Dje u hap panairi i tretë i librit akademik e shkencor në Akademinë e Shkencave

Dje në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u hap Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor, i cili do të vijojë deri më 25 prill.

Ky panair zhvillohet si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe synon t’i bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.


Sipas Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit, ky panair është më shumë se një ekspozim librash dhe aktivitetesh, pasi është një mesazh mbi nevojën për t’u mbështetur te një shoqëri që mendon dhe lexon, te një shoqëri ku intelektualët, shkencëtarët, studiuesit dhe gjuhëtarët nderohen dhe orientojnë zhvillimet e një vendi.


Nisur edhe nga dy edicionet e mëparshme (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), ky panair shërben për ta nxjerrë më në pah botën akademike, shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmendjen e duhur publike.


Sipas Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, libri shkencor e ka më të vështirë rrugën për te publiku dhe pse mendimi i tij është aq i rëndësishëm për zhvillimin shoqëror.


Tri ditët e panairit, përpos ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi do të shërbejë si hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit./tema/KultPlus.com

Panairi i Librit, Arkivat prezantojnë 5 botimet më të reja studimore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) paraqiti 5 botimet më të reja studimore, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Për vitin e dytë radhazi, në çeljen e siparit të Panairit Kombëtar të Librit, DPA-ja rikthehet pas një periudhe të gjatë mungese në funksionin e botueses, duke sjellë për libradashësit studime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit, si edhe mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, akademikë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), përfaqësues nga Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), si dhe arkivistë e studiues të fushave përkatëse.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido, i cili moderoi edhe diskutimin në tryezën e rrumbullakët, nënvizoi se këto botime japin një kontribut në historiografinë shqiptare, duke vlerësuar në veçanti bashkëpunimin e DPA-së me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) në përgatitjen e revistës arkivore të përvitshme.

“Ne financojmë botime që janë në suazën e përmbledhjeve të dokumenteve arkivore, të monografive, të revistës së Arkivave Shqiptare, si edhe të kolanës së botimeve të udhërrëfyesve, që shpresojmë ta hapim vitin tjetër. Janë katër botime të rëndësishme sa i përket historiografisë shqiptare. Unë do flas shkurtimisht për botimin e pestë, për revistën Arkivat Shqiptare. Kjo revistë është e përbashkët e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ku përmblidhen kumtesa dhe studime të fushës së arkivistikës. Është vendimarrje e vështirë sepse janë shumë të paktë ata që kryejnë një hulumtim mbi arkivistikën. Kjo sinergji që kemi me ASHAK-un dhe me Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, na ka mundësuar që të kemi të rejat e fundit të shkencës së arkivistikës kudo në rajon, në mënyrë që jo vetëm të avancojmë, por edhe të unifikojmë standartet. Revista është produkt i Konferencave Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kemi qenë në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz, në Boletin dhe në Manastir, me arkivistë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Revista ‘Arkivat Shqiptare’ ka krijuar traditën e vet, është viti i 59-të i botimit të saj”, u shpreh Bido.

Katër prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike. Mes tyre, bën pjesë edhe një udhëzues rreth tematikës së gjerë të punës kërkimore në arkiv. Në diskutimin e hapur të mbajtur në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, dr. Endrit Musaj, Myrteza Sharra, Vera Lushaj dhe bashkëstudiuesit Armando Boçe dhe Arbër Bilbili, referuan përkatësisht mbi botimet e titulluara:

“Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”, “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”, “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin” dhe “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.

“Është libri më i plotë për arkivistikën bazuar në përvojën kombëtare dhe ndërkombëtare. Jep informacione, metoda teorike dhe praktike për arkivistët, për krijuesit dhe për përdoruesit e dokumentave”, tha dr. Musaj mbi botimin e përgatitur nga dr. Ivan Loli.

Studiuesi Bilbili shpjegoi se “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”, përqendrohet në raportet politike të Shqipërisë komuniste me dy shtete europiane. “Ky vëllim përfshin dokumente mbi raportet reciproke me grupet, me veprimtarët dhe në ndonjë rast edhe me individë marksistë-leninistë nga Spanja dhe Italia të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ashtu si në vëllimin e parë, janë përzgjedhur dy shtete europiane, kjo për vetë rëndësinë dhe vështirësinë që paraqisnin marrëdhëniet me grupet politike në këtë kontinent”, shpjegoi studiuesi Biblili.

Për të shtatin vit, bashkëpunimi mes DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kurorëzohet me botimin e numrit të radhës së revistës “Arkivat Shqiptare”. Ky publikim, që është i vetmi në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, përmbledh punimet periodike të studiuesve dhe të arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, të prezantuara në Konferencat Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Kjo revistë i mundëson çdo arkivisti apo të interesuari që të thellohet në disiplinën e arkivistikës, si shkencë të mëvetësishme nga historia apo nga shkencat e tjera të përafërta.

Botimet e prezantuara së fundmi, vijnë në përgjigje të thirrjes periodike të DPA-së adresuar çdo të interesuari të bashkësisë shkencore, për të përgatitur studime mbi një larmi temash në rrafshe të ndryshme të veprimtarisë publike. Këto botime, së bashku me të tjera publikime të mëparshme të DPA-së me tematika të rëndësishme historike, do të gjenden në stendën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), deri në mbyllje të panarit, ditën e diel, më datë 19 nëntor./atsh/KultPlus.com

Frankfurt, fillon edicioni i 75-të i panairit më të madh të librit në botë, i pranishëm edhe shteti i Kosovës

Sot, ka filluar panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”, në të cilin marrin pjesë 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota, ku tradicionalisht i pranishëm është edhe shteti i Kosovës.

Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.

Nën moton “Koshere e fjalëve”, e ftuar e nderit e këtij viti, Sllovenia, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend që nuk përfaqësohet vetëm me bukuritë natyrore të vlefshme për t’u vizituar.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.

Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.

Të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi.

Të dielen, stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve./KultPlus.com

Edicioni i pestë i Panairit të Librit në Ferizaj, vjen së shpejti

Për dashamirët e botës së librit, javën tjetër, me datë 3 gusht, vjen edicioni i pestë i Panairit të Librit në Ferizaj, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion libri, njerëzit do të kenë mundësin të shijojnë bukurinë e artit  të të shkruarit e të përjetojnë aktivitete të shumta karshi librit.

Ky edicion i panairit të librit është organizuar nga klubi letrar ‘De Rada’ dhe do të mbahet në Sheshin e Qytetit.

Kujtojmë që edicioni i pestë i këtij Panairi të Librit, do të mbahet nga data 3 deri me 5 gusht. / KultPlus.com

Me moton ‘Libri triumfon’, hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit

Sot u bë ceremonia e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë është një panair i përvitshëm kushtuar librit ku mblidhen të gjitha shtëpitë botuese dhe dashamirët e librit, jo vetëm nga Kosova por edhe nga viset përreth.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe shumë fytyra të tjera njohura morën pjesë në këtë panair.

Mysafir nderi në këtë Panair të Librit, ishte vetë i madhi Ismail Kadare, së bashku me bashkëshorten e tij.

Moderatori Rron Gjinovci, e ftoi parinë shtetërore për një fjalim rasti. Por para se t’i thërrasë ata, ai e ftoi shkrimtarin shqiptar me famë mbarëbotërore, gjeniun e shkrimit, ikonen e letërsisë, Ismail Kadaren.

“Çkado që mundohem për ta përshkruar këtë njeri, rrezikoj të përfundoj duke thënë diçka klishe, andaj zonja dhe zotërinj ta mirëpresim shkrimtarin Ismail Kadare”, tha Gjinovci
I lodhur pak, por shumë i mirëpritur nga të gjithë të ftuarit. Me një fjalim të shkurtë por të dashur, Kadare citoi:

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur dhe frymëzuese. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë jemi ndier të neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, jemi rikthyer dhe unë shpresoj se do rikthehemi më mirë, më fort, më bukur. Ju falënderoj për këtë pritje kaq të gëzueshme”, shtoi Kadare.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli për një fjalim rasti.

“Panairi është si një festival i librit. Lexuesi mund të vijë çdo ditë. Panairin unë vetë e ndjej si një qytezë por edhe si një shoqëri të hapur me një mendje të hapur”, tha kryeministri Kurti.

Kurti vlerësoi lart gjithashtu kontributin e Ismail Kadare dhe veprat e tij për kombin tonë shqiptar.

“Unë për veten time për çdo vit e lexoj “Përbindëshin”, “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndërrave”. Romanet e tij të bëjnë ta braktisësh profesionin që ke. Prandaj është e domosdoshme për mua ta mbaj këtë ritëm njëherë në vit dhe jo më shpesh”, tha mes tjerash Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismail Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se, shkrimtari është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë. Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër. Rama tha se është e qartë se inkurajimi i të rinjve për të lexuar libra duhet të përshtatet me epokën digjitale, por gjithmonë duke e ruajtur thelbin e të shkruarit.

Në edicionin e 23-të të panairit të librit “Prishtina 2023”, marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth dy mijë tituj të rinj. Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri pasditen e 11 qershorit./KultPlus.com

Edhe pak ditë na ndajnë nga hapja e Panairit të Librit “Prishtina 2023”

Me moton “Libri triumfon”, me 6 qershor hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës.

Këtë vit marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00. Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë./ KultPlus.com

Panairi i Librit të Lajpcig, këto janë aktivitetet promovuese e Kosovës për ditën e sotme

Derisa shtandi i Kosovës në Panairin e Librit në Lajpcig po vijon të vizitohet, Kosova, sot, si pjesë e programit promovues, përfaqësohet nga autorët: Janet Reineck, Elizabeth Gowing, Robert Wilton dhe Ag Apolloni.

Si pjesë e Programit promovues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në kuadër të programit letrar të Panairit të Lajpcigut “Leipzig liest”, në prani të autorëve, përkthyesve, botuesve e vizitorëve të panairit, Kosova u prezantua me autoren Janet Reineck dhe librin e saj “Një amerikane në Kosovë 1981-1997”.

Promovimi me temën: Kujtimet personale në Kosovë (një pasqyrë personale e përshtypjeve dhe përvojave të autores për jetën shqiptare në Kosovë), u drejtua nga Dr. Blertë Ismajli.

Aktivitetet e tjera promovuese të Kosovës në Panairin e Lajpcigut gjatë ditës së sotme janë:

  • “Leipzig liest”
    Elizabeth Gowing & Robert Wilton
    No Man’s Lands: eight extraordinary ëomen in Balkan history
    29 prill 2023
    14:00-15:00
    Moderatore: Dr. Blertë Ismajli
    Vendi: Café Europa, Salla: 4, Shtandi: E303
  • BKK & TRADUKI
    Ag Apolloni
    Kësulëkuqja: përrallë për të rritur
    29 prill 2023
    16:00 – 16:30
    Moderatore: Dr. Blertë Ismajli
    Vendi: TRADUKI Kafana – Salla 4, Shtandi D407

Ngjarjet promovuese të Kosovës në Panairin e Leipzigut po përcillen nga RTK./KultPlus.com

Botimet e Akademisë së Shkencave në Panairin e Librit

“Panairi i Librit është në të vërtetë një festë, një nga ato ngjarjet që është shkruar në kalendarin kulturor dhe shënjon një muaj të rëndësishëm si nëntori, që lidhet mbi të gjitha me Festat Kombëtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Ministria e Kulturës, pavarësisht emergjencave që ka pasur këto viteve të fundit, ka gjetur gjithnjë mundësinë për të mbështetur Panairin e Librit, duke e konsideruar si një vlerë, si një tryezë e madhe debati, por edhe promovimi, takimesh mes shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve me lexuesin.

Ndërkohë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë është pjesëmarrëse në Panairin e Librit Tirana 2022, me disa botime të sajat dhe për të cilët është organizuar edhe nga një aktivitet promovues.

Një prej botimeve të ASHSH është dhe libri i Dhimitër Anagnostit “Artisti, bota, imazhi”, me bashkëautor prof. dr. Josif Papagjonin, të cilit ju bë promovimi sot, në sallën Black Box tek Universiteti i Arteve.

Një tjetër botim i akademisë është “Portreti” i Abaz Hados. Libri trajton portretin në 120 vjet histori të pikturës shqiptare, nga 1880 deri në vitin 2000.  “Balada, nga oraliteti në letërsi” i Olimbi Velaj, trajton baladën si zhanër muzikor dhe letrar.

“Shqipëria përmes syve të shtegtarëve” me autore Lida Miraj dhe “Fjalor i Shqipes së Faik Konicës” me autore Kristina Jorgaqin, janë të tjerë tituj për të cilët është kujdesur ASHSH për botimin. /atsh /KultPlus.com

Panairi i Librit hap dyert e edicionit të 25-të

Është hapur në Tiranë edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor prezantimin e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.

Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.

Në këtë panair janë gjithsej 97 stenda ku marrin pjesë 100 shtëpi botuese. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë një kënd dedikuar intervistave, i njohur si “Sofaja e librit”. Programi i “Sofasë” do të presë çdo ditë njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, ilustrues, redaktorë etj. Intervistat e tyre do të transmetohen online.

Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.

Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.

Që në hapje të panairit është vënë re një numër i madh vizitorësh të vegjël. Të tjera vizita të organizuara fëmijësh priten ditët në vazhdim, edhe nga trojet shqipfolëse përtej kufirit.

Panairi i Librit 2022 do të qëndrojë i hapur 4 ditët për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh /KultPlus.com

Ka hapur dyert sot Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesëmarrëse

Hap dyert sot panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”.

Janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

Nën moton “Creatividad Desbordante”, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. Duke filluar nga fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi 2021, Abdulrazak Gurnah, me fituesen e Çmimit Goncourt Leila Slimani, e shkrimtarë të tjerë si Elvira Sastre, Donna Leon, Florian Illies, Florence Shekete, Melanie Raabe, etj., do të jenë të pranishëm në ambientet e panairit.

Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore. / KultPlus.com

Ndahen çmimet e Panairit të Librit në Ulqin

Ky vit shënjoi 21-vjetorin e Panairit të Librit në Ulqin, një event i rëndësishëm i kulturës së rajonit, që ka bërë bashkë librin shqip nga të gjitha hapësirat shqipfolëse, duke pasur një kontribut në përsosjen e gjuhës shqipe përmes leximit.

Një numër i madh shtëpish botuese, institucione kulturore dhe përfaqësues të letrave nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj., kanë sjellë në këtë panair botimet më të fundit.

Promovime librash, diskutime, konferenca kanë shoqëruar ditët e këtij panairi.

Mbrëmjen e djeshme u bë ndarja e çmimeve të panairit të 21-të të Librit “Ulqini 2022”. Çmimi “Dega e Ullirit” shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha “Trumcak bredharak” (Mediaprint). Çmimi “Servantes” shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit “Ethet” të Jonathan Bazzi (Toena). Çmimi “Liburnia” shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin “Gruaja që deshe” (Onufri). Çmimi “Olcinium” shkoi për Fatmir Toçin, autor i “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” (Toena).

Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, botuesi Bujar Hudhri, akademik Neritan Ceka.

Juria që mori në analizë këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, përbëhej nga personalitete të fushës: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar).

Nesër do të jetë dita e fundit e edicionit të 21-të të panairit të Ulqinit./atsh/ KultPlus.com

Së shpejti fillon Panairi i librit në Prizren

Pas panairit të librit që u mbajt në Prishtinë, muaj më parë, një tjetër qytet në Kosovë që do të krijoj të njëjtën atmosferë është edhe Prizreni.

Në Prizren Panairi i Librit do të filloj me 27 korrik për të mbetur i hapur deri më 31 korrik, për 5 ditë me radhë.

Pjesëmarrës të Panarit do të jenë edhe Ditar Kabashi e Osman Goranci për të hapur diskutimet me publikun e lexuesit. Mbrëmjet e debateve në Panair të Librit në Prizren janë tashmë pjesë e programit të çdo edicioni.

Ky i sivjetmi është edicioni i 14-të më radhë i Panairit. Në mbrëmjet e Panairit buzë ‘Lumbardhit’ do të diskutohet me shkrimtarë e emra të letrave shqipe.

Panairit i Librit në Prizren mbështetet nga Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale dhe nga Komuna e Prizrenit./Express/ KultPlus.com

Përfundon Panairi i Librit ‘Prishtina 2022’

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar Panairi i Librit “Prishtina 2022”, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni statusin e plotë:

Të dashur lexues,

Të nderuar bashkëpunëtorë, të nderuara media,

Edicionit të shumëpritur të Panairit të Librit, të 22-tit me radhë, i erdhi fundi shumë shpejt. Koha e gjatë që mezi pritëm ta kishim panairin na bëri ta duam aq shumë, ta presim aq shumë, saqë duket sikur ende pa filluar mirë përfundoi. Sa mirë që u rikthye, sa mirë që u ripamë, sa mirë që libri u bë kryefjalë kudo ku flitet shqip për këto gjashtë ditë, por sa keq që u krye kaq shpejt.

Më 2 qershor 2020 planifikohej Panairi i 22-të i Prishtinës. Meqë pandemia, 2 vjet nuk u mbajt. Më 2022 u rikthye ajo që na u mor më 2020. Dhe tanimë, falë rrethanave të jashtme, çdo edicion i panairit do të jetë i njëjtë në numër me vitet e shekullit XXI. Simbolikë pas simbolike…

Më 7 qershor 2022 u hap Panairi i 22-të i Librit “Prishtina 2022”, me ç’rast folën organizatori dhe kryetari i SHBK-së, Edon Zeneli, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, shkrimtari i ftuar nderi i Panairit Claude Arnaud bashkë me shkrimtaren, publicisten dhe gazetaren Klara Buda, shkrimtarja dhe drejtorja e QKL-së, Alda Bardhyli, dhe shkrimtari nga Kosova Agim Vinca.

Në panair qenë të pranishëm mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më gjerë. U prezantuan mbi 20.000 botime të viteve të fundit e mbi 3.000 botime të reja të botuara nga panairi i kaluar te ky i sivjetmi. U promovuan mbi 30 vepra e autorë, u shënuan përvjetorë të rëndësishëm dhe qenë të pranishëm personalitete kryesore të jetës publike në Kosovë e Shqipëri. Qenë të pranishëm qindra shkrimtarë/e dhe njerëz të fushës. Të gjitha mediat vendore e regjionale e përcollën panairin e librit dhe kjo i dha jehonë të jashtëzakonshme punës së palodhshme të njerëzve të urtë e dijeshumë.

Të dashur lexues,

JU FALEMINDERIT që na dhatë pafund urime, mbështetje, dorështrëngime e përqafime! Faleminderit që ishit pjesë e festës së librit me ne!

Mirë u takofshim vitin tjetër, më 6 qershor 2023, në Panairin e 23-të të Librit “Prishtina 2023”.

Ju faleminderit!

Mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve në Panairin e Librit ‘Prishtina 2022’

Me jurinë në përbërje të Majlinda Ramës, kryetare e jurisë; Reshat Sahitajt, anëtar; dhe Dan Ibrahimit, anëtar, janë ndarë çmimet e panairit kështu si vijon më poshtë:

1. Çmimi për letërsinë për fëmijë, zhanri tregime: DRITË RUHANI, me librin “Në koma”, botuar nga SAS

2. Çmimi për letërsinë për fëmijë, zhanri roman: FATMIR GJESTILA, me librin “Briri i artë shndërrues”, botuar nga EMATHIA

3. Çmimi për vepër kapitale: ALDA BARDHYLI, me librin “Kohë për rrëfim, dialog me Ismail Kadarenë”, botuar nga ONUFRI

4. Çmimi për përkthimin më të mirë, zhanri roman: DIANA ÇULI, me përkthimin “Diaboliket – Barbery d’Aurevilly”, botuar nga PEGI

5. Çmimi për përkthimin më të mirë, zhanri poezi: MIRELA PAPUÇIU, me përkthimin “Voltaikët – Laurent Grison”, botuar nga BUZUKU

6. Çmimi për veprën më të mirë poetike: ALKETA GASHI FAZLIU, me librin “Pikë”, botuar nga ARTINI

7. Çmimi për veprën më të mirë, roman: NAMIK DOKLE, me librin “Kolerë në kohë dashurie”, botuar nga TOENA

8. Çmimi për veprën më të mirë eseistike/kritike: BEHAR GJOKA, me librin “Hejza e Pashkut”, botuar nga BUZUKU

9. Çmimi Autor i vitit i huaj, për: CLAUDE ARNAUD, dhe

10. Çmimi Autor i vitit i letësisë shqipe: SHKUMBIN GASHI. / KultPlus.com

​Namik Dokle nderohet me çmimin për romanin më të mirë në Panairin e Librit

Në ditën e pestë të panairit të librit është bërë ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsinë për fëmijë, përkthime, vepër kapitale.

Çmimin për romanin më të mirë të këtij edicioni, e ka marrë shkrimtari, Namik Dokle për veprën “Kolerë në kohë të dashurisë”, ndërsa autori më i mirë i vitit është zgjedhur Shkumbin Gashi.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka qenë i ftuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës për të ndarë çmimin për autorin e romanit më të mirë, Namik Dokle.

Ai është ka thënë se Dokle ka dhënë një kontribut të shquar për demokracinë në Shqipëri dhe është një personalitet i sferave të gjithanshëm.

Minxhozi: Dokle, një person i sferave të gjithanshëm

Një njeri që ka kontribuar shumë për demokracinë në Shqipëri, dhe së fundi e shikoj një djalosh në letërsi, qe e ka lënë politikën, ka botuar katër romane. Ndërsa në udhëtimin e tij si letrar, poet, ka 25 vepra, ku shquhen disa drama të fuqishme që janë vënë në skenë në Shqipëri dhe Kosovë. Jam shumë krenar që kam njohur dhe vazhdoj ta njoh Namik Doklen, një personalitet i sferave të gjithanshëm që ka një simpati nga njerëzit e artit dhe politikës, por tani me një term të ri edhe si shkrimtar”, tha ai.

Ndërsa Namik Dokle këtë çmim ua kushtoi poetëve të pushkatuar dhe të vrarë.

Dokle: Ndjeva kënaqësi dyfishë më shumë sesa do të ndjeja në Tiranë

U gëzova dhe ndjeva kënaqësi dyfishë më shumë sesa do të ndjeja po ta merrja në Tiranë, sepse mendoj që Kosova po bën një punë të shkëlqyer. Nga viti në vit po rrit kontributin për kulturën kombëtare, jo thjesht për kulturën në Prishtinë apo Kosovë. Romanin për të cilin u nderova u kushtohet poeteve të pushkatuar dhe të vrarë por edhe atyre që janë vrarë shpirtërisht”, u shpreh Dokle.

Në panair morën pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth 2 mijë tituj të rinj.

Panairi përkon me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Më 2020 dhe 2021 panairi nuk është mbajtur për shkak të pandemisë COVID-19. Panairi i Librit i Prishtinës, krahas atij të Tiranës është panairi më i madh i librit shqip./kp/ KultPlus.com

U hap Panairi i Librit në Prishtinë, mbi 100 botues prezantojnë rreth dy mijë tituj të rinj

Panairi i librit në Prishtinë u rikthye pas dy vitesh mungesë. Me moton “Libri mbron mendjen” edicioni i 22-të i panairit mirëpret mbi 100 botues ndërsa do të shënohet edhe me aktivitete të shumta, shkruan KultPlus.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në hapje të këtij panairi tha se ky edicion duhej të mbahej para dy vitesh por për shkak të pandemisë ishte shtyrë. Megjithatë, kujtoi se në ditët e vështira të COVID libri shoqëroi njerëzit dhe shërbente si një dritare për ta shijuar lirinë.

Ai ka shtuar se mbi 100 botues do të prezantojnë mijëra tituj të rinj, libra për çdo moshë, për çdo temë apo interes.

“Për gjashtë ditë, sa zgjatë panairi, Prishtina është kryeqendër mbarëkombëtare e librit shqip. Mbi 100 botues prezantojnë mijëra tituj të rinj të botuar në qarkun kohor mes panairit të vitit 2019 dhe këtij panairi të sivjetmë. Libri është mjet e medium përmes së cilës, mendjet e ndritura komunikojnë me secilin prej nesh. Përmes leximit, ne kuptojmë dhe ne mësojmë, andaj për gjatë këto ditë Pallati i Rinisë bëhet edhe pallati i dijes, sepse këtu grumbullohen të gjitha mendjet më të mëdha të botës”, thotë Zeneli.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se kjo ngjarje tashmë e ka marrë epitetin të caktuar të ngjarjes të rëndësishme kulturore ku gjithë së bashku mblidhemi për ta kremtuar ditën e librit.

“Ne si Ministri e Kulturës jemi shumë të lumtur që jemi mbështetës të aktiviteteve të këtilla, megjithatë ne gjithë tashmë jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kalojë në një nivel tjetër dhe në këtë kuadër, ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, për një reformë të re ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese. Uroj që ta shijojmë këtë Panair”, thotë Çeku.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se përgjatë viteve panairi i librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore.

“Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në hapjen e Panairit të Librit në Prishtinë. Përgjatë viteve, Panairi i Librit në Prishtinë ka qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore për të pasionuarit pas librit por edhe botuesit. Panairi për mua personalisht është më shumë se sa një ngjarje ku shitet libri dhe ku takohen autorët e publikuesit. Pra, është një ngjarje ku ndahen idetë e reja dhe ku shihet perspektiva e re. Unë kam pas fatin të rritem me libra e mes tyre, kam punuar edhe në Panair për arsye se e kam përkrah babin tim i cili ka qenë pjesë e Panaireve për një kohë të gjatë dhe tek libri kam gjetur magjinë e tij. Libri është një dritare e jashtëzakonshme që na jep mundësinë për të parë e kuptuar botën. Libri na jep mundësi të mendojmë dhe të hapim horizontin tonë”, thotë Zogaj.

Tutje, shkrimtari francez, Claude Arnaud është shprehur i lumtur që ndodhet në Panairin e Librit në Prishtinë.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem sot këtu mes botuesve, autorëve, përkthyesve dhe gazetarëve në hapjen e Panairit të 22-të të Librit në Prishtinë. Aktualisht në Francë shteti e ndihmon shumë botimin, tek ne ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Zhvillohen kushte të perfeksionimit të shkrimit, por unë besoj se do të ishte mirë të ofrohen kurse leximi, sepse leximi është gjithashtu një art i llojit të vet”, tha ai.

Ndërkaq, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli ka thënë se ky Panair është një ngjarje tejet e rëndësishme ngase neve na lidh me prekjen e bukur të universit njerëzor.

“Rikthimi i Panairit të Librit pas gati dy vitesh mungesë është një ngjarje e rëndësishme që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor. E shkuara jonë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë është një pengesë e vazhdueshme me historinë. Sot, tre dekada nga rënia e komunizmit dhe gati 22 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, mund të shohim dritën që shoqëroi dy vendet tona drejt një çlirimi shpirtëror. Poetët dhe shkrimtarët ishin ata që na orientuan drejt këtij çlirimi”, thotë Bardhyli.

Gjithashtu, shkrimtari dhe poeti Agim Vinca përveçse e vlerësoi lartë këtë edicion të Panairit, ai edhe recitoi një poezi nga libri i tij i parë me poezi që mban emrin “Feniksi”.

“Pas një pauze të imponuar dy vjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe të kulturës apo dyer që s’kanë mundur t’i mbyllin kurrë asnjë pandemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues. Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj, duke i mposhtur ato dhe duke ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse edhe gjuha me të cilën shkruhet”, thotë Vinca.

Krejt në fund, ai interpretoi aq bukur poezinë e tij “E urrej heshtjen” nga libri i tij i parë me poezi “Feniksi”. Kështu, jehona e vargjeve i përcolli tutje të gjithë artdashësit që dalëngadalë po hynin në botën e librit, për t’u përhumbur pas tij me orë të tëra.

Panairi do të mbahet nga 7-12 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, ndërsa aty do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Sot hapet Panairi i Librit 2022, marrin pjesë rreth 100 botues

Botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora do të prezantojnë botimet e tyre në Panairin e Librit në Prishtinë, që këtë vit shënon edicionin e 22-të, shkruan KultPlus.

Ky Panair kishte pas një shkëputje për dy vjet, si pasojë e pandemisë Covid 19-të, por këtë vit do të shënojë rikthimin me rreth 100 botues.

Panairi i Librit do të hapet në ora 12:00 në Pallatin e Rinisë, e që organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës e që është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Pas ceremonisë kryesore, Panairi i Librit në ditët në vijim do të jetë i hapur prej orës 9:00 deri në orën 20:00./ KultPlus.com

Nesër hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Me moton “Libri mbron mendjen”, vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë. Panairi i 22-të i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 7 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.

Panairi do të mbyllet më 12 qershor në orën 18:00. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00.

Hyrja për vizitorë: pa pagesë!

Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Pas dy vjetësh mungesë, rikthehet Panairi i Librit në Prishtinë

Me moton “Libri mbron mendjen”, vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë. Panairi i 22-të i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve e Kosovës.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 7 qershor në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK-së.

Panairi do të mbyllet më 12 qershor në orën 18:00. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00.

Hyrja për vizitorë: pa pagesë!

Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. / KultPlus.com

Fillon panairi i librit në Tetovë, do të jetë i hapur deri më 30 dhjetor

Në Tetovë nga sot deri më 30 dhjetor do të mbahet panairi i librit i organizuar nga shtëpitë botuese të Tetovës, Sut dhe Nobel. Në qendrën tregtare “Remall” janë vendosur njëzet stenda të botuesve të librave në gjuhën shqipe.

“Në këtë panair lexuesit mund të gjejnë mbi 2000 tituj dhe libra. Mendoj se vizitorët do të jenë të kënaqur me ofertën. Në një kohë kur të gjithë po largohemi nga librat, mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të folur më shumë për librat dhe për t’i lexuar ato”, deklaroi Vjollcë Berisha, përfaqësuese e organizatorëve.

Përveç shtëpive botuese nga Maqedonia e Veriut, janë të pranishme edhe nga Shqipëria dhe Kosova./Kultplus.com

Më 24-30 dhjetor do të mbahet Panairi i librit Tetova 2021

Më datë 24-30 dhjetor 2021 do të mbahet Panairi i librit “Tetova 2021”, përcjell KultPlus.

Shumë botues të njohur do të mbledhen nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në këtë panair të librit, i cili vitin e kaluar është mbajtur në formën online për shkak të kushteve pandemike.

Rikthimi deri diku në normalitet ka ndikuar që formati i tij të ndryshojë dhe kësisoj ai të kalojë në formën fizike.

Ky event do të mbahet në qendrën tregtare “Remall”, në organizimin e shtëpive botuese “Syth” dhe “Nobel” nga Tetova. /KultPlus.com

Panairi i Librit 2021 tërheq lexues të shumtë

Panairi i 24-t i Librit tërhoqi këtë edicion lexues të shumtë në ditët e kësaj “feste” të të lexuarit dhe letërsisë, ndërsa shkon drejt fundit mbrëmjen e sotme.

Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit u çel në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ky panair erdhi pas një periudhe shumë të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për botuesit.

Çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 e mori shkrimtari Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.

Panairi i 24-t i Librit këtë vit u organizua me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit. / KultPlus.com

Bien shitjet në panair me 30 për qind krahasuar me 2019

Rikthimi  i panairit të librit në formën e tij klasike  për botues lexues dhe autorë është  jetuar si  festë dhe gëzim.

Statistikat e shitjeve, sipas botuesve rezultojnë  30 perqind më pak se në vitin 2019.  Kjo sipas tyre janë shenjat e pandemisë tek libri.

Ndërkohë që shijet e leximit, janë të fokusuara tek romanet, kryesisht nobelistët, por këtë vit një interes shtuar është edhe për librat psikologjik.

Botuesit rendisin ndër librat më të kërkuar.

Panairi i 24 i librit nga punonjësit e librit shihet si një dritë shprese për të kapërcyer krizën që la pas pandemia./KultPlus.com

Panairi i Librit në Tiranë tërheq lexues të shumtë (FOTO)

Panairi i 24-t i Librit tërhoqi këtë edicion lexues të shumtë në ditët e kësaj “feste” të të lexuarit dhe letërsisë, ndërsa shkon drejt fundit mbrëmjen e sotme.

Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit u çel në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.

I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ky panair erdhi pas një periudhe shumë të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për botuesit.

Çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 e mori shkrimtari Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.

Panairi i 24-t i Librit këtë vit u organizua me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit./KultPlus.com