Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar fazën e parë të projektit më ambicioz që BKK ka realizuar ndonjëherë.
Në Prishtinë do të vihet në skenë për herë të parë “Arrthyesi”, një nga shfaqjet më të famshme të repertorit botëror të baletit klasik.
Koreograf është primabalerini shqiptar me renome ndërkombëtare, Ilir Kerni (Nderi i Kombit).
Kjo vepër do të realizohet në bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, dhe siç e do zakoni do të shfaqet para publikut në dhjetor, afër festave të fundvitit. / KultPlus.com
“Skena i ka dy rregulla: Gjithçka mund të ndodh dhe diçka duhet të ndodh” është një shprehje e Peter Brook, me të cilën drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Kushtrim Sheremeti, ka të bëj me dije se TKK është në vlugun e punës sa i përketë projekteve dhe prurjeve të reja, para audiencës, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit, shkruan KultPlus.
Për tre shfaqje, të cilat do të shfaqen premierë veçse kanë filluar provat. Në Opole të Polonisë, që nga java e kaluar kanë filluar provat për shfaqjen “The Best European Show”, si një ko-produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta, e me të cilët TKK është bërë partnerë duke qenë pjesë e European Theatre Convention.
Kjo shfaqje e cila vjen nën regjinë e Haris Pasoviç, do të ketë premierën botërore me 13 tetor në Opole, ndërsa në Kosovë do ta ketë premierën me 25 prill 2024.
Në këto prova po marrin pjesë një ekip ndërkombëtarë artistësh nga 9 shtete të ndryshme, ndër të cilët edhe aktorët tanë rezidentë, Armend Smajli, Maylindak si dhe kompozitori Trimor Dhomi.
Po ashtu, në vazhdën e punës së TKK-së, të premten kanë filluar edhe provat e shfaqjes “Ditë Vere” të Slawomir Mrozek, në të cilin luajnë një grup të përzier artistësh për nga gjeneratat përfshirë edhe ata që për herë të parë do të punojnë në TKK – Era Balaj, Andi Bajgora, e Art Pasha, përkrahë aktorëve rezidentë Ismet Azemi, Lumnije Sopi, Adhurim Demi e Veton Osmani.
Kjo shfaqje premierën do a këta më 18 tetor 2023 në njërën prej hapsirave alternative të teatrit.
Kurse dje, TKK po ashtu ka filluar provat për kryeveprën e George Orwell – 1984 – e dramatizuar dhe në regji të Igor Mendjisky, e cila premierë pritet edhe të hapë sezonin 2023/2024 në TKK nga data 30 Shtator!
Në këtë shfaqje Mendjisky së bashku me aktorët do të punojnë bashkë edhe me Imer Kutllovcin i cili kthehet si bashkëpunëtor i TKK-së pas gati 20 viteve.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka bërë të ditur se këto tre premiera janë vetëm fillimi i punës dhe bashkëpunimeve të tjera, duke theksuar se në radhe janë edhe dy premiera të tjera.
“E kjo s’është krejt për sivjet – por vetëm fillimi: na presin edhe 2 premiera tjera, organizimi i Festivalit Mbarëkombëtar MOISIU në datat 20-27 nëntor si dhe turne të shfaqjeve nëpër Kosovë, rajon e Evropë”, ka bërë të ditur drejtori Sheremeti.
Ai përmes një postimi në facebook u ka uruar artistëve punë të mbarë deri në finalizimin e projekteve në fjalë, që do të shfaqen para audiencës së TKK-së.
“Ju uroj mbarësi e suksese të gjithë artistëve që do të punojnë me zell në mënyrë që publikut të TKK-së t’i sjellim një program të pasur e me vlerë”, ka shkruar drejtori Sheremeti ne facebook/KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur- Prizren Fest, në natën e dytë të edicionit të tij, që ishte mbrëmë, brenda natës ofroj për shikuesin prizrenas katër shfaqje, gjë që nuk ishte aspak problem që secila nga to të ketë audiencën e saj.
E para ishte shfaqja “Çelësi Magjik”, e cila solli vërtetë një magji teatrore për më të vegjlit tanë.
Nata e dytë vazhdoj me shfaqjen “Aurora” nga Çekia nën regjinë dhe koreografinë e Carolina Arandia. Aurora është një pjesë vallëzimi, një përvojë hipnotike dhe medituese në të cilën dy valltarë imagjinojnë se si ritmi i tyre është i kompozuar bashkë me rendin e universit. Bëhet fjalë për një lidhje, për brishtësinë dhe fuqinë e saj, e cila na e zbulon dimensionin sublim që format e takimit të saj marrin në raport me tërësinë…
“Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj dhe në regjinë e Kushtrim Koliqit, ishte shfaqja e tretë të cilën artdashësit patën mundësinë ta shohin në kuadër të Prizren Fest-it. “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…
E natën e mbrëmshme të Prizren Fest-it, e përmbylli shfaqja “Tatuazhi i Trendafili” e cila u dha në oborrin e Lidhjes së Prizrenit me regji nga Zana Hoxha. Shfaqja që Tennessee Williams e quajti “loja e tij e dashurisë për botën”, është një përrallë pasionante e besëtytnive, premtimeve dhe mundësisë së dashurisë dhe pasionit pas një zemre të thyer. Tatuazhi i Trëndafilit ofron një komedi të zgjuar dhe interaktive me publikun ndërsa i kujton atyre që të hapin zemrat dhe të gjejnë shpresën atje ku nuk e presin…
Programi i ditës së sotme i Prizren Fest-it do të vazhdoj me shfaqjen “Tomi dhe Xheri” nga ora 20:00 në Abi Çarshia, pastaj në orën 20:30 shfaqja nga Italia e cila jepet në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, dhe e fundit për natën e tretë të festivalit, jepet shfaqja nga Mali i Zi në ora 21:30 në Kino Lumbardhi.
Prizren Fest do të vazhdoj deri me datën 28 Korrik me një program shumë të pasur. / KultPlus.com
Dje, në teatrin ‘Faruk Begolli’ u dha premierë një prej veprave më të njohura të baletit klasik, ‘la sylphide’, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje e cila për herë të parë u dha në vitin 1836, në Kopenhagen, është njëra prej veprave më të famshme të kompozitorit Hermen, u përketë veprave të cilat janë të vështira për tu realizuar si nga ana teknike ashtu edhe nga e kostumeve dhe e skenorgrafisë.
Behie Murtezi ka thënë se përgatitja për këtë shfaqje ka qenë sfidë në vete, mirëpo me punë kanë arritur t’ia dalin.
“Për kete shfaqje kemi punuar shumë gjatë dhe ka qenë një sfidë e madhe për mua puna me femijët , por ja kemi dal mirë dhe shfaqja u prit shumë mirë nga publiku”, thuhet në njoftimin e Murtezit.
Murtezi po ashtu ka bërë të ditur se ka shumë kërkesa për repriza dhe se shumë shpejtë do të vijnë me repriza të shfaqjes./KultPlus.com
Me një interpretim të jashtëzakonshëm, me lëvizje duarsh e këmbësh, e ndryshime të shpeshta në emocionet e fytyrës, gjashtë studentë nga gjenerata e re e koreografëve të Kosovës, i dhanë dritë errësirës që kishte mbuluar teatrin. Studentët arritën të fitojnë zemrat e publikut, e këtë më së miri e vërtetuan brohoritjet e duartrokitjet e panumërta të tyre, shkuan KultPlus.
Mesazhi i shfaqjes shkon edhe përtej të qeshurave të publikut që vini si pasojë e komedisë që interpretuesit e sillnin me aq mjeshtëri. “Megalomania“, ose vetëvlerësimi i tepërt, ishte thelbi i asaj që fshihej përtej sipërfaqësores. Secili nga të gjashtë studentët, prezantuan role e karaktere ndryshe prej tjetrit, por me një synim të përbashkët “etnocentrizmin”, e lartë në mendjet e tyre.
Pas përfundimit të shfaqjes nuk munguan as disa fjalë nga koreografi i kësaj shfaqje, Robert Nuha, për të cilin kjo shfaqje kishte kaluar çdo pritshmëri, përkundër kompleksitetit që di të sjell kjo punë.
“Kjo shfaqje i ka arritur pritshmëritë e mia, madje edhe i ka tejkaluar duke qenë se kompleksiteti që sjell para publikut ky lloj i shfaqjeve që është Dance Theatre, është shumë komplekse, dhe di të jetë shumë sfiduese dhe shumë sfilitëse për interpretuesit”, u shpreh Nuha i cili tutje tregoi se tema e shfaqjes është shumë globale, është shumë aktuale, është ‘Megalomania’ ose jetesa me madhështinë e rrejshme, ose jetesa për hir të falsiteteve, për hir të një jete megalomane e cila, shpeshherë di të jetë edhe e rrezikshme.”
Diçka që të tërheqtë vëmendjen ishin edhe balonat e shpërndarë kudo, e për të cilin, koreografi, Rober Nuha, dha një shpjegim:
“Baloni është objekti, rekuizita dhe gjithçka rreth së cilën ndërtohet krejt shfaqja. Më shumë ka të bëjë me “fryerjen” ku nga përjashta duket e përmbushur, ndërsa përbrenda është bosh. E kjo lidhet edhe me realitetin, ku shpeshherë fjalët i merr era, ndërsa ato që mbesin janë veprat”, përfundoi Nuha.
Pas shfaqjes, e cila shënoi edhe diplomimin e saj, për KultPlus foli Genta Hoxha, e cila ndau emocionet që përjetoi gjatë shfaqjes.
“Kjo shfaqje ka qenë me emocione të mëdha dhe me ushtrime shumë të gjata, deri në tetë orë në ditë. Është shfaqje e cila prek njerëzit që janë bërë të varur nga Instagrami, Facebook-u, përgjithësisht nga telefoni. Kjo është arsyeja se pse kemi përzgjedh për temë të diplomës, pikërisht këtë problem shoqëror”, tha Hoxha e cila më tutje theksoi se kanë punuar për një muaj e gjysmë rresht, duke nisur me prova të lehta, për të ardhur në përfundim, me dalje në skenë.
Për fund, i përfshirë nga emocionet e shumta, foli edhe i diplomuari tjetër, Ibrahim Tusha i cili u shpreh i lumtur për punën e realizuar.
“Po ndihem shumë i qetë dhe i lumtur që kam arritur të mbërrijë në një pikë të fuqishme, në një premierë kaq të vlefshme, e cila ia ka vlejtur për këto 4 vite rresht. Bashkëpunimi me koleg ka qenë shumë i mirë dhe produktiv, përkundër faktit se shfaqja ka qenë e rëndë”, u shpreh Ibrahim Tusha për KultPlus.
Ndërkaq, i’u kujtojmë që balerinët pjesëmarrës ishin Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Qendrim Makolli, Medina Koliqi, Genta Hoxha, Ibrahim Tusha, të cilët njëherit edhe u diplomuan mbrëmë në degën e koreografisë, në kuadër të AAB-së. / KultPlus.com
Nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në ora 20:00 do të jepet shfaqja ‘Pesë llojet e heshtjes’, nga Teatri Kombëtar Slloven ‘Nova Gorica’, shkruan KultPlus.
Rreth shfaqjes:
Vrasja e babait shkakton një hetim policor, një vlerësim psikiatrik dhe përgatitjen e mbrojtjes për gjyq. Nga krimi deri te dënimi, historia tronditëse e familjes shpaloset përmes fragmenteve dhe njëkohësisht pamëshirshmërisë së sistemit shoqëror e juridik që mundëson dhunën. Babai Billy, nëna Mary dhe motrat e rritura Susan dhe Xhenet jetuan për tre dekada të mbyllura në një cikël familjar të marrëdhënieve abuzive. Nëpërmjet kujtimeve dhe përshkrimeve të situatave dhe ndjenjave, përpilohet një histori abuzimi të rëndë fizik dhe psikologjik, i ndodhur në heshtje për shumë vite: heshtja e katër anëtarëve të familjes dhe heshtja e botës jashtë tyre./KultPlus.com
Shfaqja “Burrnesha” e prodhuar nga Qendra Multimedia do të jetë pjesë e edicionit të gjashtë të festivalit të teatrit “Polis” i cili mbahet në Ravenna të Italisë ndërmjet datave 2-7 qershor, 2023.
Edicioni i sivjetëm i festivalit “POLIS”, i programuar mbi temën “Ballkani në fokus” dhe mbi idenë e artistit të njohur gjerman Ulay “Estetika pa etikë është thjesht kozmetikë”, synon të eksplorojë prodhimet më të fundit dhe provokative teatrore, me fokus në ato të Evropës Juglindore.
Ndër artistët që do të marrin pjesë në “POLIS 2023” janë Oliver Frljić, Branko Simić, Gemma Hansson Carbone, kolektivi francez Zone Poéme si dhe Žiga Divjak. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka ofruar në 3 muajt e parë të vitit 55 shfaqje teatrale.
Shifrat bëhen të ditura nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “15 shfaqje janë në janar, 19 në shkurt dhe 21 shfaqje teatrale në mars”.
Gjithashtu ministrja ka bërë të ditur dhe numrin e spektatorëve gjatë këtyre tre muajve në këto shfaqje.
Në janar këto shfaqje u panë nga 1454 spektatorë, në shkurt nga 1626 spektatorë dhe në mars nga 2166 spektatorë. Në total në tre muajt e parë të vitit 5246 spektatorë shijuan shfaqjet teatrale nga trupat e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.
Këto shfaqje u interpretuan në kopshte, teatër, pallat kulture dhe në Durrës.
Në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, të vegjlit e talentuar mësojnë edhe instrumente të ndryshme muzikore. Gjithashtu u bë një kohë e gjatë ku në këtë Qendër fëmijëve u mësohet aktrimi, piktura dhe skulptura.
Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, merret me zhvillimin e talenteve të fëmijëve të ciklit 9-vjeçar, synon që edhe në vitin pasardhës të realizojë shumë projekte të tjera si shfaqje të ndryshme për fëmijë, ekspozita me piktura e skulptura, etj./atsh/KultPlus.com
Shfaqja ‘’Dhoma e ditës’’ e cila po vjen premierë në teatrin “Dodona”, është një dramë-romantike e shkruar nga Richard Kalinoski dhe me regjisor Butrint Pashën i cili e ka vendosur skenikisht në formatin kamertal sipas asocimit me vetë titullin e shfaqjes, përcjell KultPlus.
Ngjarja flet për jetën e një regjisoreje të teatrit, Sandrës, që jetësohet nga Vjosë Tasholli dhe raportit të saj me nënën e saj të moshuar Abin, tetëdhjetë e pesë vjeçare, rol që luhet nga aktorja, Kumrije Hoxha. Konceptualisht shfaqja flet për procesin e shkëputjes së fëmijës nga nëna, nevojën për ndryshime në jetë, barrierat e shkëputjes nga familja e ngushtë dhe fatin e të moshuarve. Kjo shfaqje vë në pah dy pyetje substanciale për jetën e çdo njeriu, se sa iu detyrohemi prindërve dhe sa kanë të drejtë prindërit të përcaktojnë jetën e fëmijëve të tyre?
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Kumrije Hoxha, Vjosë Tasholli, Ermal Sadiku, Arta Lahu, Molikë Maxhuni.
Për kompozimin e muzikës origjinale të shfaqjes që do të performohet në skenë, ka punuar Adhurim Grezda, ndërsa për kostumet dhe skenën ka punuar Alma Krasniqi.
“Dhoma e ditës” është premierë absolute botërore, pasi që ky tekst inskenohet për herë të parë prej kohës që është shkruar në vitin 2019. Kjo është vepra e dytë e Richard Kalinoskit që inskenohet në Kosovë, pas ‘’Bisha në hënë’’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në vitin 2019, që si rrjedhojë, ka sjellur edhe bashkëpunimin e dytë në mes të regjisorit Butrint Pasha dhe autorit.
Vlen të theksohet se ky tekst do të botohet tashmë edhe në gjuhën shqipe, pasi që ditë më parë është përzgjedhur në kontestin e përkthimeve dhe publikimeve ‘’EURODRAM 2023’’ si projekt nga përkthyesi i tekstit, Brezar Xërxa.
Shfaqja është produksion i ‘’Delja e Zezë’’ në bashkëpunim me teatrin e qytetit ‘’Dodona’’, si projekt i mbështetur nga Komuna e Prishtinës.
Shfaqja do të vij si premierë në Teatrin e qytetit ‘’Dodona”, me datën 29 Mars 2023, si dhe repriza e parë që do të jepet më datën 30 Mars, me fillim prej orës 19:30. / KultPlus.com
Shfaqja “Antigonat” me regji të Erson Zymberit po vjen premierë në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, në Gjakovë si një lexim i ri, ndoshta edhe arbitrar, i një rrëfimi mirë të njohur, të dëgjuar e parë shpesh edhe në skenë, përcjell KultPlus.
“Në një shkrirje të qëllimshme të dy dramave (të Sofokliut dhe Jean Anouilh), ne kemi krijuar një lëndë skenike të re, më të dendur, e të cilën e kemi plotësuar e qëndisur “me pak dhimbje të freskët – sa për të dëshmuar sërish e sërish, se fatet njerëzore përsëriten, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por mbi të gjitha, me këtë shfaqje, ne duam të tërheqim vëmendjen tek patriarkati, jo më vetëm si shtypës dhe si pengues i prosperitetit e zhvillimit shoqëror, por edhe si formë e shtypjes së njërës prej ndjenjave më sublime: domosdoshmërisë së njeriut për të kujtuar e për të mbajtur mend”, thuhet në njoftim.
‘Antigonat’ janë nënat, gratë e motrat tona të cilat me kurajo e vendosmëri e sfidojnë harresën, e sfidojnë arrogancën dhe përbuzjen shoqërore. Ato janë gra në zemrat e cilave gjenden muzetë e dhimbjes më të madhe njerëzore. Kur mbamendja jonë mund ta harroj pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e trishtimit, atë do të mund ta gjejmë sërish në sytë e zemrat e këtyre grave.
Shfaqja vjen premierë me datën 27 mars, e që ngjizë dy data, dy ditë, dy kujtime, njërën atë të ditës botërore të teatrit dhe tjetrën, ditën e zezë e të kobshme të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i është marrë burri dhe katër djemtë e saj. Të dy këto data, të cilat njashtu si dy maskat e teatrit shpalosin dhimbjen njerëzore dhe misionin e teatrit si platformë e medium i gjallë, i drejtpërdrejtë e i vërtetë, na bëjnë ndërtues’ e përgjegjës artistik dhe jo vetëm.
Pas premierës së 27 marsit në Pallatin e kulturës – Galeria e qytetit, “Antigonat” pason edhe me dy premiera të tjera më datë 28 dhe 29 mars duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com
Teatri i “Qytetit të Gjilanit” ishte i mbushur me emocione teksa u ngrit perdja në natën e hapjes së Festivalit të Dramës Shqipe“Talia e Flakës”. Çdo karrige ishte e zënë, ndërsa shikuesit e teatrit prisnin me padurim premierën e interpretimit vizionar të Fadil Hysajt të veprës “Fausti”, një bashkëprodhim i tre teatrove të njohur, “Teatri Kombëtar i Kosovës”, “Teatri i Qytetit të Gjilanit” dhe “Teatri Bekim Fehmiu” nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Shfaqja ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke e lënë audiencën të mahnitur nga bashkëpunimi krijues dhe përsosmëria artistike e shfaqur. Vendet ishin të mbushura me audiencë të etur dhe të emocionuar për të parë fundin, një dëshmi e fuqisë së performancës dhe tërheqjes së përjetshme të historisë së Faustit, duke shfaqur gjenialitetin e profesorit dhe regjisorit Fadil Hysaj. Ndërsa perdja ngrihej, ajri ishte i dendur nga pritjet, një ndjenjë që vetëm sa u intensifikua ndërsa historia u shpalos. Ishte një natë për t’u mbajtur mend, ku publiku ishte i zhytur plotësisht në histori, sytë e tyre të ngjitur pas skenës, zemrat e tyre rrahnin në sinkron me kolonat zanore të shfaqura mjeshtërisht nga Memli Kelmendi, si kompozitor i shfaqjes.
“Koha është një shoqëruese që udhëton bashkë me ne. Ajo na kujton të vlerësojmë çdo moment, sepse nuk do të vijë më. Ajo që lëmë pas nuk është aq e rëndësishme sa mënyra se si kemi jetuar.” – Jean Luc Picard.
Koha është një thesar gjithmonë në lëvizje por e cila nuk ka çmim, një thesar që duhet ruajtur dhe shpenzuar me mençuri. Por për Dr. Faust, kjo fjalë e urtë e vjetër ka pak peshë. I bllokuar në një cikël mospërmbushjeje, ai e gjen veten në një udhëkryq, përballë një zgjedhje që ka pllakosur mendjet e njerëzve gjatë historisë – të bëjë një marrëveshje me djallin për një shans kalimtar nga pendimi?
Dr. Faust, personazhi titullar i dramës klasike të Gëtes, është një personazh kompleks dhe shumëdimensional, rrugëtimi i vetëzbulimit dhe shelbimit të të cilit shërben si pasqyrim i përvojës njerëzore. Ai është një njeri që, pavarësisht shkëlqimit dhe intelektit të tij, e gjen veten të paplotësuar dhe në kërkim të diçkaje më shumë. Kjo turbullirë e brendshme e shtyn atë të bëjë një marrëveshje me djallin, Mefistofelin, që shërben si katalizator për transformimin e tij dhe në kontratë përfshihen njohuritë e pakufizuara dhe kënaqësitë të pafundme në këtë botë, në këmbim të shpirtit të Faustit.
Ajo që pason është një zbritje në humnerën e shpirtit të Faustit, ndërsa ai kënaqet në fillim, grumbullon pasuri, fuqi dhe përjeton majat e kënaqësisë dhe famës, me kalimin e viteve, Fausti fillon të kuptojë boshllëkun e ndjekjeve të njëpasnjëshme të tij dhe ai zhgënjehet gjithnjë e më shumë me jetën që ka zgjedhur.
Ndërsa shfaqja arrin kulmin e saj dramatik, Dr. Faust e gjen veten në një pikë kthese, i detyruar të përballet me pasojat e tmerrshme të veprimeve të tij dhe të bëjë një zgjedhje fatale midis shëlbimit dhe dënimit të përjetshëm.
Udhëtimi i tij shërben si një pasqyrë për përvojën njerëzore, si një simbol i luftës së përjetshme me tundimin dhe kërkimin e pafund për përmbushjen dhe kuptimin e jetës së tij. Dr. Fausti shërben si një përrallë paralajmëruese, një kujtesë e rreziqeve të ambicies së pakontrolluar dhe rëndësisë që vendimet në jetën e një njeriu luajnë.
Por përralla e Faustit nuk ka të bëjë vetëm me udhëtimin e një njeriu, ai gërmon më thellë në gjendjen njerëzore, duke eksploruar kërkimin e përjetshëm për qëllimin dhe zgjedhjet që formojnë fatin tonë.”
Pasi shfaqja zgjati mbi dy orë, radhën e kishte debati me dy panelistët e rregullt, Josif Papagjoni – autor i dhjetëra librave për teatër e dramë, si dhe Trina Hoti, sociologe. Në debat u përfshi edhe përfaqësuesi i shfaqjes, regjisori Fadil Hysaj dhe gazetarët e publiku.
“E vlerësoj lart shfaqjen e bazuar si inspirim në kryeveprën botërore. Për mua, regjisori Fadil Hysaj është regjisor filozof dhe i jashtëzakonshëm në punën që ai bën”. – deklaroi Papagjoni.
Kurse Hoti u shpreh se, shfaqja “Fausti”, kap tema të gjera, por një gjë me rëndësi është të thuhet se, “dija ka ndryshuar nëpër periudha të ndryshme historike, por sot, dija është e cenuar, kjo dija e klikuar, madje dija është fetishizuar, sipërfaqësore dhe jo e thellë”.
Si përfundim, shfaqja e “Faustit” në Teatrin e “Qytetit të Gjilanit” pati një sukses të jashtëzakonshëm, me publikun e përfshirë plotësisht në histori dhe me një lojë të jashtëzakonshme nga kasti.
Skenat e ndërlikuara, aktrimi i jashtëzakonshëm dhe regjia mjeshtërore kontribuan në një përvojë të paharrueshme teatrale. Ndërsa perdja mbyllej, publiku shpërtheu në duartrokitje, një dëshmi e suksesit të performancës dhe triumfit të bashkëpunimit krijues dhe ekselencës artistike.
Ndërkaq, aktori Adrian Morina, i cili luajti rolin e Mefistos, tha për KultPlus, që e llogarit veten me fat që në ka luajtur në dsisa prej kryeveprave të dramaturgjisë.
“E llogaris veten me fat që në vazhden e disa prej kryeveprave të dramaturgjisë, përfshirë Malvolion e “Natës së 12-të”, Napoleonin te “Ferma e kafshëve”, Egjisitin në “Bordel Ballkan”, tani pata fatin që të jem pjesë e “Faustit”, aq më tepër që pata mundësinë të portretizoj Mefiston”, shprehet aktori.
Morina, tutje flet edhe për rolin e tij, duke e cilësuar atë si një personazh të adhurueshëm prej aktorëve, por vështirë të zbërthyeshëm e shumë vështirë për t’u analizuar.
“Mefisto është një personazh i adhurueshëm prej aktorëve, vështirë i zbërthyeshëm e shumë i vështirë për t’u analizuar, kompleks për t’u interpretuar dhe shumë i lehtë për t’u klishezuar”, thotë ai.
Qasjen e profesorit Fadil Hysaj dhe insistimin e tij për të realizuar një Mefisto të “padjallëzuar” e sheh si të suksesshëm me vlerësimet që ka marr nga kolegët dhe duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallë.
“Kaq të “lirë” jemi ne aktorët. Dy-tri fjalë miradie nga kolegët, pesë minuta duartrokitje nga publiku dhe harrojmë të gjitha vështirësitë”, thotë tutje Morina.
Sa i përket procesit të provave, aktori shton se ka qenë një periudhë shumë e shkurtër për t’u përgatitur, ndërkaq e vlerëson si një proces të lodhshëm, stresues, e intenziv”, duke shtuar gjithashtu se është hera e parë që ka punuar me profesorin Hysaj, i cili përveç si regjisor është edhe autori i “Faustit” (duke u bazuar në Gëthen dhe Marloun).
“Dua të falënderoj nga zemra kolegët e shfaqjes për korrektësinë, edukatën, profesionalizmin e mbi të gjitha dashninë që e kemi dhuruar përgjatë kësaj kohe, pasi kemi kaluar shumë kohë në proces të provave në Gjilan dhe 24/7 kemi menduar për “Faustin”. Ky projekt nuk do të ndodhte, padyshim, pa angazhimin e tre teatrove. Mbi të gjitha, ky projekt nuk do të ndodhte pa dashninë që e kemi dhuruar ndaj njëri-tjetrit”. tha ai për KultPlus.
Sipas tij, Festivali “Talia e Flakës” është një prej festivaleve të vetme të profilizuara në Kosovë dhe si festival i vetëm i dramës shqipe.
“Pa dramë shqipe, kombëtare, s’mund të kemi as teatër kombëtar. E gjithashtu, është një kënaqësi të jesh në Gjilan. Publik i jashtëzakonshëm, mikpritës dhe i dashur. E kur bëhet fjalë për “Flakën e Janarit”, atëherë mund të them, pa modesti, se ia kemi qitë flakën “Flakës”, thotë në fund Morina.
Duartrokitjet e publikut ishin të pafundme, si një tregues i qartë se sa shumë u kënaq publiku dhe sa mirë u luajt shfaqja.
Shfaqja është e bazuar në veprën e J. W. Gëtes dhe Ch. Marlosë, me autor dhe regjisor Fadil Hysajn, me asistent regjie Ekrem Sopin, me koreograf Robert Nuhën, asistente koreografie, Lavdije Idrizin, skenograf Mentor Berishën, kostumograf Youliana Voykovan, kompozitor Memli Kelmendin, dizajner të dritave Yann Perregaux-in, video-imazhet nga Ujkan Hysaj, mjeshtër zërimi Flamur Krasniqin, grimin nga Minivere Fejzullahi, dizajnin grafik nga Bekim Korça, organizator dhe rekuiziter Suad Berisha, realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti; asistentë teknikë Kenan Gurgurovci dhe Qëndrim Kqiku, dritat nga Fatmir Halili dhe Alban Limoni, e realizatorë të kostumeve, Bahrije Kurtalani dhe Anila Gashi.
Në “Faust” morën pjesë aktorët dhe aktoret vijuese: Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Aurita Agushi, Shpetim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha & Alban Morina. /KultPlus.com
Me regji të Florent Mehmetit, skenar të Lirak Çelajt, shfaqja “Inspektor Limi” do të shfaqet në Londër më 17 dhe 18 shkurt, shkruan KultPlus.
Inspektori më i famshem i Shërbimit Sekret të Kosoves (SHRBMTSKRTKSV), Lirim Berisha, dërgohet në misionin e tij më t’rrezikshmin, dhe me gjasa misionin e tij të fundit. A do t’jet ai i suksesshëm ta gjej kriminilein e vërtet ne mesin e banorëve të kafenes apo ai veq do t’pihet e bahet rrotë.
Në shfaqje luajnë aktorët e njohur sikurse: Adrian Morina, Nëntor Fetiu, Kushtrim Sheremeti, Kastriot Grajqevci, Daniela Markaj dhe Lirak Çelaj
Detajet e shfaqjeve si dhe rezervimit të biletave mund t’i gjeni duke klikuar KËTU. Për rezervimet e hershme përfitoni zbritje duke përdorur kodin BILBILI20 gjatë blerjes.
Teatri “Oda” është shtëpia e kësaj shfaqje, në të cilën ka pasur disa repriza. /KultPlus.com
Nata magjike” është shfaqja e parë për fëmijë ndër vite që ngjitet në skenën e teatrit të Gjirokastrës. Për Ledia Çelin, kjo është eksperienca e saj e parë regjisoriale.
Fabula që merr jetë në një dhomë gjumi fëmijësh mbushi me fantazi fëmijërore skenën ku përbindëshat dhe zanat, frika dhe ëndrra takohen kur bie muzgu.
Për herë të parë aktorët u përzgjodhën nga shkollat 9-vjeçare të qytetit duke hedhur edhe një hap në drejtim të evidentimit të talenteve në fushën e aktrimit.
Fëmijët aktorë që punuan rreth dy muaj për shfaqjen flasin për magjinë e roleve dhe pasionin e tyre për teatrin.
“Nata magjike” është një shfaqje shfrymëzuese dhe e gëzuar, një mesazh mirësie, besimi tek ëndrrat, dashurie për njëri-tjetrin dhe një ngjarje që po ndiqet nga qindra fëmijë e të rritur në prag të festave. Top Channel /KultPlus.com
Teatri Alternativ po fillon në Qendren ‘Defy them’ që nga data 24 nëntor.
Teatri do t’i hap dyert me shfaqjen “Nuk raportova” e cila është e bazuar në histori të vërteta, të cilat gratë dhe vajzat i kanë ndarë në rrjete sociale. Qëllimi i shfaqjes është të adresohet problemi i dhunës ndaj grave dhe vajzave. Interpretimi zhvillohet në katër gjuhe: shqip, serbisht, anglisht dhe turqisht.
“Ne duhet të flasim në emër të të gjitha grave të vrara, në emër të të gjitha vajzave dhe grave të dhunuara, në emër të të gjithë atyre që NUK KANË RAPORTUAR. Motra, ngrihuni, të bërtasim së bashku, klithma jonë nga shpirti duhet të dëgjohet nga i gjithë Ballkani.”
Shfaqja është realizuar në Prizren, Tiranë, Beograd, Zajeçar dhe Pula (Kroaci)”, thuhet në njoftim.
Shfaqja vjen më datë 24 nëntor 2022, në ora 20:00, tek Qendra e Kulturës Alternative ‘Defy Them”, Bregu i Diellit. Projekti është i mbështetur nga Reconstruction Women’s. / KultPlus.com
Qendra Multimedia ka njoftuar se Kosovo Theatre Showcase fillon nesër më 25 tetor, 2022 dhe do të vazhdojë deri më 29 tetor, përcjell KultPlus.
Kosovo Theatre Showcase sjell disa nga prodhimet më të mira teatrore të vitit të fundit në Kosovë, para një audience ndërkombëtare prej më se 60 mysafirëve nga mbi 20 vende të Evropës, SHBA-ve dhe Azisë. Në edicionin e sivjetmë do të jepen 11 shfaqje të prodhuara nga teatro publike e të pavarura të Kosovës, ndër to edhe dy shfaqje mysafire nga Serbia e Bosnia dhe Hercegovina.
Në kuadër të programit të sivjetëm do të organizohen edhe panele, lexime e ngjarje të tjera rrjetëzuese.
Kosovo Theatre Showcase është ngjarje vjetore e teatrit e cila çdo vit mbledh në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës programues festivalesh, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit. Para publikut shfaqen rreth 10 shfaqje e performanca teatrore nga Kosova, dhe rreth 5 të tjera nga rajoni dhe Evropa ― në një program përcjellës të ‘shfaqjeve mysafire’.
E kuruar nga Qendra Multimedia dhe e organizuar në bashkëpunim me teatro e asociacione të tjera teatrore, kjo platformë skenike synon që për çdo vit të sjellë disa nga krijimet më mbresëlënëse dhe të arrira të teatrit në Kosovë. Mysafirët e showcase-it, përpos që njihen për së afërmi me shfaqje të prodhuara në Kosovë ― një vend me një nga skenat më vitale e vibrante në Ballkan ― kanë mundësinë edhe të ndërveprojnë me krijuesit vendorë të teatrit përmes diskutimeve, paneleve e programeve përcjellëse. / KultPlus.com
Shfaqja “Top Girls”, dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.
Teatri Dodona në bashkëpunim me Artpolis – Art and Community po sjellin premierën e shfaqjes “Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.
“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.
Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.
Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.
Premiera e shfaqjes vjen më datë 18 tetor, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”.
“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com
Kur zhvendoseni në një vend të ri, ju largoheni nga zona juaj e rehatisë dhe zgjeroni kufijtë tuaj. Dhe le të jemi të sinqertë: është sa e frikshme, aq edhe emocionuese. Kështu ka vendosur të ‘udhëtojë’ kultura jonë sepse sfidat dhe emocionet e udhëtimit ishte e sigurtë që do t’i gjente në mesin e bashkatdhetarëve tanë në Austri, të cilët padyshim janë të etur për kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.
Ishte shfaqja e suksesshme ‘Hollyshit’ e regjisorit Ilir Bokshi, me producente Albulena Kryeziu Bokshin dhe aktorët Adrian Morina e Ylber Bardhi, e cila pas jehonës së madhe që pati pasi u shpërblyer me çmimin për regjinë dhe aktori më të mirë në festivalin ‘’KoKo Fest’’ dhe prezantimin në vendin e njohur si “Producers Club Theaters’’ në New York, kësaj radhe mori rrugën e para për të nisur një turne shfaqjesh në Austri, si pjesë e projektit “Kultura në turne”.
Muaji shtator e dërgoi tragjikomedinë e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones në katër lokacione të ndryshme në Austri ku secila shfaqje mbushi sallën dhe solli emocione të mëdha.
“Kultura në turne”, ka për qëllim të krijojë një itinerar udhëtimi dhe prezantimit të kulturës shqiptare, me fokus në krijimtarinë artistike bashkëkohore (skenike dhe pamore), në të gjitha shtetet federale të Austrisë.
Dhe për këtë udhëtim të parë kulturor që rezultoi shumë i suksesshëm, në një intervistë për KultPlus, ka folur Ermal Vejsa, një prej bashkëthemeluesve të organizatës “kâ”, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme në këtë aspekt.
KultPlus: Shfaqja teatrore ‘Hollyshit’ me regji të Ilir Bokshit pati një turne në Austri, si pjesë e projektit ‘Kultura në turne’, si erdhi ideja e këtij projekti?
Ermal Vejsa: Ishte një dëshirë e kamotshme e ‘kâ’ që të sjellim shfaqje teatrore në gjuhë shqipe në Austri, pasiqë na mungonte dhe mendonim se gjithë komuniteti ynë këtu kishte nevojë. Paralelisht duke luajtur me këto mendime, dëshira ishte që ajo shfaqje të arrinte edhe tek komuniteti shqiptar në pjesët tjera të Austrisë, jo vetëm në Vjenë.
Zgjeruam kështu konceptin duke krijuar një projekt të quajtur ‘Kultura në turne’, në mënyrë që krijimtarinë shqiptare qoftë atë bashkëkohore apo të trashëguar (dmth. jo vetëm teatrin), ta dërgonim në udhëtim për t’a prezantuar gjithandej Austrisë. Ftuam kështu në bashkëpunim edhe disa shoqata tjera shqiptare nga Salzburg, Linz dhe Graz (Organizata austriako-shqiptare ‘Aleksander Moisiu’, Unioni i Femrave Shqiptare të Diasporës dhe Këshilli Koordinues për Steiemark), duke krijuar kështu një rrjet bashkëpunimi i cili do të lehtësonte realizimin e këtij projekti tej mase.
KultPlus: Cili është qëllimi i këtij projekti?
Ermal Vejsa: Qëllimi është që fillimisht publikut shqiptar, pastaj atij austriak dhe të huaj, t’i shfaqen shembujt më interesant të krijimtarisë artistike nga hapësira kulturore shqiptare, duke ngritur kështu standardin e prezantimit, komunikimit dhe shkëmbimit kulturor këtu në Austri. Kjo patjetër për të ndihmuar zhvillimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm kulturor të komunitetit shqiptar këtu dhe patjetër për të mbajtur lidhjen me vendin tonë amë.
KultPlus: Pse është përzgjedhur pikërisht komedia ‘Hollyshit’ për të nisur këtë turne?
Ermal Vejsa: Fillimisht kemi dëgjuar kritika shumë pozitive rreth kësaj shfaqjeje teatrore. Pasi kemi parë përmbajtjen, kemi vendosur përfundimisht që ta fillojmë projektin me këtë shfaqje, sepse na dukej sikur mishërohej me komunitetin tonë këtu dhe mund të ndikonte për t’mirë.
Pavarësisht që shfaqja cilësohet si komedi dhe për nga forma e të shprehurit është tejet provokuese, ajo tregon diçka shumë më të thellë, që është dhimbja e lufta e atij komuniteti të vogël irlandez në marrëdhënie me super-industrinë filmike të Hollywood-it të cilën kishin angazhuar pothuajse gjithë fshatin si figurantë (statistë) në film. Aty shfaqej dëshira e flaktë e dy aktorëve irlandez të punësuar vetëm si figurantë për të çarë në karrierë, lufta me paragjykimet, keqshfrytëzimin, mosrespektin, shtypjen, etj. Por, si përfundim tek ta triumfon lidhja me njëri-tjetrin, vetëdija dhe rezistenca e tyre kulturore.
E gjithë kjo histori komplekse shfaqet në skenë përmes lojës së jashtëzakonshme të vetëm dy aktorëve Adrian Morina dhe Ylber Bardhi, të cilët luajnë më shumë se 25 personazhe të ndryshme, në një paraqitjeje skenike tejet të thjeshtë dhe me vetëm disa rekuizita të thjeshta që i kishin sjellë në dy valixhe të vogla nga Kosova. Kjo shfaqje mbi të gjitha shfaq gjenialitetin dhe talentin e regjisorit Ilir Bokshi.
KultPlus: Cilat ishin vendet që u prezantua shfaqja?
Ermal Vejsa: Shfaqja ‘Hollyshit’ u shfaq për katër ditë me radhë, së pari në Salzburg me datë 21 shtator në Kleines Theater; pastaj në Graz me datë 22 shtator në Kulturhaus Gratkorn; në Linz me datë 23 shtator në Central Linz dhe shfaqja e fundit ishte në Vjenë me datë 24 shtator në Odeon Theater.
KultPlus: A haset në vështirësi për të siguruar hapësirat (teatrin) në Austri, sa ishin bashkëpunues duke pas parasysh që ishte një shfaqje në gjuhën shqipe?
Ermal Vejsa: Për të realizuar një shfaqje këtu është shumë vështirë, lëre më një turne të tillë me një intensitet të madh siç ishte ky i shfaqjes ‘Hollyshit’, ku përveç sigurimit të hapësirave, shfaqjet duhej edhe të realizoheshin 4 ditë me rend.
Sa i përket Vjenës, kemi hasur në një bashkëpunim shumë profesional me teatrin Odeon, të cilëve ju kemi dërguar materialet e nevojshme dhe e kanë vlerësuar shfaqjen duke e pranuar në programin e tyre. Gjithsesi, dëshira jonë ishte që të arrinim ta përkthenim shfaqjen në ndonjë formë simultane në gjuhën gjermane, por shpejtësia dhe intensiteti i komunikimit që bëjnë aktorët në skenë ishte e pamundur të ndiqej me përkthim.
KultPlus: Sa ishte interesimi nga ana e publikut shqiptar në Austri?
Ermal Vejsa: Në të katër qendrat ku është luajtur shfaqja, interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjë që tregon se publiku shqiptar e do shumë teatrin dhe se ideja për të prezantuar një shfaqje teatrore ishte e qëlluar.
Posaçërisht në Vjenë kemi pasur mbi 270 persona në publik dhe salla e teatrit ofronte max. 286 vende. Kishim poashtu prezent përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, si Ambasadorin e Shqipërisë në Vjenë z. Roland Bimo, Konsulin e Ambasadës së Kosovës në Vjenë z. Jeton Maliqi, mikun e shtetit të Kosovës eurodeputitetin z. Lukas Mandl, i cili u shpreh që është shumë falënderues që po sjellet kultura nga hapësira kulturore shqiptare, pasiqë sipas tij, ajo pasuron Vjenën, Austrinë dhe jo vetëm aq.
KultPlus: Cilat ishin përshtypjet e publikut në fund dhe sa u ndatë i kënaqur ju si organizator?
Ermal Vejsa: Pas shfaqjes publiku ishte pothuajse i ngazëllyer dhe me komplimente tejet pozitive rreth shfaqjes. Vërejtëm që edhe provokimet që krijonte shfaqja nuk kishin mbetur pa lënë shenj te publiku dhe ishin hapur disa tema të ndryshme. Ajo çfarë shihej gjatë diskutimeve me vizitorët pas përfundimit të shfaqjes, ishte që secili interpretonte aspekte të ndryshme të shfaqjes në mënyrën e vet: dikush komentonte çështjen e të folurit dhe ruajtjes së dialektit gjë e cila tematizohet shumë në shfaqje, dikush dhimbjen dhe vuajtjen që arrihej të shfaqej përmes një komedie, dikush për formën se si sfidat dhe nënshtrimi që përjetonin dy rolet kryesore në shfaqe tejkaloheshin me humor, etj. etj.
I gjithë reagimi i publikut, qoftë përmes fjalëve falënderuese, këshillave, komplimenteve e kritikave konstruktive, e sidomos duke komentuar e interpretuar tematikat e shfaqjes, ishte njësi matëse e suksesit për neve si organizatorë.
KultPlus: Cili do të jetë projekti i radhës që mendoni ta prezantoni para publikut shqiptar në Austri?
Ermal Vejsa: Tani vjen muaji nëntor dhe sigurisht që nuk do të mund ta lëmë të kalojë pa e shënuar dhe festuar 28 Nëntorin shqiptar. Prandaj këtë vit, shpresoj ta përfundojmë me një prezantim të muzikës qytetare shqiptare me grupin Don’t Listen to Your Neighbours dhe albumin e tyre të dytë ‘Udhëtim në kohë’. Për çdo gjë do të informoheni sigurisht përmes rrjeteve sociale të KÂ, prandaj ju ftojmë të na përcillni.
KultPlus: Ermal, kjo nuk është iniciativa e parë nga ju sa i përket promovimit të kulturës shqiptare në Austri, nga i gjithë ky vullnet?
Ermal Vejsa: Nga dashnia e madhe që kemi për kulturën, artin dhe traditën tonë dhe nga besimi i madh që kemi në to.
Me rëndësi, unë gjithmonë flas në shumës, sepse që nga aktiviteti i parë, akoma pa e themeluar KÂ-në, unë çdo gjë e kam realizuar në bashkëpunim me Lirjetë Avdiun, (bashkëthemeluese dhe bashkudhëheqëse e KÂ). Një person që e do dhe njeh shumë mirë kulturën shqiptare, e cila është e profesionalizuar në ruajtjen e trashëgimisë duke qenë edhe anëtare e ICOMOS, ndërkohë që unë shkollimin profesional e kam në menaxhim të kulturës. Dmth., asgjë e bukur nuk arrihet vet. Ne kemi arritur të bashkëpunojmë me sukses gjithnjë duke shtyrë njëri-tjetrin përpara dhe këtë frymë mundohemi ta përcjellim edhe tek e gjithë anëtarësia dhe mbështetësit e KÂ. / KultPlus.com
Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.
Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.
Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.
Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.
Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.
Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.
“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
‘DUR GUR MUR’ me regji të Genc Jakupit do të luhet sot me fillim nga ora 20:00 në Kino Armata.
Kohëzgjatja e shfaqjes është 10 minuta.
Shfaqja do të pasohet me pyetje dhe përgjigje mes publikut dhe regjisorit dhe aktorit kryesor, pas së cilës filmi do të shfaqet edhe tre herë të tjera.
DUR GUR MUR ndjekë një djalë të vogël teksa endet rreth një stacioni treni të braktisur. Duke përdorur një gjuhë kinematografike surreale dhe jolineare, regjisori Genc Jakupi hulumton raportin mes trashëgimisë së errët dhe kujtesës, duke marrë si pikënisje kujtimet e veta të përjetimit të deportimit në Bllacë gjatë luftës së viteve ‘98-99.
Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHwB Kosova.
Çmimet: Aktori më i mirë – Filma me metrazh të shkurtër: Ersin Muhaxheri / Ficimad 2022
Rreth Genc Jakupit: Genc Jakupi është një aktor shqiptaro-amerikan. Gjatë viteve të adoleshencës, ai u transferua në New York City nga Prishtina e Kosovës dhe vazhdoi pasionin e tij për aktrimin dhe performancën duke u regjistruar në studion e famshme Herbert Berghof. Ndërsa studionte atje, ai u bë pjesë e ansamblit dhe mori pjesë në shumë shfaqje si “Ora amerikane” e Arthur Miller dhe “Lamtumirë e gjatë” e Tennessee Williams. Pas qëndrimit në Nju Jork, ai vazhdoi shkollimin për teatër në Londër, duke ndjekur kurse në Lamda. Më pas, nga viti 2016, ai u regjistrua në Paris Ecole Internationale de Théâtre Jacques Lecoqr. Që nga krijimi i saj, shkolla ka arsimuar shumë aktorë të njohur teatri nga e gjithë bota.
Pas përfundimit dhe diplomimit të programit intensiv 2-vjeçar në Lecoq në vitin 2018, Genci më pas u kthye në Kosovë për të luajtur rolin kryesor të Flamurit në filmin artistik Drita, i cili pati premierën e tij në Festivalin e Filmit të Cyrihut. Projekti i tij i radhës e detyroi atë të shkruante dhe drejtonte një film të shkurtër të quajtur DUR GUR MUR i cili tregon një histori të një djali të ri që udhëtonte nëpër një stacion treni. Filmi pati premierën e tij në festivalin e filmit kosovar Dokufest. Krahas projekteve të sipërpërmendura, Genci ka pasur paraqitje në filma artistikë për Bleed for This, You Won’t Be Alone, krahas Miles Teller dhe Noomi Rapace përkatësisht.
Genci aktualisht jeton dhe punon në Los Angeles. / KultPlus.com
Shfaqja “Balkan Bordello”, një bashkëprodhim mes Qendres Multimedia dhe teatrit La MaMa (SHBA); Atelie 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi) është vlerësuar si shfaqja më e mirë në edicionin e sivjetmë të Nisville Jazz Theater Festival në Nish të Serbisë.
Më poshtë po ju sjellim vlerësimin e jurisë të përbërë nga: Jocelyn Pook, Nataša Gvozdenović, Igor Burić.
“Juria ka vendosur se çmimi për shfaqjen më të mirë duhet t’i shkojë shfaqjes “Balkan Bordello” nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt, prodhuar nga La MaMa Neë York në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, Atelie 212 dhe My Balkans.
Kjo shfaqje e bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, në dramaturgjinë e vet mbërthen edhe momentumin bashkëkohor të historisë së Evropës, sidomos atë të Ballkanit ku luftërat e fundit kanë lënë shumë pasoja. Shfaqja përfaqëson një punë të jashtëzakonshme të artistëve të cilët arrijnë jo vetëm të rrëfejnë tregimin por edhe të na ftojnë thellë brenda botës së përplasjeve ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, burrave dhe grave, të shenjtëve dhe njerëzve të zakonshëm, lindjes dhe perëndimit. Të gjitha elementet e produksionit janë të mirë-balancuara dhe udhëhiqen nga një aktrim briliant e i sinqertë”.
Shfaqja do të vazhdojë turneun veror në Ohrid Summer Festival (10 gusht); në KotorArt International Festival (12 gusht) dhe Ëild Beauty Art në Zabljak (13 gusht). / KultPlus.com
Me një sukses të jashtëzakonshëm u përmbyllë edicioni i parë i “PrizrenFest”, me shfaqjen nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere”, një nga komeditë më të bukura të Shekspirit, e që me një energji fantastike, e me ngjyrime që bënin publikun të futet në magjinë që krijonin skenat në vazhdimësi, përcjellë KultPlus.
Nën regjinë e Driada Dervishit dhe në interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, shfaqja ofroi teatër brenda teatrit, një botë ku ëndrra bëhet zhgjëndërr teksa zhvillohet në kufijtë mes reales dhe fantazisë.
Trillimi fantastik shekspirian i ndërthurur me elementet e jetës së përditshme dhe një kostumografi e skenografi që të përfshinë në botën magjike të zanave dhe situatave plot humor, ishte po ajo magji që u soll në Prizrenfest nga shfaqja, “Ëndrra e një nate vere”.
E vënë në skenë enkas për ambient të hapur, komedia përmbushë ëndrrën e çdo artisti për të interpretuar nën yje, jashtë skenës statike të teatrit, por dhe të artdashësve të cilët duan të shijojnë magjinë e një nate vere nën pushtetin e artit, hënës dhe antikitetit. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur “PrizrenFest”, sonte e përmbyllë edicionin e parë, përcjellë KultPlus.
Pas katër netëve magjike që solli ky festival, duke sjellë 9 shfaqjet pjesëmarrëse, nga vende të ndryshme si Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Rumani, Shqipëria dhe Kosova me disa nga produksionet vendore, në natën fundit që përmbyllë këtë fillim rrugëtim të “PrizrenFest-it, është shfaqja nga Shqipëria, “Ëndrra e një nate vere” një nga komeditë më të bukura të Shekspirit.
Shfaqje vjen sonte duke filluar nga ora 20:30 në Kino Plato ( prapa Xhamisë Sinan Pasha) në Prizren. / KultPlus.com
Pas suksesit të turneut në SHBA, shfaqja “Balkan Bordello” prodhuar nga teatri prestigjioz i Nju Jork-ut La MaMa (SHBA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia (Kosovë), Atelje 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi), rikthehet në rajon për një turne në disa prej festivaleve më të rëndësishme verore.
Më 8 gusht në Nisville Jazz Teatar Festival në Nish (Serbi) Më 10 gusht në Ohrid Summer Festival në Ohër (Maqedoni e Veriut) Më 12 gusht në KotorArt International Festival në Kotor (Mal i Zi) Më 13 gusht në Wild Beauty Art Festival në Zabljak (Mal i ZI)
Balkan Bordello nga Jeton Neziraj dhe me regji nga Blerta Neziraj, u dha si premierë në Prishtinë më 3 nëntor, 2021 dhe vazhdoi me turne nëpër Kosovë, Shqipëri e Serbi. Në mars të vitit 2022, premiera amerikane në La MaMa në Nju Jork u përcoll me 10 shfaqje të tjera dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës teatrore evropiane e amerikane.
“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në triologjinë “Orestia” të Eskilit. Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entizuazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë. Bashkë me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë nje jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri.
Ja, ky është shtrati i kësaj drame, që me humor të zi, prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. Delli për shkatërrim i joshë, siç e joshë vdekja jetën. “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si makineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore.
Në shfaqje luajnë aktorët: Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, Ema Andrea, Adrian Morina, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser, Verona Koxha. / KultPlus.com
Festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “Prizrenfest”, mbrëmë shpalosi programin e natës së dytë të këtij edicioni të parë që po rezulton shumë i suksesshëm, përcjellë KultPlus.
Ishte historia rrëqethëse e një migranti që u shfaqë mbrëmë nëpërmjet rrugëtimit të tij sfidues dhe përjetimeve personale me shumë emocione.
Këtë rrugëtim po e barte mbi supe “PPP Ti Presento L’Albania (ITA)”, me regji nga Kaus Martini, e cila ishte shfaqja e parë që u prezantua në natën e dytë të “PrizrenFest”.
“PPP po ju prezentoj Shqipërinë”, është një kombinim, monodramë me histori autobiografike, fragmente të shkruara nga Pasolini dhe ripunime autoriale.
Me një skenografi modeste por shumë domethënëse, me një kombinim të gjuhëve mes italishtes dhe shqipes, nisë një korrespondencë imagjinare që shtynë djaloshin të rrëfejë për emigrimin e prindërve, për legjendat që ia kanë përcjellur gjyshërit dhe për vallet e ritualet që i japin ritëm jetës në fshat.
Në të njëjtën kohë, i shtyrë nga rigjetja e Pasolinit në atdheun e nënës së tij, alter egoja transparente e Klaus Martinit nxiti rigjetjen e tij në një botë nga e cila ishte ndarë qe fëmijë, e që tani e kishte harruar dhe shtypur për hirë të një integrimi të ri.
Duke korresponduar me përjetimet e të pranishmëve në audiencë, duartrokitjet për aktorin Kaus Martini nuk u ndalën.
Por emocionet nuk u ndalën këtu. Mbrëmja vazhdoi me interpretimet brilante të aktorëve të shfaqjes “Ora e Vdekjes” nga regjisori i njohur kosovar, Ilir Bokshi, dukë bërë kështu që publiku të përjetojë jo vetëm shfaqjen dhe hapësirat e burgut, por edhe përjetimet e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri.
Shfaqja përfshinë edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri.
Me emocione të përziera, e të fuqishme, shfaqja trajton jetën, moralin, identitetin, fatin, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.
“Ora e Vdekjes” ishte shfaqja e dytë e cila u mirëprit nga publiku në natën e dytë të edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur në Kosovë, “Prizrenfest”, i cili po vazhdon të mbahet në Prizren.
Në natën e tretë të festivait, me 2 gusht në Prizren, do të shfaqen Italia, duke filluar nga ora 20:30 dhe Romania, në ora 21:30. / KultPlus.com