Mbi 60 vepra të reja i shtohen Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK.

Me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë te temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.

Këto vepra shihen si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.

Komisioni i jurisë profesionale për këto blerje është përbërë nga kuratore të shquara, përfshirë Övül Ö. Durmusoglu, kuratore, profesoreshë, HBK Braunschweig (Bashkëkuratore, Autostrada Biennale), Hana Halilaj, kuratore, Galeria Kombëtare e Kosovës, Joanna Mytkowska, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Cathrine Nichols, kuratore, Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart (Kuratore në Manifesta 14), dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve, Vera List Center for Art and Politics, The New School./ KultPlus.com

Ekspozita e katërt e grupimit artistik ‘Muri’ në Galerinë e Arteve

Grupimi artistik “Muri” i përbërë nga 11 artistë shqiptarë të Arteve pamore, çeli mbrëmë ekspozitën e katërt në Galerinë e Artit Tiranë. Artistët sollën punimet e tyre të fundit, të cilat i prezantohen publikut kryeqytetas për herë të parë.

Ekspozita ne GAT vjen e kuruar nga piktori Adi Devolli dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 maj.

Në të marrin pjesë Adrian Devolli, Arben Meksi, Fatmir Minga, Fatmir Tufina, Idriz Balani, Leon Çika, Luan Boriçi, Llambrini Dena, Marjana Goxhabelliu, Mira Kuçuku e Violeta Kongo.

Tematikat në punime kanë qenë të lira. Dy nga pjesëmarreset në ekspozitë janë qeramistet Mira Kuçuku dhe Llambrini Dena, Idriz Balani që është skulptor dhe autorët e tjerë janë piktorë./atsh/ KultPlus.com

Nis nesër edicioni i 8-të i Festivalit të Karikaturës

Nesër nis edicioni i 8-të i Festivalit të Karikaturës që organizohet nga Shoqata e Karikaturistëve “Hithi” në Ferizaj, përcjellë KultPlus.

Aktiviteti kryesor i këtij festivali do të jetë hapja e ekspozitës më datë 23 shtator në ora 19:00 në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Festivali përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkë me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj, si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës e Kosovës.

Ndryshe, ky festival do të zgjasë gjithsej tri ditë gjatë të cilave do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore. / KultPlus.com

Xhevdet Xhafa me ekspozitë personale në Tiranë

Të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, do të hapet ekspozita personale e artistit kosovar me renome Xhevdet Xhafa, shkruan KultPlus.

Ekspozita e kuruar nga James Walsmley, është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor në mes të Ministrive të Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ajo është organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë. Ekspozita personale e Xhevdet Xhafes shënon kështu bashkëpunimin në suaza të zbatimit të këtij kalendari të përbashkët kulturor në mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekspozita është një sjellje në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, sjellë po ashtu punë të papara më herët në publik. Veprat e Xhevdet Xhafes, të cilat janë të përfshira në këtë ekspozitë e titulluar Autobiografia reflektojnë punë nga krijimtaria e tij nga vitet ’60-ta.

Ekspozita hapet më 14 shtator me fillim nga ora 19:30./ KultPlus.com