“Corriere Della Sera”: Lukova dhe Ksamili – dy destinacionet me detin e kristaltë në Shqipëri

Në Shqipëri nuk mungojnë plazhet e bukura dhe shpesh italianët zgjedhin t’i kalojnë pushimet këtu – edhe për të kursyer para. Vendi mesdhetar ofron akomodime me kosto të ulët. Lukova dhe Ksamili, dy pikat turistike në Rivierën Shqiptare, ndërthurin vlerat e bukurisë – të konsideruara si “Maldivet e Evropës”- me atë të komoditetit të jashtëzakonshëm, shkruan Elmar Burchia në të përditshmen italiane “Corriere Della Sera” botuar në rubrikën “Dove Viaggi”.

Të gjithë në Shqipëri. Edhe këtë verë? Vitin e kaluar, vendi i Gadishullit Ballkanik regjistroi shifra rekord në sektorin e turizmit: sipas zyrës vendase të statistikave, në Shqipëri kanë hyrë 9,5 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 33,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Shqipëria ka vetëm 2,8 milionë banorë. Piku i sezonit turistik, padyshim, u arrit në gusht ku u regjistruan 2 milionë pushues. Dhe shumë prej tyre ishin italianë, 10% e totalit.

Ka shumë arsye pse njerëzit zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit: kurioziteti për të vizituar një vend më pak të njohur; afërsia me Italinë dhe fakti që është një destinacion mjaft i lirë në krahasim me çmimet- shumë të larta në destinacionet e mbipopulluara me njerëz.

Shqipëria ofron plazhe të bukura dhe të pastra; pamje që të lëne pa frymë; peizazhe pothuajse të pacënuara; një det të mrekullueshëm; kuzhinë të shijshme; jetën e gjallë të natës dhe mikpritje vërtetë të ngrohtë.

Vija bregdetare shqiptare shtrihet në 363 kilometra. Pothuajse të gjitha plazhet janë magjepsëse. Por cilat janë më të bukurat?

Sipas ekspertëve të udhëtimeve, dy plazhet më të vlerësuara janë Lukova dhe Ksamili, dy vendpushime në Rivierën Shqiptare të konsideruara si “Maldivet e Evropës”. /atsh / KultPlus.com

”The Mirror”: Ksamili thënë ndryshe Maldivet e Shqipërisë

Ksamili në Shqipërinë e Jugut po shpallet nga TikTokersat dhe influencurat si “Maldivet e Shqipërisë” për shkak të ujërave të tij shkumbëzues dhe plazheve të bardha të pacenuara, shkruan Milo Boyd për gazetën e njohur britanike ”The Mirror”.

Kjo nënkupton për më tepër plazhe me rërë, ujërat blu kristal dhe shtëpi prej druri të varura mbi det. Kjo bën që shumica e njerëzve të imagjinojnë Maldivet.

Arkipelagu i Oqeanit Indian ka fituar një reputacion për një numër vendpushimesh të jashtëzakonshme me vila prej druri që janë ndërtuar mbi valët e detit.

Një prej tyre është Soneva Jani, që krenohet me platforma që lidhin shtëpitë private me pishina, veranda dhe një rrëshqitje të gjatë që zbret me nxitim në det, përfshirë erën nëpër disa nga lagunat blu të ishujve.

Ndonëse mund të jetë në listat e udhëtimit të shumë njerëzve, vizita në këtë vendpushim ka një çmim të kripur.

Qëndrimi për një javë në një vilë me dy dhoma gjumi në nëntor do t’ju kushtonte të paktën 7 000 paund.

Nëse ai çmim është shumë i lartë dhe kilometrat e ajrit që nevojiten për të arritur në Maldive shumë të mëdha, atëherë ekziston një opsion më i lirë dhe shumë më afër shtëpisë, çka krahasohet me plazhe si në parajsë.

Ksamili, fshati dikur i vogël në Rivierën Shqiptare, është bërë shtëpia e një numri hotelesh që duket se kanë imituar stilin e atyre në Maldive.

Video të panumërta në internet tregojnë pushues të nxirë duke notuar dhe duke u rrezitur nën qiellin blu.

Një vend veçanërisht popullor në Sarandë është plazhi i Pemës së Thatë, i cili ka disa shezlongë me korniza druri e rrjeta të varura mbi det.

Kur dielli bëhet përvëlues, ka edhe hapësira të izoluara nën çadrat me kashtë për t’u ruajtur nga rrezet e diellit ose për të bërë një sy gjumë.

Ksamili u vizitua së fundmi nga Yuliia Berkuta, një influencere ukrainase e udhëtimeve me 135 000 ndjekës në Instagram, të cilët vlerësuan resortin.

“Ksamili është një nga vendet më mahnitëse që kam vizituar në Ballkan. Ky fshat është shtëpia e ushqimeve të shijshme të detit, një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur që ndodhen shumë larg fshatit’’, shkruan ajo.

‘’E kam vizituar Ksamilin në dy raste dhe ia rekomandoj kujtdo që udhëton drejt Shqipërisë. Ndoshta avantazhi kryesor i zgjedhjes së qëndrimit në Shqipëri ndaj Maldiveve është padyshim çmimi’’, shkruan Berkuta.

Fluturimet vajtje-ardhje nga Londra në Korfuz – aeroporti më i afërt me Ksamilin dhe vetëm 30 minuta me traget larg mund të kushtojnë nën 100 paund, ndërsa udhëtimi vajtje-ardhje në Maldive zakonisht është 800.

Hotelet dhe resortet kanë gjithashtu një çmim të reduktuar për një vendpushim plazhi evropian, i cili kushton 30 deri në 40 paund për një natë për një dhomë në muajin maj.

Resortet nuk janë të vetmet gjëra që ofron Shqipëria.

Dhërmiu duket nga perëndimi përtej detit Adriatik deri në Italinë Jugore dhe është i njohur për perëndimet e diellit që të lënë pa frymë mbi ujërat blu.

Dhrimadhes është shumë joshës për hapësirën e tij me guralecë të zbehtë dhe shkëmbinj të mbështjellë nga ujërat bruz.

Ndryshe nga Maldivet, Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa thjesht plazhe.

Brenda një jave në vendin e Evropës Jugore mund të ngjiteni në Alpe, të ecni në shtegun historik të Rrugës së Mëndafshit dhe të admironi horizontin e kryeqytetit Tiranë me rrethinat e saj./ atsh / KultPlus.com

CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e medias prestigjioze amerikane CNN e cila fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës.

Rama u shpreh se, ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare.

“Edhe CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës. Ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare”, nënvizoi Rama.

“Koha kur Shqipëria verore dilte tek-tuk në ndonjë media të huaj, si vend i mbushur me plehra i përket të kaluarës, tanimë kemi hyrë në një rrugë të re”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Na duhet shumë punë akoma në këtë rrugë, por e dimë ku duam të shkojmë, si shkohet aty ku duam dhe se sa të madhe e kemi forcën për t’ia dalë”, shkroi Rama.

Shkrimi i plotë i CNN:

Shumë më pak e njohur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende një sekret që ruhet mirë mes udhëtarëve të zgjuar, por që nuk ka shumë gjasa që të qëndrojë e tillë për një kohë të gjatë.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po e zbulojnë tani bregdetin shqiptar”, thotë Alan Mandiç i kompanisë “Secret Dalmatia”.

“Ajo është përrallore dhe është tepër e lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra dhe plazhet, këtu ndodhet gjithçka”, thekson ai.

Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët me çmime shumë të lira, të kapur direkt nga deti Jon, ndërkohë që jeni duke vështruar hapësirën e tij vezulluese.

Faqja e njohur turistike: Ksamili ose Maldivet e Shqipërisë së Jugut

Ksamili është një nga vendet më befasuese që kam vizituar në Ballkan, shtëpia e ushqimeve të shijshme të një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur, kështu shkruan për faqen e njohur turistike MagnificientWorld fotografja dhe blogerja e njohur e udhëtimeve, Julia Berkuta.

”E kam vizituar Ksamilin në dy raste tani dhe e rekomandoj atë për këdo që udhëton në Shqipëri dhe në këtë udhëzues destinacioni, dua t’ju tregoj përvojat e mia në Ksamil, si edhe t’ju ofroj gjërat më të mira për të bërë gjatë vizitës suaj”, vazhdon ajo.

Dy udhëtime të mrekullueshme në Shqipëri

Hera e parë që vizitova Shqipërinë ishte në vitin 2018 dhe ishte një udhëtim spontan.

Hera e dytë ishte në vitin 2020, me bashkëshortin, sepse dëshiroja t’i tregoja vendet që kisha parë.

Në vizitën time të parë në Shqipëri, erdha për disa ditë për të zbuluar dy pika të bukura, Ksamilin dhe Dhërmiun. Në vizitën e dytë, kisha më shumë kohë, me pesë ditë në Ksamil dhe tri ditë në Dhërmi.

Të dyja këto udhëtime ishin thjesht fantastike dhe nuk mund ta rekomandoj mjaftueshëm Ksamilin!

  1. Vizitoni plazhet e bukura të Ksamilit

Ksamili është një fshat mjaft i vogël dhe tërheqja kryesore është deti. Kështu që gjëja e parë që mund të bëni është të vizitoni plazhet e shumta që ai ofron. Plazhet e mia të preferuara ishin Stela, Bora Bora dhe Lori, por mund të merrni, gjithashtu, me qira një makinë dhe të zbuloni më shumë plazhe aty pranë, si Plazhin e Pulëbardhës, Plazhin e Krorezës dhe Shpellën e Pëllumbave.

  1. Shikoni perëndimin e diellit nga manastiri i shën Gjergjit

Ky manastir është një manastir antik ortodoks, që gjendet në gjysmë të rrugës midis Ksamilit dhe Sarandës. Nëse merrni me qira një makinë, mund të shkoni në manastir dhe të shihni një perëndim të diellit madhështor.

  1. Vizitoni lagunën e kripur të liqenit të Butrintit

Në anën tjetër të Ksamilit është liqeni i Butrintit, një lagunë e bukur me ujë të kripur, e rrethuar nga kodra të dendura të pyllëzuara, një bregdet shkëmbor dhe këneta me ujë të ëmbël.

  1. Zbuloni historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është një domosdoshmëri për t’u parë, nëse keni kohë dhe jeni të interesuar për natyrën dhe historinë.

Ky park prej 9 400 hektarësh është shtëpia e liqeneve me ujëra të ëmbla, peizazheve kodrinore dhe shumë thesareve të tjera natyrore.

Atje ka specie të panumërta bimësh dhe kafshësh për të zbuluar, si edhe ishujt e Ksamilit dhe vende të tjera arkeologjike historikisht të rëndësishme, që datojnë me shekuj,  disa prej të cilave janë shpallur Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

  1. Eksploroni shpellën magjepsëse të Kreshmoit

Udhëtimi nga Ksamili në shpellën e Kreshmoit zgjat më pak se një orë dhe ia vlen, sidomos për ata që e duan arkeologjinë.

Është një nga shpellat më të vjetra të banuara në Europë, që arkeologët besojnë se është 20 000-vjeçare.

  1. Kaloni një ose dy ditë në Sarandë

Saranda është një qytet afër Ksamilit, ku mund të pushoni në plazhe, të shikoni perëndimin e diellit nga Kalaja e Lëkursit, të vizitoni manastirin e 40 Shenjtorëve dhe të shijoni ushqimin dhe pijet lokale në shumë kafene dhe restorante fantastike.

  1. Mrekullohuni me ujërat e “Syrit të kaltër”

Syri i Kaltër është një burim natyror pranë fshatit Muzine. Ky burim është i famshëm për ujërat e tij të pastër blu, nga merr edhe emrin “Syri i kaltër”.

Thellësia e burimit besohet të jetë më shumë se 50 metra.

Një vend magjepsës për të vizituar pasdite, në udhëtimet tuaja nëpër Shqipërinë e Jugut.

  1. Vizitoni qytetin e UNESCO-s, Gjirokastrën

Gjirokastra është një qytet i UNESCO-s dhe ndodhet një orë e gjysmë larg Ksamilit. Qyteti i Vjetër është i njohur për shtëpitë e tij prej guri dhe arkitekturën.

Ky destinacion është, gjithashtu, shtëpia e një prej kështjellave më të pabesueshme në Shqipëri, në të cilën mund të kaloni orë të tëra duke eksploruar dhe mësuar mbi historinë.

  1. Bëni një udhëtim të shkurtër me anije në Korfuz

Nga Saranda është e mundur të bëni një udhëtim të shkurtër me anije në ishullin e bukur të Korfuzit./atsh/ KultPlus.com

Ksamili, parajsa e rivierës shqiptare që nuk duhet humbur as këtë vit (FOTO)

Një parajsë në brigjet e rivierës shqiptare. Kështu e cilësojnë mediet e huaja Ksamilin, që ndodhet 12 km larg Sarandës dhe që pret çdo vit në ishujt e tij, mijëra turistë vendas e të huaj.

Ksamili me plazhet e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe portaleve të huaja, të cilat e rendisin ndër destinacionet që duhen vizituar çdo verë.

Shumë prej tyre i kanë konsideruar plazhet e Ksamilit si më të bukurit në Europë.

Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Vendin e Shqiponjave, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij.

Rëra e bardhë, deti kristal tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj, për të kaluar pushimet verore.

I mbipopulluar kryesisht në muajt korrik, gusht, Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.

Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.

Këta ishujt e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm nga turistët e sidomos nga të rinjtë. Me varka të ndryshme që ndodhen në Ksamil ju mund të vizitoni ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje dhe për tu larë në detin e kristaltë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga Ksamili në këto ditë pranvere, ku temperaturat kanë filluar të rriten dhe bën që qytetarët të presin me padurim nisjen e sezonit turistik, që këtë vit do të jetë me masa të larta sigurie për shkak të pandemisë COVID-19 që ka prekur vendin tonë dhe pothuajse shumicën e vendeve në botë.

Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Fshati është i mbushur me restorante që shërbejnë kuzhinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë pjatat me produkte të zonës si prodhimet e detit, por edhe ato të tokës.

Në Ksamil ka shumë njësi akomoduese, hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët, ndërsa vitet e fundit gjithnjë e më shumë nga të huajt nga vende të ndryshme.

Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./ATSH / KultPlus.com

Faqja e njohur amerikane: Ksamili thesari i Rivierës Shqiptare

Thesarin e Rivierës Shqiptare e ka konsideruar Ksamilin faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.

”Ndoshta ju nuk e keni vënë Shqipërinë në krye të listës për pushimet e këtij viti sepse nuk keni parë Ksamilin”, shkruan ajo.

Plazhi i Ksamilit

”A është Shqipëria në krye të listës për pushimet verore? Ndoshta jo, por kjo vjen sepse ju  nuk keni parë plazhin e Ksamilit”, shkruan thrillist.

”Ksamili është thesari i Rivierës Shqiptare, me rërë të bardhë, ujë të kaltër dhe tre ishuj. Mos harroni pajisjet për zhytje në ujë”, porosit faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.

”Këtë muaj, shumë vende europiane filluan të lehtësojnë masat e izolimit dhe njoftuan se do të rihapen për turistët. Megjithatë, ndalimi i Europës për udhëtimet e huaja është zgjatur deri më 15 qershor dhe pjesa më e madhe e SHBA-së është pjesërisht ose plotësisht e mbyllur. Në normalitetin tonë të ri, është e vështirë të imagjinohet të bëjmë fotografi përgjatë lumit Sena ose të pimë xhin dhe tonik në Barcelonë”, shkruan thrillist.

”Për këtë arsye, po ju sjellim më të mirën e Europës. Gjithsej ekzistojnë 48 shtete në të gjithë këtë kontinent super të larmishëm, nga Islanda në veri deri në Qipro në jug dhe madje edhe deri në malet Urale në Rusi. Këtu janë vendet më të bukura. Ato duhet t’i shtoni në listën e vendeve për t’u vizituar”, shton ajo./ atsh/ KultPlus.com

Ksamili, një pikturë e rrallë e vitit 1857

Piktura (vaj në kanavasë 33 x 53 cm) është realizuar nga Edward Lear në prill 1857, gjatë një udhëtimi të shkurtër në Treishujt (Ksamili i sotëm) në veri të Butrintit në Shqipëri. Lear lundroi për aty nga Korfuzi, ku kishte marrë një shtëpi për të dimëruar gjatë atij viti.

“Ishim aty në 2 prill. Shkuam me varkë duke marrë me vete kutinë e ushqimeve, shtretërit tanë, letrën për vizatim etj. Edwards kishte marrë me vete edhe shërbëtorin e tij, Filipo (një maltez). Bëmë një udhëtim të shkëlqyer dhe të qetë në vetëm 3 orë dhe u ankoruam në portin e vogël të Treishujve – duke shijuar të gjithë pasditen, duke bërë vizatime – nën pesiazhin e gjerë e të bardhë, i gjithi në lulëzim – shijuam një darkë të rehatshme dhe një natë të qetë” (Edward Lear, “Vitet e Korfuzit”, Athinë 1988, fq. 108).

Udhëtimi u mbështet nga James Bevan Edwards (1834-1922), më vonë oficer i lartë në ushtrinë britanike dhe politikan, i cili ishte biri i Samuel Price Edwards, një mbështetës i fortë i Lear-it, dhe që kishte një koleksion të punëve të tij, ku përfshiheshin ndër të tjera vizatime e piktura të realizuara në Korfuz (1859), Torino (1862) dhe Jerusalem (1862) e që tashmë janë në Muzeun Ashmolean, në Oksford.

Lear e kishte bërë udhëtimin e tij të parë në Shqipëri nga mesi i shtatorit deri në nëntor 1848, duke shkelur në zona ku më parë shumë pak të huaj kishin kaluar dhe qëndruar. Ai e gjeti në ata zona peisazhe e pamje interesante:

“Ju keni brigje shkëmbore madhështore; kështjella të larta e të zymta; pallate gjithë shkëlqim e luks; kodra e male si në rajonet me dëborë të Zvicrës; gjire të thellë e det blu me ishuj të ndritshëm e të qetë që qëndrojnë në horizont; livadhe të pafundme me bar; qytete e fshatra; shpate të veshur me ullinj dhe maja të larta malesh me borë; – e mbi të gjitha një shumëllojshmëri njerëzish të veshur me kostume me ngjyra që mahnisnin dhe që janë frymëzim për çdo artist në çdo hap që ai hedh”. (Edward Lear, Shënimet e një Piktori Peisazhist në Shqipëri, Londër 1851, f. 4-5). /KultPlus.com

Dokumenti i rrallë për Ksamilin, plani për ta kthyer në një zonë turistike elitare (FOTO)

A do të shkoni për pushime në Ksamil? Tek notoni në ujërat ngjyrë topazi, merrni me vete një pjesë të historisë së Ksamilit, të asaj historie që nuk ndodhi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar planin e vitit 1992 dhe si parashikohej të shndërrohej Ksamili në një zonë turistike elitare.

Përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1992, Ksamili parashikohej të shndërrohej në një zonë turistike elitare, me fshat turistik dhe zonë hotelerie, por edhe me fushë golfi dhe aeroport turistik.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sqaron se “sheshi i i ndërtimit i vihej në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Albturizmit, e cila kishte të drejtë të kontraktonte kompani private të huaja, për zhvillimin e planit”.

Këtë plan të vitit 1992 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave na e servir si një ndër thesaret e shumta që ajo mbart./a.a/ KultPlus.com