60-vjetori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Viti 2023 shënoi 60-vjetorin e romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, librit që i dha famë botërore shkrimtarit Ismail Kadare, duke shitur mbi 6 milionë kopje.

Shtëpia “Studio Kadare” Tiranë dhe Muzeu “Kadare” Gjirokastër, organizuan me rastin e këtij përvjetori, një takim letrar në shtëpinë e shkrimtarit Kadare, të kthyer në muze. Ishte një takim frymëzues me plot të pathëna mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në vitin 1963, në Tiranë. Një vit më herët, Kadare e kishte botuar edhe në formën e një tregimi, të cilin e përpunoi dhe e solli në formën që njihet sot.

Vepra është përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke i dhënë shkrimtarit njohje në arenën ndërkombëtare. Gazeta nga më prestigjiozet kanë bërë recensione për të, por “Le Monde” e Parisit e ka futur në listën e 100 librave më të mirë të shekullit XX.

Vepra ka frymëzuar edhe disa regjisorë, të cilët kanë realizuar filma artistikë bazuar mbi romanin më të famshëm të Kadaresë./ atsh / KultPlus.com

‘Shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë’

Fragment nga ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nga Ismail Kadare.

Shqiptarët janë një popull i ashpër e i prapambetur. Atyre që kur janë foshnja, u vënë në djep pushkën, kështu që pushka bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre. Duke u bërë që në vogëli një pjesë e qenies së tyre, si një element bazë i jetës së tyre, pushka ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e psikikës së shqiptarit.

-Por një gjë që njeriu e do dhe e adhuron me gjithë shpirt, natyrisht që ka qef edhe ta përdorë. Po përse mund të përdoret më mirë pushka?
-Për të vrarë njerëz. -tha gjenerali.

-Ashtu është. Shqiptarët gjithmonë kanë pasur dëshirë të vrasin ose të vriten. Ata janë vrarë me njëri-tjetrin kur nuk kanë pasur me kë të luftojnë. Ata në luftë i shtynë instikti i vjetër. Keni dëgjuar për gjakmarrjen? Kjo është një nevojë e diktuar nga natyra e tyre.

Në paqe ata trullosen si gjarpëri në stinën e dimrit. Vetëm në luftë e tregojnë plotësisht vitalitetin e tyre. Lufta është gjendja normale e këtij vendi. Prandaj ata në luftë janë të egër, të rrezikshëm dhe të bëjnë dëm më shumë seç duhet./ KultPlus.com