Mbyllet ‘Film Flaka’, u prezantuan gjashtë filma

Për tri ditë me radhë, më 18, 19 e 20 janar, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, janë prezantuar 6 filma artistik e dokumentar, prodhime të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Në natën e tretë, sipas programit janë shfaqur dy filma. Ai i shkurt artistik, “Tisa” me regji të Valter Lucaj, si dhe filmi dokumentar “Rojtari i Bjeshkëve”, me regji të Antoneta Kastrati.

Subjekti i filmit “Tisa”, përshkruhet me sa vijon: Beni është një adoleshent i talentuar në futboll. Ai është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror, me shokun e tij Gëzimin, i cili gjithashtu luan futboll, si dhe me të dashurën Emën, të cilën që  të dytë e pëlqejnë!

Rrugëtimi jetësor i Benit bëhet dramatik kur ai merr një ftesë për një (s’)provë në një ekip futbolli francez! Rrjedha e përmbajtjes së filmit përcillet me elemente narrative, me tekst të ngjeshur, dialogje simpatike, ndërsa kthesa dramatike – kulmi ndodhë në  momentin kur Beni pritet të ikën për të vazhduar karrierën në  Francë!

Fati i tij, përkundër talentit, është në duartë e byrokracisë permanente të “instaluar” nëpër zyret të përfaqësive dilomatike, si atyre vendor ashtu edhe procedurave byrokratike e diplomatike.

Për pasojë, Beni detyrohet që, në vend të rrugëve legale, të ‘provojë’ ato alternative – ilegale!.

Filmi i dytë i mbrëmjes, “Rojtari i Bjeshkëve”, i punuar nga regjisorja Antoneta Kastrati, pasqyron orvatjet dhe tratativat e  vazhdueshme të një rojtari të bjeshkëve, për t’i shpëtuar ato.

Me përshkrime vizuele të peisazheve të natyrës, përfshirjes dhe përshkrimit të kohëpaskohshëm narrativ, si dhe deklaratave nga personazhe të intervistuara, pasqyrohet tentativa e vazhdueshme e luftës për të shpëtuar malet e Rugovës nga prerja dhe shkatërrimi mjedisor.

Derisa kupton historitë e rinisë së kryepersonazhit, (Fatosit), herë – herë të paraqitur në reminishencë, publiku kupton njëherit historinë e frustrimit të tij me politikën e pasluftës, ndjenjën e tij të strehimit në male, dhe përfundimisht lidhjen shpirtërore e vendosmërinë për t’i ruajtur pyjet.  

Skenat e realizuara në mjedise urbane e rurale, të ndërlidhura, si dhe përshkrimet e degradimeve të pyjeve, shfaqin pikëllimin e paskaj të tij, sidomos kur hasë në drunjë që duhet të presin kohë  të gjatë për t’u rritur, ndërsa aq pak ndjesi për përkujdesje mjedisore, e akoma më pak përkujdesje për t’u ruajtur nga degradimet si dhe djegiet pamëshirshme.

Paraprakisht, në  kuadër të “Film Flaka 2024”, janë prezantuar 4 filma tjerë, poashtu të shkurtë e dokumentarë, kryesisht prodhime nga QKK, si: “Pa Vend”, me regji të Samir Karahoda; “Daullet e Rezistencës”, punuar nga Besa Luci; “Kanarinat e Dinë: nga Kaltrina Krasniqi, si dhe filmi “Një Muaj”, i realizuar nga regjisori, Zgjim Terziqi.

Drejtori i Drejtorisë  për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, ka thënë enkas se “Film Flaka” është realizuar me iniciativë  vetanake, pa kosto apo Thirrje Publike, duke u shprehur i kënaqur me rrjedhën e filmave dhe prezantimeve.

“Përgjatë këtyre tri ditëve patëm rastin të shohim 6 filma, nga dy në secilën natë. Rëndësia e “Film Flaka” është se rikthen për aderues të filmit pas disa vitesh, krijimet filmike të autorëve vendor. Për “Film Flaka” nuk ka pasur Thirrje Publike. Ajo ka ardhur si iniciativë e DKRS-së, që me ndihmën e QKK-së, është  mundësuar shfaqja e filmave.”, ka thënë Zeqiri.

“Flaka e Janarit 2024”, me shtyllat përkatëse që e karakterizojnë tradicionalisht, vijon pjesën teatrale “Talia e Flakës 2024”, duke filluar nga 23 deri më  28 janar.

Ndërsa pasohet me festivalin për fëmijë “Xixat e Flakës”, pjesën letrare në prozë e poezi “Pena e Flakës”, garat e enigmatikës, pjesën artistike/muzikore “Fest Flaka”, si dhe një mori aktivitetesh tjera që i përcjellin ato kryesore, deri më 31 janar 2024./rtk/KultPlus.com

Anila Aliu – pianistja magjepsëse meloditë e së cilës kapërcejnë kontinentet

Uranik Emini

E njohur për performancat e saj magjepsëse dhe lidhjen e thellë me pianon, rrugëtimi dhe stili i Anila Aliut, ngjallin reminishenca të Martha Argerich, pianistes më të shquar për pasionin dhe aftësitë e saj teknike në botë.

Që në moshë të re ishte evidente talenti i saj me pianon. Në vitin 2008, ajo hodhi hapat e saj të parë në botën e muzikës, duke u regjistruar në Shkollën e Muzikës në Gjilan. Talenti i saj i lindur për të luajtur në piano doli në pah dhe një dashuri e thellë për instrumentin filloi të merrte formë.

Rrugëtimi i Anilës e çoi atë nga festivalet dhe garat vendore në Kosovë në skena ndërkombëtare, ku ajo sfidoi veten kundër konkurrentëve nga e gjithë bota. Me çdo shfaqje, ajo ndjente ngazëllimin e skenës dhe kuptoi se jeta e saj do të jetë e lidhur përjetësisht me këtë formë arti, shkruan KultPlus.

“Talenti im për muzikë është shfaqur qysh në fëmijëri të hershme, qysh nga viti 2008 kur kam filluar klasën e parë të muzikës në Shkollën e Muzikës në Gjilan. Që nga fillimi është vërejtur talenti në lojën time pianistike dhe pasioni e dashuria që kam pas për të. Kështu që me punë intensive fillova të përgatitem për paraqitjet e mia të para skenike, merrja pjesë në festivale dhe gara në Kosovë. Pastaj kur e pashë suksesin këtu, vendosa që të sfidoj veten me konkurrentë ndërkombëtarë në shtete të ndryshme të botës. Edhe garat ishin ato të cilat më kanë motivuar që të vazhdoj secilin vit. Nuk ka pasur vit dhe mund të them edhe muaj që Anila nuk ka qenë prezentë në skena të ndryshme. Më pëlqente ndjenja që publiku ta ofronte, më pëlqente emocioni në skenë; kështu që pas secilës performancë e kuptoja që mezi prisja për atë të radhës dhe kështu e kam kuptuar gradualisht që unë nuk mund të jetoj pa këtë art”, thotë ajo.

Rruga e Anilës nuk ishte pa sfida dhe pengesa. Si artiste nga Kosova, ajo u përball me pengesa të shumta, që nga çështjet e vizave për udhëtime ndërkombëtare e deri te komplikimet politike dhe të pasaportave. Megjithatë, me gjithë këto vështirësi, ajo ngulmoi, e shtyrë nga vullneti dhe dashuria e palëkundur për pianon, drejt sukseseve kulminante.

“Pavarësisht se çka bëjmë, pavarësisht se kush ne dëshirojmë që të jemi, arritja e sukesit bëhet vetëm me vendosmëri, punë, dëshirë, këmbëngulje, disiplinë dhe sakrifica të shumta. Por, unë mendoj që vullneti dhe dashuria janë dy komponentët që arrijnë me mposhtë çdo pengesë dhe barrierë që ne hasim gjatë ndërtimit të një karriere. Natyrisht duke marrë parasysh që jam një artiste nga Kosova, mund ta merrni me mend se jemi ballafaquar me situata të ndryshme, duke filluar prej sigurimit të vizave në udhëtimet jashtë vendit, në shumë performanca nuk e kam ditë deri në momentin e fundit a do të udhëtojë a jo, për arsye të probleme politike, të pasaportave dhe të vizave. Kjo ka qenë një prej punëve më të lodhshme. Pastaj në përgjithësi nuk është që kam gëzuar të drejtat e barabarta me artistët, me kolegët, muzicientët të shteteve të tjera, p.sh. me gjermanët, me austriakët, në tjera kushte jam rritur unë e jam zhvilluar unë si artiste, duke marrë parasysh mungesën e kushteve, sallave koncertale, e në krejt diçka tjetër janë rritur artistët në shtetet e tjera që kanë pasur përkrahje maksimale prej shtetit të tyre. Mirëpo, pa marrë parasysh të gjithave, krahas gjithë vështirësive unë kam gëzuar gjithmonë përkrahje nga njerëzit e mi dhe kam gëzuar përkrahje edhe nga profesorët e mi, sidomos atyre ndërkombëtarë që më kanë zgjatur dorën që unë të depërtoj jashtë Kosovës dhe ta shfaq talentin tim. Tërë kjo aftësi artistike që e kam pasur të zhvillohet dhe të mos ngecet e të pësoj më shumë për shkak të kushteve që nuk janë të pranishme në Kosovë”.

Ajo e kuptoi se suksesi mund të arrihej vetëm përmes vendosmërisë, punës së palodhur, disiplinës dhe sakrificës, dhe ishte e gatshme të bëntë gjithçka për të shkuar deri në fund.

“Një sfidë tjetër është këmbëngulja që duhet ta bëjmë çdo ditë, është heqja dorë e shumë gjërave në jetë, nuk jam rritur njësoj sikurse moshtarët e mi, shoqëria ime, kam munguar tërë kohës në çdo mbledhi shoqërore e familjare, kam hequr dorë e jam dedikuar 100 për qind këtij profesioni dhe mund të them që për shumë vite radhazi, e me muaj të tërë krejt ajo se çfarë kam bërë ka qenë gjumë, ushqim dhe punë në piano. Ka pasur periudha kur edhe pse në të njëjtën shtëpi, as prindërit nuk më kanë parë, aq e dedikuar që kam qenë. Orët që kam kaluar në piano, kanë qenë të panumërta. Stresi që e përjetojmë ne si artistë tërë kohës është diçka tjetër, edhe pse tash jam mësuar me të. Performancat në skenë dhe ato të drejtpërdrejta kanë shumë presion dhe duhet me të vërtet një karakter jashtëzakonisht i fortë që t’iu bëjë ballë këtyre gjërave. Performancat që janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe ato që luajnë rol në kahjen se nga do të shkosh ti si artiste, është thjeshtë shumë streuese.. Kam pasur performanca që kam punuar me vite të tëra, ku vetëm për disa minuta t’i duhej të paraqisje gjithçka nga vetja jote te kritikët më të mëdhenj në këtë fushë.  Karakteri fortë, guximi dhe vetëbesimi janë kyçe në këto situata. Sfida ka sa të duash, por nëse me këmbëngulje e dëshiron suksesin, duhet të jesh gati t’i bësh ballë gjithçkaje”.

Udhëtimi i saj pasqyron gjithashtu rritjen që po ka çdo ditë muzika klasike në Kosovë. Ndërsa zhanri i këtij arti zuri rrënjë më vonë në vendlindjen e saj, në krahasim me kombet e tjera, janë përpjekjet e artistëve të përkushtuar si Anila dëshmi që muzika klasike po fiton popullaritet dita-ditës. Ajo e sheh muzikën klasike si një thesar kulturor, një zhanër i përjetshëm që pasqyron thelbin e çdo epoke. Për Anilën nuk është çështja nëse muzika klasike do të mbijetojë, por si mund të kontribuojë në rritjen dhe përfaqësimin e saj në skenën botërore.

“Nëse flasim për muzikën klasike në përgjithësi është diçka tjetër prej asaj në shtetin tonë, sepse tek ne muzika klasike ka filluar jetën e saj shumë më vonë krahasim me shtetet e tjera. Unë e shoh shumë normale që të qëndrojmë më mbrapa në lulëzimin e saj. Megjithatë, falë organizimeve dhe artistëve mqë po e përfaqësojnë Kosovën jashtë vendit, mendoj që muzika klasike ka filluar që të gëzojë popullaritet më të madh dita e ditës. Në përgjithësi mendoj që ajo është kultura e një shteti dhe është dëshirë e imja që të kem rol në ngritjen dhe përfaqësimin e saj kudo në botë. Muzika klasike është thjesht një pasuri, një thesar, një diçka prej së cilës ne arrijmë të shohim çdo periudhë të jetës. Është diçka që pasqyron secilën epokë, diçka që të bën human, ndikon në zhvillimin tënd si person. Kështu që, rëndësia e saj është e jashtëzakonshme dhe shpresoj që njerëzit do t’ia dinë vlerën një ditë, sepse sa i përket asaj se a do të jetojë apo jo, as që e vë në pikëpyetje, është zhanri që nuk vdes kurrë”.

Në udhëtimin e saj muzikor, Anila merr frymëzim nga fëmijëria e saj, ku ishte e “rrethuar” nga pianistë të jashtëzakonshëm si Martha Argerich dhe Evgeny Kissin. Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të madhe të rritjes dhe suksesit të saj mentorit të saj, një profesori që njohu potencialin e saj dhe ushqeu talentin fuqishëm. Falë mbështetjes së mentorëve, mësuesve dhe kolegëve, të cilën ishin shtytësit kryesor, Anila ka arritur në artisten që është sot.

“Mund të them që prej fillimeve të mija, kam pasur muzicientë, sidomos pianistë të shquar që i kam dëgjuar çdo ditë dhe prej të cilëve jam inspiruar jashtëzakonisht shumë. Martha Argerich ka qenë e para prej të cilës jam inspiruar, pastaj edhe Evgeny Kissin, të cilin kam pasur fatin edhe ta takoj. Por, ndikimin tim më të madh në zhvillimin tim si artiste mendoj që e ka pasur profesori im, me të cilin kam punuar me vite radhazi dhe i cili më ka hapur dyert për ndërtimin e një karriere pianistike, koncertuese në një moshë jashtëzakonisht të hershme, diçka që as në ëndrra se kam parë që mund ta arrijë në moshën 18 vjeçare. Atyre personave u jam shumë mirënjohëse, atyre që më kanë bërë ta shoh se çka jom e aftë të bëj. Dhe ata të cilët kanë punuar pa asnjë interes në zhvillimin tim si artiste, vetëm pse kanë parë talentin dhe aftësitë e mia të zhvillohem si një artiste, diçka që në Kosovë, fatkeqësisht nuk e hasim”.

Rrugëtimi i Anilës është shënuar me arritje të rëndësishme, duke përfshirë çmime dhe mirënjohje të shumta.

“Natyrisht garat kanë qenë ato të cilat më kanë mundësuar shumë performanca si pianiste dhe gjithashtu m’i kanë hapur dyert në skena të rëndësishme të botës. Dhe pastaj, pas atyre performancave kam arritur që të njoh personalitet të shquara, pianistë të famshëm që sot i kam miq e kolegë, kam arritur të njoh dirigjent që më kanë mundësuar dhe organizuar edhe turne, kam arritur që të njoh profesorë të ndryshëm që kam pasur fatin që të punoj edhe me ta dhe të zhvillohem edhe më shumë. Ndikimi i pjesëmarrjes në gara është pikërisht fusha ku ne e shfaqim talentin tonë, pjesëmarrja në gara është gjëja më e mirë që një artist mund ta bëjë në fillimet e karrierës”.

Turneu i saj në Meksikë spikat si një kulm në karrierë, ku performoi si soliste me një orkestër meksikane, duke u gëzuar në ngrohtësinë e duartrokitjeve të publikut.

Mund të them që ka qenë kulmi i karrierës sime, një turne i madh e një organizim i jashtëzakonshëm. Në qytete të ndryshme të Meksikës, unë kam qenë soliste me orkestrën meksikane, një prej përvojave më të mira, nuk e di se si ta shpjegoj, është shumë e vështirë të gjinden fjalët e duhura ta përshkruaj pritjen e jashtëzakonshme që unë e kam marrë atje. Jam ndje si një artiste e nivelit më të lartë botëror, organizimi ka qenë në atë nivel saqë e kam ndjerë veten si me qenë Martha Argerich, në nivel botëror. Provat me orkestrën, pastaj lëvizja e udhëtimet në qytete të ndryshme, pritja e jashtëzakonshme, sallat e mrekullueshme, kushtet fantastike. Publiku ka qenë pothuajse në çdo qytet, sallat kanë qenë të mbushura. Duartrokitjet e shumta dhe madje edhe standing-ovations, një prej kulminacioneve të karrierës sime”.

Ky turne jo vetëm që e ngriti atë si artiste, por shërbeu edhe si një platformë për të prezantuar Kosovën në botë, një mision që ajo e merr për zemër.

“Çdo njeri në publik, çdo anëtar i orkestrës, nuk e dinin se ku është Kosova dhe përmes meje dhe artit tim, modestinë anash, mijëra njerëz e dinë të paktën se ku gjendemi ne. E kuptoj që këto arritje politike nuk janë të lehta, e marrëdhëniet mes shteteve edhe më vështirë, por unë e shoh si të suksesshme këtë turne. Në çdo koncert ku shkoj, unë e prezantoj Kosovën dhe e paraqes shtetin tim në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam kaluar një muaj në Meksikë dhe kam kaluar kohë të shumtë më muzicientë të ndryshëm, e interesimi i tyre për historinë e shtetit tonë ishte i madh. Kur i kam njoftuar se në çfarë ka kaluar populli jonë, të gjithë na kanë përkrahur dhe janë prekur nga historia e shtetit tonë. E shoh si arritje shtetërore, dhe jo personale. Por, puna nuk ndalet asnjëherë dhe unë do të vazhdoj kudo që të shkoj, është një ndjenjë jo e mirë e më dhemb zemra kur publiku ose miqtë e mi, p.sh. në Azi, nuk e kishin idenë se ku ndodhet Kosova. Është i lodhshëm fakti kur njerëzit më pyesin nga vjen dhe gjithmonë përgjigjja e tyre është: ku është ai vend? Mund të them që 80 për qind të rasteve nuk e dinë se ku ndodhemi. Unë dua të lë gjurmë me këmbëngulje kudo që shkoj, në të gjitha aspektet. Pas turnet në Meksikë, normalisht kam pasur performanca të shumta, tashmë jetoj dhe veproj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që kam pasur pesë performanca atje”.

Përkrahja e shumtë nga profesori i saj Adam Neiman nga Roosevelt University – CCPA, është diçka shumë e çmuar për pianisten kosovare. Ajo vlerëson shumë rolin që ky universitet dhe profesor ka patur në rrugëtimin e saj artistik.

“Profesorin Adam Neiman dhe universitetin “Roosevelt University- CCPA” dua t’i falënderoj për përkrahjen dhe mundësitë që m’i kanë ofruar dhe po vazhdojnë t’i ofrojnë te unë, me ç ‘rast edhe po rritem si artiste dhe po depërtoj më tutje në skenat amerikane”, shprehet Aliu.

Foto: Arben Llapashtica

Një nga momentet e saj të paharrueshme ishte ndarja e skenës me pianistët e njohur Mikhail Pletnev dhe Dmitry Shishkin në Kroaci. Këta ishin artistë që dikur i kishte adhuruar dhe tani janë bërë kolegë. Është një testament i rrugëtimit të saj, ku idhujt bëhen kolegë dhe ëndrrat marrin kuptim; duke u bërë realitet.

Koncerti im në Kroaci në Piano Loop Festival në Split të Kroacisë ka qenë prezenca e pianistit Mikhail Pletnev dhe Dmitry Shishkin që janë dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës klasike, dy pianistë shumë të famshëm që i njeh e gjithë bota dhe dy persona që unë i kam dëgjuar dhe jam rritur me videot e performancat e tyre. Deri në vitin 2021, unë ata i kam parë si diçka e paprekshme dhe shumë larg, e shumë e vështirë për t’u arritur, si yje e idoll. Ndërkaq, në atë koncert ata të dy kanë qenë të pranishëm në publik. Unë kam koncertuar atje krahas emrave më të mëdhenj të muzikës klasike, e të cilët sot i kam miq dhe mund të them që kjo ka qenë një ëndërr e imja e bërë realitet, kur idhujt e tu bëhen kolegët e tu, është një prej gjërave më të veçanta që njeriu mund t’i përjetoj në jetë”.

Skena është një vend i magjisë dhe frikës. Anila e pranon se frika e skenës nuk zhduket kurrë; ka të bëjë me menaxhimin e atyre nervave dhe emocioneve për të ofruar një performancë të paharrueshme. Përmes përvojës, ajo ka mësuar të shfrytëzojë emocionet e saj për të ushqyer edhe më shumë artin e saj.

Shumë njerëz më thonë që t’i je mësuar, qe 16 vite në skenë ose ti ose askush tjetër, sepse është e vërtetë që prej fillimit të karrierës kam qenë tërë kohës duke u përgatitur për performanca dhe gati se çdo muaj kam qenë në skena të ndryshme, kam përvoje e shumë eksperiencë. Kam pasur performanca të nivelit, ku stresi ka qenë kulminant dhe presioni shumë i madh, edhe njerëzit sot mund të thonë që ti je mësu dhe nuk ke më stres, por kjo nuk është e vërtetë, stresi i skenës nuk largohet asnjëherë, është diçka shumë e natyrshme që nuk mund ta mohoj askush. Të njëjtën e them edhe unë, mirëpo duhet të arrihet një nivel që di ta menaxhoj atë, di t’i menaxhoj emocionet, e kjo vjen vetëm me eksperiencë dhe përvojë. Mundohem t’i menaxhoj dhe drejtoj emocionet, në mënyrë që ato të jenë në anën time, e të më ndihmojnë të fali një performancë të paharrueshme te publiku. Unë kam arritur në këtë nivel, që di t’i menaxhoj emocionet, dhe t’i përdori ato në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më dhënë forcë e fuqi përpara”.

Duke parë përpara, Anila është e emocionuar për projektet dhe bashkëpunimet e saj të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo i është përkushtuar rritjes dhe mësimit të vazhdueshëm, si artiste dhe si person. Pasioni i saj për muzikën nuk njeh kufij.

“Do të jem në Amerikë deri në muajin maj ose qershor të vitit tjetër, kam shumë punë e projekte për të cilat jam duke punuar. Kam një recital shumë të rëndësishëm në Prill, është në një prej festivaleve më të rëndësishme amerikane, prandaj jam shumë e nderuar që një natë e këtij festivali i është kushtuar Anilës. Sa i përket bashkëpunimeve, jam në kontakt me muzicientë amerikan dhe jo vetëm, e jemi në përgatitje të një incizimi profesional me grupin e Vaughan Williams: Piano Quintet dhe kemi filluar punën, e unë po shpresoj që gjithçka të shkojë siç duhet”.

Muzika, për Anilën, nuk është vetëm një karrierë; është një mënyrë jetese. Ajo ka luajtur një rol kryesor në formimin e karakterit të saj, personalitetit dhe stilit të saj të jetesës. Ajo ka përshkuar çdo aspekt të qenies së saj. Ajo nuk e ndan karrierën e saj nga jeta e saj personale; në vend të kësaj, ajo i sheh ato si të ndërthurura, të pandashme. Edhe pse vazhdimisht mundohet që të jetë një krahë i afërt për rrethin e ngushtë, duke u kujdesur për shëndetin dhe rritjen personale, karriera e saj mbetet parësore. Nuk është diçka që ajo e ndan nga vetja; është pjesë përbërëse e asaj se kush është ajo.

Pianistëve dhe artistëve të rinj, pianistja tanimë e njohur ndërkombëtarisht u ofron këshilla të vlefshme. “Talenti mund të hapë dyert, por është karakteri dhe vendosmëria që të mbajnë atje. Vendosja e qëllimeve, puna e pamëshirshme drejt tyre dhe besimi në veten tuaj janë çelësat e suksesit në botën e muzikës”.

Si anëtare e jurisë së Festivalit në RTSH, Anila reflekton për privilegjin dhe nderin e të qenit në mesin e artistëve të vlerësuar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në muzikën shqiptare. Ajo e sheh festivalin si një thesar kulturor.

“Edhe kjo ka qenë një ndër eksperiencat më të mira që kam pasur. Jam ndjerë shumë e privilegjuar, për ftesën fillimisht, pasi kam qenë emri më i ri aty. Duke e parë vetën afër artistëve me emra të mëdhenj, para shumë viteve idhujve të mijë, dhe tani unë gjatë këtij festivali kam kaluar pesë ditë kohë me ta si kolegë. Jam shumë mirënjohëse ndaj drejtori të festivalit për ftesën, për besimin që kanë pasur ndaj meje, për vlerësimin dhe për pritjen e ngrohtë e dashurinë që më ka falur publiku shqiptarë gjatë atyre ditëve. Ka qenë një përvojë fantastike dhe është nder e kënaqësi të jesh e rrethuar nga muzikantë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për shumë vite në zhvillimin e muzikës shqiptare. Festivalin e këngës e konsideroj si një prej thesareve kulturore, kështu që pjesëmarrja ime si një anëtare e jurisë në këtë edicion është një privilegj dhe nder i vërtetë”.

Rrugëtimi i Anilës e ka çuar atë nga skenat evropiane në mundësitë amerikane. Edhe pse kushtet për artistët në këto rajone mund të ndryshojnë, përkushtimi i saj i palëkundur mbetet konstant. Ajo kujton një performancë në Kosovë ku pikat e shiut binin pranë pianos, një kontrast i thellë me skenat magjepsëse që kishte jetuar për disa momente, në turnetë e saj ndërkombëtarë. Përvoja të tilla vetëm sa e kanë forcuar vendosmërinë e saj për të ndjekur e realizuar ëndrrat.

“Amerikanët dhe evropianët fatmirësisht i gëzojnë të gjitha kushtet për zhvillimin e artit, prandaj nuk më ka munguar asgjë, por diçka që mbaj mend është performanca ime vitin e kaluar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, ku gjatë kësaj performance në Sallën e Kuqe, pas gjithë sallave glamuroze që kalova në turne të ndryshme, unë rikthehem në Kosovë dhe është vetëm salla e Kuqe ku mund të performohet atje. Atë natë bie shi në Prishtinë dhe ajo se çfarë ndodhi është se gjatë performancës, shiu pikonte në sallë, shumë afër pianos dhe madje i ka penguar shumë edhe dirigjentit, sepse i ka pasur partiturat dhe pjesët ku ka dirigjuar shumë afër tij, dyshemeja ka qenë tërësisht e lagur. I kemi këto kushte dhe nganjëherë është për të ardhur keq, por kemi një karakter shumë të fortë që na shtyn përpara të punojmë, pa marrë parasysh këtyre gjërave”.

Vizioni i saj afatgjatë është të përfaqësojë Kosovën dhe të ndajë artin e saj me botën.

“Ndër qëllimet e mija kryesore ka qenë prezantimi im dhe i shtetit tim në Evropë dhe në botë, e ndër qëllimet e tjera ka qenë ngjitja në skenat prestigjioze, botërore, e kjo po realizohet dhe po realizohet dita e ditës. Unë me të vërtet kam prekur ëndrrat, shumë prej gjërave që i kam ëndërruar dhe i kam manifestuar, dhe jam dëshmi se nëse punon fort dhe nëse guxon, ëndrrat bëhen realitet”.

Dy pjesë muzikore shumë të veçanta për Anilën janë dy kapituj të thellë në rrugëtimin muzikor të saj, secili me rëndësi unike dhe emocionale.

“I kam dy pjesë të veçanta: është koncerti në D Dur: nga Joseph Haydn, është një pjesë e veçantë për mua për arsye që e kam interpretuar në moshën 11 vjeçare së bashku në koncertin me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe kjo është pjesë e historisë së Kosovës. Sa e re kam qenë në moshë dhe është diçka që më ka futur në pjesën e botës së muzikës dhe përjetimi im i parë se si do të thotë të luash me një orkestër. Gjithmonë më kujtohen këto ditë, sa herë që jam me ndonjë orkestër. Koncerti tjetër është Prokofiev: Piano Concerto No. 2, që konsiderohet si vepra më e vështira e muzikës për piano dhe me të vërtet është vepra më sfiduese për nga vështirësia, fuqia në të cilën duhet të jepet. Është diçka shumë e veçantë për mua për arsye se mentori im amerikan më ka besuar mua këtë vepër. Kemi filluar që të punojmë së bashku dhe e kam pasur ëndërr që ta luaj dikur në moshën 40 vjeçare. Megjithatë, profesori më besoi mua dhe në moshën 23 vjeçare, kur e shihja që ai ka besim në mua, edhe unë tani po i besoj vetes. Është diçka kur dikush të jep një krahë përpara, ti je në gjendje të bësh gjithçka”.

Anila e sheh talentin dhe artin e saj si bekim nga Zoti. Si e tillë, ajo ndjen një përgjegjësi të thellë për të ndarë talentin e saj me të tjerët.

“Çfarëdo që mendja e njeriut mund të arrijë ta konceptojë, mund ta arrijmë. Për gjërat të cilat unë punoj edhe mund të arrihen, këtë gjë edhe e kam vërtetuar. Gjërat që i kam imagjinuar si fëmijë, sot po i jetoj si e rritur. Jam e sigurt që do të vazhdoj me këtë mendësi, të punoj përpara duke dhënë maksimumin tim. Kjo është jeta dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të mundohemi e të vazhdojmë drejt krijimit të një jete për të cilën ne kemi ëndërruar dhe punuar gjithmonë. Sa i përket trashëgimisë, dua të lë gjurmë në zhvillimin e muzikës klasike në të gjithë botën, natyrisht dua të lë gjurmë si një ambasadore e artit dhe kulturës, dhe të reprezentoj, gjithmonë, jo vetëm veten time por edhe vendin tim. Artin, talentin dhe gjithçka që Zoti më ka falur, ta ndaj me njerëzit në të gjithë botën”, përfundon ylli i muzikës klasike.

Historia e Anilas vjen si një përzierje e rritjes së saj personale, përsosmërisë artistike që ajo ka arritur dhe kontributit për Kosovën, gjë që vazhdon ta frymëzojë edhe atë personalisht. Rrugëtimi i saj, nga fillimet modeste në Gjilan deri në skenat madhështore të botës, i ka shndërruar ëndrrat në realitet dhe ajo është një dëshmi e fuqisë së talentit, vendosmërisë dhe dashurisë së palëkundur për muzikën.

Stadiumi i Gjilanit po bëhet, ndahen 15 milionë euro

Është hartuar projekti përfundimtar për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, për të cilin janë ndarë 15 milionë euro, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se është hartuar projekti përfundimtar për Staduimin e Gjilanit, dhe se punimet për zbatimin e këtij projekti do të fillojnë sa më parë.

“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.

Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, thuhet në postim.

Ministri Çeku ka deklaruar gjithashtu se me vendosmëri po punohet në realizimin e planit intensiv për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.

Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin!”, ka thënë ministri Çeku./KultPlus.com

Themelohet Kori i Grave “Muza” në Gjilan, Albina Jakupi: Jetësoni ëndrrën tuaj, asnjëherë nuk është vonë

Mësuesja e muzikës Albina Jakupi ka sfiduar vetën edhe më një iniciativë të re për komunitetin e Gjilanit, përkatësisht gratë, e cila tashmë ka sjell formatin e korit të grave “Muza”, që tashmë edhe ka nisë me grupin e parë të grave, shkruan KultPlus.

Në njoftimin zyrtar të këtij kori thuhet se në këtë kor do të promovohen këngët e mirëfillta popullore dhe qytetare.

Albina Jakupi ka thënë për KultPlus se iniciativa për themelimin e këtij kori ka ardhë si rezultat duke u bazuar në përvojën e saj të gjatë si mësuese e muzikës, dhe kjo përvojë ka bërë që të njohë shumë nëna të nxënësve të saj, të cilat i kanë treguar për ëndrrat e tyre të parealizuara, të qenit pjesë e skenës, pjesë e muzikës.

“Gjatë përvojës time si mësuese e muzikës kam pas rastin të njohë shumë shumë nëna të cilat më kanë treguar se dëshirë e hershme e tyre ishte këndimi, por rrethanat e atëhershme, por edhe mospërkrahja nga familjet e tyre, këto ëndrra u kanë ngelë në sirtarë”, ka thënë Jakupi, e cila ka shtuar se pikërisht këto dëshira të fjetura e kanë shtyrë që të themelojë këtë kor dhe të krijojë një vend të përbashkët për gratë që duan muzikën.

“Njoh gra të moshuara, të pensionuara që e kalojnë kohën të mbyllura në shtëpi nga që iu mungon një hapësirë, vend argëtues për to. Duke ditur ndikimin pozitiv që ka muzika – kënga,  e gjithashtu edhe skena, unë kam menduar të formoj korin e Grave “Muza””, ka thënë Jakupi për KultPlus e cila në të njëjtën kohë ka ftuar të gjitha gratë që duan të jenë pjesë e këtij kori të lajmërohen për regjistrim, pasi që regjistrimi për të qenë pjesë e këtij kori është gjithnjë i hapur.

Jakupi ka njoftuar se të gjithë ata që duan të lajmërohen pë korin “Muza”, mund të lajmërohen në https://www.facebook.com/profile.php?id=100092232620352./ KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”, e cila u kushtohet të gjitha grave e nënave të cilat kanë kontribuar me rolin e tyre në shoqëri për mirëqenien dhe zhvillimin e kulturës, sportit e arsimimit të gjeneratave, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përfaqësues tjerë institucionalë, përcjell KultPlus.

Kryetari Hyseni, pasi ka falënderuar ministren Haxhiu për vizitën dhe angazhimin e saj në fushën e të drejtave të grave, tha se ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash.

“Skupltura “Heroina e Qytetit” ka një simbolikë të veçantë. Përveç luftës e ngjarjeve të përditshme, gratë janë heroina. Tek shqiptarët, gratë kanë vuajtje të shumta, por kanë kontribut të veçantë. Përtej vuajtjeve, kanë një trimëri të veçantë e një qëndrueshmëri të gjatë. Kanë kontribuar ndër breza, kanë mirëmbajtur shtëpinë e familjen”.

“Fatkeqësisht, vitet e fundit janë përcjellë me një rritje të madhe të dhunës në familje, në të shumtën e rasteve e drejtuar ndaj gruas. Padrejtësisht privohen edhe nga të drejtat elementare, nga shkollimi e nga shumë të drejta të tjera”, ka nënvizuar kreu i Gjilanit.

Ai tha se kjo skulpturë është nismë e para dhjetë vitesh e dy profesoreshave, Gjylshene Berisha e Sadete Tërnava – Osmani, nëpërmjet mekanizmave institucionalë.

“Është aprovuar si kërkesë më herët, ka kaluar fazën e projektimit dhe të konkursit dhe është jetësuar sot pas pesë vjetësh, pasi si Komunë e kemi gjetur mundësinë e bashkëfinancimit me Ministrinë e Kulturës. Ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash. Urime 8 marsi të gjitha grave e vajzave”, ka shtuar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar të gjitha gratë dhe vajzat të cilat tha se kanë dhënë kontribut me shekuj.

“Ju shpreh zotimet e mia se çdo ditë e imja në Qeveri por edhe kudo tjetër, do të jetë në shërbim të vajzave dhe grave në vendin tonë dhe nuk do të kursehem në asnjë moment. I lutem sot sidomos vajzave të reja që të luftojnë shumë për të drejtat e tyre, që të mos lejojnë që të shkelen e diskriminohen, qoftë në familje, në vendin e punës apo rrethet shoqërore. U jam mirënjohëse të gjithave për rolin që e keni luajtur në shoqërinë tonë”, është shprehur ministrja Haxhiu.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se gratë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ndryshime të mëdha në të gjitha sferat e jetës.

“Megjithatë, vlerësimi dhe mbështetja për gratë në shoqëri ende kërkon përpjekje të mëdha, pasi diskriminimi dhe dhuna ndaj grave janë ende të pranishme. Kjo na bën të ndihemi përgjegjës për të ndihmuar në ngritjen dhe vetëdijësimin e mbrojtjes së të drejtave të grave kudo në botë”, është shprehur ajo.

Në fund, kryetari Hyseni ka ndarë mirënjohje për kontribut të veçantë për Drita Klaiqi, Maxhide Shaqiri, Ismete Kallaba, Hyrije Rexhepi dhe Xhangyle Iljazi (post mortum). / KultPlus.com

Biblioteka e Gjilanit, ‘kampione’, me suksese të mëdha në vitin 2022

Biblioteka e Gjilanit model në rajon, me kushte optimale, fond të pasur librar, digjitalizim e staf profesional, është dëshmuar si krenaria e qytetit për vitin 2022!

Padyshim se Biblioteka e Qytetit të Gjilanit Fan S. Noli, meriton medaljen e artë në fushën e kulturës për vitin e kaluar! Viti 2022 ka qenë ndër vitet më të suksesshme të saj. Përkundër vështirësive të shfaqura në procesin e realizimit të objektivave që i ka shtruar vetes si drejtues i Bibliotekës, drejtori Qazim Azizi bashkë me stafin ia kanë dalur me sukses të realizojnë disa projekte që kanë qenë jetike për këtë vatër të dijes.

Njëri nga projektet me të cilin meriton të mburret jo vetëm menaxhmenti i bibliotekës si institucion, por tërë Gjilani si komunë, është digjitalizimi i titujve dhe anëtarsisë, si dhe fondi librar në këtë tempull.

Gjatë këtij viti (2022), Biblioteka ka filluar të jepë një kartelë digjitale, dhe t’i mundësoj barkodet përmes telefonave të mencur secilit anëtar të regjistruar. Me këto risi unike, anëtarsia e gjërë mund të shfrytëzoj katalogun e bibliotekës dhe tërë opusin librar të titujve dhe ekzemplarëve në raftet e këtij institucioni.

Drejtori i Bibliotekës ka potencuar faktin se fondi librar i kësaj biblioteke është mjaft i kënaqshëm, me rreth 15 mijë tituj, të cilat huazohen nga anëtarsisa e këtij institucioni.

Studentët e bibliotekës mund të shfrytëzojnë ato 231 miliopnë libra përmes faqes së bibliotekës, dhe të gjithë anëtarët e regjistruar që posedojnë kartelën mund ta realizojnë atë mundësi”, tha drejtori Azizi, duke konstatuar faktin e ditur tashmë botërisht se kjo bibliotekë ka një staf tejet profesional.

Përveç projekteve të realizuara gjatë viteve të fundit, drejtori i bibliotekës ka sqaruar se kushtet ideale që ofron ky institucion imponon domosdoshmnërinë e avancimeve të vazhdueshme, për të qenë në hap me zhvillimet bibliotekare në botë.

Në këtë kotekst, drejtori Azizi ka zbuluar edhe një msheftësi në vazhdën e surprizave të vazhdueshme, se gjatë vitit të ardhshëm pritet që biblioteka të inventarizohet me kushtet adekuate sipas specifikacioneve që parashihen me standarde bashëkohore, përfshirë raftet e reja dhe adekuate për libra, sikurse edhe pjesa e akomodimit për studentë e lexues tjerë, të cilët shfrytëzojnë hapësirat e këtij institucioni./gjilani.com/ KultPlus.com

‘Babai dhe Babai’ shpërblehet me dy çmime në Festivalin e Teatrove në Gjilan ‘Talia’

Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ ka arritur të fitojë dy çmime kryesore në Festivalin e Teatrove në Gjilan ‘Talia’, shkruan KultPlus.

Dy çmimet kryesore janë:

– Shfaqja më e mirë
– Drama më e mirë

Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje. / KultPlus.com

Pesë asete të tjera të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme

Trashëgimia kulturore i referohet traditave, zakoneve dhe praktikave që përcillen brez pas brezi brenda një kulture. Aty përfshihet një gamë e gjerë shprehjesh kulturore, si letërsia, arti, muzika, vallëzimi, ushqimi dhe veshja, shkruan KultPlus.

Së fundmi, Ministria e Kulturës ka njoftuar se pesë asete të trashëgimisë kulturore do të jenë në mbrojtje të përhershme.

Hamami i Madh në Prishtinë, varrezat Hebraike në Prishtinë, shkolla e Muzikës (ish Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan dhe ish-hoteli Jadran në Mitrovicë janë asetet që pasuruan listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.

MKRS njofton se gjatë muajve në vijim pritet të miratohen propozime të tjera për shpallje asetesh në mbrojtje të përhershme nga kategori të tjera të trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, trashëgimia kulturore është e rëndësishme sepse ndihmon në ruajtjen e identitetit unik të një kulture dhe lejon brezat e ardhshëm të kuptojnë dhe vlerësojnë historinë dhe traditat e paraardhësve të tyre. /KultPlus.com

Ministri Çeku: Gjilani është një prej komunave me përplot potencial në fushën e artit, sportit e trashëgimisë kulturore

Ministri Hajrulla Çeku tashmë ka nisur takimet e tij me kryetarët e komunave për të dinamizuar projektet dhe investimet kapitale. Ai së fundmi është takuar me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyeni me ç’rast ka vlerësuar qytetin si një qytet që ka potencial të bollshëm në fushën e artit, sportit dhe trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

“Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri”, ka thënë Çeku.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Gjilani është një prej komunave me përplot potencial në fushën e artit, sportit e trashëgimisë kulturore.

Në ciklin e takimeve me kryetarë të komunave për të dinamizuar projektet e investimeve kapitale, kisha kënaqësinë e veçantë të takohesha me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.

Folëm për projektet ekzistuese të cilat duhet ti përmbyllim dhe u dakorduam për disa projekte të reja.

Stadiumi i qytetit të Gjilanit është një projekt me shumë interes për komunitetin dhe për Ministrinë e Sportit dhe Komunën. Tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë. Kemi filluar procedurat për hartimin e projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit. Projekt përfundimtar për këtë stadium nuk ka ekzistuar, është punuar me faza dhe nuk ka pasur projekt për kategorinë e përcaktuar. Pas hartimit të projektit final të detajuar do të qartësohen detajet e realizimit të punimeve, përfshi periudhën kohore dhe koston. Hap i domosdoshëm në këtë proces ka qenë edhe shkëputja e kontratës me operatorin, ndërsa angazhimi i dy niveleve të qeverisjes do të jetë maksimal për ta përmbyllur këtë projekt që padrejtësisht i është mohuar sportistëve e qytetarëve të Gjilanit për kohë të gjatë.

Sa i përket palestrës sportive në Zhegër, jemi duke u kujdesur që si projekt të ketë realizim të suksesshëm të punimeve tash që po i afrohemi fazës përfundimtare. Në bashkëpunim me komunën e Gjilanit po mundohemi që brenda afatit optimal ta përmbyllim dhe funksionalizojmë në shërbim të rinisë, sportistëve dhe të gjithë komunitetit.

Në investimet e trashëgimisë kulturore Gjilani ka pasur dhe vazhdon të ketë asete të prioritet. Për shkak të gjendjes jo të mirë të monumenteve për vite me radhë, ndërhyrjet emergjente në këtë rajon janë duke vazhduar, një pjesë e tyre kanë përfunduar, e së shpejti fillon faza e re në shërbim të shpëtimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri.

Xhepat e gjelbër është një nismë tjetër e komunës për të cilën jemi ftuar të bashkëpunojmë për të ndërtuar hapësirat sportive dhe kulturore. U dakorduam që në momentin që komuna ka projektin përfundimtar ta ndajë me ne dhe të shohim mundësinë e përfshirjes në buxhet.

Qendra e Kulturës në Gjilan është një projekt i ri që i nevojitet komunitetit që është shumë aktiv në sferën kulturore. Në parim jemi zotuar t’i shohim mundësitë për bashkëfinancim me qëllim të plotësimit të nevojave për komunitetin në Gjilan.

Në kuadër të projekteve potenciale, nga kryetari Hyseni kërkova të propozohen lokacione të përshtatshme për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe shtëpisë së shahut në Gjilan.

Dhe dakordimi ynë i fundit ishte që organizimi i Flakës së Janarit për vitin e ardhshëm të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë. Kryetarin e njoftova me dy programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe sportit në shkolla. Dy programe me interes nacional që do të shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës kryetari i mirëpriti me gatishmëri të plotë për bashkëpunim./ KultPlus.com

Koncert me hitet e pop-rock bendeve të Gjilanit 

Naser Berisha, këngëtari i njohur për hitet e shumta të viteve të 90-ta është duke organizuar koncertin pop-rock, koncert që do të mbahet sonte në qendër të Gjilanit, shkruan KultPlus.

Naser Berisha ka njoftuar se koncerti “#eJona” do të fillojë prej orës 20:00 dhe do të përfshijë këngë hite origjinale prej viteve të 70-ta e këndej.

“I gjithë koncerti do të jetë live dhe të gjitha grupet do të performojnë këngët e tyre origjinale”, ka thënë Berisha për KultPlus, i cili këtë koncert e ka sjell për audiencën gjilanase, që vlerësohet si koncert nostalgjik për bendet e pop-rock që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Gjilan. / KultPlus.com

Filloi Karvani i Diasporës “Shijo Kosovën”, aktivitete të shumta kulturore dhe artistike do të zhvillohen në qytete të ndryshme

Aktivitete të shumta kulturore dhe artistike do të zhvillohen në qytete të ndryshme të Kosovës në kuadër të Karvanit të Diasporës “Shijo Kosovën”.

Kjo ngjarje filloi sot në Gjilan në praninë e shumë zyrtarëve të lartë të nivelit qendror e lokal, bashkëatdhetarëve dhe qytetarëve.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, zëvendësministrja e MASHT, Edona Maloku Bërdyna kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni e zyrtarë të tjerë.

Ky organizim është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim dhe koordinim edhe me disa komuna.

Karvani i Diasporës do të vazhdojë nëpër qytete të tjera të vendit deri më 9 gusht. / KultPlus.com

Sot hapet pavijoni artistik “Visual” në Gjilan

Sot në Tregun e Ri të qytetit të Gjilanit (Tregu i Gjelbër), Varg e Vi vjen me projektin më të ri të artit bashkëkohor, përkatësisht pavijonin artistik “Visual”, me disa nga artistët dhe artistet më kreative të Gjilanit dhe të Kosovës.

Hyrja në çdo çast do të jetë e lirë dhe falas, prej orës 16:00-23:00.

Nga viti 2011 i themelimit, Varg e Vi ka realizuar projekte të shumta të artit bashkëkohor dhe mbetet organizata më aktive në Rajonin e Anamoravës e më gjerë.

Projekti “Vizual” është i menaxhuar nga Avni Shkodra, me bashkëkoordinim të artistëve nga Brilant Milazimi, me kuratortë pavijonit Din Azizin, me tekste të Avni Rudakut, me dizajn, fotografi e komunikim me publikun, Migjen Fazliun dhe me sfond muzikor nga DJ Tino Deep.

Projekti është mbështetur nga Komuna e Gjilanit – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe me lejen e shfrytëzimit njëditor e të përkohshëm nga Ndërmarrja “Tregu”. “Visual” është përkrahur pas aplikimit në thirrjen e fundit publike për projekte kulturore-artistike nga individë e OJQ, ku kanë marrë përgjigje pozitive dhjetëra prej tyre.

Pavijoni “VISUAL”

(koncepti gjeneral)

17 artistë në një vend të pavijueshëm, që do të thotë, në një vend që ndërpritet, që nuk vijon, sepse sapo e vizitoni garazhin me numër 30, kaloni me nr. 31, 32, e kështu me radhë, duke parë në një hapësirë të njëjtë, 17 botë të ndryshme, por që i bashkon bashkëkohorja, çadra e madhe, mundësia për të ndarë me njëri-tjetrin vetëm hapësirën e përbashkët, por jo idetë. Koekzistencë. Diversitet. Individualitet i skajshëm, por brenda botës. Jo ikje në vetmi, shpellë, tempull, por shpalosje imagjinate afër njëri-tjetrit, por kurrë pa u shkrirë në njëri-tjetrin. Afërsi po, por jo puqje. Diskutim, debat, bisedë, po, por jo pajtim me çdo kusht, aq më larg servilizëm, nënshtrim, nënçmim, përbuzje, mohim, ironi, tallje e “tjetrit” veçse nuk është si ti.

***

Pavijon, pavionpavilionpaviloun, garazh, tezgë, ndarje e veçantë, repart, salla të caktuara për t’i paraqitur veprat a krijimet e ndryshme në ekspozitë. Pavijoni “Visual” është vend i përkohshëm për ekspozitat e artistëve të ndryshëm. Para se të funksionalizohet plotësisht Tregu i Gjelbër pas rinovimit, transformohet për një ditë të vetme, në pavijon artistik. Nga treg mallrash, në pavijon krijimesh. Nga vend i materializimit, konkretizimit të skajshëm, pragmatizmit, kthehet në hapësirë të imagjinatës, fantazisë, kreativitetit, origjinalitetit, konceptualizmit, ekzistencializmit… Qëllimi i pavijonit “Visual” ka qenë funksionalizimi i objekteve të papërdorshme, të zvarritshme, të lëna pasdore, të braktisura, të boshatisura, të lëna shkretë, ose të tejvonuara, në mënyrë që artistët ta shfrytëzojnë hapësirën, nëse nuk po e shfrytëzuaka dikush tjetër, ose në rastet kur një objekt nuk bëhet aq i gjallë, aq i vizitueshëm, të rikthehet në vëmendje në mënyra më tërheqëse.

***

Pavijoni “Visual” e kthen vëmendjen kah qendrat e mëdha tregtare në tregun e hapur e tradicional. Duke iu rikthyer të vjetrës, e vjetra ripërkufizohet dhe rivizitohet. Duke iu rikthyer pazarit, artisti nuk e ndjek turmën dhe masën, por e bën masën të kthejë sytë kah artisti, kah po shkon. Artistët nuk shkojnë veç kah shkon masa, por janë për të bërë pyetje. Janë për ta drejtuar masën edhe në perspektiva të tjera. Janë për ta kthyer vëmendjen edhe aty ku ishte shkuar dikur e nuk shkohet më. Artistët nuk shkojnë pa kushte në qendra tregtare, nuk komercializohen skajshëm, nuk janë për “të gjithë ngapak”, “për gjithçka në një vend”, por për vlera dhe ide sa më origjinale, unike, të papërsëritshme sikur NFT, por në një botë reale, fizike, lëndore. Pavijoni “Visual” nga konsumatorë, na bënë vizitorë, nga blerës, në përjetues, nga kërkues në krijues, nga komercialja në ideale apo imagjinare. Pavijoni “Visual” bëhet vendtakim social i artistëve bashkëkohorë dhe vizitorëve, duke respektuar veçantitë dhe individualitetet e çdonjërit dhe çdonjërës artiste. Respekton imagjinatën e secilit, idetë, konceptet, stilin, punën dhe perspektivën, por ato i ndërlidhë me njëri-tjetrin në koekzistencë, në tolerancë, në bashkëndarje. Pavijoni “Visual” ia mundëson artdashësve të gjejnë gjithçka në një vend, paradoksalisht, si në qendër tregtare. I heqim blerësit nga qendra tregtare dhe i sjellim në pazar, por në anën tjetër, e transformojmë pazarin në qendër tregtare për një natë, duke i dhënë mundësi vizitorëve, të gjejnë çdo formë arti në një hapësirë të përbashkët, në një hapësirë të koncentruar. Në një pavijon. Bëhet një çadër e madhe që mbulon kiosqet, shtëpizat, garazhet më të vogla të çdo artisti dhe artisteje. / KultPlus.com

Rrahje mes nxënësve në oborrin e shkollës së mesme të mjekësisë në Gjilan (VIDEO)

Një rrahje ka ndodhur mes disa nxënësve në oborrin e shkollës së mesme të mjekësisë në Gjilan.

E gjithë ngjarja ka ndodhur me datën 7 qershor, rreth orës 17:00.

Rasti është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka thënë se katër nxënës janë intervistuar, derisa tre të tjerë janë në kërkim.

“Ju njoftoj se në oborrin e shkollave të mesme është raportuar se ka ndodhur  një rrahje  mes disa personave nxënëse të shkollës së mesme të mjekësisë, policia e Kosovës i ka identifiku dhe intervistu katër të dyshimtë edhe tre të tjer të njohur për policimë janë në kërkim , ndërsa rasti vazhdon të hetohet në kordinim me prokurorin e shtetit”, është shprehur Hashani.

Sonte shfaqet premiera e “Gënjeshtër pas gënjeshtre” në Teatrin e Gjilanit

Sonte do të jepet shfaqja premierë “Gënjeshter pas gënjeshtre” në Teatrin e Gjilanit.

Shfaqja “Gënjeshter pas gënjeshtre” e Anthony Nielson, me regji të Sevdije Ajetit do të filloj nga ora 20:00.

Ndërkaq, shfaqja do të jepet edhe nesër (31 maj).

Sa mund të vret një e vërtetë? A duhet ta themi gjithmonë atë apo mund dhe ta zbusim nëse dhimbja është më e vogël. Gënjeshtër pas gënjeshtre është një komedi e cila përmes situatave jashtëzakonisht komike do të ju bëjë të kaloni një natë fantastike në teatër..” / KultPlus.com

Pas 30 vitesh rikthehet turneu historik i Ansamblit Kombëtar në trevat shqiptare

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë,  Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Drejtorit e Kulturës në komunat Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës realizojnë turneun historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë në datat:

21 Prill Konferenc shtypi ne Gjakovë. Ora 12;30

25 Prill 2022 në qytetin e  Prizrenit

26 Prill 2022 në qytetin e Gjakovës

27 Prill 2022 në qytetin e Gjilanit

28 Prill 2022 në  qytetin e Shkupit

Ky turne organizohet në kuadër të rijetëzimit, kujtesës dhe promovimit të trashëgimisë tonë kulturore,  brez pas brezi, për përcjelljen e vlerave më të mëdha artistike kombëtare që ruhen me fanatizëm nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ky turne është në zbatim të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë 2022.

Aktiviteti do të zhvillohet në ciklin e një turneu disa ditor në disa qytete të Kosovës si Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës dhe Shkup në Maqedonisë e Veriut. Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës duke na rikthyer kështu edhe njëher jehonën dhe suksesin e pa diskutueshëm të Ansamblit Kombëtar në mbarë trevat shqiptare.

Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar. /KultPlus.com

Kryetari Hyseni pret në takim drejtues së Federatës së Xhudos: Tashmë e kemi identifikuar vendin për ndërtimin e palestrës së xhudos

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e klubit të xhudos – Gjilani, ka pritur sot në takim një delegacion të Federatës së Xhudos së Kosovës në përbërje, Agron Kuka – kryetar, trajnerin e njohur Driton Kuka dhe kampionen olimpike dhe krenarinë e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi.

Kryetari Hyseni tha se temë kryesore në takim ka qenë mundësia e bashkëpunimit dhe ndërtimi i palestrës së xhudos në Gjilan.

“Unë e njoftova kryetarin e Federatës për gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim, ndërkaq ne veç e kemi identifikuar vendin ku mund të bëhet ndërtimi i palestrës së xhudos. Na mbetet që bashkë me MKRS-në të dakordohemi edhe për pjesën e ndërtimit dhe finalizimit të projektit. Me vullnetin që e kemi për ta përfunduar këtë punë, besojmë që Gjilani do të jetë njëra prej komunave ku do të bëhet ndërtimi i kësaj palestre e shpresojmë që do të nxjerrim edhe ne kampionë olimpikë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.

Në emër të Federatës së Xhudës ka folur kryetari i saj, Agron Kuka, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe për lajmin e mirë për gjetjen e parcelës për ndërtimin e palestrës së xhudos.

“Duke e ditur faktin që jemi për një qëllim të mirë, për promovimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, e falënderojmë kryetarin për gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele për ndërtimin e një palestre specifike për sportin e xhudos. Uroj që ky projekt të realizohet sa më shpejt dhe klubi i xhudos Gjilani të ketë një hapësirë adekuate për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos”, ka thënë Kuka. / KultPlus.com

Artistët nga Gjilani prezantojë pikturat në ekspozitën ‘Nderimi i gruas’

Në qendrën lidhëse të komunitetit, The Bridge Gjilan u shënua për nder të ditës së gruas ekspozita ,,Nderimi i Gruas”.

Ekspozita ishte e hapur për 4 orë, ku përgjatë kesaj kohe dashamirësit e artit patën mundësinë të shijojnë punimet nga artistë gjilanasë: Diellza Kurteshi e cila u prezantua me 8 piktura të cilat më heret ishin prezantuar në Milano të Italisë, Ajshja me koleksionin “Alive” të punimeve, Elda me pikturen ,, Diversity” si dhe Edi Shefkiu.

Drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Gjilan Kushtrim Zeqiri përgjatë vizitës së tij uroi artistët për punimet e tyre.

Për cdo grua, vajzë dhe nënë u dhuruan lule të freskëta ne shenjë mirënjohje dhe nderimi. /KultPlus.com

Korçarët nuk vijnë shkaku i masave anti-COVID, Shfaqja ‘5 ditë mbret’ zëvendësohet me ‘Hollyshit’

Për sonte, natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare, i cili po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022’, ka qenë e paraparë shfaqja e Teatrit të Korçës ‘5 ditë mbret’, por organizatori ka njoftuar se shkaku i pandemisë është dashur të bëhet një ndryshim në program.

Shfaqja e natës së tretë ‘5 ditë mbret’ me skenar të Stafan Çapalikut e regji të Gjergj Prevazit, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça, është anuluar.

Në fakt masat e reja anti-Covid, sipas të cilave kërkohen dy doza të vaksinimit dhe testi për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, i ka pamundësuar trupës teatrore në Korça që të paraqitet para publikut gjilanas.

Organizatori menjëherë ka ndërmarrë masat për të plotësuar programin e kësaj nate dhe në vend të shfaqjes ‘5 ditë mbret’ do të shfaqet komedia “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, ku luajnë aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.

Kjo shfaqje është e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones. /KultPlus.com

Publikohet orari i aktiviteteve për manifestimin e flakës së janarit

Me fillim nga 11 deri 31 janar do të fillojë manifestimi i edicionit të 31-të i “Flaka e Janarit” në Teatrin e Qytetit në Gjilan, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, është publikuar edhe orari i aktiviteteve që do të shënojnë këtë edicion.

Gjatë këtij edicioni do të jepen edhe shfaqje të ndryshme në Teatër. /KultPlus.com

84 vjet nga lindja e poetit Rexhep Elmazi

Shkrimtari shqiptar, Rexhep Elmazi, lindi më 3 janar të 1938 në Malishevë të Gjilanit, shkruan KultPlus.com

I njohur për punën e tij si shkrimtar, Elmazi njihet edhe si një patriot i madh, pasi konsiderohej si personalitet i rrrezikshëm për regjimin pushtues.

Rexhep Elmazi është detyruar të punojë si përkthyes në Këshillin Popullor të Rrethit të Gjilanit. Në vitet ’60, i’u bashkua një grup ilegal të atyre viteve që i printe Adem Demaçi ku ka demaskuar politikën rankoviqiste shpërndarë parulla dhe afishe kundër regjimit serbo-jugosllav. Më 1964 zgjedhet udhëheqës i Komitetit për Gjilan në Lëvizjen për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë ilegale patriotike, në krye të së cilës ishte atdhetari Adem Demaçi.

Pasiqë zbulohet nga shërbimi i fshehtë serb UDB-ja dhe, poeti, Rexhep Elmazi arrestohet me 8 qershor të vitit 1964, ku dënohet me nëntë vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, ai lirohet nga burgu i Pozharecit, më 8 nëntor të vitit 1968.

Gjatë punës si përkthyes në Entin e Sigurimit Social në Gjilan, vazhdoi krijimtarinë poetike dhe librin e parë me poezi “Frymëmarrje” që e botoi, më (1972), ai botoi edhe veprën e dytë “Fryma”, më (1994).

Një shkollë në Gjilan nderon figurën e Elmazit duke lënë emrin e tij. /KultPlus.com

‘Bub Rrenci’ – banori i ri i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Korça shpjegon idenë e personazhit “fiktiv”

Artistët Bekim Korça dhe Erson Zymberi kanë krijuar një strip të quajtur “Bub Rrenci” në prag të festave të fundvitit, shkruan KultPlus.’

Skenografi dhe dizajneri i Teatrit të qytetit të Gjilanit, Bekim Korça në një prononcim për KultPlus ka thënë se ky strip është krijuar në formën e kartolinës, me të cilën Bub Rrenci përkujdesët që në çdo fund të vitit të urojë e falënderojë gjithë dashamirët e teatrit pa dallime.

“Kjo ide është mirëpritur gjithmonë nga të gjithë dhe si proces i tillë ka vazhduar rrugëtimin deri në këtë vit dhe synimi ynë i përbashkët që kjo të bëhet traditë e mirënjohjes dhe urimeve për të gjithë”, ka thënë Korça.

Featured Image

Artisti nga Gjilani ka bërë të ditur se kjo ide ka qenë e tij dhe e drejtorit të teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, që kanë pasur diskutime rreth idesë së kartolinës dhe kanë vendosur që kësaj radhe të krijojnë një personazh pothuajse fiktiv.

“Ky banor, është banor i përhershëm i teatrit tonë, por i cili nuk vërehet nga askush për shkak të përmasave të vogla e në fund të fundit nuk jemi fajtor ne”, thotë tutje ai.

Korça shpjegon se ky Bub Rrenc është ai i cili bën vëzhgimin e çdo aktiviteti teatror e kulturor pa pyetur fare.

No photo description available.

“Është ai i cili neve na vëzhgon dhe bëhet pjesë e jona gjithmonë në çdo aktivitet teatror e kulturor pa pyetur fare. Veprimet e tij herë pas herë nuk janë edhe aq të hijshme, por ne kemi vendosur që ta mbajmë nën vëzhgim dhe veprimet e tij, cilat do qofshin ato, t’i publikojmë dhe t’i përkthejmë vizuelisht përmes një stripi minimal. Ky është një personazh çapkën, banor i përhershëm i teatrit të Gjilanit, i cili është në kërkim të gjithçkaje, kurioziteti dhe egoja e të cilit na bën të gjithë neve kureshtar për të parë se deri ku do të shkoj imagjinata e këtij insekti kreativ, gjë për të cilën nuk do ta kursejmë fare dhe do të ja publikojmë në baza dy javore”, shpjegon Korça.

Pagëzimi nga Bubrreci në Bub Rrenc vjen si pasojë e manipulimeve që ai bën herë pas here dhe paraqitet shumë i pafajshëm, pastaj kumbara i pagëzimit të këtij insekti është Ersoni.

Këtë projekt, Korça e vlerëson shumë të rëndësishëm për teatrin e Gjilanit, dhe shpreson qe rrugëtimi i tij të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm por duke pasur parasysh veprimet e pakontrolluara të Bub-it, Zoti e di se kur do të ndalet. /KultPlus.com

May be an illustration

Për herë të parë, shoqata e shkrimtarëve ‘Beqir Musliu’ do të shpallë shkrimtarin e vitit

Për herë të parë që nga themelimi (1997), shoqata alternative e shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, Ars Club “Beqir Musliu”, do ta shpallë shkrimtarin e vitit, shkruan KultPlus.

Si vlerë kryesor do të jetë mbështetja në cilësinë dhe vlerat artistike të veprave të botuara brenda një viti kalendarik.

“Ky Çmim, sado simbolik, do të nderojë autorin e veprës dhe do të nxis shkrimtarët edhe më tej të krijojnë e garojnë për vlera, vit pas viti.Të drejtën e konkurimit e kanë anëtarët e këtij asociacioni, qofshin nga Gjilani a Krahina e Anamoravës por edhe më gjerë, të cilët veprat e tyre i botojnë përmes shtëpive botuese që veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Një Juri letrare e emëruar nga Këshilli Drejtues i Ars Clubut “Beqir Musliu”, (Nexhat Rexha, Albinë Idrizi e Sabit Rrustemi), nesër në mesditë, përmes një ceremonie ad hoc, do ta bëj publike emrin e fituesit të parë të për vitin 2022. /KultPlus.com

May be an image of 2 people, book and text

Shpallen fituesit e konkursit për skulpturat monumentale që do të vendosen në hapësirat publike të Gjilanit

 Në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, janë shpallur sot fituesit e konkursit për skulptura monumentale, të cilat komuna e Gjilanit do t’i vendosë në hapësirat publike.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, tha se komisioni ka bërë një punë të mirë me përzgjedhjen e veprave artistike për skulptura që simbolizojnë, prej gruas e deri te gurbetçarët, duke e ditur se Gjilani ka numër të madh të popullatës së vetë jashtë vendit.

‘Jam i impresionuar me punën e artistëve dhe mezi po pres që t`i shoh të realizuara këto skulptura, sepse Gjilani ka merituar kaherë që t`i ketë këto vepra dhe ja tani po vjen koha me i vendos në vendin e vet këto figura që janë pjesë e historisë dhe të ardhmes sonë dhe që qytetit i japin vlerë”, ka thënë Haziri.

Erson Zymberi, kryetar i komisionit, tha se për monumentin e gruas “Heroina e qytetit” është përzgjedhur punimi i Butrint Morinës.

Për monumentin “Gurbetçari” janë përzgjedhur dy punime, me autor Sali Musliu dhe Rexhep Arifi.

Për monumentin “Sportisti” që u dedikohet të gjithë sportistëve, është përzgjedhur punimi i Sali Musliut.

Për monumentin ,,Drama shqipe” dedikuar teatrit të qytetit, punimi i autorit Bekim Korça.

Për monumentin kushtuar ‘Tolerancës dhe paqes’ që u dedikohet qytetarëve të Gjilanit të cilët i karakterizon toleranca, mirëkuptimi dhe traditat, është përzgjedhur punimi i Kushtrim Beqirit.

Komisioni ka qenë i përbërë nga: Erson Zymberi, Qamil Llapashtica dhe Miradije Shahiqi Maliqi./KultPlus.com