Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, detajet e edicionit të 18-të

Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi u mbajt konferenca për mediat për edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Ky edicion do të sjellë pranë publikut 49 filma, të cilët do të shfaqen në datat 18 deri 23 shtator në kinemanë e Marubit si edhe në institucione të tjera si Parlamenti i Shqipërisë, Autoriteti i Dosjeve, Akademia e Policisë, Shkolla e Magjistraturës, kinema “Maks Velo” Laprake, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, etj.

Filmat lidhen drejtpërdrejtë me temën e këtij edicioni: “E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”.

Konferenca për shtyp drejtohej nga regjisori i mirënjohur, prof. Kujtim Çashku, themelues i festivalit.

Kosova, Ukraina, Izraeli, Italia, Rusia, Palestina, Hungaria, Gjermania, Uganda etj janë shtetet ku shtrihet harta e filmave të këtij edicioni, duke sjellë raste të ndëshkimit e mosndëshkimit.

Edicioni i 18-të i IHRFFA do të çelet me filmin italian “Shocking marriage” me regji të Demetrio Casile, i cili do të jetë i pranishëm në Tiranë, së bashku me aktorin protagonist Natale Bova.

“Shocking marriage” është një satirë e pamëshirshme kundër sistemit arrogant dhe të mbushur me padrejtësi sociale, tipik i botës mafioze. Filmi rrëfen në mënyrë komike martesën e motrës së bukur të një mafiozi me djalin më të druajtur të qytetit. Origjinal, ironik, zbavitës dhe herë pas here surreal.

Filmi do të shfaqet në sallën e kinemasë të Akademisë “Marubi” dhe hyrja do të jetë e lirë.

Akademia Marubi, fotot nga Agim Dobi. / KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, 41 filma shfaqen për herë të parë për publikun shqiptar

41 filma do të shfaqen për publikun kryeqytetas në edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA (www.ihrffa.net) që do të zhvillohet në 14-25 shtator në Tiranë.

I konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike që zhvillohen në Shqipëri, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikë të mprehtë që në fokus do të ketë të drejtat e grave dhe të fëmijëve.

Në këtë edicion, janë përzgjedhur 41 filma për t’u shfaqur për publikun, prej 3500 aplikimeve të ardhura në adresë të IHRFFA-së. Filmat e IHRFFA 15 janë produksion i 2-3 viteve të fundit dhe shfaqen për herë të parë për publikun tonë.

Partneri kryesor i Edicionit të 15-të të Festivalit është Ambasada Austriake.  Këtë vit, për shkak të situatës COVID-19 Festivali ka shtrirje më të gjatë kohore, përgjatë 11 ditëve, duke filluar nga data 14 Shtator, deri më 24 Shtator.

Të gjitha shfaqjet do të realizohen në ambjente të hapura, ku programi kryesor do të jetë në Kinemanë Verore të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Lulishten pranë Kryeministrisë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Çelja e Festivalit zhvillohet ditën e hënë, ora 19.00 me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit  të parë “Kaviar”, film fiksion, produksion Austriak i vitit 2019 dhe regji të Elena Tikhonova.

IHRFFA do të organizojë shfaqje filmi dhe forume në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, si edhe shfaqje filmash dhe forume në disa shkolla të mesme në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, përgjatë vitit akademik 2020-2021.

Gjithashtu, IHRFFA në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog organizojnë konkurs video për të drejtat e njeriut, duke vënë online formatin e aplikimit nga të rinj shqiptarë 14-22 vjeç dhe duke u dhënë mundësinë atyre, që të shprehen artistikisht nëpërmjet një video 1-2 minuta, lidhur me temën e sivjetshme të IHRFFA-së. Thirrja për aplikim në këtë konkurs do të jetë e hapur deri më datë 20 Shtator 2020./ atsh/ KultPlus.com

Ka nisur në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Në Tiranë ka filluar edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), me shfaqjen e filmit dokumentar “Dugma: The Button”.

Temë qendrore e këtij edicioni është “Populizmi dhe Radikalizmi”, ndërsa ceremonia e hapjes së festivalit është mbajtur në ambientet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Në ceremoninë e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili theksoi se arti i përket dhe është domethënës për të gjithë njerëzit, pavarësisht sfondit të tyre kombëtar, kulturor apo shoqëror.

“Çdo vjeshtë festivali tërheq artistë, shoqërinë civile, institucionet shtetërore dhe plot të ftuar nga mbarë bota. Elementi i veçantë është se ne vijmë këtu jo thjesht për të vlerësuar artin, por me dëshirën që ky vlerësim të na bëjë të kuptojmë më gjerë dhe më thellë problematikat aktuale të të drejtave të njeriut. Në 20 vitet e angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së në Shqipëri, ne e kemi shpallur zëshëm mbështetjen tonë për promovimin e të drejtave të njeriut. E kemi parë se si aktualisht racizmi dhe nacionalizmi po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në Evropë dhe në botë. Kushtet themelore për demokracinë, si respekti për faktet, lirinë e shtypit dhe vlerën e barazisë mes njerëzve, po injorohen në mënyrë flagrante”, u shpreh Borchardt.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Serbia, Austria, Zvicra, Australia, Spanja, SHBA, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Holanda, Franca, Norvegjia, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania, Gjeorgjia, etj. IHRFFA do të vazhdojë deri më 23 shtator, ndërsa Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe OSBE-së.

Sipas organizatorëve edicioni i 12-të i këtij festivali ka shënuar një shifër prej 3000 aplikimesh, ndërsa janë përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilëve më çmime në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Tema e këtij edicioni, ku hyrja do të jetë e lirë për publikun, do të trajtohet edhe gjatë debateve, forumeve dhe shfaqjeve të këtij festivali. / KultPlus.com