Helidon Haliti sjell më 6 nëntor ekspozitën e rrallë ‘Faksimile’

Piktori i njohur Helidon Haliti do të hapë më 6 nëntor ekspozitën artistike të titulluar “Faksimile” në galerinë FAB.

Kjo ekspozitë është një projekt i cili ka origjinën në bisedat e tij me poetin Faslli Haliti, babain e tij, i cili është edhe burimi i tij i inspiratës si krijues.

Ata kishin një ëndërr të përbashkët për të kuruar një ekspozitë që do të përfaqësonte lidhjen e thellë midis pikturës së Helidonit dhe poezisë së babait të tij, duke treguar se elementë të poezisë dhe vlerat shoqërore të Faslli Halitit janë përfshirë në punët e tij artistike.

Megjithatë, Faslli Haliti u nda nga jeta para tre vitesh, dhe tani ky koncept po bëhet realitet.

Ekspozita “Faksimile” përbëhet prej pikturash dhe instalacionesh që përshkruajnë kujtimet dhe inspirimin që Helidon Haliti ka marrë nga babai i tij.

Ajo gjithashtu reflekton mbi ngjarjet dhe shqetësimet sociale që kanë ndodhur pas ndarjes së babait të tij për shkak të pandemisë së Covid-19.

Ky projekt artistik shfaq filozofinë se arti vazhdon të komunikoje edhe pas vdekjes së krijuesit. Poezitë e Faslli Halitit janë shërbyer si tituj për pikturat e Helidonit, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm midis tyre.

Ekspozita është e pasur me elemente të përrallave dhe kujtimeve që babai i tij i ka treguar atij si fëmijë.

Ekspozita “Faksimile” do të hapet për publikun më 6 Nëntor, në ora 18:00. Ajo përfshin rreth 40 punime në pikturë, të shoqëruara me një peizazh onirik dhe përdorimi i ngjyrave personale të artistit. Shfaqja shtron shqetësime të botës dhe përsëritjet në histori, por gjithashtu thekson se mësimet e babait vazhdojnë të jenë relevante edhe pas vdekjes së tij.

Ekspozita është organizuar në tri salla dhe përfshin një mini-muze, duke krijuar një ambient të larmishëm dhe duke eksploruar shqetësimet dhe dilemat artistike në një mënyrë inovative. “Faksimile” është një projekt që ka zgjatur për katër vite dhe tani është gati për të ndarë shpirtin dhe inspirimin e Helidon Halitit me publikun. Helidon Haliti mban dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që vijon të jetë tepër aktiv në krijimtarinë artistike./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet poeti e shqipëruesi Faslli Haliti

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot poetin dhe shqipëruesin Faslli Haliti, i cili u nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2020.

“E kujtojmë me nderim sot, për gjithë kontributin e dhënë në historinë e letërsisë shqipe, me përkthimin në shqip, të një prej poetëve të tij të dashur, Nazim Hikmet”, shkroi QKLL duke publikuar një prej poezive të sjella në shqip nga Faslli Haliti. Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare, u shua në moshën 85-vjeçare. Ai ishte autori i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe mbaroi Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

U shpalll qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”./atsh/KultPlus.com