Romani i autorit shqiptar shndërrohet në një shfaqje teatrore nga regjisori Pantelis Flatsousis

Romani i fundit “Vendi i Gabuar” i botuar deri më tani në shqip, frëngjisht dhe greqisht nga autori shqiptar Gazmend Kapllani do të shndërrohet në një shfaqje teatrore nga regjisori grek Pantelis Flatsousis dhe do të shfaqet në Athinë më 3 nëntor 2021, në Theatro Porta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë shkrimtari dhe gazetari Kapllani, i cili shkruan në Facebook se mezi pret që të udhëtojë në Athinë për të parë shfaqjen.

Në romanin e tij të ri, heroi kryesor, Karli, i ngjan shumë. Është dhe ai shqiptar, i cili pas shumë peripecish, përfundon nga Greqia në Amerikë. Papritur, vdekja e babait të tij, kuadër i lartë i sistemit komunist, e detyron që të kthehet në vendlindjen e tij, në Ters, një qytet shqiptar imagjinar.

Takimi me vëllanë e tij, Frederikun, që mbetet besnik i atdheut të tij dhe i traditave, të cilat disidenti Karl i ka mohuar prej kohësh, përbëjnë një shans të mirë që shkrimtari Gazmend Kapllani të prekë sërishmi temat e tij të dashura: idenditetin, atdheun, lirinë, emigracionin.

Veçanërisht, tema e emigracionit ka tedenca të shndërrohet në çështje parësore në veprat e tij. E pyetëm, mos vallë mbresat e tij nga emigrimi rrezikojnë, përfundimisht, të mbajnë rob talentin e tij vetëm në një tematikë të caktuar, duke i shndërruar veprat në monotone.

E mohon me pasion një perspektivë të tillë, duke argumentuar: “Në fund të fundit, shekulli i 20-të për Europën, ka qenë shekulli i emigrimit dhe i refugjatëve: luftëra, emigrime, spastrime etnike, këmbime popullsish, genocide, arratisje nga Muri i Berlinit…” / KultPlus.com

Romani i shkrimtarit shqiptar, frymëzim për kompozitoren e famshme britanike

Romani “Ditar i Shkurtër Kufijsh” i shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani është bërë frymëzim për kompozitoren e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është shprehur se, “Kompozitorja e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad, ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me kuintetin e saj të klarinetave, bazuar në prologun e romanit “Ditar i Shkurtër Kufijsh” të shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani”.

“Romani është përkthyer në shumë gjuhë dhe është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili”, njoftoi Majko.

Vetë shkrimtari Gazmend Kapllani ka shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për këtë lajm

“Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme të ndaj me lexuesit e mi lajmin se kompozitorja e famshme Britanike Cheryl Frances-Hoad ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me Kuintetin e saj të Klarinetave, bazuar në prologun e romanit tim të parë “Ditar i Shkurtër Kufijsh” (A Short Border Handbook, në anglisht)”, ka theksuar Kapllani.

“Romani im është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili, por kjo është hera e parë që shërben si pikë referimi dhe frymëzimi për një kompozitor/e të famës botërore. Mirënjohje”, është shprehur Kapllani, i cili ka shpërndarë edhe lajmin e publikuar nga “The Guardian”. /atsh/ KultPlus.com