Panairi i Librit në Frankfurt organizohet pa publik

Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt ndryshuan sot një vendim të mëparshëm dhe anuluan të gjitha ngjarjet publike që do të mbaheshin këtë javë në sallën e panairit në Gjermaninë Qendrore.

Pasi morën parasysh numrat në rritje të COVID-19 në Frankfurt dhe në të gjithë Gjermaninë, organizatorët e panairit më të madh në botë të librit njoftuan se ai do të zhvillohet vetëm me moderatorët.

“Konceptet e shëndetit dhe higjienës për përdorimin e sallës së panairit të Frankfurtit u rikontrolluan disa ditë më parë nga autoritetet lokale dhe e morën miratimin, megjithatë kemi vendosur të minimizojmë rreziqet dhe të mos e hapim sallën për publikun, nga shqetësimi për shëndetin e të ftuarve tanë”, tha drejtori i panairit, Juergen Boos, transmeton KultPlus.

Vendimi do të ndikojë në ceremoninë e hapjes, të martën në mbrëmje, ku ishin ftuar 250 persona. Tani, ajo do të zhvillohet në internet.

Ngjarjet e tjera të panairit, që zgjat deri të dielën, do të transmetohen drejtpërdrejt. / KultPlus.com

Panairi më i madh në botë i librit zhvillohet në tetor

Panairi i Librit në Frankfurt, panairi më i madh në botë për libra, do të zhvillohet në tetor pavarësisht pandemisë së koronavirusit, vendosi kështu Bordi Mbikëqyrës i panairit.

“Këtë vit është më e rëndësishme se kurrë që të zhvillohet Panairi i Librit në Frankfurt”, tha drejtori, Juergen Boos.

Panairi i Librit i Frankfurtit daton që nga viti 1949.

Në vitet e mëparshme, më shumë se 300 000 vizitorë mblidheshin në Frankfurt për të parë rreth 7 500 ekspozues nga më shumë se 100 vende.

Organizatorët e panairit thanë se janë në diskutime se si do të garantohet siguria e vizitorëve, ekspozuesve dhe punonjësve. / KultPlus.com