Krijohet grupi i grave tifoze për Kombëtaren e Kosovës, iniciativa mirëpritet nga “Dardanët”

Një iniciativë e re e marrë nga një grup i grave dhe vajzave të Prishtinës, bëri që sot të formohet një grup i ri i tifozeve për ekipin e futbollit të Kombëtares së Kosovës. Lojërat në vazhdim do të kenë edhe një zë më shumë që do t’i bashkohet zërit të “Dardanëve”, shkruan KultPlus.

Ky është zëri i aktoreve, gazetareve e aktivisteve të ndryshme të cilat u bashkuan sot për të marrë rrugën drejt takimit me ‘Dardanët’. Atje i priti kryetari i këtij grupi, Lulzim Berisha bashkë me tifozë të tjerë. Duke i mirëpritur, ai uroj për këtë iniciativë të cilën tha se do e përkrahin me shumë dëshirë e madje kanë punuar që të vijnë deri të ky rezultat.

“Edhe ju jeni pjesë e jona, edhe duhet me kontribu në këtë aspekt sepse ju jeni pjesa më e ndritur e vendit tonë, ju na bëni krenarë në të gjitha fushat dhe nuk bënë të  mungoni as këtu”, u shpreh Lulzim Berisha.

Ai premtoi që tash e tutje një numër i biletave do të ndahet për gratë që në secilën ndeshje të kenë vendin e siguruar.

Me këtë rast, të pranishme në këtë takim ishin: Vjosa Berisha, Ardianë Pajaziti, Jeta Zymberi, Ramize Murtezi Shala, Elvana Shala, Armenda Filipaj, Maria Berisha Sylejmani, Anisa Ismajli, Vlora Nikqi, Arta Selimi etj, dhe  të gjithave ju dhuruan fanella me mbishkrimin Dardanët, shalle si dhe u pajisen me bileta për ndeshjen e ardhshme.

Vjosa Berisha, iniciatore e kësaj nisme, u shpreh se ky grup u krijuar me idenë që të përkrahet ekipi jonë i kombëtares së futbollit në lojërat në vazhdim.

“Ky grup i tifozeve gra numëron diku rreth 70-80 gra e çika deri më tani. Si hap i parë, sot një pjesë e këtij grupi vizituam Dardanët ku na priti udhëheqësi i tyre Luli dhe tifozët tjerë. Tani e tutje lojërat i ndjekim në stadion me tifo të fuqishme për fitoret e ardhshme”, është shprehu Vjosa Berisha.

Ndërsa themeluesja e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e ka mbështetur këtë iniciativë  duke e konsideruar si shumë të qëlluar.

“Iniciativa për përfshirjen e grave tifoze është iniciativë shumë e qëlluar për ndryshimin e idesë se futbolli është vetëm për meshkuj. Mbështetja e kombëtares tash e sa kohë ka marrë përmasa të mëdha, por edhe me mbështetje nga gratë, unë shumë besoj se ndeshjet e Kosovës do të marrin pamjet e njëjta me ndeshjet evropiane:, është shprehur Pajaziti.

Grupi i tifozeve mirëpret edhe vullnetare të reja duke u rritur kështu çdo ditë e më shumë. / KultPlus.com