Çeku nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e stadiumit në Hogosht, dhe rinovimin e stadiumit të Malishevës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku, ka nënshkruar marrëveshje për ndërtim dhe rinovim të stadiumeve në Hogosht dhe Malishevë, shkruan KultPlus.

Këto marrëveshje sipas ministrit Çeku janë nënshkruar pasi arritja e rezultateve të dëshiruara në sport, shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit në facebook:

Angazhim maksimal për sportin

Arritja e rezultateve të dëshiruara në sport shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive. Për pëmbushjen e këtij synimi, dje janë nënshkruar dy marrëveshje.

Në mes të ministrit Hajrullah Çeku dhe Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, u nënshkrua marrëveshja përmes të cilës MKRS mbështetë ndërtimin e stadiumit në fshatin Hogosht, projekt i cili parashihet të përfundoj në vitin 2025.

Marrëveshja e dytë iebashkëpunimit u lidh me Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ku parashihet mbështetje financiare për punime në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj”, investim që do të bëhet gjatë vitit 2023 dhe 2024./KultPlus.com

E pazakontë: Plaka e katunit e pret shiritin e rrugës në Hogosht

Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur në komunën e Kamenicës. Pas përfundimit të një rruge në Hogosht, qytetarët e këtij fshati e kanë prerë vetë shiritin dhe kanë përuruar rrugën e asfaltuar.

E këtë nder e pati “plaka e katunit”, e cila e preu me gërshërë shiritin, të cilin po e mbanin së bashku dy familje të këtij fshati.

Derisa liderët politikë në Kosovë vrapojnë pas prerjes së shiritave të kuq, për të përvetësuar meritat për investimet në infrastrukturë, Qëndron Kastrati i Kamenicës, duket se më shumë fokusohet te cilësia e punës. Këtë e thonë banorët e rrugës ‘Babaniku’ në Hogosht të cilët kanë përuruar sot rrugën e tyre të asfaltuar.

“Sot e bëmë përurimin e asfaltimit të rrugës ‘Babaniku’ nga familja Shabanaj dhe Balaj me gjatësi 260 metra. Jemi më se të lumtur me kualitetin e asfaltit që ka një trashësi prej 11 cm dhe gjerësi 4 metra. Lagjja jonë ka një falemnderim special për kryetarin e Komunës dhe stafin e tij…”, ka shkruar njëri nga fshatarët që përuruan rrugën./mediafokus/KultPlus.com

Ujëvara e fshatit Hogosht, perla e natyrës kosovare

Ujëvara ”Qurreli”, një peizazh i bukur piktoresk që e ka krijuar vetë natyra, karshi maleve të bukura të fshatit Hogosht të komunës së Kamenicës.

Kamenica ka mundësi të mira për të zhvilluar turizmin, veçanërisht rajoni i Anamoravës ka kapacitete të mëdha turistike. Bukuritȅ e saj natyrore dhe trashëgimia e pasur kulturore ende nuk janë marrë në konsideratë të trajtohën dhe të promovohen në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre, shkruan albinfo.ch.

Por, e vȅrteta është se ky vend gëzon shumë atraksione tërheqëse për zhvillimin e turizmit. Destinacioni i saj turistik ka potenciale të mrekullueshme natyrore. Me motivet që ka, ofron mundësi të mira për turizëm, pasi që pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra.

Kamenica është e pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrën e saj magjepsëse për syrin e njeriut.

Bukuritë e këtij vendi janë të jashtëzakonshme edhe me shumë atraksione natyrore, të cilat karakterizohen me burime të shumta hidrografike dhe pamje të bukura natyrore. Njëra ndër to është edhe ujëvara” Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht të Kamenicës, shkruan albinfo.ch.

(Atraksion natyror, pamja e ujëvarës Qurreli në fshatin Hogosht  Albinfo.ch)

Ujëvara ndodhet rrëzë maleve të Hogoshtit, me dy rrjedha të veçanta uji, që burojnë nga shkëmbi dhe pa dyshim që ky është atraksioni natyror ndër më të bukurit në Kosovë, por që ende nuk është promovuar.

Kjo ujëvarë gjendet në fshatin Hogosht, 13 km larg qendrës së Kamenicës. Rruga është e kalueshme dhe e asfaltuar, andaj është e lehtë të vizitohet ky vend. Rrjedhja e saj pranë natyrës së bukur dhe kodrave malore të ofron një pamje piktoreske që në vete të jep qetësinë dhe freskinë shpirtërore të papërjetuar më herët, shkruan albinfo.ch.

Pranë kësaj ujëvare gjendet edhe mulliri i këtij fshati. Fuqia e ujit të Qurrelit e bën të mundur punën te mulliri, i cili shfrytëzohet edhe në ditët e sotme nga banorët e këtij vendi.

Mulliri pranë ujëvarës është ndërtuar në vitin 1958 nga dora e njeriut, me qëllim që të furnizojë edhe mullirin me ujë të mjaftueshëm nga rrjedhja e ujëvarës.

Banorët e këtushëm e vlerësojnë këtë vend si tejet të rëndësishëm dhe shfrytëzohet mjaftueshëm nga ata. Banorët e këtij fshati bëjnë bluarjen e mjellit për nevojat e tyre në këtë mulli. Vlen të theksohet se gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit sasia e ujit rritet shumë në këtë ujëvarë dhe mulliri kryen punë më lehtë. /Albinfo.ch. /KultPlus.com