Ansambli “Siglo XX” i Florian Vlashit, koncert për sakrificën e personelit mjekësor

Ansambli instrumental “Siglo XX”, i drejtuar nga violinisti shqiptar Florian Vlashi ia ka kushtuar koncertin e fundit, personelit mjekësor dhe sakrificës së tyre në ndihmë të pacientëve gjatë muajve të COVID-19.

Spektatorët në Teatrin Colon të Korunjas munguan për shkak të masave të marra për shkak të pandemisë, por ata e ndoqën shfaqjen drejtpërdrejt në kanalin streaming YouTube të Orkestrës Simfonike të Galicisë, anëtarë të së cilës janë katër interpretët e koncertit.

Bashkë me Florian Vlashin, Raymond Arteaga (violë) dhe Ruslana Prokopenko (violonçel), peshën kryesore të koncertit e përballoi Steve Harriswanngler në fagot, i cili ishte interpreti kryesor në katër veprat e përzgjedhura të kompozitorëve Georg Wenzel Ritter dhe Francois Devienne.

“Është gjithçka e çuditshme, të luash në një teatër bosh, pa ndjerë praninë e publikut, por duhet të përshtatemi, – tha para koncertit violinisti Florian Vlashi, duke shtuar se, – kemi luajtur këto kohë “bashkë” virtualisht, por nuk ka gjë më të bukur të jemi në krah njëri-tjetrit për t’i dhënë jetë një partiture. Veprat që luajmë janë të shkëlqyera, duam të interpretojmë diçka që të transmetojë energji pozitive, për ne dhe për publikun”.

Shtypi spanjoll i kushtoi vëmendje të veçantë koncertit, ndërsa komentet e publikut pas koncertit në YouTube ishin mjaft të ndjera.

Siç shkruan një nga dëgjueset “Shumë prekës ky dedikim për personelin sanitar, heronjtë e momentit. Urime dhe bekime muzikantëve, të cilët me artin e tyre po kontribuojnë që Drita të rikthehet në Planetin tonë”.

Ansambli “Shekulli XX” është themeluar në vitin 1996 nga violinisti Florian Vlashi, i cili prej afro 30 vitesh jeton dhe punon në Orkestrën Simfonike të Galicisë në La Coruna (Spanjë).

Shtypi spanjoll për koncertin:

Gazeta “La Voz de Galicia”

“Është kënaqësi të luajmë përsëri bashkë”

“Kur hyra në sallë, për herë të parë pas dy muajsh, u emocionova.

Izolimi nga koronavirusi ka penguar mjeshtrat e orkestrës me selinë në Pallatin e Operas që të bashkohen për të luajtur.

“Për ne është diçka absolutisht thelbësore, sepse puna jonë është të bëjmë muzikë bashkë.”

Është gjithçka e çuditshme, të luash në një teatër bosh, pa ndjerë praninë e publikut, por duhet të përshtatemi.”

Veprat që luajmë janë të shkëlqyera, duam të interpretojmë diçka që të transmetojë energji pozitive, për ne dhe për publikun.

Kemi luajtur këto kohë “bashkë” virtualisht, por nuk ka gjë më të bukur të jemi në krah njeri-tjetrit për t´i dhënë jetë një partiture. Pavarësisht kufizimeve, sensacionet janë pozitive. Pjesët e ingranazhit po fillojnë të funksionojnë

Gazeta “La Opinión”

“Një përqafim muzikor” për t´u ritakuar”

Florian Vlashi ka 40 vite me të njëjtin ritual në skenë. Kur koncerti mbaron dhe nota e fundit lë shenjën si yll në ajër, vendos violinën më një anë dhe përqafohet me kolegët e koncertit që festojnë dhe urojnë njëri-tjetrin me përqafime dhe shtrëngime duarsh për suksesin e radhës.

“Nga të gjitha ndryshimet që solli COVID-19, heqja e këtij gjesti të vogël do të jetë nga gjërat më të vështira, moment i cili do na mungojë të gjithëve.

Do të jetë e vështirë të luash në distancë, sepse duhet gjetur niveli i harmonizimit ndërmjet muzikantëve. Mos të dëgjosh fërkimin e harkut mbi tela të kolegut pranë do të jetë një boshllëk, ashtu si edhe mungesa e publikut. Do të na mungojë “frymëmarrja e njerëzve” dhe “tensioni” që krijohet por, megjithatë, është më mirë kështu sesa të luash vetëm në shtëpi.

Të gjithë kemi diçka nga muzikantët e Titanikut. Luajmë edhe në momente katastrofash, dhe nuk e dimë a e bëjmë më shumë për të tjerët apo për vete.” /Atsh /KultPlus.com

Historia është histori dhe ajo që nuk kujtohet, harrohet


Florian Vlashi

17 maj 1989 ka qenë e mërkurë. Në orën 19:00, në sallen e Teatrit Alksander Moisiu u prezantua “Formacioni i harqeve Jan Kukuzeli” i përbërë nga studentet me brilante të shkollës së muzikës së Durrësit. Në program një nga veprat madhore të historisë së muzikës: “Kater Stinet” e Antonio Vivaldit. 

Këto koncerte u kompozuan rreth 1721 dhe çuditërisht, pas vdekjës se Vivaldit në 1741, e gjithë vepra e tij ra në harresë. Por korpysi i dorëshkrimeve të tij, që ishin deri atëherë në biblioteken e senatorit e koleksionistit venedikas Jacobo Soranzo, blihen në 1764 nga konti Giacomo Durazzo, nga familja e njohur gjenoveze me origjine nga Durresi. 27 vellime, 28.000 partitura. Këto dorëshkrime me një vlerë të pallogaritshme u ruajten dhe u trasheguan në arshivet e familjes Durazzo në disa breza, deri sa në 1926- 1930 blihen nga Biblioteka Universitare Kombëtare e Torinos.

Këto koncerte luhen për herë të parë në skenë nga violinistja amerikane Olga Rudge në Sienna gjatë koncerteve që ajo organizon në “Settimana Vivaldiana” nga 16-21 shtator 1939. Pra, pas 218 vjet pas vdekjes se Vivaldit, bota dëgjoi këto perla falë ruajtjes ndër breza në biblioteken e familjes Durazzo.

Kur 30 vite më parë këto kater koncertet e “Stineve”, bashkë me sonetet shoqëruese, u interpetuan për herë të parë në Shqipëri, i takoi Durresit të ishte i pari t’i degjonte në skenë nga muzikantët e tij…

Disa i quajnë rastësi të bukura, disa kombinime yjesh por unë mendoj se janë amanete të vjetra të pashkruara…/KultPlus.com

Një vepër kushtuar Florian Vlashit, premierë botërore në koncertin e violinistit në Madrid

Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të dielën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.

Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë”, të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar, do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.

Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njëri-tjetri dhe, në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shndrisë”.

Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.

Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz, P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /G.Kabashi/k.s/ /KultPlus.com

Dy vëllezërit Vlashi shpallen fitues të konkurseve muzikore në Francë dhe Spanjë

Dy vëllezër instrumentistë, bij artistësh shqiptarë, ditët e fundit janë shpallur fitues në dy konkurse të zhvilluara në Francë dhe në Spanjë.

Dy vëllezër instrumentistë, bij artistësh shqiptarë, ditët e fundit janë shpallur fitues në dy konkurse të zhvilluara në Francë dhe në Spanjë. Violinisti Daniel Vlashi është shpallur fitues në konkursin “Talents Classiques” që u zhvillua në Grenoble (Francë), duke u vlerësuar me Prix du Jury (Çmimin e Jurisë).

Danieli, i cili sapo ka mbushur 20 vjeç, studion për violinë në Konservatorin e Lionit, duke ndjekur gjurmët e të jatit, Florian Vlashi. Ndërkaq, vetëm 13 vjeç, Martini është shpallur fitues i Konkursit të Solistëve, duke interpretuar në violonçel një nga veprat e L. Boccherinit (1743-1805), shkruan atsh.

Përveç mësimeve në një nga shkollat artistike të Korunjas, për edukimin artistic të Martinit kujdeset e ëma, Rediana Llukaçi, violonçeliste, mësuese dhe instrumentiste në Ansamblin “Shekulli XX”, që drejtohet nga Florian Vlashi. Instrumentistët e familjes Vlashi Llukaçi në fillim të muajit gusht do të jetë për një javë radhazi në Durrës, si pjesëmarrës në Bienalen e titulluar “Netët e Muzikës Klasike”, që organizohet nga Florian Vlashi që prej vitit 2003. Familja e artistëve durrsakë jeton që nga viti 1992 në qytetin e Korunjas (Spanjë)./KultPlus.com