Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com