“Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës, me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam

Filmi “Si e verdhë e sëmurë” / “Like a sick yellow” (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION—ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma.

Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin “Në Kërkim të Venerës” (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. 

Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër. 

“Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Rotterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin” është shprehur regjisorja.

Filmi është realizuar me mbështetjen e QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. Festivali IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt. / KultPlus.com

Filmi “Heshtja e Sirenave” me premierë botërore në Festivalin e Filmit Mostra në Brazil

Filmi “Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në edicionin e 47-të Festivalit të Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil, një prej festivaleve më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film vjen me regji dhe skenar nga Gazmend Nela.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se filmi u mbështet nga Qendra Kinematografike e Kosoves  dhe është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production.

“Heshtja e Sirenave” do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjoze në botë, Festivali i Filmit Mostra në Sao Palo, Brazil (edicioni i 47, 19 tetor – 1 nëntor).

Me mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosoves filmi me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, është bashkëprodhuar nga Frame production, Ikonë Studio, Alva Film, Albasky Film, Skopje Film Studio, RTS Radio Télévision Suisse, In My Country Post Production”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com