“1984” premierë në TKK – mishërimi i dashurisë përballë makthit të mbikëqyrjes së qeverisë

Era Berisha

Akorët si: Adrian Morina, Flaka Latifi, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci, me lojën e tyre të paparë, kanë jetësuar mbrëmë premierën e shfaqjes “1984” që erdhi nën regjinë e regjisorit francez Igor Mendjisky. Shfaqja vjen e bazuar në romanin ikonik të autorit George Orwell, por ajo që e ka bërë këtë shfaqje të dalë përtej imagjinatës, ka qenë trajtimi i dramaturgjisë nga Zoga Çeta Çitaku, rrezatimi depërtues i esencës së veprës si dhe aktrimi i tetë personazheve thellësisht të komplikuar por edhe të thjeshtë në vetvete, shkruan KultPlus. 

Pasi të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre përbrenda hapësirës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, mu në skenë ata u vendosën ballë me aktorët që gjendeshin nëpër pozicionet e tyre përkatëse. Loja nisi fiks në orën 20:16 e së bashku me të, si rrjedhë uji u lëshua një mjegull e lehtë që u shpërnda horizontalisht në ambient, duke paralajmëruar realitetin distopik që përmban në thelb vetë vepra letrare.  

Një nga një, aktorët procesojnë të prezantojnë “veten” e tyre para publikut, por tërë këtë shtjellim e tutje do ta drejtojë si një shkop magik, O’Brien (Adrian Morina), i cili me shikimet e tij tinëzake kafshon mendimet e gjithsecilit. “1984” sjellë para nesh historinë e Uinston Smith (Ylber Bardhi), djaloshi i cili tërë kohës lufton për copëza të vogla dashurie, lirie e vërtetësie si dhe Xhulias (Flaka Latifi), vajza që ipet lehtësisht pas shikimeve të para të Smithit dhe kësisoj fillojnë të lindin ndjenjat e para mes tyre. Por kjo nuk është thjeshtë një dashuri e zakonshme. Në këtë histori i përfshirë është ‘Big Brother’ i cili mendërisht dhe fizikisht, hyn brutalisht në jetën e tyre dhe përmbys gjithçka, duke krijuar kështu botën ideale të tijën, aty ku mosbesimi dhe dhuna, shkelin këmbë mbi çdo trup. 

Majat e larta të intensitetit që tronditin audiencën vijnë të shoqëruara nën melodi të qëlluara nga kompozitori Trimor Dhomi dhe së bashku me reflektorët që ndërronin ngjyrat herë pas here, krijonin një ambient ku portretizohej më së miri egërsia provokative e pushtetit. Shfaqja në Kosovë ka ardhur e adaptuar për herë të parë posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez Mendijsky dhe një bashkëpunim i tillë ka qenë tejet i nevojshëm për të shpalosur një kryevepër të tillë të përmasave botërore.  

Orwelli në vepër trajton një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikëqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ka qenë pikërisht historia e dashurisë së çiftit protagonist, Uinston dhe Xhulia. Pas disa situatave të ndryshme, Uinston detyrohet të rrëfejë për mendimet e tij që sipas pushtetit janë jo korrekte dhe kësisoj publiku shndërrohet në dëshmitarin e heshtur të torturave nëpër të cilat kalon ai. Refuzimi i tij për të pranuar realitetin e manipuluar të Partisë, i sjell atij fundin.  

Hetuesi i tij, O’Brien ka ndarë plotësisht mendjen se populli nuk do të revoltohet dhe sipas tij, ata nuk do të shikojnë nga ekranet e tyre aq gjatë sa të vërejnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Andaj, kërcënimet e tij ngjallin frikë të tmerrshme brenda shpirtit luftarak të Uinstonit. Mendja e tij hyn në një vijë të paqartë, derisa arrin tek një pikë ku e pyet edhe veten se a ka ekzistuar vetja e tij. Tani për të, të gjitha momentet ku ka menduar për mikrofonat e fshehtë, teleekranët, monitorët e kudogjendur, po shndërrohen në iluzione. 

Fatet personale të dy personazheve kryesorë duket se përcaktohen nga vendimi i Charrington, personazhi që spiunon takimet e tyre tek Policia e Mendimit. Ngushëllimet e Uinstonit dhe Xhulias mes tyre, tanimë nuk kanë asnjë kuptim. Ferri i ashpër i dhomës 101, po i pret të dy personazhet. Edhe pse audienca sheh pasojat e përgjakshme dhe jo aktet, masakra të bënte që të dridhesh në karrige.  

Po ashtu, përdorimi i guximshëm i videove e tingujve që lëshoheshin papritmas përgjatë shfaqjes e cila zgjati plot dy orë, ishin sinjalizues për një përkushtim të lartë të gjithsecilit. Në anën tjetër, skenografia nga Mentor Berisha qe diçka që ka rrëmbyer vëmendjen që në sekondat e para. E krejt kjo për të përcjellë ndjenjën e terrorit klaustrofobik të një shteti totalitar.  

“1984” është një shfaqje që akoma jehon edhe sot nëpër botë. Meritat letrare të Orwell-it janë ngjallur në secilën epokë dhe çdo herë pas tyre, njeriu përbrenda vetes ka stimuluar reflektime të shumta për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Igor Mendjisky. 

“Unë mendoj se kur Orwelli ka shkruar veprën ka menduar që ajo të jetë një satirë dhe më pastaj bëhet një novelë e parashikueshme. Është një çështje më universale. Kjo është hera e parë për mua që po punoj me një trupë të një shteti tjetër dhe puna me aktorët ka qenë me të vërtetë një aventurë e paparë. Bashkëpunimi me TKK-në ka qenë fantastike. Ajo se çfarë më pëlqen shumë nga shfaqja është mënyra e adaptimit që kam bërë unë. Pra, vendosa historinë e dashurisë në qendër të vëmendjes dhe fundi i shfaqjes asisoj është bërë më i rrezikshëm dhe më i stuhishëm. Mendoj se aktorët këtu kanë diçka brenda tyre për ta luajtur këtë shfaqje. Nuk e di saktësisht se çka, apo nëse lidhet me situatën e shtetit, por e ndjej se ka diçka në trupin e tyre.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina i cili erdhi në dy role të ndryshme në skenë, për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes në një kohë prej tridhjetë ditësh. 

“Në konceptin e këtij dramatizimi, personazhi im i tërheqë të gjitha levat por vjen deri tek pjesa që tregon pushtetin e tij, në një mënyrë gati të pavërejtur. Natyrisht, është një rol negativ, ndonëse mu kanë bërë të shpeshta, më pëlqejnë për shkak se të japin mundësi për kreativitet në interpretim. Jam shumë i lumtur me krejt punën që e kemi bërë. Është një kryevepër e letërsisë dhe ka marr kohë deri në kuptimin e qasjes regjisoriale. Nuk e besoj që e ka inskenu dikush në këtë mënyrë më herët. Nëpërmjet një historie dashurie, është pruar edhe diktatura, natyrisht me një intervenim të vogël artistik që e bën regjisori në fund të shfaqjes, duke i ringjallë personazhet dhe duke jep kështu një dritare shprese për të ardhmen.   

Procesi ka qenë tepër i shkurtë për shkak të datave të regjisorit, duke marrë parasysh se ai është një nga regjisorët më të mirë në Francë sa i përket gjeneratës së re. Roli ka qenë sfidues e sidomos ai i narratorit, në të cilin nuk ke shumë mundësi si aktor për të luajtur dhe dialogon me vetveten dhe publikun. Ka qenë e vështirë mënyra poetike e tekstit, andaj edhe kam pasur frikë shumë. Është çmenduri për të realizuar shfaqjen në një kohë kaq të shkurtër por e kemi ndje në çka jemi futur dhe për çka po punojmë. Sonte u dëshmua ajo se kur e bën një shfaqje të mirë, vërehet edhe tek njerëzit, ndaj të cilëve shihej një mungesë për të parë diçka të gjallë, për të parë një botë magjike që po na mungon neve. Ky tekst për neve, duket më i qëlluar sepse ne kemi çka të dhurojmë nga shpirti jonë.  

Pas gjithë kësaj shfaqje, unë kam dalë si një njeri më i mirë.”  

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”1984” do të vijnë me datat: 5, 6, 7, 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com

Premiera e ‘1984’, regjisori Mendjisky: Shfaqja i është përshtatur Teatrit të Kosovës më shumë se kujtdo tjetër

Flonja Haxhaj

Më 30 shtator, Teatri Kombëtar i Kosovës, do të hapë dyert për sezonin e ri me premierën e shfaqjes ‘1984’. Përveç hapjes së sezonit të ri, kjo premierë shënon edhe një moment të jashtëzakonshëm për artin teatror në Kosovë, pasi do të jepet shfaqja e bazuar në një prej novelave ikonë të shekullit 20-të, ‘1984’, e autorit George Orwell, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘1984’ vjen në Kosovë e adaptuar posaçërisht për Teatrin Kombëtar të Kosovës nga regjisori francez, Igor Mendijsky, një bashkëpunim ky që do të sjellë në hapësirat e teatrit një kryevepër të përmasave botërore.

“1984” e George Orwell flet për një shoqëri të kontrolluar nga një qeveri autoritare që mbikqyr dhe kontrollon çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Megjithatë, në interpretimin e regjisorit Mendjisky, fokusi i shfaqjes ‘1984’ do të jetë mbi historinë e dashurisë së çiftit protagonist, Winston dhe Julia. Një histori që ballafaqohet me fatin e tmerrshëm të shoqërisë së tyre.

Për adaptimin e novelës ‘1984’ për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus foli vetë regjisori Igor Mendjisky, i cili fillimisht tregoi zanafillën e këtij bashkëpunimi.

“Fillimisht, drejtori Kushtrim Sheremeti e ka parë punën time dhe ai ka kërkuar një shokut tonë të përbashkët që të na njoftojë dhe ashtu edhe bëri. Unë dhe Kushtrimi u njohëm dhe e patëm një diskutim se çka ka parë ai nga puna ime dhe më tha se dëshiron që unë të vij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.Unë isha shumë i emocionuar për këtë ide dhe pas kësaj unë e pyeta se çfarë shfaqje mund të drejtoj unë dhe ai më tha diçka nga Orwell. Kushtrimi më tha se nga ajo çfarë kishte parë ai nga puna ime, ai mendonte se unë mund të bëj një adoptim të tillë me aktorët këtu”, tregoi Mendjisky, për të cilin, kjo është hera e parë që punon me një shfaqje në Kosovë.

Duke qenë se ‘1984’ nga George Orwell flet për një shoqëri ku një qeveri autoritare shikon dhe kontrollon gjithçka, Mendjisky thotë se fokusi i kësaj shfaqje do të jetë historia e dashurisë në mes të Winstonit dhe Julias, megjithatë, e gjithë ajo që trajton kjo novelë, nuk do të mungojë as në skenën e teatrit.

“Fokusi në këtë shfaqje do të jetë në historinë e dashurisë, ajo në mes të Winstonit dhe Julias, por e gjitha satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë libër, janë gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje. Mendoj që adaptimi flet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie dhe për faktin se pse Orwell vendosi të shkruajë novelën ‘1984’, sepse Orwell është po ashtu në këtë skenë, në këtë adaptim”, theksoi Mendjisky.

Regjisori francez nuk la pa përmendur edhe potencialin e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilët thotë se u është përshtatur kjo novelë më shumë se kujtdo tjetër.

“Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë të mrekullueshëm. Ajo që u them miqve të mi në Paris është se ky tekst, kjo novelë nuk do të ishte luajtur në këtë mënyrë në Francë. Ajo që nënkuptoj është se çka dini ju këtu, nga ajo që ju keni përjetuar nga lufta këtu është diçka që ju lidh më shumë me këtë novelë, më shumë sesa në Francë”, tha regjisori Mendjisky, duke nënvizuar ndërlidhjen e situatave në Kosovë, me ato që përmenden në këtë novelë.

Pavarësisht kohës së shkurtër të provave e shumë sfidave që përballet Teatri Kombëtar i Kosovës, Mendjisky thotë se beson se gjithçka do të realizohet me sukses dhe se publiku do ta pëlqejë këtë shfaqje.

“Shpresoj që publiku do ta pëlqejë sepse kur e shoh shfaqjen, e shoh si diçka shumë universale. Shpresoj që publiku do të dashurohet me shfaqjen dhe me historinë e Winstonit e Julias”, u shpreh Mendjisky për KultPlus.

Në shfaqjen ‘1984’, të adaptuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës, aktores Flaka Latifi i është besuar roli i Julias, një prej roleve kryesore.

Në një intervistë për KultPlus, Latifi thotë se që në momentin kur i është dhënë ky rol, është ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht edhe me përgjegjësi të mëdha mbi supe për të dalë sa më mirë që është e mundur.

“Julia është një nga protagonistet në veprën “1984” nga George Orwell. Ajo është një vajzë e re, plot jetë e gjallëri, intuitive e rebele e cila e njeh shumë mirë partinë. Që nga momenti i parë kur mora njoftimin se do jem pjesë e kësaj shfaqje dhe pikërisht që do të kem rolin e Julias, jam ndjerë e lumtur dhe njëkohësisht me pergjegjësi të madhe për ta portretizuar këtë rol sa më mirë. Rëndësi të veçantë ka poashtu sepse ‘1984’ në Kosovë po punohet për herë të parë, andaj trajtimi, puna dhe përkushtimi duhet të jenë maksimal në mënyrë që publiku ta kuptojë qartë dhe ta ketë ndjesinë e ‘1984’”, tha Latifi.

Ajo më tutje shtoi se kjo shfaqje është duke u punuar brenda një muaji. Megjithatë, pavarësisht kohës së shkurtës, Latifi thotë se të gjithë po bëjnë më të mirën duke punuar ndonjëherë edhe me orar më të zgjatur, vetëm për të pasur rezultate e performancë të sukseshme.

“Unë dhe roli i Julias kemi disa të përbashkëta të cilat më ndihmojnë t’i kem më të lehta edhe dallimet. Deri më tani mendoj se jam duke u mishëruar çdo ditë e më shumë me rolin, shpresoj që shfaqja në premierën e saj ta ketë Julian e Orwellit dhe aktoren e Mendjisky”, tha ndër të tjerash aktorja Latifi.

Pavarësisht kohës së shkurtër të realizimit të kësaj shfaqje, aktorët  dhe regjisori Mendijsky po punojnë me ritme të shpejta. Për rezultatet e arritura deri më tani, Flaka Latifi meritat ia dedikon regjisorit, që sipas saj ka gjetur mënyrën e duhur për të punuar me secilin nga ta.

“Më pëlqen mënyra e punës së regjisorit, i cili në radhë të parë është i sinqertë me ne, është i hapur edhe për propozimet nga aktorët, punon dhe provon në skenë. Jam e kënaqur sepse kuptohem shumë mirë me të”, tha më tej Latifi, duke përmendur po ashtu se edhe bashkëpunimi mes aktorëve ka qenë i jashtëzakonshëm.

E për fund, Flaka Latifi tha për KultPlus se beson që qëllimi i regjisorit do të realizohet me sukses dhe audienca do ta pëlqejë këtë shfaqje.

“Shpresoj shumë që ata të cilët do vijnë ta shohin shfaqjen, të dalin nga teatri me citatin tim të preferuar nga George Orwell ‘Qëllimi nuk është që t’rrijmë gjallë por të mbetemi njerëzorë’”, përfundoi Latifi.

Edhe për aktorin Ylber Bardhi, të cilit në këtë shfaqje i është besuar roli i Winstonit, që po ashtu është një prej roleve kryesore, thotë se është një privilegj për të që është përzgjedhur të luajë këtë personazh kaq të rëndësishëm.

“Momentin kur e kam kuptuar që do të jem Winstoni kam pasur ndjenja të përziera sepse më është caktuar nje ‘barrë’ shumë e rëndësishme e shfaqjes. Rrallë të vijnë këto role në jetë. Besoj secili koleg i imi do të donte ta interpretonte personazhin e Winstonit”, u shpreh Bardhi.

Ai më tutje foli edhe për mbarëvajtjen e provave, të cilat kanë qenë goxha intensive, e tani janë pothuajse në përfundim meqë për pak ditë edhe do të jepet premiera.

“Bashkëpunimi me regjisorin ka qenë fantastik. Është një prej regjisorëve që kërkon shumë nga ty dhe nuk lejon të të ikë asnjë detaj. Jam shumë i lumtur qe jam pjesë e këtij projekti. Edhe bashkëpunimi me kolegët ka qenë shumë i mirë, duke qenë se kemi punuar edhe më herët bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri – tjetrin”, tha mes tjerash Bardhi, duke shtuar se beson shumë që kjo shfaqje do të pëlqehet nga audienca dhe secili do të gjejë një pjesë të jetës së tyre në këtë shfaqje.

Ndërkaq, ju rikujtojmë që premiera e shfaqjes ‘1984’ e regjisorit Igor Mendjisky, do të jepet më 30 shtator në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përveç Flaka Latifit dhe Ylber Bardhit në këtë shfaqje luajnë edhe aktorët e tjerë: Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Shpejtim Kastrati dhe Xhejlane Godanci./ KultPlus.com