar.

Stafi i TKK-së ka tentuar të pengojë veprimin e Plakollit, por i njëjti ka arritë të interevenojë në pllakatin e kësaj shfaqje me tekst të Veton Surroit dhe regji të András Urbán.

Plakolli më pas ka postuar fotografi me shqiponjën që kishte nxjerrë nga pllakati, sikurse që ka postuar video

Jeton Neziraj për këtë veprim të Sokol Plakollit ka shkruar “Shqiponjë-vjedhësi na e nisi mbarë shfaqjen ”Shfaqja e fundit…’ e Veton Surroit 🙂”, kurse Sokol Plakolli ka vazhduar me reagime të tjera duke shpërndarë fotografinë e Nezirajt pranë pllakatit, dhe duke e quajtur tashmë këtë pllakat si një pllakat fantastik.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi./KultPlus.com

Veton Surroi sonte në “Letërsia dhe qyteti”

Shkrimtari Veton Surroi është i ftuar sonte në “Letërsia dhe qyteti”, për të rrëfyer qytetin përmes letërsisë.

Në kafenenë “Sonder”, nga ora 19:00, Surroi do të jetë mysafir i dy gazetareve nga Tirana, Alda Bardhyli dhe Beti Njuma për të bashkëbiseduar për letërsinë dhe qytetin në një format ku të gjithë ata që janë të ulur në kafenenë “Sonder” mund ta dëgjojnë bisedën me Surroin dhe të bëjnë pyetje.

“Letërsia dhe qyteti” është një projekt takimesh letrare me shkrimtar, i nisur vitin e kaluar nga gazetaret Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, të cilat këtë fundverë, e kanë sjellë atë edhe në Prishtinë./ KultPlus.com

Veton Surroi: Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit

Shumë qytetarë të Gjakovës kanë protestuar sot kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë.

Qytetarët protestuan me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”. Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Pas kësaj Policia e Kosovës ka ka konfirmuar se pelegrinët serbë kanë anuluar vizitën në Gjakovë.

Ndërkaq para disa minutash nëpërmjet rrjetit social Facebook, publicisti Veton Surroi, ka reaguar përmes një postimi ku e ka publikuar edhe fotografinë e Ferdonijë Qerkezit buzë tryezës, e vetme.

Po sjellim statusin e plotë të Surroit:

“Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit.
Për të bërë marrëveshje me Kosovën, njësoj”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Veton Surroi thotë se Shefqet Krasniqi është dhunues i fjalës së lirë (VIDEO)

Publicisti, Veton Surroi në emisionin Debat Plus të RTV Dukagjinit, ka folur edhe për fenë islame dhe pluralizmin e islamit në Kosovë.

Surroi e ka quajtur Shefqet Krasniqin “dhunues”, pasi sipas tij, e ka keqpërdorur religjionin..

“Nuk mund të tërhiqemi prej dhunuesve të fjalës në publik. Pra, Shefqet Krasniqi është dhunues. Një njëri që thotë se Nënë Tereza ka me shku në ferr…, e keqpërdor religjionin me fjalor dhune. Fjalor dhune është kur i degradon të tjerët”, ka thënë Surroi.

Ai ka theksuar se Islamofobia poashtu është fjalor dhune.

“Ta quash dikë të prapambetur pse është mysliman, është absolutisht fjalor dhune, e zhvlerëson identitetin e njerëzve”, tha ai.

Surroi ka folur edhe për institucionet e Kosovës, duke thënë se nuk kanë pse merren me interpretimin e formave të ligjërimit të hoxhallarëve në Kosovë, përcjell Telegrafi.

“Është krejtësisht në kundërshtim me Republikën shekullare laike të Kosovës. Institucionet nuk kanë pse merren me interpretimin e formave të ligjërimit të mulla Shefqetit apo cilitdo hoxhë në Kosovë”.

Surroi ka thënë se ligjërimi i fesë islame në shqip është i vonshëm krahasuar me katolicizmin.

“Islami (te shqiptarët) ka një veçanti krahasuar me religjionet tjera, për shkak të një interpretimi shumë të vonshëm të dhënies së lirisë të ligjërimit në gjuhën amtare. Ka rreth 80 vjet që ne ligjërojmë islamin në shqip, në krahasim me Kishën Katolike, e cila ligjëron shqip së paku nga shekulli XVI”, është shprehur Surroi.

Publicisti në Debat Plus të RTV Dukagjinit ka deklaruar se Islami në Kosovë ka si përparësi pluralizmin.

“Islami shqiptar ka një përparësi, është i vetmi islam evropian, sepse nuk është pjesë e një procesi dekolonizimi ku vijnë emigrantë etj., është i njerëzve të këtushëm”, ka thënë ndër të tjera Veton Surroi./Telegrafi/

Për Bekim Lumin, artistët dhuruan veprat e tyre ndërsa Veton Surroi 200 kopje të librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”

Alberina Haxhijaj

Skena e vogël e Teatrit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë, ka qenë e rrethuar me vepra artistike të realizuar nga artistë të ndryshme. Të gjitha këto vepra, të ekspozuara, më pas janë shitur përmes ankandit i cili është realizuar nga vet artistët. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve i janë dedikuar shërimit të regjisorit Bekim Lumi.

Aktivitet të tilla për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, janë duke u realizuar ditëve të fundit, në mënyra të ndryshme. Dikush më këngë, disa me poezi, të tjerë me shfaqje dhe disa me dhurimin e punimeve të tyre po ndihmojnë në mbledhjen e parave, për të ndihmuar në shpenzimet e shërimit të regjisorit, shkruan KultPlus.

Aktori Fatmir Spahiu i cili është edhe njëri prej artistëve që ka marrë këtë iniciativë, e që moderoi këtë ankand, u shpreh i lumtur që artistë kanë dhuruar punime e tyre për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi.

“Ky është vetëm njëri prej angazhimeve në vazhdën e aktiviteteve. Synimi jonë është që të mbërrijmë tragetin e paracaktuar. Kjo mbrëmje ishte më ndryshe sepse unë isha vetëm njëri nga ata që dhamë një kontribut të vogël kurse pamë shumë artistë që dhuruan veprën e tyre diçka që është shumë e vështirë, të dhurosh një punë, ide kreacion tëndin, një pjesë të shpirtit për një kauzë të tillë. Prandaj unë jam shumë i lumtur edhe për ata edhe për vetën që po mundemi me provu me i ndihmu një miku tonë i cili ka nevojë, sepse nesër secili nga ne mund të jetë në një pozitë të tillë”, tha ai për KultPlus.

Tutje ai theksoi se ky është një solidarizim i artistëve që nuk është parë më herët. “Kjo më entuziazmon pa masë sepse nuk e kam besuar që mundemi më u sensibilizu kështu. Të ju them sinqerisht, kam menduar që t’i bësh të gjithë këta njerëz bashkë për një kauzë të tillë është e pamundur por më ka dalë ndryshe dhe jam shumë i befasuar për të mirë”, theksoi ai.

Nga ky ankand i pikturave, skulptura, grafika dhe punimeve të tjera artistike e po ashtu nga shitja e librit “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, u grumbulluan 3 mijë e 600 euro për regjisorin Bekim Lumi. Autori i dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, Veton Surroi u shpreh sa ai ka dashur që të ndihmojë në këtë aktivitet pasi që regjisori Bekim Lumi është person i cili e meriton një kujdes të tillë.

“Libri sapo ka dalë nga shtypshkronja dhe kam vendosur që 200 kopje të ia dhurojë këtij aktivitetit për Bekim Lumin. Ka pasur simbolikën e vet pasi që është pjesë e një ambienti kulturor artistik i cili kontribuon dhe unë deshta që më këtë të kontribuojë. Kjo ndjenja e solidariteti që po krijohet është e mrekullueshme. Vet Bekimi si person e meriton këtë kujdes por fakti që po zgjohet solidariteti i artistëve ka domethënie shumë të madhe”, u shpreh ai për KultPlus.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./KultPlus.com