Kur Françesk Radi solli telefonatën e zemrave me Mariza Ikonomin (VIDEO)

Françesk Radi gjatë karrierës së tij ka kënduar plot hite, por ne sot do të kujtojmë një paraqitje me një emër tjetër që asokohe ishte në fillimin e karrierës së saj.

Dhe duket se bashkëpunimi me Radin, për Mariza Ikonomin ishte një fillim e ogur i mbarë drejt karrierës. Në Festivalin e madh të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, në vitin 1994, dyshja erdhën me këngën “Telefonatë zemrash”, shkruan KultPlus.

Tekstin e këngës e shkroi Xhevdet Reshaj ndërsa muzika ishte e Radit, me orkestrim të Edison Misos. Teksti i fuqishëm tregon një lidhje mes vajzës dhe babait të saj, një marrëdhënie gjithmonë shumë e dashur për çdo fëmijë.

Asokohe kënga u pëlqye dhe dëgjohet edhe sot, ndërsa Festivalin e fitoi në fund Mira Konçi.  / KultPlus.com 

Dhunohet busti i Françesk Radit, acarohet Rozana: Keqardhje për këtë brez që po rritet në Shqipëri

               

Dje në rrjetet sociale u bë virale një video ku dy të rinj vandalizonin bustin e Françesk Radit.

Kjo video ka prekur dhe mërzitur shumë mbesën e këngëtaritm Rozana Radin.

“Është bërë virale sot një video, ku dy adoleshentë dhunojnë bustin e kantautorit Francesk Radi. Përveç lidhjes familjare, sot dua të flas si qytetare e këtij vendi në të cilin dua të rris nesër fëmijët e mi. Dua të flas si një dashamirëse e muzikës. E kam parë që në orët e para të paradites këtë video dhe ende jam në pritje që “Policia do t’i identifikojë autorët”,  të cilët do të vihen përpara përgjegjësisë.

‘ Keqardhje e madhe për këtë brez që po rritet në Shqipëri. Do isha shumë kurioze t’i njihja nga afër këta dy adoleshentë e t’i pyesja se çfarë ju bëri busti i një artisti i cili i dha aq shumë muzikë Shqipërisë. Në moshën tuaj Franko pas shkolle merrte këtë kitare që ju po përpiqeni t’ia hiqni nga duart dhe këndonte. E internuan e larguan nga nëna nga babai nga motrat nga vëllezërit por kitarën nuk ia hoqën dot’.

‘Nuk di në cilën fytyrë t’ju pështyj e t’ju tregoj gjithë zemërimin tim të vajzës të djalit, të bashkëshortes por më shumë të spektatorit që Franko i dha gjithë rininë . A i keni bërë pyetjen vetes nëse i keni lumturuar me këtë gjest familjaret tuaj? A janë krenarë për atë që ata përfaqësojnë…..Në Shqipërinë tonë vërtet mungojnë shumë gjëra, por një gjë e kemi të sigurt (më mirë një seks i sigurt, se një fëmijë i tillë)’.

‘Ju lutem autoriteteve të ndjekin rastin dhe t’i vënë para përgjegjësisë të dy këta palaço të cilët na e bëjnë pis artin kulturën dhe rininë shqiptare!Sot është dhunuar një vlere publike. Nesër një tjetër e një tjetër……” ka reaguar në një postim online./Gazeta Liberale / KultPlus.com

Një monument për Françesk Radin tek Liqeni

“Një vit lamtumire Franko!”. Miq dhe pasionantë të muzikës së Françesk Radit do të bëhen bashkë në 1 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, për ta kujtuar në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, amfiteatrin tek Liqeni Artificial.

Më 3 prill ora 9 e mëngjesit pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. “Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh ashtu si dikur. Më pas në orën 17.00 ne ambientet e kinema Millenium do të transmetohet dokumentari “ Jetë e trazuar “ për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre që edhe pse e prerë tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk I tha dot lamtumire, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij, Tefta Radi.

Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve por dhe përmes tekstit. Muzika e tij nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brenda dhe intelektualin e angazhuar, duke I folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komuniste. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë, shkruan GSH.

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTV. Pjesë më të bukur të jetës ai konsideronte fëmijërinë në qytetin e Shkodrës. ”Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor”, do të shprehej ai në një intervistë kohë më parë.

Idhujt e tij të parë ishin Tonin Tërshana dhe Vaçe Zela apo Anita Take. I konsideruar si Çelentano shqiptar vetë kantautori e ka pranuar ndikimin që muzika italiane ka pasur në muzikën e tij. ”Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj”, do të shprehej ai. Kitara do të bëhej një element i rëndësishëm i këngëve të tij, që do ta indentifikonte lehtë . Periudha e komunizmit nuk do të ishte e lehtë dhe për artistin.

“Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj”, shprehej Radi. Kitara në dorë do ta bënte atë të shihej gjithnjë si modern. ”Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq. Këndova një këngë/ “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë. Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thosha se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme”, tregonte ai. Dy nga këngët e tij më të dashura mbeten “Adresa”dhe pengje. “Peng i kam pasur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin.

Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”. “Biçikleta” , megjithëse dhe to për vetë kohën nuk kanë kaluar pa peng”, shprehej artisti. Vitet 90-të do të hapnin një tjetër botë para tij.” Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh. Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë”, shprehej Radi. Muzika e tij nuk ndryshoi në këto vite, duke ruajtur të njëjtën ndjesi muzikore e zgjedhur të njëjtat tekste të fuqishme duke vazhduar të ishte I dashur për miliona njerëz./ KultPlus.com