Ndahen çmimet e Bienales së Karikaturës, Arben Meksi vlerësohet për “Jeta njerëzore është riciklim” (VIDEO)

Bienalja Ndërkombëtare e Humorit “Niko Nikolla, buzëqeshje ballkanike në Pogradec” ka mbyll siparin. Me tre çmimet e para u vlerësuan artistët nga Meksika, Luksemburgu dhe Shqipëria. Nga Shqipëria u vlerësua me çmim arkitekti Arben Meksi.

Për dy ditë radhazi në qytetin e Pogradecit u mbajt Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës. Aktiviteti i organizuar nga Flora Nikolla, organizatore e “Allbania Exellence” dhe karikaturisti i njohur Agim Sulaj bëri bashkë 600 karikatura të artistëve nga 50 vende të botës.

Gjatë ditës së parë të aktivitetit u zhvillua konferenca, “Karikatura, dje dhe sot, trend në  rritje”, ku diskutuan karikaturist, kritik arti dhe artistë të arteve pamore.
Ekspozita e Bienales Ndërkombëtare të Humorit “Niko Nikolla, buzëqeshje ballkanike në Pogradec” u çel në sheshin e trëndafilave të qytetit me 120 karikatura të përzgjedhura nga juria.

Gjatë natës së dytë u ndanë edhe tre çmimet kryesore dhe 6 çmime speciale.

Me çmim të parë u vlerësua artisti Angel  Boligan nga Meksika, me karikaturën me temë “Çekani dhe gozhda” dhe Pel Leurs nga Luksenbugu. Një nga dy çmimet e parë e mori arkitekti shqiptar Arben Meksi me karikaturën “Jeta njerëzore është riciklim”. Të gjithë karikaturistët e tjerë, fitues përshëndetën përmes videomesazheve këtë ceremoni.

Ndërsa, Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla”, që do të mbeten tanimë, si traditë për qytetin e Pogradecit mbështet nga Bashkia e qytetit edhe Ministria e Kulturës./ shqiptarja/ KultPlus.com