Ekspozitë nga fotografët shqiptarë në qytetin e Kamenicës

Në amfiteatrin e sheshit të Kamenicës, nesër në ora 19:00 do të mbahet ekspozita e fotografëve shqiptarë, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë fotografët:

Arian Mavriqi – Kamenicë
Lorenzo Barelli – Zvicër
Gresa Berisha – Pejë
Shkodra Wildlife – Shkodër
Fahredin Spahija-Prishtinë
Bardha Goga – Ferizaj
Bujar Gashi – Prishtinë
Fehmi Sejdijaj – Mitrovicë (Norvegji)
Lulzim Demaj – Prishtinë
Sefer Aliçkaj – Skënderaj
Valdete Mavriqi – Kamenicë
Sefer Susuri – Prizren
Shkelzen Rexha – Gjakovë
Vehbi Sylejmani – Preshevë (Zvicër)
Arber Elezi – Gjilan
Raim Kurtaj – Prizren
Sefedin Maliqi – Kamenicë
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Kamenica Summer Fest/KultPlus.com

“Filharmonia në lëvizje”, fillon më paraqitje përpara publikut të Kamenicës

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, aktiviteti i Filharmonisë së Kosovës për vitin 2023 fillon më 19 janar me paraqitjen përpara publikut të Kamenicës.

Koncerti me vepra të kompozitorëve të huaj e vendor organizohet në kuadër të aktiviteteve të manifestimit “Flaka e Janarit 2023” dhe mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” prej orës 19:00.

Ky koncert mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Kamenicës dhe është i hapur për publikun. / KultPlus.com

E pazakontë: Plaka e katunit e pret shiritin e rrugës në Hogosht

Një rast jo fort i zakonshëm ka ndodhur në komunën e Kamenicës. Pas përfundimit të një rruge në Hogosht, qytetarët e këtij fshati e kanë prerë vetë shiritin dhe kanë përuruar rrugën e asfaltuar.

E këtë nder e pati “plaka e katunit”, e cila e preu me gërshërë shiritin, të cilin po e mbanin së bashku dy familje të këtij fshati.

Derisa liderët politikë në Kosovë vrapojnë pas prerjes së shiritave të kuq, për të përvetësuar meritat për investimet në infrastrukturë, Qëndron Kastrati i Kamenicës, duket se më shumë fokusohet te cilësia e punës. Këtë e thonë banorët e rrugës ‘Babaniku’ në Hogosht të cilët kanë përuruar sot rrugën e tyre të asfaltuar.

“Sot e bëmë përurimin e asfaltimit të rrugës ‘Babaniku’ nga familja Shabanaj dhe Balaj me gjatësi 260 metra. Jemi më se të lumtur me kualitetin e asfaltit që ka një trashësi prej 11 cm dhe gjerësi 4 metra. Lagjja jonë ka një falemnderim special për kryetarin e Komunës dhe stafin e tij…”, ka shkruar njëri nga fshatarët që përuruan rrugën./mediafokus/KultPlus.com

‘Qendra Rinore’ në Kamenicë në gjendje të mjerueshme (FOTO)

Fotografitë: Arian Mavriqi

“Qendra Rinore” në Kamenicë, aty ku do të duhej që të rinjtë e këtij vendi të zhvillonin aktivitete të ndryshme, vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, shkruan KultPlus.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Komuna e Kamenicës ka bërë publike kontratën e nënshkruar në vlerë 74 mijë euro për rinovimin e kësaj Qendre e cila prej disa vitesh nuk është funksionale.

Por, deri më tash ende nuk është ndërmarrë diçka.

Fotografi Arian Mavriqi sot ka sjell disa pamje që shpalosin gjendjen në të cilën është kjo Qendër. Sipas tij në vitin 2013 ky objekt ka qenë në gjendje shumë të mirë, por ky shkatërrim ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së njerëzve të këtij vendi.

“Me tu kputë shpirti e met lshu zemra! Në 2013-tën këtë objekt “Qendrën Rinore” në Kamenicë e kemi lonë përfekt, te gatshme për aktivitete rinore, dhe sot futem brenda e shoh në këtë gjendje mjeruese dhe krejt çka më sillej në mendje ishte pyetja: Kafshët kështu nuk do bënin sa të jetë jeta. A i ka mbet more një pikë dinjiteti këtij vendi?”, ka shkruar Mavriqi.

Mbetet të shihet nëse Komuna do të ndërmarrë diçka për funksionalizimin e kësaj Qendre Rinore. / KultPlus.com

Protestë e madhe në Kamenicë, kërkohet dorëheqja e kryetarit Kastrati, po i mbyll shkollat

Në komunën e Kamenicës ka filluar protesta kundër reformës në arsim, ku shumë qytetarë dhe nxënës e të rinj janë bashkuar protestës.

Banorët dhe nxënësit e këtij qyteti, janë mbledhur para objektit të komunës së Kamenicës për të protestuar pasi po kundërshtojnë reformën në arsim.

Ata janë mbledhur  për të kundërshtuar planet e kryetarit të komunës, Qëndron Kastrati dhe i kanë kërkuar dorëheqjen e tij nga pozita e të parit të komunës pasi po i bën dëm të rinjve me mbylljen e shkollave dhe veprimet e tjera komunale që po ndërmerr.

Banorët vlerësojnë se reforma parasheh mbylljen e një pjese të shkollave dhe transferimin e nxënësve në shkolla tjera.

Nga kjo reformë shumë profesor e arsimtar kanë mbetur pa punë, po ashtu janë mbyllur shkollat dhe familjet po e kanë të pamundur monitorimin e fëmijëve të tyre duke i dërguar nxënësit në shkollat e qytetit nga fshatrat ku ata jetojnë.

Në protestë janë vërejtur pankarta si ‘Stop mbylljes së shkollave’, ‘Reforma po nxitë shpërngulje’, ‘Duam shkolla në vendlindjen time’.  / Gazeta Metro / KultPlus.com

Edhe të rinjtë e Kamenicës “veshin” drunjtë me pallto në aksionin për t’i ndihmuar të varfrit

Pallto të varura nëpër drunj të qytetit, janë pamje që ditë më parë qarkulluan nëpër mediat online që tregojnë solidaritetin e njerëzve nëpër shtete të ndryshme.

Nuk vonoi shumë dhe këtë hap e ndoqën edhe të rinjtë e Kosovës. Në Kamenicë, vullnetarë nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, kanë shpërndarë pallto në këtë mënyrë, raporton KTV.

Njëra nga anëtaret e këtij Këshilli, tha se ky aksion është bërë me mjete vetanake.

Ky grup i vullnetarëve kanë treguar për aktivitete të shumta humanitare që bëjnë në komunën e Kamenicës.

Një iniciativë e tillë ditë më parë, është zhvilluar në Komunën e Ferizajt, ku qytetarët kanë vendosur rroba dimri falas nëpër pjesë të ndryshme.

E, në Turqi dhe Bullgari, njerëzit kanë ndërmarrë një veprim të tillë human, duke vendosur xhaketa dhe xhupa nëpër pemë për të pastrehët dhe ata me kushte të rënda ekonomike.

Nënshkruhet memorandum për kompleksin “Rexhep Malaj” në Hogosht të Kamenicës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Në këtë takim, ministri Gashi e kryetari Kastrati kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Kompleksi Rexhep Malaj” në fshatin Hogosht.

Memorandumi do të zbatohet gjatë vitit 2018, projekt për të cilin MKRS do të investojë me vlerë financiare prej 50 mijë euro.

Ministri Gashi tha se këto investime po bëhen me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore. “Si MKRS zotohemi se do të angazhohemi maksimalisht që të investojmë në fushën e kulturës e të trashëgimisë” .

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati shprehu falënderim të veçantë për ministrin për përkushtimin e vazhdueshëm në sektorin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë për qytetarët e Kamenicës por edhe për nënshkrimin e këtij memorandumi. Kastrati tha se kompleksi do të jetë në shërbim të kujtesës për qytetarët e Kamenicës dhe jo vetëm./ KultPlus.com