Bregoviq përshëndetet me Korçën me këngën “Kallashinkov”

Këngëtari serb, Goran Bregoviq, e nisi koncertin në Korçë me një këngë shqipe dhe e mbylli me këngën “Kallashnikov”, për të cilën supozohet se është dëgjuar duke u kënduar nga paramilitarët serbë si formë motivi për të kryer krime në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

T7 raporton nga vendi i ngjarjes se këngëtari Bregoviq vendosi ta mbyllë koncertin e tij në natën e fundit të Festës së Birrës në Korçë me këngën “Kallashnikov”.

Koncerti i Bregoviqit u përcoll me incidente, ndonëse nuk u ndërpre nga organizatorët. Disa persona hodhën gazlotjsellës në mes të turmës, ku policia ndërhyri dhe i arrestoi ata. Në mesin e të lënduarve nga gazlotsjellësi ishte edhe një fëmijë.

Kundër këngës që përzgjodhi ta mbyllë natën Bregoviq, pati një peticion të nënshkruar nga 6 mijë persona. Në të thuhej se Bregoviq me këngën “Kallashnikov” “zgjoi nacionalizmin serb” dhe se fjalët në këngën “pucaj” (qëllo); “juris” (sulmo); dhe “Boom Boom Boom”, “janë tingujt që nxitën ushtarë e paramilitarë serbë për të kryer masakra në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan në vitet e 90-ta”.

Kënga “Kallashnikov” është në gjuhën rome. Kjo këngë u bë e njohur menjëherë dhe sot e kësaj dite është prezente në shumicën e festimeve në Serbi./KultPlus.com

Vetëvendosje në Shqipëri proteston kundër Bregoviqit: “Dajre” gjenocidi

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Shqipëri ka realizuar sot një aksion simbolik kundër pjesëmarrjes së muzikantit serb, Goran Bregoviq, në Festivalin e Birrës në Korçë.

“Bregoviç ‘dajre’ gjenocidi”, ishte simbolika e këtij aksioni që u mbajt në Bulevardin “Republika”, në Korçë.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë.

“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosën një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”. Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç. Aksioni u zhvillua githashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Bregoviç “dajre” gjenocidi

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosën një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në Bulevardin “Republika”. Aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç. Aksioni u zhvillua githashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin.

Kujtojmë se muzikanti i shumëkontestuar Bregoviç nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë, por e gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjës së NATO-s në krah të UÇK-së. Për më tepër, shqiptarët e Kosovës, që ishin viktima të gjenocidit të Serbisë, ende e mbajnë mend mirë se si ushtria dhe paramilitarët e Serbisë i kryenin masakrat e tyre ndaj shqiptarëve duke u frymëzuar me këngë të Bregoviçit. Koncerte të tij janë anuluar nga organizatorë edhe në shtete të tjera të botës, pas qëndrimeve të tij lavdëruese për Rusinë në koncertin e mbajtur në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Bregoviçi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkuara e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si “Ballkani i Hapur”. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.   

Nuk mund të jetë rastësi që datat e Festës së Birrës në Beograd përputhen me datat e Festës së Birrës në Korçë (18-22 gusht). Ajo në Beograd u hap mbrëmë nga Bregoviç, ajo në Korçë pritet të mbyllet po nga Bregoviç. Është e vërtetë se jugonostalgjiku Bregoviç ka mbajtur edhe më herët koncert në Shqipëri në vitin 2006, dhe është nderuar nga kryeministri Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak, me “Çelsin e Tiranës”. Bregoviç është nderuar me medalje këtë vit edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Mirëpo, prej vitit 2006, vetëdija kombëtare shqiptare është rritur më shumë në popull sesa te pushtetarët e korruptuar të Shqipërisë. Shqiptarët janë shumë më të informuar e të lidhur me njëri-tjetrin.

Si komb, do të ishte hipokrite nëse ndajmë vetëm gëzimet, medalje dhe mirënjohje ndërkombëtare, pa u solidarizuar duke ndarë edhe vuajtjet. Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan me mijëra hektarë. Ne kërkojmë ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit.

Korçë, 19 gusht 2021

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri./KultPlus.com

Në Shqipëri fshijnë fytyrën e Bregoviqit nëpër posterë, mbi ta shkruhet “1999”

Festa e birrës në Korçë, në të cilën është ftuar edhe këngëtari serb Goran Bregoviq ka shkaktuar debate të mëdha në Shqipëri dhe Kosovë. Kanë qenë të shumtë ata që kanë kërkuar anulimin e koncertit, madje gjithë këngëtarët kosovarë të ftuar e kanë bojkotuar organizimin.

Sidoqoftë, Korça nuk u tërhoq nga thirrja e këngëtarit në këtë festë dhe vazhduan me njoftime dhe me vendosjen e posterëve për detajet e performancës së tij.

Teksa dita e performances së tij afrohet, duket se edhe reagimi qytetar po ndizet. Kjo pasi qytetarët kanë mbuluar me ngjyrë fytyrën e këngëtarit në posterë si dhe kanë shkruar vitin 1999, kohën kur Serbia pushtoi Kosovën duke vrarë mijëra persona e dëbuar nga vendi i tyre.

Këngëtari serb Goran Bregoviç, pretendohet se me këngët e tij nacionaliste ka frymëzuar ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë./KultPlus.com

Sot fillon festa e Birrës në Korçë

Policia e Korçës ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e festës së Birrës që starton sot në këtë qytet.

Më datë 18.08.2021 deri më 22.08.2021, në qytetin e Korçës, prej orës 18:00 deri në orën 24:00, në ambientet e brendshme të “Terminalit të Autobusave” në lagjen nr. 17, si edhe në ambientet e “Pazarit të Vjetër”, Korçë, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka marrë një sërë masash në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin dhe manifestimin sa më normal të këtij aktiviteti.

Policia njofton se do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve në të dy akset rrugore përkatësisht tek rrethrrotullimi përballë “Pazarit të Vjetër”; të dy akset rrugore pranë pallatit “City Center” drejt kryqëzimit të Maliqit dhe rrugës përballë “Ish-NPV”.

Bllokimi i akseve rrugore do të fillojë që prej orës 16:30 deri në orën 00:30, të çdo dite të organizimit të Festës së Birrës, nga kryqëzimi i fshatit Çiflig deri tek kryqëzimi i Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Korçë; nga stadiumi “Skënderbeu” deri tek ASHK Korçë dhe nga kryqëzimi i ASHK Korçë, deri tek rrethrrotullimi i Voskopojës.

Qarkullimi i automjeteve brenda qytetit, do të kryhet përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti” dhe rrugës “Fan Noli”, ndërsa dalja nga qyteti do të bëhet nga stadiumi “Skënderbeu”, tek Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) Korçë, në drejtim të Tiranës.

Në të gjithë qytetin, në vendet që do të zhvillohet festa ku pritet të ketë grumbullim dhe qarkullim më të madh të njerëzve, në bulevardet kryesore dhe akset rrugore që lidhin Korçën me rrethet e tjera, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë së Rendit, Policisë Kriminale, Policisë Rrugore, grupeve të FNSH-së, Forcave Speciale “Shqiponjat”, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve dhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme, të cilat mund të cënojnë sigurinë publike. /oranews/KultPlus.com