BallkanFest, edicioni i 8-të i festivalit folklorik ndërkombëtar, në Prizren

Festivali multietnik i këngëve tradicionale dhe folklorit “BallkanFest”, përmbylli edicionin e tij të 8-të, në Prizren.

Festivali bëri bashkë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, mbi 250 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje: Shqipëria, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, si dhe të ftuarit special që vinin nga nga Lugina e Preshevës.

Qëllimi i festivalit “BallkanFest” është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore.

Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren” dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte një nga mbështetetësit kryesorë të tij. / KultPlus.com

Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset
Processed with VSCO with m5 preset

Festivali folklorik i Ballkanit, 400 pjesëmarrës mblidhen në Durrës

Nën moton “këndojmë e kërcejmë nëpër botë”, mbi 400 pjesëmarrës të grupeve folklorike nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës i dhuruan Durrësit një spektakël ngjyrash dhe tingujsh, duke shpalosur traditën e tyre përmes këngës dhe valleve popullore.

Sheshi “Liria”, në qendër të qytetit bregdetar u shndërrua, në një skenë të hareshme ku ansamblet nga krahina të ndryshme të vendeve pjesëmarrëse mbajtën mbërthyer publikun me vallet, këngët dhe larminë e kostumeve popullore.

“Këtë herë kemi 18 grupe folklorike nga vende të Ballkanit dhe Europës, si Lituania, Polonia, Rumania, Bosnje Hercegovina, Kroacia etj. Çdo grup ka mundësinë të prezantojë kulturën dhe traditat e veta. Jo vetëm kaq ata kanë mundësinë të jenë bashkë dhe të shkojnë në plazh, vizitojnë monumentet antike, Amfiteatrin dhe disa kanë zgjedhur të vizitojnë dhe qytete të tjera, si Tirana dhe Kruja.” tha organizatori Zoran Leveski.

Mbrëmjen e kaluar, festivalin e folklorit shume kulturor e çeli një grup fëmijësh nga Bullgaria, të ndjekur nga Ukraina që sollën ritme të gëzuara të festave dhe kërcimeve tradicionale.

“Jemi nga Ukraina dhe erdhëm këtu për të kërcyer në këtë festival. Na pëlqen shumë këtu dhe po e shijojmë veçanërisht detin. Do të qëndrojmë dhe 5 ditë të tjera.”

“Jemi nga Bosnje Hercegovina dhe kemi ardhur për të kërcyer vallet tona tradicionale. Është hera e parë dhe është kënaqësi të jesh këtu. Vend shumë i bukur”, thanë vajzat nga Ukraina dhe Bosnja.

Përveçse artistë që mbajnë gjallë traditën dhe kulturën popullore të vendeve të tyre, ata janë dhe turistë që shijojnë gjithçka që mund të ofrojë Durrësi dhe Shqipëria gjatë sezonit turistik.

Aktivitete të këtij lloji gjallërojnë jetën artistiko-kulturore duke i dhënë banorëve dhe turistëve të shumtë të Durrësit mundësinë për të shijuar kulturën dhe traditat e vendeve të ndryshme, ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre.

“Nga Bullgaria jam dhe vetë. Kam gjyshen time. Shumë e kënaqur… ” , tha ajo.

Festivali ndërkombëtar i valleve dhe këngës folklorike do të rikthehet në Durrës edhe gjatë muajit gusht./Top Channel/KultPlus.com

Qarku i Fierit e Shkodrës në Festivalin Folklorik Kombëtar

 “Nga guna me rrëke e fustanella e Myzeqesë, te xhubleta hijerëndë e Malësisë”, kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti për natën e 6-të të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.

Mbrëmë në festival u paraqitën grupet folklorike nga Qarku i Fierit dhe i Shkodrës, të cilët sollën një paradë të jashtëzakonshme kostumesh, por edhe traditash e ritmesh e ritesh.

Albumi fotografik që ministrja Margariti ndau për këtë natë të festivalit, është nga më interesantët. Përveç larmisë së kostumeve popullore tradicionale, fotot rrëfejnë dhe për spektatorët që kanë mbushur kalanë, një pjesë e madhe e të cilëve dallohen qartazi që janë turistë të huaj.

Qëkurse nisi, në 24 qershor, festivali u kthye në një magnet vizitorësh vendas e të huaj. Përveç kalasë ku zhvillohet festa e madhe folklorike,turistët kanë mbushur edhe kalldrëmet e qytetit të Gjirokastrës, ku festa vazhdon edhe në oret e vona./KultPlus.com

Nata IV e Festivalit Folklorik: Serenatat korçare e dasmat krutane në skenë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotoalbumin e mbrëmjes së katërt të festivalit folklorik kombëtar, që po zhvillohet në Gjirokastër. Në skenën e ndërtuar tek Kalaja e Gjirokastrës, mbrëmjen e katërt u ngjithën grupe nga Korça, Kruja e Durrësi.

“Serenatat korçare, dasmat krutane dhe motivet e Durrësit përmbyllën natën e katërt të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër”, bënë të ditur Kryeministri Rama.

Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datë 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje.

Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës. Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.

Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 interpretuan gjatë ditëve të festivalit.

Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.

FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator, deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.

Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Rikthehet Festivali Folklorik, Rama: Kalaja Gjirokastrës e gjallëruar nga motivet e ritmet e këngëve dhe valleve

Në kalanë e Gjirokastrës nga 24 qershori deri në 1 korrik do të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, në të cilin do të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Duke e cilësuar një lajm të bukur rikthimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Rama tha se Kalaja e Gjirokastrës është zbukuruar e gjallëruar si me magji nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare.

Ky festival rikthehet pas tetë vitesh në Gjirokastër. Krahas vlerave kombëtare dhe artistike, festivalet folklorike në vite janë lidhur me vetë jetën e qytetit të gurtë dhe banorëve të tij.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./atsh/KultPlus.com

Festivali Folklorik, 1200 artistë nga të gjitha trevat do të mblidhen në Gjirokastër

Me motivin “Shqipëria vallëzon dhe feston” rikthehet pas 8 vitesh Festivali Folklorik i Gjirokastrës. Edicioni i 10 vjen sërish me synimin për të ruajtur dhe trashëguar vlerat folklorike të gjithë trevave, ku flitet e këndohet shqip.

Larmishmëria e aktiviteteve do të shtrihet në gjithë pikat kyçe të Gjirokastres, duke promovuar kështu edhe vlerat e qytetit të gurtë.
“Festivali do të zhvillohet nga data 24 qershor deri më 1 korrik 2023 dhe do të presë artistë dhe grupe artistike nga 12 qarqet e vendit, si dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj. Në skenën tradicionale të Kalasë do të ngjiten edhe grupe muzikore folklorike nga arbëreshët e Italisë, të shqiptarëve nga Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe SHBA. Të gjitha minoritetet dhe dëshmitë e tyre muzikore dhe koreografike janë të përfaqësuara në festival brenda grupeve të qarqeve përkatëse”, shprehet Elva Margariti, ministrja e Kulturës.

Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë rreth 1200 artistë e grupe të mirënjohura jo vetëm shqiptarë, por dhe ndërkombëtare . Për herë të parë festivali vjen me risi./KultPlus.com

Nis edicioni i XI i “Festivalit Folklorik” në Lezhë

Në qytetin e Lezhës është duke u zhvilluar edicioni i XI i “Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtarë i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë”.

Ky aktivitet, po zhvillohet në ambientet e Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aktiviteti ka nisur dje më data 9 nëntor në orën 18:00, dhe do të vijoi edhe sot më 10 nëntor ora 18:00. Ky edicion i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore.

Edicioni i XI organizohet nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale dhe Bashkia Lezhë.

Aktiviteti po zhvillohet duke respektuar masat anti-covid.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale./ KultPlus.com