Mastrojani dhe arbëreshët në filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Është një nga produksionet filmike me interesantë të romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë. Pikë së pari dy aktorë të përmasave ndërkombëtare dhe në kulmin e shkëlqimit të tyre Marcello Mastroianni dhe Michel Piccoli portretizojnë personazhet e romanit që vjen nga një vend i vogël i mbyllur në mes të Europës.

Më 9 tetor “Festivali i Filmit Ballkanik”, i cili do të zhvillohet në “Casa del Cinema” risjell edhe një herë për publikun këtë bashkëpunim italo-francez. Një film i përmasave ndërkombëtare por që fatkeqësisht nuk u xhirua në Shqipëri, aty ku Kadare kishte vendosur ngjarjet.

Jemi në vitin 1983, mundësia për të xhiruar filmin në Shqipëri, aty ku gjenerali Ariosto vjen të kërkojë eshtrat e ushtarëve Italianë, janë të pakta.

Sipas kujtimeve të regjisorit shqiptar Piro Milkani, Michel Piccoli investoi gjithë kapitalin e tij për të realizuar filmin si bashkëproducent dhe më pas erdhi në Shqipëri bashkë me regjisorin italian Luciano Tovoli për të grumbulluar materiale dhe për të parë vendet e xhirimit”, tha Milkani.

“Në atë kohë ishte entuziazëm i vërtet që kinemaja franceze ktheu sytë tek ne dhe do të merrte një temë shqiptare”, tha regjisori Milkani.

Por marrëveshja me kinostudion “Shqipëria e Re” për xhirimin e filmit në Shqipëri prishet. Në librin e tij “Një Jetë në Diplomaci” ish ambasadori shqiptar në atë kohë në Paris, Maxhun Peka shkruan se kjo marrëveshje u prish për shkak të dyshimeve që lidheshin më vdekjen “misterioze” të kryeministrit Mehmet Shehu. “Kohë më parë ishte nënshkruar një marrëveshje midis kinostudios “Shqipëria e Re” dhe palës franceze, që xhirime të pjesshme të filmit të bëheshin në Shqipëri dhe me pjesëmarrjen e disa artistëve shqiptarë. Mbas vetëvrasjes (vrasjes) së Mehmet Shehut dhe fjalës së Enver Hoxhës se bashkëshortja e Shehut merrte ilaçe në Francë për helmimin e tij, marrëdhëniet midis dy vendeve u ftohën shumë, u anulua çdo marrëveshje dhe si pasojë, artistëve francezë iu refuzua ardhja në Shqipëri dhe lmimet në territorin tone”, shkruan Peka.

Megjithatë filmi do të realizohet pavarësisht arsyeve absurde të prishjes së kontratës për sheshxhirimin.

Regjisori italian Luciano Tovoli së bashku me producentët për ta bërë filmin sa më origjinal me ambientet shqiptare, u detyruan të filmonin në Jug të Italisë, në Kalabri. Për të plotësuar personazhet në film me karaktere të ngjashme me shqiptarët e romanit të Kadaresë, ata morën figurantë arbëresh, por që e ulën shumë cilësinë e filmit, sipas kritikëvë të kohës. Por falë tyre në filmin me subjekt shqiptar pati shqiptar.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të kishte dy produksione shqiptare. RTSH në vitin 1975 realizon serialin televiziv me të njëjtin titull me regji të Vladimir Priftit, skenar nga Piro Mani dhe Qenan Toro, me aktorët e Sandër Prosi, Pjetër Gjoka, Prokop Mima, Violeta Manushi, Ilia Shyti.

Në vitin 1989 regjisori Dhimitër Anagnosti bazuar në romanin e Kadaresë realizon fimin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”me aktorët Roza Anagnosti, Rajmonda Bulku, Bujar Lako, Ndriçim Xhepa, etj./ diasporashqiptare/ KultPlus.com

Kur gazeta franceze shkruante për botimin e ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ dhe ‘Dimri i madh’ të Kadaresë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 10 Korrik 2020

“Droit et Liberté” ka botuar, me 1 prill 1979, në faqen n°23, një shkrim në lidhje me dy romanet e Ismail Kadaresë botuar asokohe në Francë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Librat

Dy libra të mëdhenj të kohës sonë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një libër i bukur (i mirë) i romancierit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, për herë të parë këtu i përkthyer në frëngjisht, është një ngjarje tepër e rrallë për të mos u ndalur ! I përkthyer në 20 gjuhë, romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1970, A. Michel) në atë kohë pati magjepsur publikun nga lirika e tij makabre dhe ironike që përshkruante okupimin e egër të Shqipërisë nga trupat fashiste të Musolinit para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Dimri i madh”, vepra e katërt e Kadaresë e përkthyer në gjuhën tonë (Botimet Fayard), që ka dalë në treg kohët e fundit, është një afresk i madh mbi komunizmin shqiptar, ku të gjithë njerëzit e “tokës së shqiponjave” kanë një rol, nga lideri kombëtar Enver Hoxha, deri te militantët dhe fshatarët më të thjeshtë. Epik, duke kujtuar ritmin e disa legjendave të Ballkanit, të rrënjosura edhe në historinë më bashkëkohore të vendit më të fshehtë në Evropë, “Dimri i Madh” i ofron lexuesit më shumë se 500 faqe të një vepre të madhe historike.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/droit-et-liberte-1979-gjenerali-i-ushtrise-se-vdekur-dhe-dimri-i-madh-dy-vepra-te-romancierit-me-te-madh-shqiptar-ismail-kadare-te-botuara-ne-frengjisht/

Cilin libër nga Ismail Kadare e pëlqeni më shumë?

Krijimtari që shtrihet në vite e vite shkrim të thellë, është ajo e Kadaresë.

Një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë, dhe mund të tingëllojë klishe por ndoshta më përfaqësuesi i kësaj pjese të botës për pjesën tjetër të saj, Ismail Kadare mbetet një narrator i shkëlqyer dhe një shkrimtar i cili është me patjetër për tu lexuar nga të gjithë shqiptarët.

Se sa bota e lexon Kadarenë, këtë e kanë treguar përkthimet e tij në disa gjuhë. Së shpejti, gjuha spanjolle do të pasurohet me disa vepra të Kadaresë, përkthyer nga shqipja, ndërsa gjuhë të tjera tanimë kanë në bagazhin e tyre dhe në gjuhën e tyre shprehjen e bukur kadareiane.

Cili është libri të cilin ju e lexoni më me ëndje kur vjen puna tek Kadareja?

Mund të jetë “Nëntori i një kryeqyteti” – një libër kontrovers që sjellë Tiranën dhe çlirimin e saj para shumë vitesh, spiunët e Radio Tiranës, qytetin që nuk bën zhurmë, qytetin e heshtur të disa viteve, qytetin memec. Një libër i botuar në vitet 70-të i cili duket se është shkruar me një shqipe e cila edhe është harruar sot. Por, ky është Kadare, njeriu që zbulon fjalë, krijon fjalë, përdorë fjalë dhe i lidhë ato për të sjellë freskinë e leximit.

Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është, si thonë anglisht, a must-read, një lexim i domosdoshëm. Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat a kolonelit nuk u gjetën. Ky është zgjedhur në mesin e 100 librave të shekullit të kaluar nga prestigjiozja franceze Le Monde.

Në vitin 1986, Kadareja madhështor i letrave shqipe botoi romanin “Krushqit janë të ngrirë” që flet për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981 dhe kishte filluar ta shkruante po atë vit mirëpo autoritetet komuniste në Shqipëri nuk lejuan botimin e tij për disa vite për të mos zemëruar Jugosllavinë.

E pse jo, ndoshta libri më i mirë i Kadaresë për dikë prej jush mund të jetë “Pasardhësi”. I botuar në vitin 2003. “Pasardhësi” është pjesa e dytë e diptikut i cili lidhet me romanin e parë “Vajza e Agamemnonit” nëpërmjet personazhit kryesor. Romani fillon me shpalljen e vdekjes së Pasardhësit që në fjalinë e parë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. / KultPlus.com