Rama: Fototeka, mbi 7 mijë imazhe dalin nga ‘pluhuri’ i kohërave

Mbi 7 mijë imazhe, shkrepur përgjatë një shekulli, janë ekspozuar në muzeun më të ri virtual www.fototeka.al.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, në këtë muze janë ekspozuar imazhe të rralla, personazhe, ngjarje, fotoreportazhe, vende, portrete njerëzish të zakonshëm.

“Imazhe të rralla, personazhe, ngjarje, fotoreportazhe, vende, portrete njerëzish të zakonshëm, tani i gjeni në www.fototeka.al, muzeu më i ri virtual me mbi 7 000 imazhe, shkrepur përgjatë një shekulli. 40 albume dhe qindra fotografë, që dalin nga “pluhuri” i kohërave falë bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit “Art & Histori”, i ofrohen tashmë publikut”, informoi Kryeministri./ KultPlus.com

‘Fototeka’ hap ‘dyert’, muzeu virtual me mbi 7 mijë imazhe

Muzeu virtual “Fototeka” ka hapur ‘dyert’ për të pasionuarit pas fotografisë.

Në këtë muzeu virtual publikohet trashëgimia fotografike në territoret shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fund të regjimit totalitar.

Në këtë muze pasqyrohen mbi 7000 imazhe të ndarë në 7 periudha historike, shkrepur nga dhjetëra fotografë, kryesisht të juglindjes së Shqipërisë, ku shpaloset më shumë se një shekull histori.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, me kontributin e koleksionistëve privatë, Fondacioni “Art & Histori” hapet një dritare ku mund të zbuloni imazhe që nuk i keni ndeshur kurrë më parë”.

Në këtë muze shfaqen rreth rreth 40 albume nga fundshekulli XIX-mesi i shekullit XX, si pllaka xhami, diapozitivë, negativë në letër, filma, printe origjinale.

Këto albume përmbajnë imazhe nga Lufta e Parë Botërore, ndërtimet e trupave italiane në ishullin e Sazanit (1918 -1922) në qytetin e Vlorës ( 1916 – 1920), ndërtimi i portit të Durrësit (1929-1932), vizitat e kontit Galeazzo Ciano (1938), pelegrinazhi në ‘Kuotën 731’, Rehovë, Skrapar në kujtim të Luftës Italo -Greke (1941) etj.

Të pranishme janë edhe albumet propagandistike të periudhës komuniste, që ilustrojnë ndërtimin e hekurudhës së parë Durrës – Peqin (1947), ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve ‘Stalin’ (1951), ndërtimin e hidrocentralit ‘Lenin’ (1951) e duke vazhduar më tej me albumet dhuratë për diktatorin Enver Hoxha.

Rreth 2000 negativët në pllaka xhami, qindra negativë të tjerë në letër apo film, pjesë e këtyre koleksioneve, u digjitalizuan dhe u kthyen në imazhe pozitive për të lehtësuar aksesin në përmbajtjen e tyre. Materiali i digjitalizuar përmban fotografi nga fundshekulli XIX gjer në mesin e shekullit XX dhe çdo imazh është plotësuar me përshkrime, vite dhe teknika në formën e skedave digjitale.

Këto koleksione të rralla hedhin dritë mbi mënyrat e jetesës së njerëzve të ndryshëm që jetuan dhe punuan në këto territore rreth një shekull më parë, zakonet, besimet dhe traditat e tyre./atsh/KultPlus.com