Gati Festivali i Këngës Arbëreshe

Në San Demetrio Corone, i njohur si Shën Mitri, në Kalabri, do të zhvillohet edicioni I 40-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe.

Ky festival është ndër nismat e para dhe më të rëndësishme të organizuara nga shqiptarët e Italisë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore. Ai do të zhvillohet në datat 10, 11, 12 gusht. Festivali i arbëreshëve lindi si ide në vitin 1980, siç edhe ka nënvizuar krijuesi i kësaj ngjarjeje dhe juristi Giusseppe D’Amico, nga trashëgimia e pasur muzikore e arbëreshëve që përbëhej nga “vjershat” (këngë tradicionale) mjaft të përhapura tek të rinjtë. Në këtë mënyrë lindi nevoja dhe dëshira për të prodhuar këngë të reja si në tematikë edhe në ritme duke pasuruar muzikologjinë arbëreshe.

Ndër vite ky festival ka prodhuar qindra këngë të reja dhe ka promovuar në tregun muzikor, autorë e interpretues të rinj. Por njëkohësisht është bërë edhe “simboli” dhe “flamuri” i pasardhësve të Skënderbeut, një bashkësi e gjallë dhe moderne që ripërtërihet në traditë. / KultPlus.com

“Një histori nuk ndërpritet”, rikthehet Festivali i Këngës Arbëreshe

Arbëreshët e San Demtrio Corone nuk do të heqin dorë nga tradita e Festivalit të Këngës Arbëreshe.

“Një histori nuk ndërpritet, identiteti i njerëzve tanë nuk ndërpritet, ndaj më 21 gusht në San Demetrio Corone do të kthehemi të këndojmë dhe të kërcejmë në Arbërisht”, shkruajnë organizatorët e festivalit.

Festivali i parë i këngës së arbëreshëve është mbajtur në San Demetrio në vitin 1980 në muajin gusht, për tú kthyer më pas në një nga organizimet më të rëndësishme dedikuar këngës arbëreshe.

Pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë, tashmë arti po rikthehet pranë publikut për të mbushur hapësirën e munguar.

“Ne do të këndojmë të sigurt, do të këndojmë me çdo vëmendje por me krenarinë tonë. Qëndruam pa lëvizur për një vit, bëmë një luftë së bashku, paguam një çmim shumë të lartë, por duhet të provojmë se kemi fituar ne dhe jo virusi”.

Festivali do të organizohet më 21 gusht në orën 20:30 në San Demetrio Corone./ KultPlus.com