Zbulime të papritura në xhami

Prej muajsh tashmë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, ndjekin kantieret e restaurimit të 19 objekteve të kultit të besimeve të ndryshme fetare, nga Jugu në Veri të Shqipërisë.

“E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati”, shprehet ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kështu, në themelet e Teqesë Helvetive dhe të Xhamisë Mbret në Berat, kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani. Këto zbulime bënë të zgjerohet gërmimi arkeologjik në të gjithë sipërfaqen, përtej vijës së themelit të Xhamisë Mbret.

“As unë e askush nuk e fshehim emocionin që ngjall bukuria e mozaikut që shfaqet nën dhe, të cilit nuk do të ngutesha t’i vija asnjë epitet, por pa dyshim po përgatitemi për një destinacion të ri kulturor në hartën e Beratit. Kjo është pak por e sigurt”, përfundon ajo. /Telegrafi/

Është gati projekti për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës, në Pllanë Lezhë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në pikturën murale të kishës.

Kisha e Shën Venerandës ndodhet në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë), dhe ngrihet në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi. Ajo është një kishë e madhe dhe përbëhet prej naosit dhe narteksit.

Monumenti është një ndërtim i shek XIV-të i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe.

Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.

Kisha përmendet në dokumente historike të shek të XVII-të, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit, shkruan ATSH./ KultPlus.com