Zjarret në Athinë marrin ‘hov’, angazhohen 7 helikopterë

Vijon të jetë e rënduar prej më shumë se 24 orësh situata e zjarreve në Athinë dhe rrethinat e saj.

Mësohet se flakët, të ndihmuara dhe nga era, janë përhapur me shpejtësi dhe kanë djegur një sipërfaqe të madhe me pyje e shkurre dhe madje dhe një shtëpi.

Më e rënduar situata raportohet të jetë në Mytikas, Porto Germenos dhe Alepohor, ku janë evakkuar qindra banorë, shkruan a2news.

Më shumë se 130 zjarrfikës po luftojnë me flakët, ndërkohë që për të ndihmuar në fikjen e tyre janë angazhuar dhe 7 helikopterë. / KultPlus.com

‘Zgjoi’ shfaqet të shtunën në Kinemanë e Athinës

Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe Cinobo (distributori grek i filmit), sjellin në Athinë filmin fitues të shume çmimeve ndërkombëtare “Zgjoi” të shtunën më 19 mars në orën 19:30 në kinemanë TRIANON, ku do të jetë prezente edhe regjisorja, Blerta Basholli.

‘Zgjoi’ tregon një histori të fuqishme të vendosmërisë, elasticitetit dhe triumfit të një gruaje në rrethana të vështira. Është një dramë e zjarrtë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresën e zbehur dhe pikëllimin në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë.

Debutimi i regjisores Blerta Basholli u bë i pari në historinë e Festivalit Sundance që fitoi të tre çmimet e mëdha në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike (Çmimi i Audiencës, Çmimi i Madh i Jurisë, Çmimi i Regjisë). Ndër triumfet e tij ndërkombëtare, filmi u vlerësua së fundmi me çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.

Nëpërmjet këtij ekrani debutues të Zgjoit në Greqi, tentohet të dali në pah rëndësia e kinemasë së rajonit tonë dhe prania e saj në kinemanë ndërkombëtare.

Adresa: Kinema Trianon, Rr. Kodrigktonos 21 & Patision 101, Athina 104 34 (Stacioni i Metros Victoria) – Hyrja: Falas / KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili hap bienalen e Athinës, mahnit me performancën artistike të stiluar nga Valdrin Sahiti

Artisti kosovar, Astrit Ismaili e ka përfaqësuar Kosovën duke bërë hapjen në bienalen e Athinës me një performancën interesante artistike, përcjell KultPlus.

“Miss Kosova” titullohet kjo performancë e cila është dhënë në kuadër të nocionit “Creative when Limited”.

Në këtë performancën ai është paraqitur në rolin e MISS-it, duke ju referuar kështu figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara, ku me kreativitet ai arrin që të kapërcej kufizimet gjeo-politike dhe sociale.

Për herë të parë, performanca artistike e një kosovari është shfaqur edhe në Televizionin Kombëtar Grek, ku performanca “Miss Kosova” e Astritit është dhënë në një vend që nuk e njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Performanca është organizuar nga kuratoret e ‘Omsk Social Club’, Larry Ossei-Mensah dhe Poka-Yio.

Kjo paraqitje e tij është bërë në kuadër të edicionit të shtatë të Bienales së Athinës “Eclipse”, e cila mbahet nga 24 shtatori deri më 28 nëntor të këtij viti.

“Një hapje e tillë është një nder i madh ndaj performancës ‘Miss Kosova’. Performanca MISS ndër të tjera merret me nocionin ‘Creative when Limited’ duke iu referuar figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara që duhej të ishin krijuese për të kapërcyer kufizimet gjeo-politike dhe sociale. Të qenit në Televizionin kombëtar grek si ‘Miss Kosova’ në një vend që nuk e njeh Kosovën, në një rajon ku jetët e çuditshme janë në rrezik, i shtoi një urgjencë performancës sime që ilustron pse bëj atë që bëj!”, ka shkruar Ismaili në rrjetet sociale.

Gjithashtu, veshja e tij është krijuar nga stilisti Valdrin Sahiti, ndërsa grimi nga Anna Bakatsaki. / KultPlus.com

Romani i autorit shqiptar shndërrohet në një shfaqje teatrore nga regjisori Pantelis Flatsousis

Romani i fundit “Vendi i Gabuar” i botuar deri më tani në shqip, frëngjisht dhe greqisht nga autori shqiptar Gazmend Kapllani do të shndërrohet në një shfaqje teatrore nga regjisori grek Pantelis Flatsousis dhe do të shfaqet në Athinë më 3 nëntor 2021, në Theatro Porta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë shkrimtari dhe gazetari Kapllani, i cili shkruan në Facebook se mezi pret që të udhëtojë në Athinë për të parë shfaqjen.

Në romanin e tij të ri, heroi kryesor, Karli, i ngjan shumë. Është dhe ai shqiptar, i cili pas shumë peripecish, përfundon nga Greqia në Amerikë. Papritur, vdekja e babait të tij, kuadër i lartë i sistemit komunist, e detyron që të kthehet në vendlindjen e tij, në Ters, një qytet shqiptar imagjinar.

Takimi me vëllanë e tij, Frederikun, që mbetet besnik i atdheut të tij dhe i traditave, të cilat disidenti Karl i ka mohuar prej kohësh, përbëjnë një shans të mirë që shkrimtari Gazmend Kapllani të prekë sërishmi temat e tij të dashura: idenditetin, atdheun, lirinë, emigracionin.

Veçanërisht, tema e emigracionit ka tedenca të shndërrohet në çështje parësore në veprat e tij. E pyetëm, mos vallë mbresat e tij nga emigrimi rrezikojnë, përfundimisht, të mbajnë rob talentin e tij vetëm në një tematikë të caktuar, duke i shndërruar veprat në monotone.

E mohon me pasion një perspektivë të tillë, duke argumentuar: “Në fund të fundit, shekulli i 20-të për Europën, ka qenë shekulli i emigrimit dhe i refugjatëve: luftëra, emigrime, spastrime etnike, këmbime popullsish, genocide, arratisje nga Muri i Berlinit…” / KultPlus.com

Kush ishte shqiptari i parë fitues në Lojërat Olimpike

Komiteti Olimpik Shqiptar është krijuar në vitin 1958 dhe Shqipëria ende nuk e ka një medalje olimpike.

Shumë shqiptarë kanë fituar medalje nën flamujtë e Jugosllavisë, Greqisë, Italisë, Gjermanisë e së fundmi të Kosovës. Mirëpo, a e dinit se, në vitin 1896 kur Lojrat Olimpike moderne nisën, ishte maratonomaku Spiros Louis, arbëror i Greqisë, që nën flamurin e të fundit u konsiderua fituesi i parë i Lojrave Olimpike?

Pas 2 orë, 58 minuta e 50 sekonda nga nisja në Maratonë, ai mbërriti në Athinë duke përshkuar 42 kilometra e 125 metra. Medaljen e mori i veshur me fustanellën tradicionale të Toskërisë, variacion i së cilës ishte edhe veshja e arbërorëve të Atikës, duke respektuar rrënjët tradicionale të tij.

Në këtë foto të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ai shfaqet me fustanellë. / KultPlus.com

Gjendet në Athinë një pikturë e vjedhur e Picassos

Një pikturë e artistit Pablo Picasso, e cila ishte vjedhur nëntë vite më parë gjatë një plaçkitjeje në një galeri të artit në Greqi, tashmë është gjetur.

Të hënën, policia në Athinë tha se piktura “Koka e Gruas” është gjetur bashkë me një pikturë tjetër të vitit 1905 të piktorit holandez, Piet Mondrian.

Këto dy piktura dhe një tjetër ishin vjedhur gjatë një plaçkitjeje në Galerinë Kombëtare të Athinës në vitin 2012, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Agjenia Reuters, duke cituar një burim anonim të policisë, raportoi se një burrë grek është arrestuar, pasi pikturat u gjetën në një kanal në periferi të qytetit.

Piktura e vjedhur e Picassos i ishte dhënë dhuratë Galerisë Kombëtare nga vetë artisti në vitin 1949. Pasi e kishte pikturuar një dekadë para se ta jepte dhuratë, ai kishte thënë se pikturën po ia jepte Greqisë si mirënjohje për rezistencën kundër Gjermanisë naziste.

Pritet që zyrtarët grekë të mbajnë një konferencë për gazetarë më vonë të martën rreth gjetjes së këtyre pikturave. / Gazeta Express / KultPlus.com

Në Greqi edhe këtë vit hapen klasat e mësimit në gjuhën shqipe

Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, për shumë prindër mbetet prioritet. Andaj vendet që ju ofrojnë këtë mundësi atyre po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.

Një lajm të tillë e ka bërë sot të ditur Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, Pandeli Majko. Ai ka njoftuar se në Greqi edhe këtë vit do të hapen klasat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

“Në Athinë, Greqi edhe këtë vit do të hapen klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Nxënësit e komunitetit shqiptar atje mund të regjistrohen deri më 29 shtator për të vazhduar mësimin për gjuhën dhe kulturën shqipe, i cili do të fillojë gjatë muajit tetor”, ka shkruar Majko.

Që në vitin 2016, në Selanik, komuniteti i emigrantëve shqiptarë kishin bërë përpjekje që fëmijët të mësojnë në gjuhën amtare. / KultPlus.com

Saimir Pirgu me “La Traviata”, sukses në amfiteatrin Herodio në Athinë

Tenori Saimir Pirgu me shfaqjen operistike “La Traviata” në ditët e fundit të muajit korrik u prezantua në amfiteatrin antik Herodio në Athinë ku mori vlerësime prej më të lartave.

Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar materialet për këtë shfaqje dhe shkruan se premiera e këtij produksioni të ri ju besua tenorit shqiptar Saimir Pirgu, për të cilën gazetat më në zë në shtetin grek shprehen me vlerësime.

“Tenori shqiptar Saimir Pirgu mishëroi një Alfredo të ngrohtë, më një interpretim mbresëlënës dhe një këndim bujar, duke dhënë gjithçka në skenë”, shkruan shtypi grek.

Në një intervistë të gjatë për median greke, tenori Saimir Pirgu shprehet se ftesës për interpretimin në amfiteatër nuk i thua dot jo. “Kur të ftojnë për të interpretuar në amfiteatrin antik Herodio, thua direkt po”, pohon tenori.

Gazeta Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ – Επίσημη σελίδα shprehet se solistët me famë ndërkombëtare si Saimir Pirgu ngritën peshë me interpretimin e tyre rreth 4.800 spektatorë, të cilët duartrokitën artistët e shfaqjes për minuta të gjata në këmbë.

“Premiera i është besuar tenorit me famë internacionale Saimir Pirgu, një ndër tenorët më të rëndësishëm, i cili ka interpretuar me një sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës si në Paris, Vienë, Veronë, Londer, Berlin, New York, San Francisco, Zurich, Hamburg, Firence”, thuhet në materialin e botuar për shfaqjen, që ishte në amfiteatër në datat 27 dhe 30 korrik.

“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të Verdit, së bashku me operën “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila u konsiderua e zymtë nuk pati suksesin që autori priste. “La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë, si Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë vepra pati suksesin e merituar. Sipas të dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur në botë. / KultPlus.com

Ekspozitë për 550 vjetorin e Skënderbeut në Athinë

Ekspozitë, me harta e libra të koleksionistit Jorgo Kolomihalit, të Bibliotekës Genadios ne Athinë dhe koleksioni i Patricia Nooge për Skënderbeun, prezantimi i librit të studiueses greke Makis Paizi Apostolu për Skënderbeun dhe një kumtesë “Skënderbeu dhe Europa” në emër të Muzeut Historik Kombëtar përkujtuan 550 vjetorin e Skënderbeut në Athinë.

Një organizim nën kujdesin e Dr Maria Georgopulos, drejtoreshës së Genadios Library dhe Ambasadores shqiptare në Athinë, Znj Ardiana Hobdari mblodhi njerëz të kulturës për të përkujtuar një prej figurave më të shquara të historisë shqiptare. Dhjetëra vizitorë panë hartat apo librat e koleksionit të Kolomihalit që sillnin një histori tjetër të Skënderbeut. Viti 2018 u shpall nga qeveria shqiptare si “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” duke kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550 vjetorin e vdekjes së tij.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ka lindur më 6 maj 1405 dhe ka mbyllur sytë më 17 janar 1468. Me emrin tij lidhet një epokë e tërë historike për trevat arbnore. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit perandorak osman.

Ai realizoi të parin bashkim politik të princërve shqiptarë të kohës në Kuvendin e Lezhës, në fillimi të marsit 1444, i cili u hapi rrugë përpjekjeve për themelimin e një shteti mesjetar shqiptar. Nga vendet europiane Skënderbeu është konsideruar si mbrojtës i krishterimit. Sipas kryeministrit shqiptar një komision i posaçëm do të ngrihet për organizimin dhe promovimin e këtij viti.

Por veç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Më 28 nëntor 2017 përkujtohet 105 vjetori i pavarësisë, datë që përkon edhe me 574 vjetorin e hyrjes së Skënderbeut në Krujë. Tjetër datë e rëndësishme është 10 qershori 2018, 140 vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në aktivitetin e organizuar për Skënderbeun në Athinë merrte pjesë dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koci./ KultPlus.com

13-vjeçari nga Kosova, fitues i vendit të parë në “Palaio Faliro Guitar Festival” në Athinë (FOTO)

13 vjeçi nga Mitrovica, Diar Aliu, nxënës i klasës së 7-të, ishte pjesëmarrës në edicionin e 7-të të “Palaio Faliro Guitar Festival” të mbajtur në Athinë të Greqisë.

Diari, nga Athina u kthye me vendin e parë në kategorinë e dytë që përmbledh grupmoshat 13-16 vjeç, aty ky ai konkurronte, shkruan KultPlus. Përveç kësaj, Diar Aliu, kishte mundësi të ndiqte një masterklas nga John Feeley dhe Yannis Petridis. Ndërsa përveç mirënjohjes ai fitoi edhe një kitarë të punuar nga mjeshtri Stelios Theodoroudis me vlerë prej 1000 euro si çmimi kryesor i kategorisë.

Diari, për këtë pjesëmarrje në Athinë është mbështetur financiarisht nga prindërit, ndërsa talenti 13-vjeç, ka marrë pjesë edhe nëpër festivalet e tjera të kitarës në Kosovë e së fundmi edhe në spektalin e virtuozeve të organizuar nga Inva Mula.

Talenti në kitarë, doli të jetë fitues i kategorisë së dytë në “Peja Guitar Festival 2017”. Krejt ky sukses i Diarit, sipas prindërve të tij është meritë e profesorit Drilon Cocaj, pasi që, Diar Aliu është nxënës i klasës së pestë i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com