“Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës, me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam

Filmi “Si e verdhë e sëmurë” / “Like a sick yellow” (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION—ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma.

Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin “Në Kërkim të Venerës” (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. 

Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër. 

“Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Rotterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin” është shprehur regjisorja.

Filmi është realizuar me mbështetjen e QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. Festivali IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt. / KultPlus.com

Nis festivali Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut, 49 filma do të shfaqen në kinemanë Marubi

Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut ka çelur siparin mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Festivali i organizuar nga Akademia “Marubi” do të mbahet nga datat 18 deri në 23 shtator.

Përgjatë këtyre ditëve në ambientet e kinemasë Marubi do të shfaqen 49 produksione filmike./balkanweb/KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, Tirana International Film Festival ngre siparin më 24 shtator

Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, Tirana International Film Festival (TIFF) ngre siparin mbrëmjen e 24 shtatorit në mjediset e Kinema Millenium në Tiranë.

Gjeografia e pjesëmarrjes është e gjerë, me filma nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Azia dhe Afrika.

Nga 2918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilet 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, internacionale, europiane dhe ballkanike.

Vihet re pjesëmarrja e filmave studentorë dhe e regjisorëve debutues.

Një prej kategorive me hapësirë në Festival është ajo e dedikuar fëmijëve (Kid’s), me filma të ndarë për dy grup mosha, 5-11 vjeç dhe 11-15 vjeç.

FOCUS këtë vit i është dedikuar regjisorit më të madh finlandez të të gjitha kohërave, Aki Kaurismäki me një retrospektivë nga krijimtaria më e mirë filmike e tij e vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa TIFF do të çelet me filmin dokumentar të regjisorit  të njohur botërisht Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venecia./ KultPlus.com

‘Zgjoi’ triumfon në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Braunschweig”

Filmi me regji të Blerta Bashollit “Zgjoi” ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Braunschweig”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Festivalit në “Instagram”, ata kanë publikuar listën e filmave fitues për edicionin e 35-të të tyre.

“Jemi të kënaqur që mund t’ju prezantojmë filmat fitues të edicionit tonë të 35-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig në bashkëpunim me Hallenbad Wolfsburg.

Nga data 6 deri më 10 mars 2022, ju mund të shihni përsëri më të mirët nga më të mirat, të rikujtoni dhe të jeni në humor për sezonin e festivalit të këtij viti”, thuhet në njoftim, derisa “Zgjoi” do të shfaqet më 9 mars.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin  për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten. /KultPlus.com