Muzeu i dhimtës

Poezi nga Vlora Konushevci

Në tavolinën e bukës
dreka shtru
pesë karrika thatë
nji për mungesën
nji për dhimtën
nji për vuejtjen
nji për heshtjen
nji për t’voglin e nanës
Ferdonije
e ajo fillikall
në shtëpinë muze.

Dhimta nuk asht koncept abstrakt
në shtëpinë e nanës ajo
i ka sytë, gojën edhe trupin
por kambë nuk ka, me ikë s’mundet
çdo ditë rritet me të reshunat
e pikëllimit si det pa breg,
mbështjellë në celofan
i ka përpi krejt rrezet e diellit
tu e lanë shtëpinë e mbytun
n’shkreti e plagë.

Aty s’ka as edhe nji tingull
veç gjamës së nanës
në ditë t’ Bajramit
kur lutet e lutet
veç për nji trohë drejtësi,
strehë dhimtës i ka ba
për nji mijë vjet
e ata që dhimtën ia ngjitën
jetojnë lirshëm
kanë edhe adresë.
.
Photo: Artan Korenica / KultPlus.com