Skulptura në bronx e aktores Hajrie Rondo, së shpejti në Delvinë

Qytetit të Delvinës do t’i shtohet një tjetër skulpturë në bronx që do të vendoset në sheshin qendror të tij, ajo e aktores Hajrie Rondo.

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Delvinës, Majlinda Qilimi, e cila thekson se “Delvina, ky vend i magjishëm ku kanë jetuar e jetojnë njerëz që kanë lënë gjurmë në histori, figura që kanë spikatur e spikatin në çdo fushë të jetës, figura që janë memorizuar fort e janë përjetësuar në memorien kolektive për të na dhënë ne, delvinjoteve, doza të fuqishme krenarie. E ndërsa në sheshin qendror të qytetit qëndron hijerëndë e madhështor, Sulejman Delvina, një tjetër figurë pret të hijeshojë e të lartesojë sheshin pranë kinoteatrit të qytetit. Delvinës do t’i rikthehet serish bija e saj Hajrie Rondo, këtë herë jetësuar në Bronx”.

“Ndihem vërtet e ngazëllyer, por edhe me fat që do të jap edhe unë mbështetjen time, krahas mbështetjes që kanë ofruar deputetet e zonës Alket Hyseni e Z.Andrea Marto. Mirëprita projektin e realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku, pasi askush më mirë se një artist delvinjot nuk mund të realizojë një vepër për një artiste delvinjote”, – theksoi Qilimi.

Kryebashkiakja Qilimi u shpreh se “shumë shpejt Hajria jonë, do të jetë mes nesh, në vendin që e lindi dhe e rriti”.

Hajrie Rondo lindi më 1 mars 1951 në Delvinë. Ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma, mes të cilëve mund të përmendim filmin tepër të njohur për shqiptarët “14 vjeç dhëndër”. Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Hajrie Rondo, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare në 9 shtator 2017. Rondo është ndarë nga jeta vetëm pak minuta më parë, në Himarë./atsh/ KultPlus.com

T’u rrojnë Kallakët e Mamaqët, se Hajria iku!

Nga Ilir Levonja

Nuk e di pse shqiptarëve u dhimbset kaq shumë ikja e Hajrie Rondos? Kemi kaq kollozër tani, sa, mjafton një Kallak a një Fevzi, a Mamaq…, ku di unë tjetër. Ia kemi kaluar edhe Hollivudit. Koha e kinemasë së Hajries ishte një kovaçanë.

Shkollë e këmbëzbathurve. E atyre që nuk dinin se si të lidhnin një papion. Hajria vetë, një e dënuar nga ai soj me një apartament një dhomë e kuzhinë. E dënuar t’i rishikohen rolet, përmbajtja.

Të transmetohen apo jo, filmat ku ka luajtuar? Ne kemi plot tashmë. Plot që shtrëmbërojnë surratin. Si e si të marrin me zor një të qeshur. Ku dinte Hajria ta bënte këtë.

Këta po, e kanë gojën plot me batuta bythësh, gjoksi, leshrash. Tu rrojnë fushatat, dhe ca kaseta të shtrydhura. Nuk kanë ngelur hapësirë të lirisë sonë pa e pushtuar. Hajria se kishte haberin e kasetave. Dilte në skenë ashtu zë jete. Fshatarkë origjinale. Kuadër origjinalë. Zyshë origjinale. Sekretare partie, origjinale. Harixhofkë origjinale.

Vjerrë e ligësht a nëpërkë, ashtu si ua ka qejfi të rejave moderne sot të quajnë mamatë e burrave, origjinale.

Ku e kishte Hajria haberin e veshjeve në modë. E koktejleve publike. A dasmave me porosi, të premten tek xhamllëku me farefisin. Të shtunën me shoqërinë tek Rogneri.

Hë e dini dasmën e Hajries? As mos e çoni nëpër mend. Kush është ajo, Bes Kallaku.? Hajria ishte aq, rrogën e pesëmbëdhjetëditshit. Pensionin sa për hape. Nuk e dini se çfarë janë hapet.

Aspirina, paracetamol. Kurse ju filluat nga çjerrjet në fejsbuk. Humbën këtë e humbëm atë. Humbje e madhe e artit. Filluat nga pëllitjet kolektive. Në një garë kolektive.

E kthyet me qejf Teatrin Kombëtar në teatër të shoqërisë, të pika eksperimenteve tuaja, tani e qani Hajrien. Lëreni Hajrien në prehjen e saj, se, ia shpifët së shkretës.

Nuk mbeti këmbë ministri, qeveritari, partiaku pa postuar këtë e atë. Këtë e atë gjoja dhimbje…, megjithëse nga ata tjetër nuk kanë asnjë politikë referuese a vepruese për kurimin a kujdesin e rasteve të tilla. Se shkollës së artit të Hajries ia bënë në kokë me karkalecat e skenës eksperimentale. Dhe ato pak thërrime që hedhin gjoja për investim, ua japin shokëve, dhëndurrëve, kunetërve. Ose i tregtojnë me përqindje interesi etj. Hajria një cope provinciale ishte.

(Shkruar në trysninë e Hurrican-it Irma)

‘Buka’ filmi që riktheu në ekranin e kinemasë Hajrie Rondon (FOTO)

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Buka’, film ky i pari i regjisores së re Blerta Kelmendi, riktheu në ekranin e kinemasë aktoren brilante e cila vdiq dje në moshën 66 vjeç Hajrie Rondo, shkruan KultPlus.

Kësisoj sot po e rikujtojmë aktoren Rondon me fotografitë nga xhirimet e këtij filmi i cili u realizua dy vite më parë dhe pjesëmarrja e Hajrie Rondos ishte e veçantë. Rondo në këtë film luajti përkrahë aktorit të mirënjohur Ligoraq Tushe (Fotografitë janë publikuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri)./ KultPlus.com

Bashkëshorti i Hajrie Rondos: Nuk u kujtua askush për të

“Po të lë amanet fëmijët. Ki kujdes për ta!”

Këto kanë qenë fjalët e fundit që aktorja e mirënjohur Hajrie Rondos i ka thënë të shoqit para se të ndahej nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Rondo, u shua në Himarë, në shtëpi, ndërsa pranë vetes kishte të bijën, Klean dhe të shoqin, Kiço.

I prekur dhe i dobët, ai tha për “GSH” se “Ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9:00 më la disa porosi. Mu duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”.

Aktorja prej muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, madje dy muaj më parë ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë.

“Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”, tha Kiço Rondo për “GSH.

Kanë jetuar një jetë së bashku. Ai ka qenë pranë saj në ditët më të suksesshme të bashkëshortes, kur imazhi në skenë e ekran ngrihej bashkë me rolet ku shkëlqente, duke sjellë dritë në jetën e spektatorëve dhe shikuesve. Ishin bashkë deri në çastin e mbramë, kur frymëmarrjet e Hajries, u ngadalësuan.
“Unë do ta mbaj mend si grua të përkryer”, thotë Kiço Rondo, duke shtuar “Ju gazetarët mund të flisni më mirë se unë për të. Ju e keni njohur mbase edhe më shumë se unë. Bëjeni si të mendoni”./ KultPlus.com

Kumbaro për Rondon: Dinte ta shihte jetën me ngjyra

Aktorja e madhe Hajrie Rondo, e cila ka ndërruar jetë sot në moshën 66 vjeçare, do të mbetët përherë në kujtesën e atyre që e deshën shpirtin e saj artistik dhe i duartrokitën përherë rolet e saj, shkruan KultPlus.

Pas ndarjes nga jeta e aktores Hajrie Rondo, ka reaguar edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila shkruan se facebook se Hajrie Rondo ikën nga toka por jo nga kujtesa kolektive.

Ajo ka theksuar edhe fjalën e e njohur të Rondos e cila gjithmonë ka kërkuar që jetën ta shohin njerëzit me ngjyra.

“Iken nga toka por jo nga kujtesa kulturore aktorja qe dinte ta shihte jeten me ngjyra prandaj ia dha ate Artit. Lamtumire Hajrie Rondo”, shkruan Kumbaro në Facebook. / KultPlus.com