Ndjesë

Poezi e shkruar nga Frederik Rreshpja

Më mbeti pa thënë ajo fjalë.
Ndoshta shkallët e kësaj nate,
Deri te Hëna,
Do t’i ngjisnim dorë për dore.

Tani te Hëna shkoj i vetëm.
Askush s’do të na shohë dorë për dore.
Dhe vetëm,
Për një fjalë të pathënë!

Fat

Poezi nga Frederik Rreshpja.

Unë për fatin tim pikëllohem vetë
S’dua të pikëllohet kush për fatin tim,
Më ndjek pas Perëndia e Humbjes
Me mermerin e thyer në luftra pakuptim.

Mirëpo unë jam pagan i vjetër;
Pa këtë fat të keq nuk ndjehem mirë,
Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet
Kam dhe unë për prehje dhembjen time.

E çdo të preferoja tjetër përveç luftës
I ndjekur pas nga ky fat budalla?
Vërtet që kam fituar shumë pak në këtë jetë,
Por humbjet i kam patur të mëdha.

S’dua të trishtohet kush për fatin tim,
Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes:
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë

Ku ishe ti?

Poezi e shkruar nga Frederik Rreshpja.

Ku ishe ti?
Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?
Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?
Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
Dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.
Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.
Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.
Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?
Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Vjeshtë 1990

FREDERIK RRESHPJA

Qan dreri në korije dhe lotët bëhen shi
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndrrat e pyjeve një nga një

Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit

Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë orë mbi stinët!

Ku ishe ti?

Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Nëna

Poezi e shkruar nga Frederik Rreshpja.

Ka filluar të plaket nëna.
Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.

Po mbulohet me një pleqëri të bukur
Që është kjo rrjetë e bukur që hedh kha mbi nënën time.

Dhe duart që më mbanin tani janë rënduar.
Po s’ka gjë. Nga shpirti i saj
zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për të.

Se nëna e di,
Fjalën e parë në botë ia thashë asaj.
Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj.