Financial Times: Po rritet numri i grave në krye të kompanive në botë

Edhe pse ende në pakicë, gratë janë gjithnjë e më të shumta në krye të kompanive në të gjithë botën, sipas një studimi të publikuar nga organizata e liderëve të rinj YPO, ”Financial Times” dhe ”UN Women”, transmeton KultPlus.

Nga më shumë se 2 000 përgjigje të ardhura nga 106 vende marrë nga rreth 30 000 anëtarë të YPO në mars, një e katërta e të cilave ishin gra, shumica (57%) mendojnë se organizata e tyre është më larmishme në nivelin gjinor sesa pesë vjet më parë.

Sidoqoftë, përparimi është materializuar ngadalë.

Sipas një studimi tjetër të fundit të kryer nga instituti ”Heidrick & Struggles”, cituar nga YPO, vetëm 5% e menaxherëve të përgjithshëm në botë janë aktualisht gra.

“Unë shoh një vetëdije të fortë nga të gjithë”, theksoi Xavier Mufraggi, drejtues i YPO-s, transmeton tutje KultPlus.

”Ekziston gjithashtu, sipas tij, një vetëdije për stilin e menaxhimit që sjellin anëtaret tona femra me një qasje më globaliste të lidershipit, që është më në përputhje me brezat e rinj”, shton ai.

”Pothuajse një në dy drejtuese femra theksojnë se u është dashur të paktën dy vite për të kapërcyer paragjykimet dhe duhet mesatarisht dy vite më shumë për femrat sesa për burrat të ngjiten në majën e piramidës sipërmarrëse”, sipas studimit.

”Metoda më fleksibile të punës, me miratimin masiv të telepunës, ka të ngjarë të luajë në favor rritjes së barazisë gjinore me daljen nga kriza shëndetësore”, sipas tij. / KultPlus.com

“Financial Times” e rendit Shqipërinë si destinacion turistik për 2020-ën

Prestigjiozja “Financial Times” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve për t’u vizituar në vitin që sapo ka nisur, 2020.

Në një artikull kushtuar vendeve që duhen vizituar gjatë këtij viti, “Financial Times” shkruan se Shqipëria tërheq vizitorët me malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdetin e shkëlqyer, qytetet e lashta, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritjen.

Më poshtë pjesa për Shqipërinë, në artikullin e “Financial Times”.

Shqipëria

“Mali i Zi ishte destinacioni kryesor i vitit 2019, por i gjithë rajoni është në rritje”, sipas Jonny Bealby, themeluesi i kompanisë britanike të turizmit të aventurës “Wild Frontiers”, i cili njofton se rezervimet për vitin 2020 janë rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Vizitorët tërhiqen nga malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdeti i shkëlqyer, qytetet e lashtë, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritja e vendasve”.

Alpinistët po zbulojnë që Bjeshkët e Namuna në veri të vendit – një mollë e ndaluar gjatë epokës së izolimit komunist të vendit dhe gjatë luftës në Kosovë, ofrojnë sot një alternativë ndaj Alpeve, ku turizmi është thuajse i pazhvilluar. Ndërkohë, numri i vizitorëve në objektet historike po rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në parkun arkeologjik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të zbuluar rrënojat romake, bizantine dhe otomane anembanë vendit.

Ndërkohë, në një atmosferë krejt tjetër, Festivali i Muzikës në Kala, një aktivitet një-javor në bregdetin jugor të Dhërmiut, po e rendit Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e rinj, njëlloj siç ka ndodhur në rastin e festivaleve “Garden”, “Outlook” dhe “Sonus” në Kroaci.

Për të shpalosur entuziazmin e autoriteteve shqiptare për zhvillimin e turizmit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Kalasë në vitin 2018. “Njerëzit e mendojnë si një vend ku mund të grabiten, ose vriten”, u shpreh Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, sipas gazetës britanike “The Guardian”. “Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush e viziton këtë vend dhe shpëton gjallë, ata kuptojnë se këtu është parajsë”!

Shifrat duket se vërtetojnë thëniet e tij: numri i vizitorëve të huaj në 11 muajt e vitit 2019 arriti në 6.1 milionë, ose 8.3 për qind më shumë se në vitin 2018, dhe një shifër shumë më e lartë se 1.9 milionë turistë që vizituan vendin gjatë gjithë vitit 2009./atsh/ KultPlus.com